A KA VLERË JETA E NJERIUT NË SHQIPËRI? Nga FRANK SHKRELI
E Enjte, 11.07.2013, 09:20pm (GMT+1)
Mediat shqiptare njoftuan për një tragjedi në Pogradec ku 5 të rinj humbën jetën të asfiksuar në një minierë të asaj zone dhe më vonë u njoftua edhe për një tjetër aksident tragjik ku dy punëtorë humbën gjithashtu jetën në një minierë të Librazhdit, pasi u mbuluan nga dheu mbrenda minierës. Fatkeqësia e Pogradecit bëhet edhe më tragjike, pasi njoftohet se 5 të rinjtë që humbën jetën atje ishin nga mosha 23 deri 28 vjeçare dhe të gjithë kushërinj të afërm të një trungu familjar. Të rinjtë ishin duke mbledhur skrap në një përpjekje sado të vogël dhe të vështirë për të siguruar kafshatën e bukës madje edhe duke rrezikuar jetën duke u futur nën tokë për të mbijetuar në një gjëndje jashtëzakonisht të vështirë ekonomike.
Këjo, natyrisht, është një tragjedi e madhe për familjet e këtyre të rinjve dhe thellësisht tronditëse për çdo shqiptar kudo, ama reagimet e para të politikës shqiptare në lidhje me këtë humbje, janë një tragjedi tjetër për shoqërinë shqiptare. Reagimet ishin të shpejta, por, siç e kanë bërë traditë shumica qeveritare dhe pakica në opozitë, në vend që së bashku të punojnë për të parandaluar tragjedi të tilla në të ardhmen, drejtuan menjëherë gishtin akuzues ndaj njëra tjetrës. Kryeministri i ri Z. Edi Rama deklaroi në parlamentin shqiptar se, "5 të rinjtë humbën jetën në tentativë për të shpëtuar nga varfëria, të cilën nuk e solli kjo mazhorancë, por qeveria e mëparshme". Ndërkohë që akuzoi qeverinë e ish-Kryeministrit Berisha se, "Paratë e bukës së gojës i keni harxhuar të tëra ju, duke i bërë rrush e kumbulla për fushatën e 23 qershorit. Duhet të ulni kokën" shtoi ai, "sepse i keni bërë grosh dhe pilaf ushqimet që iu duhen njerëzve në rast fatkeqësie," u shpreh Kryeministri shqiptar duke reaguar në lidhje me humbjen e jetës së 5 të rinjve në minierën afër Pogradecit.
Ndërsa opozita demokrate në reagimin e parë për shtyp, nepërmjet zëdhënëses së saj Laura Vorpsi u shpreh se, "Partia Demokrate akuzon qeverinë si përgjegjëse direkte për këtë humbje të rëndë të jetës së këtyre të rinjve." Zëdhënësja e demokratëve shtoi në deklaratën e saj për shtypin se, "Të gjithë e mbajnë mend se Edi Rama hidhte valle sa herë që ndodhte ndonjë incident në minierat tona, dhe të gjithë e kujtojmë se Edi Rama ka premtuar siguri në miniera", u shpreh ajo.
Megjithëse tragjedi të tilla si kjo në Pogradec duhej të preknin thellë politikën dhe shoqërinë shqiptare, shihet se, ashtu si edhe në të kaluarën, as kësaj radhe nuk ka as vullnet dhe asnjë përpjekje të përbashkët nga politika shqiptare për të mbrojtur jetën e qytetarëve nga tragjedi të tilla, megjithëse kjo është detyra numër një e çdo pushteti qeveritar dhe shtetëror. Të gjithë e kufizojnë angazhimin e tyre vetëm duke akuzuar njëri tjetrin për përgjegjësi dhe njëkohësisht duke bërë thirrje që "përgjegjësit'', cilëtdo qofshin ata, të shkojnë para gjyqit. Për të evituar tragjedi si kjo në Pogradec, çdo qeveri e ka për detyrë të bëjë ç'mos që të krijojë dhe të zhvillojë një rend ekonomik i cili plotëson nevojat bazë të mbijetesës së qytetarve të saj, pasi ekonomia afekton drejtpërsëdrejti jetesën dhe mënyrat për sigurimin e bukës, madje duke rrezikuar edhe jetën për sigurimin e kafshatës së gojës.
Siguria e jetës së qytetarëve pa dallim -- qoftë nga rreziqet e mbrendshme ose të jashtëme -- është përgjegjësia numër një e çdo qeverie dhe kjo duhet të realizohet në bazë të disa parimeve bazë të pranuara nga të gjithë. Shkrimtari i njohur romak Publius Sirius ka thënë se, "vlera e diçkaje është ajo që je i gatshëm të paguash për të." Atëherë, si matet vlera e jetës së një njeriu në Shqipëri? A vendos qeveria, shteti apo shoqëria se cila është vlera e jetës së këtyre pesë të rinjve që humbën jetën nën tokë në Pogradec dhe dy të tjerëve në Librazhd? Apo e atyre që humbën jetën në Gërdec, dhe shumë e shumë raste të tjera, përfshirë përgjakjen e rrugëve nga aksidentet automobilistike, anembanë vendit. Kur shteti, përgjegjësia e të cilit është mbrojtja e jetës së çdo personi, nuk merr masat e nevojshme për sigurinë e jetës së çdo individi duke parandaluar tragjedi si kjo në Pogradec, atëherë arrihet në përfundimin se qeveria dhe shteti nuk mendojnë se jeta e këtyre të rinjve mund kishte ndonjë vlerë që meritonte ndërhyrjen e shtetit për t'u mbrojtur. Fatkeqësisht, mosrespektimi ndaj vlerës së jetës së njeriut është një trashëgimi e sistemit komunist, kur jeta e personit nuk vlente pesë pare.
Ndërkohë që shoqëria dhe qeveritë e këtyre 20-viteve të fundit, me mosangazhimin e tyre serioz në mbrojtje të jetës së individit nga katastrofat dhe tragjeditë e ndryshme -- kanë bërë të qartë se vlera e jetës së shqiptarit, në mbështetje të së cilës ato kanë qenë gati të bëjnë diçka --historikisht ka qenë asgjë. Njëra prej të vërtetave të ekzistencës sonë në këtë botë është se njeriu dhe qeveritë kanë detyrime morale ndaj njëri tjetrit. Një prej këtyre detyrimeve morale themelore të qeverisë është siguria e jetës së qytetarëve mbi të cilët ajo ushtron pushtetin e saj.
FRANK SHKRELI
|