QOSJA PËRSËRI GABON - ENVERI ISHTE HITLER Nga ANDREA STEFANI
E Shtunë, 12.28.2013, 08:48am (GMT+1)
Nëse ka një gjë ku Sali Berisha nuk gabon është pikërisht deklarimi i tij se diktatori komunist Enver Hoxha ishte një Hitler. Nëse ka një gjë ku Rexhep Qosja gabon, dhe rëndë madje, është pikërisht deklarimi i tij se diktatori komunist Enver Hoxha nuk ishte një Hitler. Fatkeqësia është se Qosja, që ka thënë dhe thotë jo pak gjëra të sakta e të drejta për situatën politike në Republikën e Shqipërisë edhe për vetë autokratin Berisha, nuk po e kupton se me avokatinë e tij për Enverin, çon ujë në mullirin e antikomunizmit fals dhe hipokrit të Berishës. Sepse mbi dy dekada pas shembjes së regjimit komunist, prania e zërave dhe opinioneve të forta që shqetësohen për imazhin e ish-diktatorit komunist, nuk mund të mos jetë provë e nevojës për "antikomunizëm". Kohë më parë, ishte po Qosja që e cilësoi Enver Hoxhën një nga figurat me përkushtim më të madh atdhetar në historinë shqiptare! Diktatori, shtypësi i lirive të shqiptarëve një patriot?! Sot, ai këmbëngul tek i njëjti gabim. Por sa hapa larg mund të jetë mbrojtja e reputacionit të një diktatori nga mbrojtja e reputacionit të diktaturës? Sot, kur autokratit Berisha i ka mbetur si alternativë politike vetëm manipulimi donkishotesk me rikthimin e komunistëve në pushtet, të bësh avokatinë për Enverin do të thotë t'i japësh të drejtë Berishës për rilindjen e nevojës për të përmbysur "komunizmin". Një farsë që Berisha rreket ta ngjizë për të bllokuar, që në vigjilje, antikorrupsionin që po e kërcënon.
***
Por nuk është vetëm për nevoja të politikës së ditës që e kritikojmë deklarimin e Qosjes. E kritikojmë edhe sepse Qosja e etiketon marrëzi dhe gënjeshtër historike dhe akuzë poshtëruese për shqiptarët ta quash Enverin-Hitler. Çështja ka të bëjë me raportet që mbajmë me të kaluarën gjë që nuk është pa pasoja për të ardhmen. Por përse qenka poshtëruese për shqiptarët ta quajnë Hitler diktatorin më të egër të tyre? Na duket se është krejt e kundërta. Është nder dhe shenjë e emancipimit të shqiptarëve, nëse kultit të përgjaktë dhe poshtërues për lirinë e individit, kultit të Enverit që vetë, sikundër shprehet Qosja, "populli shqiptar me klasën e tij mendore, e këndonte në këngë, e madhëronte në vepra muzikore e në vepra të arteve pamore, e quante figurë më të madhe kombëtare në vjersha, në tregime, në novela, në romane, në vepra historike e politike, në publicistikë" t'i vënë emrin që i takon, atë të një gjakësori dhe shtypësi të lirisë. Do të ishte për shqiptarët shenjë e një emancipimi, e vetëdijësimit për fajin e tyre historik që duartrokitën një kult vrasës. Një katarsis që jo vetëm i nderon por edhe që do të ishte një garanci se ata nuk do të mund të bëhen më viktima të mjera dhe fanatike të hitlerëve të tjerë në të ardhmen. Në momentet e shembjes së komunizmit, shqiptarët dolën në rrugë me thirrjen Enver-Hitler! Mos e kishin vallë gabim? Ose më saktë, kur e kishin gabim, kur e shanin apo kur e duartrokisnin Enverin? Ne mendojmë kur e duartrokisnin. Të thuash të kundërtën do të thotë të insinuosh se shqiptarët kanë gabuar historikisht në vitin '90. Gabimi i vetëm i shqiptarëve kur thërrisnin Enver-Hitler, ishte se nuk e kishin rrokur sa duhet thelbin hitlerian të enverizmit. Gjë që i bëri, një pjesë të tyre jo të vogël, përsëri dhe shumë shpejt mbështetës të një tjetër kulti antiliri si ai i Enverit, kultit të Berishës. Pse ndodhi një gjë e tillë? Se pavarësisht thelbit të njëjtë universal, tirania, shtypja shfaqet në forma e pamje të ndryshme duke iu përshtatur rrethanave dhe epokave. Para Luftës II Botërore u shfaq si hitlerizëm, si musolinizëm, si stalinizëm. Pas saj si enverizëm, maocedunizëm, pinoçetizëm. Dhe në një etapë tjetër, kur demokracia ishte në ekspansion, si berishizëm, gedafizëm, apo putinizëm. Por të gjitha shfaqjet, kanë një thelb të përbashkët: shtypjen e lirisë së njeriut.
***
Dhe çfarë ofron Qosja për të argumentuar se Enveri nuk paska qenë Hitler? Jep të kuptojë se Enveri nuk paska bërë në Shqipëri ekzaktësisht atë që ka bërë Hitleri në Gjermani. Jep të kuptojë se Enveri nuk ka bërë, si Hitleri, të detyrueshme një ideologji raciste kundër hebrenjve apo romëve. Kjo është e vërtetë por ndërkaq, është miopi të mos konstatosh se Enveri ka aplikuar një ideologji të diferencimit të egër klasor, jo më pak të egër dhe diskriminuese për njeriun se diskriminimi racist. Se pak rëndësi ka nëse një regjim të internon si bir kulaku apo si bir hebreu. Thelbi mbetet i njëjtë. Pak rëndësi ka në të plasin në një kamp përqendrimi apo në një kamp pune si ai i Qafë-Barit. Pak rëndësi ka nëse të mbysin me gaz apo të rrasin një plumb pas koke. Pak dallim ka nëse ta djegin kufomën në kremator apo nëse ta groposin në ndonjë rrëpirë pa nam e pa nishan. Thelbi është i njëjtë. Enveri nuk paska përkrahur pushtimin e Europës dhe kontinenteve të tjera si Hitleri?! Më falni, po teoria e eksportimit të revolucionit proletar në mbarë botën çfarë qe? A nuk do të sillnin edhe pushtimi hitlerian por edhe revolucioni proletar enverist fundin e Europës si qytetërim i themeluar te liria? Ashtu si Hitleri shkroi Main Kampfin për të përligjur politikën e tij, edhe Enveri shkroi disa libra me kujtime, një përpjekje për të justifikuar historikisht, logjikisht dhe ideologjikisht, diktaturën komuniste.
***
Edhe në pikëpamje të taktikave, strategjive dhe metodave të sundimit e mashtrimit të njerëzve mund të gjesh të përbashkëta thelbësore mes hitlerizmit dhe enverizmit. E gjen në sundimin e kultit absolut të liderit, në dominimin e partisë mbi shtetin, në shfarosjen e opozitës politike, në kontrollin ideologjik dhe policor të gjithçkaje, në zhdukjen e ndarjes së pushteteve, në zhdukjen e institucioneve dhe gjykatave të pavarura, në përqendrimin e të gjithë fuqisë në një dorë, në manipulimin e zgjedhjeve në izolimin e gjithë Shqipërisë nga bota si një geto. Nëse Hitleri sulmonte me nazistët e tij të veshur si ushtarë polakë një radiostacion gjerman për të justifikuar sulmin mbi Poloni, apo digjte Rajshtagun për të përligjur shfarosjen e komunistëve, Enveri hidhte bomba mbi ambasadën ruse për të justifikuar burgosjen e opozitës politike, apo fuste armë në kisha për të justifikuar persekutimin e priftërinjve katolikë. Në të gjitha këto aspekte, dhe shumë të tjera, mund të gjesh se enverizmi është hitlerizëm dhe hitlerizmi-enverizëm. Nëse nuk kupton dot kaq gjë, nuk arrin të kuptosh se edhe berishizmi është enverizëm pra, edhe hitlerizëm. Nuk është nevoja të flasësh gjermanisht, të kesh mustaqe të shkurtra apo të mbash svastika, që të jesh Hitler. Mund të vetëquhesh demokrat dhe të jesh hitlerian apo enverist. Janë të tjera indicie, jo uniformat, sloganet, flamujt, buzëqeshjet ato që tregojnë thelbin. Ky i fundit, më shumë se me fjalët, ka të bëjë me veprat. Dhe veprat kundër lirisë së njeriut janë ato që i bëjnë bashkë edhe Enverin me Hitlerin.
***
Sali Berisha ka thënë dhe bërë shumë marrëzi që kanë si produkt, edhe me marrëzi të tjera jo vetëm të Berishës, këtë tranzicion të tejzgjatur që e ka bërë Europën për shqiptarët sikur të qe mbretëria e shumë-shumë largut. Por të akuzosh Enverin për Hitler nuk është marrëzi! Dhe ky është një nga ato raste kur i marri bën një kalkulim jo të marrë në funksion të marrëzisë së vet. Thotë një të vërtetë në funksion të një mashtrimi. Dhe është fatkeqësi që Rexhep Qosja nuk po e kupon kaq gjë! Përse? Të duket sikur ai nuk percepton tek Enveri dhe enverizmi atë pjesë të trashëgimisë politike lindore, të cilën ne duhet ta flakim për të fituar europianizmin. Një gabim që ai e ka shfaqur edhe në debatin me Kadarenë për identitetin e shqiptarëve. Ndoshta Qosja nuk i ka shpëtuar grackës që, në fakt, ka përgatitur Berisha me keqqeverisjen, korrupsionin dhe praktikat antiliri. Rrumpalla berishiste si antishtet, si kaos, si mungesë ligji e rregulli, si varfëri, si korrupsion dhe mungesë drejtësie, pra edhe lirie, ka bërë që jo pak njerëz në Shqipëri të kthejnë mendjen me nostalgji nga e kaluara enveriste, kur kishte "rregull" se nuk kish liri (a nuk ka rregull edhe në burg?) kur, në dukje kishte edhe më pak kriminalitet, sepse krimi ishte monopol i pushtetit. Këtë rikthim në modë të shtypjes, këtë nostalgji për regjimin e vjetër me moton "ishim më mirë kur ishim keq", psikanalisti i shquar, Erich Fromm, e ka konceptuar si sindromi i arratisjes nga liria! Dhe nëse shqiptarët nuk krijojnë bindjen se diktatori Enver Hoxha ishte Hitleri i Shqipërisë, një bindje të rrënjosur në shpirt te dashuria për liritë e njeriut dhe përbuzja për dhunuesit e tyre, të tjerë hitlerë, sikundër Berisha, do të kërcënojnë të ardhmen e tyre...
ANDREA STEFANI
|