PËRRALLA PËR NËNË TEREZËN DHE KODRËN E TRIMAVE Nga GANI MEHMETAJ
E Martë, 02.11.2014, 01:59pm (GMT+1)
Të rinjtë e Kodrës së Trimave e të periferisë së qyteteve të mëdha para luftës pikonin shqiptarizëm. Ata e mbajtën mbi supe rezistencën kundër dhunës serbe. Mësimi në shkollat e mesme e në Universitetin paralel u mbajt në periferi të qytetit, në shtëpitë e prindërve të këtyre të rinjve. Mjekimi i njerëzve u bë po ashtu në këto rrugica të varfra. Jeta në periferi mori dimension të ri, të paparë deri më atëherë. Periferia u bë bastioni i shqiptarizmit e atdhedashurisë. Shoqata Bamirëse "Nëna Terezë' hapi degët në çdo qendër banimi, në çdo lagje e katund për të ndihmuar. Dhjetë vjet të okupimit total i përballuam të gjitha furtunat; dhjetë vjet të dhunës së paparë kundër nesh, nuk patëm nevojë t'ia shtrijmë dorën askujt; dhjetë vjet asnjë fondacion me burim të dyshimtë apo më para të pista, nuk shkeli në periferi as në qendrat e banimit. Ishim solidarë në mes veti më shumë se kurrë më parë, ishim pranë njëri-tjetrit si asnjëherë tjetër.
Emri i Nënës Terezë nuk përmendej vetëm sepse ishte shqiptarja më e famshme në rruzullin tokësore, por sepse shoqatat humanitare me emrin e saj e mbuluan Kosovën, duke e mbajtur gjallë popullatën. Mijëra jetë u shpëtuan, mijëra familje u gëzuan. Gati s"˜kishte shqiptar i Kosovës që nuk u ushqye me ndihmat e shoqatës "Nëna Terezë", s'kishte shqiptar që nuk e ndjente vetën mirë edhe kur nuk ua kishte nevojën ndihmave, sepse e dinte që familja e tij, pavarësisht çka do t'i ndodhte, nuk do të vuante urie e skamje. Asnjëherë nuk u kushtëzua askush gjatë shpërndarjes së ndihmave, nuk ia thanë ndonjë fjalë që do të ishte kundër bindjeve të tyre politike, nuk u dallua në baza fetare apo në çfarëdo baze tjetër. Për veprimtarët e shoqatës ata kishin nevojë për vaj, qumësht, miell, kishin nevojë për veshmbathje. Shoqata të tjera nuk pati, as nuk ua kishim nevojën.
Në Kodrën e Trimave askënd nuk e adhuronin më shumë se sa nobelistën shqiptare. S'kishte familje që nuk e kishte portretin e saj të varur në mur. Për të flitej nëpër familje, në rrugë, nëpër shkolla, i këndoheshin këngë, fëmijët i shkruanin vargje, poetët e shquar i thurnin himne. Shumica e të rinjve të sotëm janë rritur me qumështin e Shoqatës "Nëna Terezë". Baballarët tanë e mbajtën shpirtin nga ky burim jetese.
Shoqata "Nena Terezë" funksionoi edhe disa vjet pas luftës, pati edhe Klinikën më të madhe private në Kosovë në Kodrën e Trimave, ku kujdeset bëheshin falas jo vetëm për dyzetë mijë banorët e kësaj lagje të varfër, por edhe për banorët e lagjeve të varfra të qytetit. Fatkeqësisht rrëfimi këputet këtu. Askush s'mund të jep përgjigje: ç'u bë me shoqatën më të madhe humanitare në vend? Pse shtërzuan burimet? Ku shkuan njerëzit e vullnetit të mirë? Askush nuk e dha asnjë sqarim: ku treti Shoqata "Nëna Terezë"? Pse i braktisen lagjet më të varfra të Kosovës? U bë kjo me ndonjë marrëveshje, ishte konspiracion apo ata që e udhëhiqnin e vlerësuan gabimisht situatën? Gabimin nuk do t'ua fal historia. Banorët e Kodrës së Trimave, lagjes më të madhe e më të varfër në Kosovë, kishin nevojë për ndihma, kishin nevojë edhe qindra lagje të tjera, por ndihmat ua dhanë të tjerët me bisht prapa...
Kodra e Trimave-bastion i varfërisë
Lagjet e varfra i braktisi edhe shteti. Nga to hoqën dorë partitë politike, ose manipuluan frikshëm me të varfrit. Liderucët dukeshin nëpër rrugicat e përbaltura vetëm kur ua kishin nevojën për vota. Banorët e skamjes dale ngadalë u zhytën në errësirë, u bënë bastion të primitivizmit e hajdutërisë, çerdhe të prostitucionit e të krimit. Brezat e rinj u dëshpëruan, ia mbathën në Perëndim, apo ranë në misticizëm për të ikur nga realiteti. Nga energjia e dikurshme mbeti pak gjë, shqiptarizmi nisi të zvetënohen. Nga "Xhamadani vija, vija" dikur, më shumë u shkonte ta këndonin pesë herë në ditë: "Kafshatë që s'kapërdihet asht or vlla mjerimi" të Migjenit, sepse mjerimi në Kodrën e Trimave dhe në lagjet e varfra të Kosovës vetëm sa po thellohej, kurse luksi i pafre dhe pasurimi i paskajshëm i pushtetarëve po shtohet. Për këtë mjerim nuk kanë faj shoqatat islamike nga Irani e Turqia, nga Arabia Saudite e Egjipti, mjerimi nuk e sollën ato, por shoqatat fetare po e keqpërdorin deri në paskajë mjerimin e shqiptarëve. Ato familje që s'arritën të ikin në Perëndim ilegalisht, ose duhet të qëndrojnë dinjitoz e të mos blihen me hurma e paga mujore, ose ta përballojnë varfërinë Kodra e Trimave është bërë bastion i mjerimit e jo i një partie apo tjetre. Gënjejnë ata që thonë ndryshe, ose që përfitojnë nga mjerimi i tyre.
Kur grupet fetare dalin nga kornizat kombëtare
Këtë zbrasti nisën ta plotësojnë shoqatat arabe, turke e iraniane, të cilat nuk bëzan në kohë okupimi, ndërsa në kohë paqe nuk treguan frymë solidariteti, po kushtëzim, nuk shquheshin për tolerancë, por për përjashtim. Kusht i hurmave e ndonjë litër vaji ishte të mësuarit e ndonjë lutje arabisht, kusht i ndihmave më të mëdha u bë futja në tarikatin e "bamirësve". Arabët që i shpërndanin këto ndihma, shkruanin gazetat tona atëbotë, i kushtëzonin vejushat fatkeqe, duke prekur në nderin e shqiptares.
Kështu kur ne e braktisëm krejtësisht periferinë e vendbanimet tjera të varfra, sikur të mos ekzistonin, konfiguracioni ndryshoi dukshëm. Edhe struktura e popullatës pësoi tronditje: moda puro evropiane u larua me të rinj me mjekra, gra me shami të zeza, të murrme apo lara-lara, varësisht a i financonin shoqatat iraniane, saudite, apo turke. Secila shoqatë e kishte modën e vet të veshjes, natyrisht edhe kushtet që ua diktonte hallexhinjve. Fatkeqit u nënshtroheshin kushteve. Duke i lënë të varfrit në mëshirën e shoqatave islamike me rivalitet të përgjakshëm në mes veti në Lindjen e Mesme, ne po i humbim burrat dhe gratë, të rinjtë dhe të rejat, të cilët po bien në kthetrat e sekteve të frikshme, ndërsa nesër mund t'i ndërsejnë kundër nesh.
Pushtetarët e të gjitha ngjyrave politike deshën t'i heqin qafe shtresat e varfra, t'i shmangin trazirat sociale, të mos kërkojnë hallexhinjtë punë as bukë para zyrave të tyre, prandaj i mbyllën sytë para shëmtive. Trazirat sociale mbase po i shtyjnë për ndonjë ditë, por problemet mund të shpërthejnë më të mëdha. Një ditë kjo papërgjegjësi do t'u hakmerret të gjithëve, sepse energjia e ndrydhur dhe pakënaqësia është e madhe. As klerikët gjysmanalfabet me një shqipe të zvetënuar s'mund t'ua fashisin deri në pakufi zemërimin besimtarëve, që ua kanë dhënë për detyrë pushtetarët. Ata që dikur pikonin shqiptarizëm më shumë se të gjitha shtresat tjera sociale, ata që do të binin në flakë për atdheun e Nënën Terezë, nisën të krijojnë idhuj tjerë, të përbuzin kombin, të na ndajnë në fe e në krahina, në sekte e tarikate. Një transformim të këtillë, s'ka bir nëne që e shpjegon, edhe më pak mund ta arsyetoj. Këta të rinj pa busull e të braktisur nga shoqëria, nisën ta përbuzin kombin e tyre, të nënçmojnë gjuhën e tyre, të harrojnë përshëndetjet shqiptare për t'i zëvendësuar me ca murmurima arabe të dala kohe. Nga njerëz praktikë, të gatshëm të sakrifikojnë për komb e atdhe, u bën fanatik fetar të gatshëm të sakrifikojnë për gjëra që s't'i kap mendja, duke krijuar armiq imagjinarë dhe duke i harruar armiqtë real.
Largësi feje a afri kombi? Ndërsa dihet fare mirë se të gjithë këta djelmosha nga mosha 20-35 vjeçare që u rritën me qumështin e "˜Nënës Terezë', sot jo vetëm e durojnë ndonjë hoxhë mjekër palarë t'ua fyej bamirësen e tyre, por ku e ku murmurisin nën mjekër edhe vet ndonjë blasfemi. Frymën që e bartën brenda disa vjetësh shoqatat "humanitare' bëri që lagjet periferike të shndërrohen në çerdhe për regrutimin e njerëzve për lufta fetare apo që të bëhen mish për çorbën arabe. Një ditë fare lehtë shqiptarët mund të gdhijnë kombi më i urryer ndër arabët, sepse po u ndërhyjnë në luftërat e tyre të brendshme, po i vrasin në emër të fesë së tyre.
Lagjet të cilat frymonin shqip ditë e natë, tolerancë e mirëkuptim, sot janë bërë e kundërta, të duken lagje të rrëmujshme arabe a turke që s'frymojnë shqip, që s'dinë çka është respekti ndaj traditës, ndaj kombit e atdheut. Grupet e tilla edhe nëpër këto lagje janë më të pakët, janë më të rrëmujshëm, përpiqen t'i imponohen shumicës. Asnjëherë gjatë historisë nuk jemi shquar për fanatizëm fetar, asnjëherë nuk e kemi shikuar bashkëkombësin nga largësia e fesë, por nga afria e kombit. Po sot?
Sa afër e sa larg Evropës Perëndimore!
Asnjëherë nuk kemi qenë më larg Evropës Perëndimore se sa pas vitit 1999, përderisa asnjëherë nuk ka qenë më e pranishme Evropa Perëndimore e ShBA-ja në Kosovë se sa pas çlirimit. Këtë largësia e krijoi krimi i organizuar, korrupsioni e zhvatja. Por këtë largësia e krijuan edhe shoqatat "humanitare", që rekrutojnë mish për top, ndërsa ne nuk i pengojmë. Këtë largësi po e thellojnë disa klerikë të cilët në vend t'u flasin për rrethin ku jetojnë, ata gjithë kohën u predikojnë besimtarëve për Sirinë e Afganistanin, duke i larguar nga problemet sociale e problemet e tjera në atdheun e tyre. Ata po i largojnë nga realiteti i hidhur, duke i mashtruar me ëndrrat për parajsën dhe 70 "hyriat e xhenetit" të cilat i presin ditën që do të sakrifikojnë në luftën e shenjtë! Të rinjtë e shkret s'kanë mundësi sociale ta mbajnë një grua, ndërsa ua përkëdhelin ëndrrën marroqe për 70 gra!
Derisa perëndimorët na ndihmuan pa kursim, na ndihmojnë edhe sot e kësaj dite më shumë se sa që bëjmë ne për vete, çuditërisht fryma e importuar nga kaosi arab, ka nis të depërtoj në Kuvend, (deputetët "tonë" votojnë kundër shtetit laik si të ishin deputetë të Homenit, ndërsa beduinët e Arabisë Saudite dolën më të qytetëruar se sa grumbulli i deputetëve të Kuvendit të Kosovës ).
Fryma shkretinore po përhapet edhe në disa qarqe kuazi intelektuale, nëpër disa gazeta, nëpër çajtore periferie, meqë para e madhe e shoqatave "bamirëse" është shpërndarë gjithandej.
Fryma e mos durimit po depërton si murtaja nëpër qytete e katunde.
Por qytetet e katundet e pasura, nuk e kanë këtë frymë, as këto probleme. Jetojnë në paqe me vete e me të tjerët, janë në paqe edhe me punën dhe paratë e veta. Ata s'ua kanë nevojën të tjerëve. Boks Dr Ibrahim Rugova ishte i vetmi njeri, veç Papës, të cilit Shenjtëresha Shqiptare Nëna Tereze i ishte përkulur dhe ia kishte puthur dorën, dhe atë publikisht, në praninë , në në praninë e shumë liderëve të vendeve dhe të popujve të të gjitha kontinenteve.
Në të vërtetë, në shkurt të vitit 1997, në Lutjet Tradicionale të Mëngjesit, në Shtëpinë e Bardhë në Ëashington, Nëna Tereze ishte përkulur para Presidentit Rugova, ia kishte marrë e ia kishte puthur dorën dhe pastaj i ishte drejtuar ish presidentit të SHBA-ve Bill Klintonit, duke i thënë: "Zotni President. Ky është presidenti im dhe i Kosovës Ibrahim Rugova. Të lutem ma ke në kujdes, bashkë me popullin tim!"
Mbas përfundimit të luftës në Kosovë, Klinton kishte shkuar në Kalkutë dhe duke u lutur mbi varrin e Nënës Tereze, ndër të tjera i kishte thënë: "Nënë, ndjehem krenar dhe i çliruar në shpirt, që Zoti na ndihmoi dhe ta çova në vend amanetin! Tashmë populli yt në Kosovë është i lire dhe po ndërton demokracinë".(Rugova press).
GANI MEHMETAJ
|