MBI DEBATIN PËR HAPËSIRËN EKONOMIKE SHQIPËRI-KOSOVË Nga AFRIM KRASNIQI
E Djelë, 10.06.2013, 07:12pm (GMT+1)
Ky debat mbi të ardhmen ekonomike midis Shqipërisë dhe Kosovës është pozitiv sepse kur flitet për interes publik dhe interes kombëtar, propozime mbi rrugëzgjidhje të tilla janë thelbësore. Gjithsesi, unë mendoj se ky debat me siguri do të jetë temë shkëmbimi... opinionesh gjatë, për vite dhe ndonjë edhe dekadën e ardhshme. Për shumë arsye, por sipas meje, më kryesorja është nevoja e suksesit të dy shteteve përmes "mbijetesës" dhe stabilitetit ekonomik, nevoja për konkurrim rajonal përmes tregjeve, nevoja për një ikje nga sloganet e tranzicionit dhe krijimin konkret të një standardi të ri praktik të konceptit të hapësirës shqiptare. Mund të ketë nevojë që debati të zgjerohet edhe me hapësirat e tjera rajonale (sidomos shqiptare), siç janë Maqedonia e Mali i Zi, por në çdo rast mjafton një ofertë dhe rezultat pozitiv në raportet Shqipëri Kosovë që më pas ky projekt të zgjerohet automatikisht edhe më tej.
Arritja e këtij synimi meriton angazhim dhe veprim në tri plane: në planin politik (vullnet politik, angazhim konkret qeveritar në çdo nivel, legjislacion të njëjtë, ekipe konsultimi dhe studimi për jetësimin konkret të projektit etj.), në planin ekonomik (mendësi ndërshqiptare e biznesit për partneritet aktiv të dyanshëm, cilësi të njëjta produktesh dhe sistem të njëjtë financiar, hapësira të sigurta konkurrimi dhe nxitje me vetëdije nga strukturat e biznesit të prioritetit dypalësh në raport me ofertat e tjera jashtëshqiptare).
Unë mendoj se aktualisht asnjëri prej këtyre faktorëve nuk është ende në veprim dhe nuk ka një strategji konkrete. Në aspektin politik deri tani kemi vetëm akte deklarative, nisma individuale, vendime simbolike dhe raporte më shumë personale midis aktorëve politikë, sesa midis institucioneve që përfaqësojnë ata. Në aspektin ekonomik biznesi i dyanshëm vijon të rendë ende në mënyrë të verbër nga tregjet më fitimprurëse të konsumit, pa ndonjë strategji apo synim konkret për investim afatgjatë në tregjet ndërshqiptare të prodhimit, jo vetëm të konsumit.
Rastet e debatit mbi çimenton, mbi tregun e patateve, mbi prodhimet ushqimore etj., por edhe ato mbi librat dhe diplomat, janë raste tipike të pasojës së mungesës së dukshme të veprimit të këtyre faktorëve. Nuk ka ende një njësi konkrete të posaçme që vepron për këtë qëllim as në Tiranë dhe as në Prishtinë, dhomat e biznesit janë më shumë OJF pa ndikim në terrenin praktik, konsumatorët nuk janë sa duhet të informuar për produktet dhe ofertat e tregut të secilit vend (në mediat e dy vendeve nuk ka reklama produktesh respektive përveç teknologjisë dixhitale!) dhe bilanci ende i brishtë i shkëmbimeve ekonomike apo përdorimit pozitiv të investimeve si Rruga e Kombit janë tregues se hapësira e përbashkët ekonomike është ende koncept në hapat e parë.
A duhet bërë diçka urgjente? Po. Mekanizmat janë. P.sh., dy qeveritë e reja në Tiranë dhe aktualja në Prishtinë sapo kanë rënë dakord për një hov të ri në koordinimin politik dhe ekonomik midis dy vendeve. Mund të jetë një shenjë pozitive, shenjë që merr vlera nëse shoqërohet me akte dhe platforma konkrete të miratuara nga institucionet e dy vendeve. Mund të krijohet një bord koordinativ midis biznesit të dy vendeve, mund të krijohet praktika e munguar e përcjelljes së medias informative në dy kryeqendrat shqiptare, mund të synohet përfshirja e dy vendeve në projekte rajonale dhe ndërkombëtare me rëndësi ekonomike (TAP, infrastruktura, energjetika, turizmi etj.). Ka mjaft ide, është nevojë, është domosdoshmëri, por kërkon akte konkrete, afate konkrete, strategji e rezultate konkrete.
AFRIM KRASNIQI
|