Dje gazeta e
Tiranës, Telegraf në faqen e parë njoftonte se policia e shtetit shqiptar bllokoi
shpërndarjen e shtypit, pikërisht të gazetës Telegraf, "ndërkohë që, ministri i
Brendshëm Saimir Tahiri po firmoste në Tiranë emërimet e reja në strukturat më të
larta të Policisë së Shtetit." Sipas gazetës, "Një grup punonjësish të
policisë me uniformën e shtetit kishin bllokuar rrugën dalëse nga Pogradeci për
në Korçë....Në orën 12:20 minuta, patrulla e vendosur në postbllok në dalje të
Pogradecit ndalon automjetin që shpërndante gazetën "Telegraf". Ata i kërkojnë
shoferit dhe shoqëruesit të shpërndarjes së gazetës që të paraqisnin
dokumentacionin".
Gjithçka
në rregull deri këtu, normal. Por ajo që pasoi, sipas gazetës, nuk kishte të
bënte as me rrregullat as me normalitetin. Me pretekstin se makina e gazetës
Telegraf kishte dy gjoba të papaguara, policët, detyra e të cilëve është
ruajtja e rendit dhe qetësisë publike si dhe siguria e qytetarëve dhe e pronave
të tyre, bllokojnë makinën e gazetës Telegraf dhe si rrjedhim ndëpresin
shpërndarjen e gazetës Telegraf. Ndërkaq, mbështetsit e rendit,
njëkohësisht refuzuan të komunikonin me drejtuesit e gazetës në Tiranë, me
qëllim të sqarimit të situatës. Sipas gazetës Telegraf, shoferi dhe shpërndarsi
i gazetës përfundojnë në Komisiariatin e Policisë, në Pogradec. Mirëpo,
gjithnjë sipas gazetës Telegraf, pas hetimeve, në vendin e ngjarjes dhe në zyrat
përkatëse të zonës, rezultoi se makina e gazetës Telegraf e kishte të gjithë
dokumentacionin në rregull dhe se nuk kishte asnjë gjobë të papaguar në emër të
saj.
Në pritje
të sqarimeve të mëtejshme nga policia vendore dhe nga organet përkatëse
të Ministrisë së Mbrendshme në Tiranë, lindë pyetja se pse u bllokua pardje
shpërndarja e gazetës Telegraf në pjesën jug-lindore të vendit. A mund të
ishte këjo një përpjekje për të kërcënuar dhe për të frikësuar gazetën Telegraf
që të qëndrojë larg shkrimeve kritike dhe të heqë dorë nga gazetaria e pavarur?
A po, mund te ishte një gomarllëk mungese profesionalizmi nga ana e policëve
vendorë që kërkonin ndonjë lekë, apo ndoshta ishte diçka më tepër në këtë mes.
Cilado qofshin qenë arsyet e këtij bllokimi të turpshëm të shpërndarjes së
gazetës Telegraf, përpjekjet e policisë së shtetit për të shtypur ose për të
bllokuar përhapjen e fjalës së lirë, janë nje shënjë e keqe, ogurzezë, në fillim
të qeverisë së re të Kryeministrit Rama. Gazeta Telegraf thotë se, pas
krijimit të kësaj situate skandaloze nga policia e shtetit shqiptar, drejtuesit
e saj janë në kontakt me Ministrin e ri të Punëve të Mbrendshme, Z. Saimir
Tahiri, i cili u ka premtuar atyre se organi që ai drejton do të angazhohet
maksimalisht për zbardhjen e situatës. Shohim!
Liria e shtypit dhe
shpërndarja e pa penguar e fjalës së lirë është oksigjen i demokracisë. Liria e
fjalës dhe e medias në përgjithësi është jetike për zhvillimin e shoqërisë dhe
është pjesë e pandarë e qeverisjes së mirë. Pa një media të lirë e të pavarur,
qytetari i thjeshtë është i pafuqishëm dhe njëkohësisht demokracia dhe mirëqenja
ekonomike vihen në rrezik. Njerëzit duhet të informohen në mënyrë të lirë e të
pavarur, nëqoftse pritet që ata të luajnë një rol aktiv në jetën dhe zhvillimin
ekonomik të vendit. Në të vërtetë, disa studime të kohëve të fundit nga Banka
Botërore, theksojnë se media e lirë dhe e pavarur është jetike edhe për një
zhvillim të suksesshëm ekonomik, në vendet në zhvillim siç është Shqipëria. Për
më tepër, kur kërcënohet liria e shtypit, të gjitha të drejtat e tjera themelore
të njeriut rrezikohen gjithashtu dhe keq-qeverisja e korrupcioni mbretërojnë dhe
lulëzojnë të pa kontrolluar në të gjitha aspektet e jetës. Ata që bëjnë
kërcënime dhe bllokime të shpërndarjes së gazetave, siç ndohdi me gazetën
Telegraf në aksin Pogradec-Korçë për çfardo arsye qoftë, duhet të ekspozohen dhe
të dënohen në bazë të ligjit -- po se po -- por edhe në arenën e opinionit
publik shqiptar.
Rëndësia e
rolit që duhet të luaj shtypi i lirë në një shoqëri të lirë e demokratike, në
krahasim me rolin e qeverisë dhe të organeve shtetërore, është thekësuar
ndoshta më së miri nga Tomas Xhefersoni, babai i fjalës së lirë dhe lirisë së
shtypit, i cili ka thënë se, "Po të ishte në dorën time për të vendosur nëse ne
duhet të kishim një qeveri pa gazeta, apo gazeta pa qeveri, unë nuk do të
hesitoja asnjë moment për të preferuar këtë të fundit". Xhefersoni donte që
gazetat të ishin plot informacione që do t'i përdornin qytetarët e një shoqërie
demokratike dhe një shtyp që do të shërbente për të kontrolluar dhe për të
balancuar pushtetin qeveritar dhe shtetëror, në interes të publikut.
Lufta për
lirinë e fjalës dhe të shtypit nuk mbaron kurrë. Ajo është një përpjekje e
vazhdueshme që duhet të mbrohet si pjesë e pandarë e sigurimit dhe të
respektimit të të gjitha të drejtave të tjera bazë të njeriut. Këjo është një
përgjegjësi kyçe e çdo qeverie që pretendon të jetë demokratike dhe përfaqsuese
e popullit. Është detyrë jetësore e çdo qeverie që të mbrojë lirinë e të
shprehurit dhe të shtypit, madje edhe atëherë kurë shtypi është kritik ndaj
saj. Për më tepër, sipas filozofit francez dhe mbështetsit të lirisë së fjalës,
Volterit, i cili ka thënë se, megjithëse ''Unë nuk jam aspak dakort me ato që
thua, unë mbrojë deri në vdekje të drejtën tënde të lirisë së fjalës për të
thënë atë që mendon." Këjo është detyra edhe e çdo shteti dhe ky
është parimi, i pranuar gjerësisht i lirisë së fjalës. Edhe fillozofi i
shekullit 20-të, Noam Çomski ka thënë në lidhje me lirinë e të shprehurit, se
"Nëqoftse me të vërtetë beson në lirinë e fjalës, atëherë ti beson në lirinë e
fjalës madje edhe
për ata që shprehin pikëpamje që nuk të pëlqejnë." Ai ka thënë gjithashtu se
edhe diktatorët komunistë dhe nazistë të shekullit të kaluar ishin në favor të
fjalës së lirë, por vetëm për pikëpamjet e veta. Çomski vazhdon duke thënë se,
"nëqoftse je në favor të lirisë së fjalës, këjo do të thotë se je në favor të
shprehurit dhe tolerant edhe ndaj pikëpamjeve që ti me të vërtetë i përbuzë si
ide dhe mendime armiqësore", për ndryshe nuk beson në lirinë e fjalës as në
shtypin e lirë e të pavarur, sipas tij.
Këjo është sfida
e çdo qeverie. Për të mbrojtur dhe për të mbështetur një atmosferë
tolerance ku media të zhvillohet e lirë dhe e pavarur. Është gjithmonë një
veprimtari e vazhdueshme e plotë sfida, por është një aktivitet jetësor
për zhvillimin normal të çdo shoqërie, pasi siç ka thënë edhe Xhefersoni, "E
vetmja siguri mbi të gjitha është shtypi i lirë''.
Bllokimi i pa
precedencë i shpërndarjes dje të gazetës Telegraf duhet të shërbejë si një alarm
për qeverinë e re në Tiranë që të angazhohet seriozisht që episode të tilla të
mos përsëriten më duke deklaruar publikisht se nuk do të tolerojë bllokime dhe
manipulime të tilla dhe as ndërhyrje me shpërndarjen e fjalës së lirë nepërmjet
gazetave si Telegraf, dhe se kryersit e këtij akti do të jenë përgjegjës para
organeve përkatëse. Është gjithashtu një rast për t'i kujtuar qeverisë dhe
organeve të tjera shtetërore të Shqipërisë, përfshirë edhe policinë, mbi
angazhimet ndërkombëtare, por mbi të gjitha detyrimet që qeveria ka ndaj vet
popullit të vet, ndaj taksa-paguesve shqiptarë, për të respektuar dhe për të
zbatuar angazhimet që ajo ka ndaj lirisë së fjalës dhe të shtypit të lirë e të
pavarur.
Ajo që ndodhi
pardje në një postbllok në dalje të Pogradecit nuk duhet të ndodhë në
Shqipërinë e vitit 2013!