KOSOVËS NUK I DUHET 'GAZPROMI' Nga SHABAN MURATI
E Hënë, 12.02.2013, 08:17am (GMT+1)
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, vazhdon të hedhë dorezat e sfidës në sheshin e normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Në 24 nëntor, në ceremoninë e përurimit të fillimit të punimeve për ndërtimin e seksionit serb të gazsjellësit rus "South Stream", kryeministri njoftoi se Serbia ka propozuar që mundësia, që një degë e këtij gazsjellësi rus nga Serbia të shkojë në Kosovë, të diskutohet në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, që zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian. Ky propozim surprizë në fakt nuk është dhe aq i befasishëm, sepse para dy javësh, pas takimit në 11 nëntor mes Kryeministrit të Serbisë dhe presidentit të kompanisë së madhe ruse të gazit "Gazprom", zyra e shtypit e kryeministrit serb njoftoi se Rusia dhe Serbia planifikojnë të ndërtojnë një degë të gazsjellësit "South Stream" në Kosovë. Madje radioja shtetërore "Zëri i Rusisë" theksonte në datën 12 nëntor se gjatë vizitës së delegacionit të "Gazprom-it" në Beograd, është marrë vendim, që një degë e gazsjellësit "South Stream" të shkojë në Kosovë. Me një fjalë, Kosova vendoset para një sfide politike dhe diplomatike dhe një zhvillimi të ri shqetësues, i cili ka disa elemente:
Së pari, që Serbia dhe Rusia kanë diskutuar dhe vendosur, që një degë e gazsjellësit rus "South Stream" të kalojë nga Serbia për në Kosovë.
Së dyti, që Serbia ia ka paraqitur këtë propozim qeverisë së Kosovës në bisedimet që zhvillohen në Bruksel mes dy palëve.
Së treti, që Serbia e konsideron çështjen e një dege të gazsjellësit rus në Kosovë si pjesë e axhendës dhe e dialogut të saj me Prishtinën.
Të tria këto elemente nuk kanë të bëjnë as me gazsjellësin e as me furnizimet me gaz, por paraqesin një plan, një projekt apo një qëndrim, që janë në neglizhim dhe në kundërshtim të plotë me statusin e Kosovës si një subjekt i pavarur i së drejtës ndërkombëtare dhe shtet sovran i njohur nga 106 shtete të botës. Serbia dhe Rusia bisedojnë dhe marrin vendime për projekte, të cilat i takojnë ekskluzivisht sovranitetit dhe kompetencës së shtetit të Kosovës. Duhet sqaruar qysh në fillim se lidhur me propozimin serb nuk shtrohet çështja e një diskutimi teorik në planin teknik apo ekonomik, se në cilin degëzim apo gazsjellës ndërkombëtar duhet të lidhet Kosova, me gazsjellësin rus "South Stream" apo me gazsjellësin europian TAP. E theksojmë këtë, sepse ka një farë paqartësie ndoshta edhe në radhët e disa autoriteteve të Kosovës, të cilët do të kishin bërë mirë të kishin mbajtur qëndrim të prerë, qysh kur Kryeministri i Serbisë e ka paraqitur propozimin e tij në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.
Serbia dhe Rusia janë dy shtete, të cilat nuk e njohin Kosovën dhe të dyja kanë si politikë zyrtare qëndrimin që Kosova është pjesë e Serbisë. Në këtë kuadër, si Serbia, ashtu dhe Rusia, e konsiderojnë çështjen e ndërtimit të një dege të gazsjellësit rus në shtetin e Kosovës si një çështje të brendshme të Serbisë dhe sikur ai degëzim do të kalojë nëpër një territor serb. Këtu është qëllimi i fshehur i kryeministrit serb, i cili e hedh në tavolinën e dialogut Serbi-Kosovë. Kjo është njëra anë e çështjes. Ana tjetër është se Serbia kërkon të konfirmojë dhe të sigurojë kontrollin e saj energjetik në Kosovë, sepse, duke ndërtuar gazsjellësin "South Stream" në Kosovë, ajo siguron një ndikim dhe kontroll të qartë energjetik dhe politik në Kosovë. Furnizimi i gazit nëpër këtë gazsjellës do të bëhet nga një shtet furnizues, armik historik i çështjes shqiptare, dhe i cili nuk e njeh shtetin e Kosovës, dhe nga një shtet tranzitues kufitar, armik historik i çështjes shqiptare, i cili nuk e njeh dhe synon ta zhbëjë shtetin e Kosovës. Se si e përdorin instrumentin e energjisë dhe të furnizimit të gazit shtete ekspansioniste si Rusia, e kemi shembullin tepër sinjifikativ në rastin e qëndrimit të Rusisë ndaj Ukrainës, ndaj Bjellorusisë apo ndaj Moldavisë. Moska ua ka prerë furnizimet me gaz dhe i ka lënë të ngrijnë në mes të dimrit, vetëm pse njëri apo tjetri shtet nuk i është bindur në një moment të caktuar njërës apo tjetrës kërkesë të Rusisë. Nuk është vështirë të merret me mend se si mund ta përdorin gazsje-llësin si mjet presioni Rusia dhe Serbia në Kosovë.
Nuk disponohet informacion nëse Serbia, në paraqitjen e këtij propozimi, është inkurajuar nga fakti se disa grupe shqiptare dhe proserbe në Prishtinë mund të lobojnë për lidhje me gaz-sjellësin ruso-serb "South Stream". Që në mesin e biznesmenëve dhe politikanëve shqiptarë në Prishtinë dhe në Tiranë ka lobe proruse, të cilët nën etiketat e pafajësisë së gazit dhe interesit eko-nomik janë përpjekur të sjellin praninë energjetike ruse në trevat shqiptare, nuk është vetëm hipotezë. Kronikat diplomatike kanë të regjistruar një letër të përbashkët të përfaqësuesve të qeverisë së Shqipërisë dhe të Maqedonisë në prill të vitit 2006 drejtuar "Gazprom-it" me ftesën që të hyjë në Shqipëri dhe në Maqedoni. Kronika ka të regjistruar edhe një deklaratë të zëvendësministrit të Jashtëm rus, V. Titov, në tetor të vitit 2010, i cili pas vizitës dhe bisedimeve në Tiranë me qeverinë shqiptare, u shpreh se Moska mund ta përfshijë Shqipërinë në gazsjellësin "South Stream".
Në rastin e tanishëm të Kosovës, propozimi i Beogradit për ndërtimin e një dege të gazsjellësit rus "South Stream" në Kosovë, është një dëshmi e planit serb për kontrollin energjetik dhe kolonial të Kosovës nga Serbia.
Një argument tjetër pse duhet hedhur poshtë propozimi serb është fakti se Serbia e ka paraqitur atë në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, format që nuk ka asnjë lidhje me gazsjellësit. Ndërtimi i gazsjellësit rus nuk është çështje e kadastrave apo e targave mes dy vendeve. Gazsjellë-sit ndërkombëtarë ndërtohen në bazë të marrëveshjeve shtetërore, kur implikohen disa shtete në një projekt. Për gazsjellësin "South Stream" Rusia ka nënshkruar marrëveshje shtetërore në nivelin më të lartë me Bullgarinë, me Serbinë, me Slloveninë, me Hungarinë, me Greqinë etj. Nëse do të duhej të ndërtohej degëzimi në Kosovë, do të kërkohej një marrëveshje shtetërore mes shtetit të Rusisë dhe shtetit të Kosovës, në bazë të një kërkese të qeverisë së Kosovës apo një kërkese të qeverisë së Rusisë. Në vend të trajtimit si subjekt shtetëror ndërkombëtar, Kosovës i shkon propozimi në tavolinën e Brukselit, ku degëzimi i gazsjellësit merr statusin e një çështjeje të normalizimit të marrëdhënieve, gjë që në realitet përbën një paradoks. Për më tepër, Serbia e di që BE, e cila ndërmjetëson bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës, nuk është e interesuar për shtimin e gazsjellësve rusë dhe të degëzimeve të tyre, që rrisin influencën e Rusisë në Europë. Dihet pra që Serbia nuk do të ketë përkrahjen e Brukselit për vazhdimin e "South Streamit" në Kosovë. Por Serbisë i duhet të prezantojë në planin politik e diplomatik pretendimin se marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës i përfaqëson ajo, si dhe të sanksionojë një raport hierarkik me Kosovën: atë të metropolit me provincën.
Serbia e shikon dhe e trajton si një çështje të brendshme të saj me Kosovën dhe jo si çështje dhe objekt tratativash të drejtpërdrejta mes dy shteteve të pavarura. Nuk ka informacion se çfarë qëndrimi ka mbajtur qeveria e Kosovës në momentin kur Kryeministri i Serbisë ka hedhur propozimin për ndërtimin e gazsjellësit rus në Kosovë. Zyrtarët në Kosovë janë mjaftuar t'i thonë ditët e fundit opinionit se kjo çështje "nuk ka qenë deri tani temë e bisedimeve". Në të vërtetë kjo çështje nuk mund të jetë temë e bisedimeve të Brukselit dhe, për mendimin tim, nuk duhet të pranohet as të futet në rendin e ditës të bisedimeve të Brukselit, sepse nuk ka lidhje me to, sepse ajo e vë Kosovën para faktit të kryer të marrëveshjeve ruso-serbe, dhe sepse ajo neglizhon dhe injoron statusin shtetëror të Kosovës. Natyrisht, në bisedime të drejtpërdrejta, si dy shtete të barabarta, që e kanë njohur njëri-tjetrin, Beogradi ka të drejtën të shtrojë çdo lloj propozimi dhe oferte, siç ka të drejtën sovrane edhe Prishtina të pranojë ose të refuzojë.
Propozimi i Serbisë për ndërtimin e një dege të gazsjellësit rus "South Stream" në Kosovë është një projekt për të shtrirë influencën serbe dhe ruse në Kosovë dhe nëpërmjet saj edhe në trevat e tjera shqiptare. Kosova e ka alternativën e furnizimit të saj me gaz dhe ky është gazsjellësi "Trans Adriatik", që do të kalojë nëpër Shqipëri, dhe i cili nuk ka asnjë parametër, që mund të rrezikojë statusin e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran. Shqipëria, si vend tranzit i gazsjellësit TAP dhe si vend kyç i lidhjes së gazsjellësit TAP me gazsjellësin Joniano-Adriatik, IAP, është në pozicionin që të kërkojë dhe të lobojë fort për lidhjen e Kosovës me rrjetin energjetik ndërkombëtar jorus, që kalon nëpër Shqipëri. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e mbajtur në Parlamentin e Kosovës në 13 shtator, dha sigurinë se Shqipëria do të bëjë çdo përpjekje, që kjo linjë strategjike gazi, TAP, të ketë me patjetër edhe një degëzim në Kosovë.
Është jetike lidhja energjetike e gazit, e energjisë elektrike dhe çdo lloj lidhje tjetër, mes Shqipërisë dhe Kosovës, sikurse është e rrezikshme çdo lloj lidhje energjetike e Kosovës me Serbinë dhe Rusinë. Është e nevojshme të theksohet një mijë herë se gazi nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë neutral dhe ka shijen dhe erën e politikës së shtetit që e furnizon. Gazi është instrument ekonomik, politik, diplomatik dhe strategjik. Ndaj themi me bindje të plotë se Kosovës nuk i duhet "Gazprom-i".
SHABAN MURATI
|