Po ju shkruaj me vonesë, pasi
vetëm mbrëmë lexova në internet letrën e hapur që ju i drejtonit zotit Sali
Berisha. Për këtë letër më njoftuan disa miq të mi që e kishin lexuar në gazetën
"Dita". U bëra kurioz, hapa internetin, gjeta shkrimin dhe e lexova. Natyrisht,
sot në sistemin demokratik, kushdo ka të drejtë t'i shpreh mendimet e tij hapur
dhe pa pasur frike, si dikur, se mos e persekutojnë. Unë, gjithashtu, mendoj se
nuk ka te drejtë askush të kundërshtojë mendimin e tjetrit, për sa shkruan ai
për një individ çfardo, kushdo qoftë ai. Ndaj unë nuk do të shfaq asnjë opinion
për të gjitha ato që shkruani për Sali Berishën, qofshin merita apo dështime.
Ato janë e drejta juaj personale t'i paraqisni sipas mendimit që ju keni për të.
Kjo është e drejta juaj ekskluzive. Mua mund të mos më duken të gjitha të
drejta, por nuk është detyra ime të ndërroj opinionin tuaj. Por unë do të
përqëndrohem në disa çështje që dalin nga shkrimi juaj dhe që më përkasin
personalisht mua dhe shoqatës që përfaqësoj. Lidhur me këtë mendoj se një gjë e
tillë ka ndodhur pasi ju, për vetë faktin që ndodheni larg atdheut, keni mungesë
informacioni lidhur me aktivitetin tim dhe të shoqatës tonë. Për sa më sipër dua
të bëj sqarimet e mëposhtme.
Në artikullin tuaj ju
shkruani:
"Ju i kërkoni qeverisë së re "Komuniste" që të
shlyejë brenda dy vjetësh detyrimet financiare ndaj të përndjekurve. Nuk ia
kërkuat kështu qeverisë "antikomuniste" të "premtimeve të mbajtura" që ju dha
solemnisht zotimin se do t'i shlyente brenda tetë vjetëve."
Një kërkesë e tillë nga ana e
ime, i dashur Pullumb, nuk është një ultimatum që unë i drejtoj atij. Ajo është
një kujtesë që unë i bëj për premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale prej tij
dhe grupit të punës së ngritur për këtë qëllim me përfaqësues të të përndjekurve
politikë. Unë mendoj se premtimet në një fushatë elektorale nuk duhet të jenë
"Flluska sapuni" të hedhur në erë, por të bazuara në një realitet të prekshëm.
Madje unë e përgëzoj për këtë "nismë" të tij në favor të shtresës që përfaqësoj.
Por, për të thënë të vërtetën, dyshoj në realizimin e këtyre premtimeve. Kjo ka
arsyet e veta. Ai ka aluduar se me ardhjen në pushtet do të amendoj ligjin për
dëmshpërblimin financiar me një nen që përcakton se çdo i përndjekur duhet t'i
drejtohet gjykatës për përfitimin e dëmshpërblimit. Me pak fjalë ne, ish të
dënuarit nga regjimi komunist, duhet të endkemi përsëri dyerve të gjykatave.
Nuk dua të flas për periudhën 1997-2005 kur
qeveria socialiste drejtohej nga Nano. Majko dhe Meta. Gjatë tetë vjetve të
sundimit të tyre nuk vrejtëm asnjë shenjë se kishin dëshirë të bënin diçka të
mirë për këtë shtresë. Madje edhe një ligj dëmshpërblimi që miratuan ishte një
tallje pasi na jepte, për mëshirë, një kafe 50 lekshe në ditë dëmshpërblim, ligj
që, me të drejtë, u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Por do t'ju kujtoj
periudhën 2005-2013. Është e vërtetë që qeveria demokratike dhe aleanca e
drejtuar prej saj nuk i mbajtën të gjitha premtimet e bëra. Kështu për shembull
ligji për dëmshpërblimin financiar u zbatua vetëm për dy këste kur duhej të
ishin shlyer katër. Përveç miratimit të ligjit të dëmshpërblimit dhe ngritjes së
Institutit për Hetimin e Krimeve të Kryera nga Regjimi Komunist, nuk u zbatua
asnjë prej pikave të tjera të Rezolutës së Kuvendit të Shipërisë për dënimin e
krimeve të kryera nga ai regjim. Këto dhe të tjera tregojnë se predispozicioni i
kësaj qeverie nuk ka qenë në lartësinë e duhur. Por shumë herë më negativ ka
qenë qëndrimi i opozitës socialiste kundrejt nesh dhe kjo opozitë drejtohej nga
zoti Edi Rama. Kjo vërtetohet me nxjerrjen nga salla të deputetëve socialistë sa
herë miratoheshin ligje në favor të shtresës tonë. Pikërisht për këto raste kam
shkruar në shkrimin e mëparshëm. Ndaj atje i kërkoja Ramës të kërkonte ndjesë
për këto veprime që, në një farë mase, do t'i quaja kundra interesave të kësaj
shtrese, për të mos thënë armiqësore, gati gati si qëndrimi i dikurshëm ndaj
saj.
Në artikullin tuaj shkruani se përse këto gjëra
nuk ia paskemi kërkuar edhe Qeverisë Demokratike apo Sali Berishës. Edhe
këtu gaboheni dhe unë jam i sigurtë se edhe kjo vjen nga mungesa e
informacionit. Më lejoni t'ju rendis disa artikuj të mi lidhur me këtë
çështje:
Më datën 22 shkurt 2007, lidhur me humbjen
e shumë kryetarve demokratë të bashkive të mëdha në zgjedhjet lokale të
zhvilluara atë vit, në gazetën "Telegraf"
kam botuar artikullin "Fitimtarët e pakicës" ku midis të tjerave shkruaja:
"Por së fundi dua t'i drejtohem edhe Kryeministrit
dhe Kryetarit të Partisë ku bëjë pjesë dhe në mënyrë të sinqertë t'i shpreh
mendimin tim për këto çështje. E çmoj së tepërmi kontributin tuaj në drejtimin e
Partisë Demokratike dhe të qeverisë, por dua të shtoj se përgjegjësinë kryesore
në këtë humbje e keni ju. Pushteti i gjatë i konsumon njerëzit. Nuk e di se si
do të veprojnë vartësit tuaj, ajo është e drejta e tyre, por mendoj se është në
nderin tuaj të tregoni fisnikërinë që ju ka karakterizuar. Bëni xhestin që ju
takon burrave të shquar të politikës botërore. Jepni dorëheqjen. Partia
Demokratike ka plot burra të tjerë të ndershëm dhe të zotë që mund ta drejtojnë
atë."
Më datën 3 korrik 2007 kam
botuar përsëri një letër të hapur drejtuar Kreministrit Sali Berisha ku, midis
të tjerave, theksoja:
"Një miku im para disa ditësh
më tha se kjo është rezultat i politikës
së Katovicës që po ndiqet në vendin tonë. Natyrisht unë nuk dua ta besoj një gjë
të tillë. Por nuk gjej as argumenta për ta kundërshtuar. Çdo ditë ndeshem me
miqtë e mi bashkëvuajtës që e venë theksin në këtë çështje. Ata më flasin për
miratimin e një ligji dinjitoz për dëmshpërblimin material të tyre, për të
vrarët nga rregjimi që akoma nuk kanë një varr ku të afërmit e tyre të derdhin
dy pika lot apo të vendosin një tufë me lule, për rishikimin e legjislacionit
për ta bërë atë të pajtueshëm me rekomandimet e Këshillit të Europës, për hapjen
e dosjeve për të gjithë ata që pretendojnë të futen në politikë, për largimin
nga administrata shtetërore të gjithë ish sigurimsave dhe njerëzve të tjerë të
këtij kallëpi, për rishikimin e teksteve shkollore që akoma vazhdojnë të jenë
shkruar nën frymën e ideologjisë komuniste, për rivlerësimin e figurave të
shquara të rezistencës antikomuniste dhe ngritjen e memorialeve per ngjarje të
shënuara të kësaj rezistence, për hapjen e muzeumeve nëpër vendet ku është
ushtruar më shumë dhunë, për barazimin të paktën të statusit të tyre me atë të
veteranëve të luftës në mënyrë që të mos ketë diferencim në trajtimin e
shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiprtare dhe së fundi për thirrjen e një
konference me pjesmarrjen e përfaqësuesve të Presidencës, Qeverisë, Parlamentit,
partive politike, shoqatave të të përndjekurve politikë, mediave dhe shoqërisë
civile e cila do të shqyrtojë mundësinë e ngritjes së një komiteti me ekspertë
të pavarur për shqyrtimin e krimeve të kryera nga sistemi komunist në Shqipëri."
Le t'i hedhim një vështrim
shkrimit tjetër me titull " A po zbatohet Katovica?"
botuar
në gazetën "Metropol" datë 14 qershor 2012:
"Një delegacion i Kombeve të Bashkuara i kërkoi
Shqipërisë, qysh në marsin e vitit 2010, të dënonte krimet e komunizmit. Po për
këtë qëllim, më 14 dhjetor 2010, gjashtë ministra të jashtëm, ata të Lituanisë,
Letonisë, Çekisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Bullgarisë i kërkuan Sekretares së
Përgjithshme për Drejtësinë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës,
zonjës Vivian Reding, dënimin e këtyre krimeve por që, për fat të keq, kjo
kërkesë nuk u përkrah nga Ministri ynë i jashtëm."
E
pra Ministër i Jashtëm
ishte pikërisht zoti Ilir Meta, për të cilin ju shkruani se qenka një nga
"njerëzit e paparashikuar në kornizat hoxhisto-ramiziste".
Tani dua të flas
lidhur me grevën e urisë të shpallur nga një grup të përndjekurish politikë, nga
të cilët një pjesë ishin me të vërtetë të tillë. Megjithëse për këtë grevë unë
kam rezervat e mia që nuk ia vlen t'i shpreh tani, po ju paraqes një fragment
nga shkrimi im, botuar në gazetën "Metropol" datë 29 tetor 2012 me titull:
"Greva e urise, media dhe të përndjekurit politikë" që bën fjalë pikërisht për
qëndrimin e qeverisë për këtë çështje:
"Le
të flasim për
menaxhimin që i bëri qeveria kësaj greve. Mendoj se ai nuk ishte i drejtë. Ajo
ra në grackën e përgatitur nga organizatorët e grevës dhe zëdhënësit e saj dhe u
kthye në një shkëmbim batutash jokorrekte midis tyre. Ditët e fundit
Kryeministri deklaroi se ligji do të zbatohej një për një, se dëmshpërblimi do
të përfundonte pikërisht në vitin 2017, se në ligj do të bëheshin edhe
përmirësime dhe shtesa të tjera. Kjo është një gjë e mirë të cilën shoqata e
jonë e ka kërkuar prej kohësh. A nuk do të kishte qenë më mirë që këto
deklarata t'u ishin bërë të ditura grevistëve qysh në ditët e para të saj? A nuk
do të kishte qenë më mirë që një përfaqësues, për shembull, i Ministrisë së
Financave, t'u kishte bërë të ditur atyre të dhënat mbi përfitimet në
privatizime e të tjera, që më vonë u publikuan nëpërmjet organeve të
medias?"
E pra këto janë vetëm një pjesë e shkrimeve
të shkruara nga unë lidhur me çështjet që u përkasin të përndjekurve politikë
dhe dua t'ju siguroj se asnjë nga shkrimet e mia nuk është hartuar në
"kancelaritë e kryeministrit të përmbysur", siç shkruani juve. Shkrimet e
mësipërme flasin vetë për të kundërtën. Por ne jemi një shoqatë e të
përndjekurve politikë dhe nuk mund të heshtim kur kryhen veprime që bien erë
komunizëm nga cilido krah qofshin.
Ne kemi konstatuar dhe
konstatojme ende se të dy krahët e politikës vazhdojnë të mbështeten në
elementë, dosjet e të cilëve sikur të ishin hapur, nuk do të guxonte njeri t'i
emëronte në detyra kyçe të pushtetit. Fjalën këtu e kam më tepër për ish
punonjës të Sigurimit të Shtetit, prokurorive, hetuesive dhe gjykatave të
regjimit komunist. Ne nuk kemi heshtur dhe nuk do të heshtim asnjë herë për këto
raste. Jemi i vetmi vend i Europës Lindore ku individë të këtij kallëpi i gjen
në majat e politikës shqiptare. Ndaj iu drejtova zotit Rama për emërimin në
postin e këshilltarit të një agjenti të njohur të UDB-së dhe për këtë janë vetë
kosovarët që flasin.
Para disa muajve ju dërgova
për vlerësim, një monodramë me temë sipas romanit tim "Shkallët e Ferrit",
botuar në vitin 2008. Monodrama bën fjalë pikërisht për penetrimin e këtyre
tipave të cituar më sipër në postet më të larta të administratës së sotme. Ia
kisha dërguar më parë disa aktorëve, regjizorëve, dramaturgëve të njohur të
teatrit dhe kinematografisë, por asnjë nuk mori përsipër vënien e saj në skenë.
Përse? Ndoshta nga frika se do t'u dogëndiste disave prej të mëdhenjve të
vendit. Jua kërkova edhe juve një gjë të tillë. Pasi e vlerësuat më premtuat se
kur të vini këtu në tetor do ta bisedojmë. Unë jam në pritje, por kam frikë se,
përsëri tani, që u ndërrua pushteti, monodrama do t'u dogëndisë disa drejtuesve
të rinj të këtij pushteti.
Këto ditë bënë një vizitë në
SHBA, me ftesaë të ish Presidentit Klinton dy përfaqësues të pushtetit në
Shqipëri, Presidenti Nishani dhe Kryeministri Rama. Ndërsa i pari, përveç
pjesëmarrjes në ceremoninë në të cilën ishte ftuar, u takua edhe me
përfaqësuesit e mërgatës shqiptare në Amerikë dhe zhvilloi një bisedë miqësore
me ta. Ndërsa i dyti, harroi se në Amerikë jetojnë një bashkësi e madhe
bashkëqytetarësh, të vjetër dhe të rinj dhe preferoi më mirë të merrte pjesë në
ceremoninë e dasmës së një miliarderi ultra të majtë. Mendoj se ky krahasim nuk
ka nevojë për koment.
Filozofi Friedrich Nietzsche
shkruante në librin e pambaruar "Vullneti për pushtet" qysh në vitin 1906:
"Kam fatin që kam gjetur, pas mijra vjetësh
aberacioni dhe konfuzioni, rrugën që të çon te një "jo" dhe te një
"po".
Unë ju mësoj që ti thoni "jo" gjithçkaje që ju bën të
dobët, që ju ezauron.
Unë ju mësoj që t'i thoni "po"çdo gjëje që të jep
forcë, që grumbullon forcë, që justifikon ndjenjën e forcës."
Unë kam zgjedhur
këtë të dytën, miku im. I përkas krahut të djathtë të politikës shqiptare dhe do
të vazhdoj të jem i tillë deri në fund. Për mua nuk kanë rëndësi individët që
drejtojnë forcat politike. Për mua kanë rëndësi programet e tyre. Jam me atë që
është më afër nesh.
Ju përshëndes dhe ju uroj
gjithë të mirat!