PËRPLASJE TË REAJ RUMANI BULLGARI PËR KUFIRIN DETAR Nga SHABAN MURATI
E Djelë, 12.29.2013, 11:59am (GMT+1)
Dete
të kripura, që po ëmbëlsohen nga rezervat gjithnjë e më të mëdha
natyrore të gazit dhe të naftës të zbuluara në to, dhe që nuk janë vetëm
"ujë dhe kripë", siç shpreheshin disa diplomatë shqiptarë, që shitën në
vitin 2009 detin e vendit të vet, kanë shtuar përplasjet për kufijtë
detarë mes shteteve të ndryshme. Në datën 9 dhjetor, në Sofje u
zhvilluan bisedimet mes sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së
Jashtme të Bullgarisë, Georgi Dimitrov, dhe sekretarit të shtetit të
Rumanisë, Bogdan Auresku, për procesin e delimitimit të kufijve detarë
mes dy vendeve në Detin e Zi. Komunikata e botuar në këtë rast thekson
se bisedimet e tyre ishin rezultat i një marrëveshjeje mes ministrave të
Jashtëm të të dyja vendeve, në gusht të këtij viti, për të zhvilluar
një analizë të progresit aktual dhe intensifikimin e bisedimeve
dypalëshe për këtë çështje.
Në fakt, kufiri detar mes Rumanisë
dhe Bullgarisë është caktuar që në vitin 1940, i pranuar edhe nga
qeveritë komuniste të të dyja vendeve gjatë pesëdhjetë vjetëve, dhe nuk
ka pasur pretendime territoriale ndaj hapësirave detare të
njëri-tjetrit. Pas shembjes së komunizmit, në vitin 1994, kanë filluar
bisedimet mes dy vendeve për delimitimin e hapësirës detare, të shelfit
kontinental dhe të zonave ekonomike ekskluzive të tyre në Detin e Zi.
Bisedimet kanë vazhduar për afro 20 vjet në nivelin e ekspertëve ose të
departamenteve juridike të të dyja ministrive të jashtme, pa u hedhur në
publik dhe pa shkaktuar përplasje të hapura diplomatike dhe politike.
Tani është hera e parë që niveli i bisedimeve ngrihet në formatin e
sekretarëve të shtetit dhe që u bë objekt i bisedimeve edhe mes dy
ministrave të jashtëm në verën e këtij viti. Ngritja e nivelit të
bisedimeve, nga ekspertët juridikë, në atë të sekretarëve të shtetit,
pra në një nivel të lartë diplomatik dhe politik, tregon rritjen e
mprehtësisë së problemit dhe jo afrimin e zgjidhjes së tij. Ky është
elementi i parë i vështirësisë së çështjes së hapur të kufijve detarë
mes dy vendeve. Elementi i dytë është krijimi i një presioni të
opinionit publik, i cili u sensibilizua për ekzistencën e një pretendimi
të Rumanisë ndaj një hapësire detare të Bullgarisë në një sipërfaqe
prej 17 kilometrash katrorë.
Se si këta 17 kilometra katrorë, nga
objekt i një cikli të stërzgjatur bisedimesh rutinë të ekspertëve
juridikë të të dyja vendeve gjatë 17 raundeve të një odiseje 20-vjeçare,
u shndërruan befas në një grindje juridike, publike dhe diplomatike për
kufijtë detarë, duhet pranuar se "merita" i takon ministrit të Jashtëm
rumun, Kristian Diakonesku. Ishte pikërisht ministri i Jashtëm rumun, i
cili në 20 mars të vitit të kaluar ngriti publikisht çështjen, duke
deklaruar se mes Rumanisë dhe Bullgarisë ekziston një grindje juridike
lidhur me delimitimin e kufijve detarë. Ministri rumun thekson se ky nuk
është pretendim territorial, sepse sipas arsyetimit të tij, derisa
çështja është në diskutim e sipër prej kaq kohësh, do të thotë se të
dyja vendet kanë pretendime territoriale për hapësirën detare prej 17
kilometrash.
Shumë vëzhgues dhe diplomatë kanë bërë pyetjen se
përse Rumania dhe konkretisht ministri i saj i Jashtëm e ngriti çështjen
e kufijve të diskutueshëm detarë, në një kohë që me dokumentet e
nënshkruara prej Rumanisë dhe Bullgarisë në procesin e anëtarësimit të
tyre në Bashkimin Europian është sanksionuar realiteti faktik se mes dy
shteteve nuk ekzistojnë grindje dhe konflikte territoriale për kufijtë
tokësorë dhe detarë. Sepse është e njohur se BE nuk pranon si anëtare,
shtete që kanë konflikte territoriale të pazgjidhura.
Përgjigjja
gjendet tek ajo që po zbulohet, se çfarë përmban deti dhe toka nën të,
dhe më konkretisht tek rezervat e mëdha të gazit dhe të naftës.
Pikërisht një muaj para hapjes së çështjes së kufijve detarë nga
ministri i Jashtëm i Rumanisë, kompania amerikane "Exxon" dhe kompania
austriake "OMV", të ngarkuara nga qeveria e Bullgarisë për eksplorimin e
hapësirave detare bullgare, njoftuan zbulimin e rezervave të mëdha të
gazit natyral, pikërisht në zonën detare që pretendon Rumania dhe që
tani ndodhet nën sovranitetin bullgar. Nga ana tjetër, në zonën ku sipas
Rumanisë është i diskutueshëm kufiri detar, do të kalojë dhe
gazsjellësi rus "South Stream", që do të vijë nga Rusia nëpër Detin e Zi
në territorin bullgar dhe punimet për ndërtimin e të cilit në seksionin
bullgar filluan në 31 tetor të këtij viti. Kjo do të thotë që, në rast
se Rumania ia arrin ta fitojë sovranitetin në këtë zonë, ajo do të
fitonte të drejtën të ishte dhe një tranzituese, sado e vogël, në këtë
gazsjellës, gjë që tani ajo nuk e gëzon, sepse është e përjashtuar
gjeografikisht nga ky projekt energjetik i madh. Në Rumani ishte
parashikuar të kalonte gazsjellësi europian "Nabucco", i cili nuk fitoi
në garën për gazin azerbajxhanas me gazsjellësin tjetër europian TAP.
Kështu Rumania, me sa duket, shikon mundësitë e përfshirjes në një formë
apo tjetër edhe në gazsjellësin rus, gjë që mund ta sigurojë vetëm duke
marrë një pjesë të hapësirës detare, ku do të kalojë "South Stream".
Duke
synuar të fitojë të drejta të reja në këtë zonë detare, Rumania me
ndryshimin e pronësisë së kësaj cope të detit arrin të krijojë një
status të ri kufitar detar për vendin e vet dhe mundet të puqet me zonën
ekonomike ekskluzive të Turqisë. Në këtë alternativë, ajo vendos lidhje
të drejtpërdrejtë territoriale detare me Turqinë, gjë që i krijon asaj
mundësinë që, në një perspektivë, çdo lloj gazsjellësi që mund të vijë
nga Turqia për në Europë, të ketë mundësinë të kalojë drejtpërdrejt në
Rumani, pa qenë i detyruar të kalojë më parë në territorin e Bullgarisë.
Sikurse
shihet, motivet janë shumë të forta dhe nxitëse për të hapur dhe
krijuar një sherr kufitar në marrëdhëniet mes dy shteteve fqinje. Duke e
bërë publike grindjen dhe duke e ngritur nivelin e negociatave në
planin politik, diplomacia rumune synon që të krijohen kushte të një
presioni mbi Bullgarinë dhe për të hapur mundësitë e përfitimit, çfarë
mund të përfitohet, nga publiciteti i një patateje të nxehtë në
marrëdhëniet mes dy vendeve. Kuptohet se kërkesa e Rumanisë ka shkaktuar
një nervozizëm në Bullgari, ku u cilësua si një rivendikim i shtetit
fqinj ndaj hapësirës detare bullgare.
Çështja e debatit apo e
grindjes për kufijtë detarë mes Rumanisë dhe Bullgarisë duket shumë më e
vështirë sesa shfaqet në pamjen e parë. Sepse të dyja shtetet kanë
biseduar për 20 vjet për këtë temë, në formatet e ekspertëve juridikë
dhe të specialistëve të së drejtës së detit, dhe nuk kanë qenë në
gjendje që t'i japin një zgjidhje të pranueshme për të dy palët. Nuk
duket se ngritja në nivelin politik do ta lehtësojë atë proces, aq më
tepër që Bukureshti e hodhi në publik për të ndihmuar pozitën e vet
biseduese, por duke mos llogaritur efektet në palën tjetër, ku zhurma
publike rumune bëhet një pengesë e madhe, sepse opinioni bullgar
vështirë të pranojë atë, që gazeta bullgare "Standart" e cilësonte si
"grabitje e detit tonë nga Rumania". Që çështja është e vështirë e
dëshmon edhe fakti se, kur plasi grindja për kufijtë detarë në mars të
vitit të kaluar, Presidenti i Bullgarisë, Rosen Plevneliev, deklaroi se
ajo do të zgjidhet brenda 15 prillit 2012. Kaloi edhe 15 prilli i vitit
2013, dhe pas bisedimeve të tanishme të sekretarëve të shtetit të të
dyja vendeve, nuk duket se zona prej 17 kilometrash katrorë do të ketë
fatin të shohë së shpejti shiritin e inaugurimit të një marrëveshjeje
dypalëshe detare.
Nga hapja dhe zhvillimi i këtij problemi të delimitimit të kufijve detare të dy shteteve ballkanike dalin disa mësime:
Së
pari, që anëtarësimi në NATO dhe në BE, ku bëjnë pjesë të dyja shtetet,
nuk është zgjidhje automatike e problemeve kufitare, që shtete fqinje
kanë me njëri-tjetrin. Nuk do të thotë as që njëri shtet t'i lëshojë
tjetrit në sovranitetin e integritetin territorial, për hatër se janë
anëtarë të një organizate të përbashkët ushtarake apo politike.
Së
dyti, hapja e këtij problemi do të thotë që secili shtet është dhe
duhet të jetë më i kujdesshëm në kontrollin, administrimin dhe ruajtjen e
sovranitetit të vet territorial dhe detar, sepse poshtë tokës apo
poshtë detit mund të fshihen rezerva dhe thesare të mëdha të burimeve
natyrore, të cilat do të nxisin gjithmonë orekset dhe ambiciet e
shteteve fqinje. Hapësirat detare janë pasuri, të cilat i përkasin
gjithë popullit, dhe jo atyre pesë apo dy vetëve, që zhvillojnë bisedime
për kufijtë e detit, dhe pas bisedimeve janë në gjendje të blejnë vila.
Së
treti, hapja e çështjes së kufijve detarë mes Rumanisë dhe Bullgarisë
dhe zgjatja e tyre prej 20 vjetësh, do të thotë se çështjet e
delimitimit të kufijve detarë nuk janë çështje që negociohen për dy muaj
apo dy vjet. Nxitimi do të thotë të luhet me papërgjegjshmëri me
sovranitetin, siç veproi diplomacia e Shqipërisë, e cila me marrëveshjen
e detit të vitit 2009, (për fat e anuluar nga Gjykata Kushtetuese e
Shqipërisë), i fali Greqisë 350 kilometra katrorë det me lehtësinë më të
madhe. Dhe delegacioni shqiptar i turpit negocionte pretendimin detar
të shtetit fqinj me harta greke. Rumania dhe Bullgaria kanë 20 vjet që
bisedojnë për 17 kilometra katrorë. Është një mesazh dhe përvojë
kuptimplotë për diplomacinë e Shqipërisë, se nuk duhet të ngutet dhe të
mos përsërisë gabimet fatale të marrëveshjes antikushtetuese të detit të
vitit 2009. Deti nuk është vetëm "ujë dhe kripë", siç talleshin me
detin e atdheut të tyre disa diplomatë shqiptarë të delegacionit të
bisedimeve për kufijtë detarë dhe të cilët e shndërruan edhe diplomacinë
shqiptare në "ujë e kripë" për të larë këmbët e shtetit fqinj.
SHABAN MURATI
|