Kështu e ka cilësuar
ish-Ambasadori amerikan Uilliam Uoker ngjarjen tragjike të 15 Janarit,
1999 në Reçak të komunës së Shtimës në Kosovë, ku 15 vjetë më pare kur forcat
serbe të kasapit të Ballkanit, Millosheviq masakruan në mënyrën më brutale
45 shqiptarë të pafajshëm të këtij fshati, përfshirë edhe 8 pjesëtarë të
UÇK-ës. Të mërkurën, Kosova shënoi 15-vjetorin e kësaj ngjarjeje
tragjike, e cila konsiderohet si pikëkëthesa kryesore e ngjarjeve të
më mëvonshme në Kosovë, përfshirë edhe sulmet ushtarake të NATO-s,
kundër objektivave ushtarake dhe industriale serbe, përfshirë edhe
kryeqytetin e Beogradit -- ndërhyrhje kjo që më në fund detyroi
largimin e forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova, duke i dhënë kështu fund
luftës në Kosovë.
Ishte ambasadori amerikan Uilliam
Uoker, në atë kohë Shef i Misjonit Verifikues i Organizatës për
Bashkpunim dhe Siguri në Europë, ai i cili zgjoi nga gjumi letargjik
ndërgjegjen e botës mbi barbarizmat që makineria ushtarako-policore dhe paramilitare
e Serbisë po bënte në Kosovë, ashtu si të donte dhe kur të
donte. Ambasadori Uoker ka thënë se ato që ai ka parë me sytë e
tij në Reçak, janë ato që ai i konsideron si prova dërmuese të
së vërtetës, që ai i deklaroi botës në atë kohë, e që është se forcat
ushtarake, policore dhe paramilitare të Serbisë kanë kryer masakra dhe krime të rënda kundër
njerëzimit, ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës. Pasi kishte
parë kufomat e shqiptarëve të vrarë në Reçak, ai e dënoi masakrën si një
"barbarizëm të pabesueshëm'' dhe i quajti vrasjet në fshatin Reçak
si, "një krim kundër njerëzimit'', duke i thënë në atë kohë gazetës
amerikane Nju Jork Tajms, se ''nuk dëshironte të hesitonte asnjë minutë që të
akuzonte, drejtë për drejtë, forcat qeveritare serbe si përgjegjëse të kësaj
masakre." Deklarata e
Ambasadorit Uolker bëri jehonë anë e mbanë botës, por shkaktoi
reagime të ashpëra sidomos në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë.
Ish-presidenti amerikan Bill Klinton reagoi atëherë ndaj deklaratës së
ambasdorit Uolker duke thënë se masakra e Reçakut, "Ishte një akt
vrasës i qëllimshëm dhe pa dallim, që synonte të frikësonte
popullin e Kosovës."
Ndërsa Ministri i jashtëm i Gjermanisë gjatë krizës në Kosovë, Joschka
Fischer duke folur në emër të Bashkimit Europian ka thënë pas zbulimit të
masakrës në Reçak nga ambasadori Uoker se, "Ata që janë përgjegjës për
këtë akt, duhet ta dinë se komuniteti ndërkombëtar nuk do të pranojë kurrë
masakrimin brutal dhe vrasjen e popullsisë civile."
Masakra e shqiptarëve civilë nga forcat serbe në Reçak ishte vetëm një
nga sulmet e forcave serbe kundër popullësisë shqiptare të Kosovës gjatë atyre
viteve, për të cilat bota nuk ishte e informuar. Por, më në fund qe deklarata
e Ambasadorit Uilliam Uoker, si dëshmitar i masakrës në Reçak, ajo që më
në fund bëri jehonë në median botërore dhe si rrjedhim shkaktoi një
ndryshim të dukshëm të politikës së vendeve përendimore karshi gjëndjes në
Kosovë dhe njëkohësisht shërbeu si një katalist për ndërhyrjen eventuale
të NATO-s, për të dëbuar forcat serbe nga Kosova. Gazeta e kryeqytetit
amerikan, Uashington Post, sugjeronte në prill të vitit 1999 se pas një
shqyrtimi të vendim-marrjeve në Shtëpinë e Bardhë dhe në kryeqendrën e
NATO-s në Bruksel, masakra e Reçakut transformoi politikën e Perëndimit ndaj
Ballkanit si asnjë ngjarje tjetër më parë. Masakra e Reçakut, sipas
gazetës Uashington Post, bindi qeverinë amerikane dhe aleatët e saj në
NATO se politika e tyre e ndjekur deri atëherë duhej të ndryshohej fund e maje.
Politika amerikane ndaj Kosovës deri atëherë bazohej në atë që njihet si
"Paralajmërimi i Krishtlindjeve'', një telegram prej një fjalie që administrata
e Presidentit Bush të parë i kishte dërguar Millosheviqit më 24 Dhjetor, 1992
-- vija e kuqe -- e që ishte një telegram shumë i shkurtë dhe
pa stërhollime, por tekstualisht përmbajtja e tij u citua nga Uashington Post
të ketë qenë fjalia që vijon: "Në rast të një konflikti në Kosovë, që
shkaktohet nga ndërhyrja e Serbisë, Shtetet e Bashkuara do të jenë të
gatëshme të përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe brenda
Serbisë." Ky kërcënim u përsërit disa herë edhe nga
ish-Sekretari i Deaprtmentit të Shtetit Uorren Kristofer, në mandatin e parë të
Presidentit Klinton, por deri në masakrën e Reçakut mbeti vetëm një kërcnim në
letër.
Por ishte masakra e Reçakut dhe dëshmia e një ambasadori amerikan mbi
këtë tragjedi, mbi tragjedinë që kishte pa në atë fshat ambasadori Uoker, që
zgjoi ndërgjegjen e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj në NATO, por edhe
të botës mbarë, e cila bëri që paralajmërimi kërcnues i administratës së
Xhorxh Bushit të parë me rastin e Krishtlindjeve të vitit 1992, më fund
të zbatohej. Si përfundim, më 13 tetor, 1999, për herë të parë në
historinë e saj, organizata e Atlantikut Verior, NATO autorizon komisionin
ushtarak të saj që të fillonte planifikimimin për ndërhyrje ushtarake në
Kosovë.
Shpesh mendoj me vete, po të kishte qenë në atë kohë në Kosovë ndonjë
përfaqsues tjetër nga ndonjë vend europian e jo Uilliam Uoker si Shef i
Misjonit Verifikues i Organizatës për Bashkpunim dhe Siguri në Europë,
çfarë do të kishte ndodhur me rrjedhat historike të Kosovës? A do kishte
pasur një përfaqsues tjetër, fuqinë dhe ndërgjegjen morale që të shkonte e të
vërtetonte vet se çka kishte ndodhur në Reçak. Ose çfarë do të
kishte ndodhur nëqoftse Ambasadori Uoker mos të kishte shkuar për të
parë vetë me sytë e tij tragjedinë në Reçak. Unë besosj se do të kishte pasur masakra si
të Reçakut anë e mbanë Kosovës dhe askush nuk do të dinte gjë për to.
Ambasadori Uoker kollaj mund të kishte shkruar raportin nga një zyrë e ngrohtë
në Prishtinë e ta dërgonte në Vjenë, duke informuar OSBE-në se "˜sipas raporteve
thuhet se ka ndodhur një tragjedi në Reçak, por rrethanat dhe hollësitë nuk
dihen'. Dhe me aq ai e kishte kryer detyrën e
vet. Por jo! Ai si diplomat i regjur e me pëvojë, e ka
ditur se një raport i tillë nuk do të kishte pasur kurrë efektin që do të
kishte dëshmia e tij e gjallë, duke vajtur vet në vendin e ngjarjes
tragjike në Reçak duke e bërë më të besueshme deklaratën mbi masakrën që kishte
pare në atë fshat.
Andaj në këtë 15-vjetor të këtij krimi të shëmtuar nga forcat
kriminele serbe, të kujtojmë, natyrisht me respekt dëshmorët dhe martirët e
rënë të Reçakut dhe familjet e tyre, por njëkohsisht të mos harrojmë
as diplomatin amerikan, ambasadorin Uilliam Uoker, i cili me
guximin dhe kurajon e tij zgjoi ndërgjegjen morale të botës, e cila falë
dëshmisë së tij, u njoh për së afërmi me mizoritë që po bënte
Serbia me dekada në Kosovë kundër shqiptarëve dhe më në fund bëri që NATO të vendoste që të bënte diçka për t'i
ndaluar masakrat serbe kundër shqiptarëve, duke ndërmarrë një sulm ajror kundër
Serbisë dhe forcave të saja në Kosovë. Të rënve Zoti u faltë paqën dhe mikut tonë,
ambasadorit Uilliam Uoker Zoti i faltë jetë dhe shëndet!