E Djelë, 12.08.2024, 06:00am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
TËRMETET POLITIKE MES KIEVIT DHE MOSKËS ME PRAPAVIJË SHUMËSHEKULLORE
Pse Ukrainasit kanë urrejtje për rusët?
Nga Prof. Dr. ESHREF YMERI

E Martë, 02.25.2014, 07:40am (GMT+1)



Ukraina dhe Rusia kanë një histori të përbashkët të kahershme. Prandaj jo më kot Kievi shpesh herë quhet si "nëna e qyteteve ruse" dhe vlerësohet si djepi i qytetërimit ortodoks sllavianolindor. Rusia Kieviane (ky shtet kështu është quajtur në Evropën Lindore në shekujt e mesjetës) konsiderohet prej të dy vendeve si pararendësja e tyre historike.

Pas dyndjes tataromongole drejt Rusisë Kieviane në vitet 1237-1242, fatet e popullit rus dhe të popullit ukrainas u ndanë nga njëri-tjetri. Sundimi tataromongol vazhdoi dy shekuj me radhë. Në Rusinë verilindore ky sundim vazhdoi deri në vitin 1480, ndërkohë që në tokat e tjera kjo zgjedhë u hoq qafe në shek. XIV, pas fitores së trupave ruse të udhëhequra nga Dmitri Donskoj në betejën e Fushës Kulikovo të vitit 1389.

Ngjarjet tragjike të ditëve të fundit në Kiev, të shoqëruara me shumë viktima dhe të plagosur, e kanë zanafillën te mosnënshkrimi i Marrëveshjes së Asocimit me Bashkimin Evropian prej Presidentit Janukoviç në nëntorin e vitit të kaluar dhe te kthimi i timonit drejt Moskës në çështjet e tregtisë. Por, në të vërtetë, mosnënshkrimi i marrëveshjes në fjalë shërbeu thjesht si pretekst për shpërthimin e krizë politike.

Marrëdhëniet mes Kievit dhe Moskës kanë një parahistori të gjatë, e cila është shoqëruar me mjaft ngjarje të rënda që kanë lënë gjurmë të thella në vetëdijen kombëtare të popullit ukrainas. Unë kam një informacion të pasur për natyrën e këtyre marrëdhënieve, të cilat kanë kaluar nëpër një spirale tragjike. Por në këto shënime nuk dëshiroj të shfletoj informacionet personale nga burime të mirfillta ukrainase, në mënyrë që të mos i lë shteg vetes të bëj vlerësime që ndokujt mund t'i tingëllojnë si subjektive.

Prandaj e quajta me vend t'u drejtohem ca shënimeve mjaft interesante të një analisti ukrainas, i cili, duke u mbështetur mbi fakte historike, hedh mjaft dritë mbi arsyet e vërteta se pse ukrainasit kanë urrejtje për rusët:

"Kohët e fundit, rusët gjithmonë e më shpesh po ankohen për faktin se nëpër faqet e internetit po përplasen me shfaqjet e një urrejtjeje "të pakuptueshme" nga ana e "vëllezërve" ukrainas. Se, demek, ngado që hedhin sytë në faqet e internetit, ata gjithandej lexojnë pikërisht sharjet dhe ofendimet e këtyre "vëllezërve". Se, që ta merrni vesh, më herët, rusët ushqenin një simpati të madhe ndaj ukrainasve (se gati secili në fisin e vet e ka një të afërm ukrainas), kurse tani pyesin veten në hutim e sipër:
"Cila është arsyeja që ukrainasit na urrejnë kaq shumë?"
I dëgjova sa i dëgjova një copë herë të mirë të gjitha ankesat e tyre, të shoqëruara me lot, dhe pastaj i dhash karar që t'ua shkoqitja mirë e mirë "vëllezërve" tanë se cila është arsyeja që ukrainasit ushqejnë kaq shumë urrejtje ndaj tyre dhe se çfarë duhet bërë që gjithçka të nisë që nga fillimi.
Për fjalë të nderit, mua më habit paksa zemërata e rusëve lidhur me agresionin leksikor dhe me urrejtjen që ukrainasit ushqejnë ndaj tyre. Prandaj po ju drejtohem sikur të isha në një bashkëbisedim me ta:
Tani, që t'i themi gjërat açik, çfarë dëshironi ju? Ju na shisni atë gazin tuaj të qelbur me çmimin më të lartë në Evropë dhe pastaj i hapni sytë kokërdhok se pse ukrainasit ju shajnë nga nëna e nga baba poshtë e përpjetë. Sigurisht që do të shfajësoheni se në këtë mes e ka fajin Putini, se rusët e thjeshtë s'kanë gisht në këtë mesele. Jo more! Po këtë gjel të fryrë kush e zgjodhi president për të tretën herë? Kush e ngre deri në qiell këtë farë burri? Tani atë, sigurisht, nuk e kanë fort qejf, por prapëseprapë në Rusi nuk janë të paktë ata që mendojnë me prapanicë, të cilët i kanë dalë krah carit të mbarë Rusisë në të gjitha nismat e tij, përfshirë këtu edhe politikën që drejtohet kundër Ukrainës.
Por nejse, sikur halli të ishte vetëm te gazi. Por gjelat tuaj të Kremlinit ia kanë bërë trutë dhallë Ukrainës jo aq për atë punën e gazit, sesa për të gjitha gjërat e tjera që kanë të bëjnë me punët tona të brendshme.
Le të marrim qoftë edhe punën e gjuhës. Ç'ju hyn në hesap juve se ç'gjuhë flasin njerëzit në Ukrainë? Si-si? Ju dashkeni që rusët etnikë që jetojnë në Ukrainë të flasin në gjuhën amtare? Jo more! Po ju a ua keni krijuar këtë mundësi ukrainasve etnikë që jetojnë në Rusi? Atëherë çfarë pretendimesh paskeni ndaj nesh? Se që të kërkosh diçka, në fillim duhet të japësh shembullin personal dhe mandej t'u rrokanisësh kokën të tjerëve për të drejtat e veta.
Po ç'thotë historia? Ç'ju hyn në qese juve se cilët janë heronjtë tanë kombëtarë? Ju shikoni historinë tuaj. Heronjtë tanë, së paku, kanë luftuar kryesisht kundër okupatorëve dhe jo kundër popullit të vet. Dhe ç'keni që na qortoni orë e çast për faktin që ne zhvillojmë një politikë antiruse, duke lëvduar ata që kanë luftuar kundër Moskës. Mos ne u kemi akuzuar gjë vallë për faktin që Rusia zhvillon politikë antiukrainase, duke ngritur në qiell Pjetrin e Parë (1672-1725) që e shkoi në thikë Baturinin (kryeqytet i kozakëve të Ukrainës në shek. XVII-XVIII - E.Y.) dhe shkatërroi qendrat administrative usharake, ose duke i thurur lavde careshës Ekaterina (1729-1796) që likuidoi udhëheqësit ushtarakë ukrainas dhe shkatërroi për herë të dytë qendrat administrative ushtarake dhe vendosi në Ukrainë të drejtën e bujkrobërisë?
Po ç'i keni gjithë këto thirrje për bashkim? Ju menduakeni se ky na qenka qëndrim vëllazëror, të bësh thirrje për bashkim, duke mbjellë frikën me këtë rast me gjithfarëlloj komplikacionesh që mund të lindin për udhëheqësit ukrainas në rast se Ukraina nuk jep pëlqimin për aleancë doganore me Rusinë? Jo, këtij nuk i thonë qëndrim vëllazëror, këtij i thonë qëndrim shtazëror! Po ç'janë ato kërcënime për të dhënë një goditje bërthamore kundër Krimesë në rast se Ukraina bëhet anëtare e NATO-s? Ju e quakeni normal një qëndrim të tillë?
Është e natyrshme që dikush do të thotë se politika nuk duhet të ndikojë mbi marrëdhëniet e popujve. Demek, na qenkan politikanët këta me trurin kryq që provokuakan konflikte, kurse populli i thjeshtë laka duart në këtë mes. Me gjithë mend e keni! Juve ju paska mbetur hatëri për faktin që ukrainasit nuk u shprehkan siç duhet për ju nëpër faqet e internetit. Po ju lexoni në fillim se çfarë shkruajnë për ukrainasit në internet bashkatdhetarët tuaj që vuajnë nga mania e madhështisë dhe nga hemoroidet e shovinizmit rusomadh.
Mos ju menduakeni se neve, ukrainasve, na vjen mirë të lexojmë se, demek, qenkemi popull i paqenë, se paskemi tradhtuar "gjirin", pardon, emrin e vet "rrënjës", domethënë "rus" dhe lloj-lloj përçartjesh të tjera? Dhe mandej lini mendjen kur ndonjë ukrainas, "pa ndonjë arsye", ju shan në themel e në çati?
Ju pyesni se çfarë duhet bërë "për ta kthyer gjithçka ashtu siç ka qenë"? E po, sa për sefte, duhet ta pranoni se "siç ka qenë" asnjëherë nuk ka qenë.
Marrëdhëniet e tendosura mes ukrainasve dhe rusëve kanë qenë të përhershme. Ato nuk janë krijuar sot, ato shkojnë larg, e kanë zanafillën që nga kohët e Rusisë Kieviane, kur princët rusë që gjoja i përkisnin së njëjtës etni, thereshin me njëri-tjetrin që si e si të hidhnin në dorë fronin e Kievit.
Megjithatë, nuk kemi ndër mend të futemi thellë në histori. Do ta fillojmë nga viti 1618, kur hetmani  (komandant i trupave kozake, - E.Y.) ynë lavdimadh Sahajdaçni (1582-1622), së bashku me zaporozhasit e vet të lavdishëm, i kalli datën Rusisë dhe për pak sa nuk pushtoi Moskën. Unë mendoj se pikërisht që asokohe rusët i kanë marr zët ukrainasit. Dhe kjo është e kuptueshme: moskovitët asokohe i mbushën pantallonat.
Mandej pasoi beteja në afërsi të Konotopit (qytet i krahinës Sumskaja në verilindje të Ukrainës - E.Y.), kur një tjetër hetman i shquar, Vigovski (1608-1659) u dha dërrmën trupave cariste. Kanë pas qarkulluar llafe asokohe se cari rus kaq keq i paskej mbushur pantallonat, saqë ia kishte mbathur nga Moska, nga frika se mos kozakët do të shkonin për të hedhur në dorë shpirtin e tij mëkatar.
Paskëtaj kanë qenë jo të pakta betejat e ukrainasve në aleancë herë me polakët, herë me turqit, herë me suedezët, herë me gjermanët kundër rusëve. Prandaj nuk pinë ujë hipokrizitë dhe rrëfenjat me përralla për "miqësinë shekullore mes popujve vëllezër", sepse, në të vërtetë, nuk ka pas ekzistuar kurrfarë miqësie. Sepse ata, me të cilët ju gjoja keni pasur miqësi, nuk kanë qenë ukrainas dhe djalli e merr vesh se kush kanë qenë ata, sepse ukrainasit e vërtetë asnjëherë nuk hynin në marrëdhënie miqësore me ata që iu kanë bërë të liga.
Po, po! Dhe nuk është nevoja të shtrembëroni turinjtë dhe t'i hapni sytë kokërdhok nga qielli. Ju menduakeni se treqind vjet bashkëjetesë në një shtet të vetëm kanë qenë periudhë idilike fund e krye, se, demek, ukrainasit dhe rusët kanë jetuar në paqe dhe në lumturi? Por ne, ukrainasit, nuk jemi të këtij mendimi. Ne e mbajmë mend shumë mirë sesi carët tuaj, bashkë me careshat tuaja, ndalonin përdorimin e gjuhës sonë, se si ata po e shfarosnin vetvetësinë (identitetin) tonë, duke mos lejuar përdorimin e emërtimit "Ukraina" (që do të krahinë kufitare dhe që në fundin e shek XVIII rusët fiilluan ta quanin "Rusia e Vogël" - E.Y.) dhe "ukrainas", duke i zëvendësuar ato me emërtimet idiote "Rusia e Vogël" dhe "rus i vogël"; se si sundimtarët tuaj i torturonin me armën e urisë stërgjyshërit tanë dhe i vrisnin për të vetmen arsye se ata donin të jetonin të lirë në shtetin e tyre të pavarur.
Çdo ukrainas normal e di dhe e mban mend një gjë të tillë. Kurse ata që i mohojnë të gjitha këto fakte, ata vetëm ukrainas nuk janë.
Prandaj, në qoftë se dëshironi që ukrainasit të mos ju urrejnë më, në qoftë se keni qejf ta ktheni atë që nuk ka pas ekzistuar kurrë, ja se çfarë duhet të bëni: cari juaj i gjithë Rusisë Vovoçka Putin le të vijë në Kiev, të kalojë në Sheshin Meidan (ukrainasit e quajnë Majdan, fjalë kjo me prejardhje nga persishtja që emërton çdolloj mjedisi të hapur, parku apo sheshi në tërësi - E.Y.), të bjerë në gjunjë dhe, në emër të të gjithë popullit rus, t'i kërkojë ndjesë popullit ukrainas... Pastaj le të shporret nga toka jonë e shenjtë. Dhe, në ikje e sipër, le të ndalet në çdo qytet, në çdo fshat dhe të kërkojë ndjesë për të gjitha ato të liga që carët, perandorët dhe sekretarët e përgjithshëm kanë bërë në tokën e Ukrainës!
Dhe po të ndodhë me të vërtetë një gjë e tillë (për çka unë dyshoj shumë), ne, ashtu qoftë, do të fillojmë të miqësohemi me ju dhe do t'i harrojmë fyerjet e vjetra. Atëherë mund të flitet për ndofarë lidhjesh ekonomike (dhe për asgjë më tepër). Por kjo nuk përbën fakt se ne do të japim pëlqimin për gjësend tjetër. Sepse ne kështu jemi si popull: të keqen nuk e kujtojmë, por na duhet ta regjistrojmë. Prandaj mos u sillni shumë ashpër me ne: vlerat evropiane ne i kemi shumë më për zemër sesa ato euroaziatke..." (Citohet sipas: Vadim Gontarenko. "Pse ukrainasit kanë urrejtje për rusët". Marrë nga faqja e internetit "UAINFO". 22 shkurt 2014).     
Kur mbarova së lexuari këtë analizë interesante të zotit Vadim Gontarenko, menjëherë më erdhi ndër mend një strofë mjaft kuptimplote nga një poezi e poetit të shquar kombëtar ukrainas Taras Shevçenko (1814-1861), të cilin perandori Nikollai I (1796-1855), për përmbajtjen e poemës "Ëndrra", e pati ndëshkuar rëndë, duke e degdisur në shtepat e humbura të Kazakistanit dhe të Kirkizisë për kryerjen e shërbimit ushtarak:

Brune, bëni qejfin tuaj,
Por jo me moskalë*,
Se moskalët janë të huaj,
Kanë për t'ju tallë.

Pra, zanafilla e tërmeteve politike mes këtyre dy shteteve është shumë e hershme. Heroi kombëtar i popullit ukrainas, Bogdan Hmelnjicki (1595-1657), në Kuvendin e Perejasllavit, të mbledhur më 8 janar 1654, shpalli bashkimin me Rusinë, mbi bazën e të drejtave të barabarta në kuadrin e dy shteteve të përbashkëta. Por pas vdekjes së Hmelnjickit, shovinizmi rusomadh e zhduku dokumentin e firmosur prej tij që vërtetonte barazinë e plotë mes të dy shteteve, me qëllim që ta shndërronte Ukrainën në koloni të vetën. Ishte pikërisht pabesia e shovinizmit rusomadh ajo që e detyroi të birin e Bogdan Hmelnjickit, Juri Hmelnjickin (1641-1685), t'i shkëpuste lidhjet me Rusinë. Më vonë Ukraina përsëri ra nën zgjedhën e carizmit rus, zgjedhë kjo që vazhdoi deri në Revolucionin e Tetorit, por që u bë edhe më e egër nën sundimin e komunistëve sovjetikë. Aq e vërtetë është kjo, saqë "në fund të viteve '20 të shekullit të kaluar, në Ukrainë shpërtheu një lëvizje e fuqishme me prirje nacionaliste që kishte si qëllim kryesor arritjen e pavarësisë me çdo mjet...Në periudhën fillestare të okupimit, komanda gjermane u mundua ta kthente potencialin nacionalistofetar të Organizatës së Nacionalistëve Ukrainas (ONU) kundër pushtetit sovjetik dhe Ushtrisë së Kuqe... Organizata shpërtheu luftën kundër dy armiqve - kundër Bashkimit Sovjetik dhe kunër Gjermanisë" (Citohet sipas: Valer Jaremenko. "Shpërthimet e  separatizmit ukrainas". Politiçeskij zhurnall, nr. 12 (63), 4 prill 2005, f. 80).    
    Pikërisht këto janë arsyet e acarimeve mes këtyre dy vendeve sllave që  vazhdojnë edhe tani. Ndërkohë, Kremlini, për destabilizimin e situatës në Ukrainë, ka kërkuar me kohë të krijojë vatra tensioni, si ato që krijoi në Gjeorgji, duke nxitur Abhazinë dhe Osetinë e Jugut për shkëputje nga Gjeorgjia. Me kalimin e kohës, në mjetet e informimit masiv rus, ka pas qenë krijuar psikoza se edhe Ukraina ka një "Abhazi" dhe një "Oseti të Jugut" brenda vetes. Me "Abhazi" nënkuptohet zona e Transkarpateve dhe me "Oseti të Jugut" nënkuptohet Krimeja (republikë autonome), të cilat, sipas parashikimeve që bëhen, Rusia ka filluar t'i nxisë për shkëputje nga Ukraina.
    Kështu, ish-drejtuesi i sekretariatit të presidentit Jushenko, Viktor Baloga, në efirin e programit "E bardha dhe e zeza" të kanalit televiziv TVI, pati deklaruar dikur:"Krimeja mund të ketë fatin e Abhazisë dhe të Osetisë së Jugut" (Citohet sipas faqes së internetit në gjuhën ruse. 26 prill 2010).
Më 19 prill 2010, partia politike "Ukraina Jonë", me  rastin e vizitës së presidentit Viktor Janukoviç në Lvov, pranë administratës shtetërore të qarkut organizoi një protestë masive me thirrjen: "Të ndalet sulmi i Moskës". Në atë protestë morën pjesë edhe parti të tjera atdhetare dhe organizata shoqërore, në bashkëveprim me organizatat studentore të qytetit.
    Në faqen e internetit po të datës 19 prill 2010, thuhej gjithashtu: "Në Transkarpate Ukraina ka shkelur mbi sfurkun e Bashkimit Sovjetik". Madje arrihej deri në një deklaratë më kategorike: "E ardhmja e Ukrainës në Transkarpate është e dështuar".

    Asokohe u botua në shtyp edhe një pikëpamje ekstremiste e udheheqësit çeçen Ramzan Kadirov,  i cili, si vegël e bindur e Kremlinit, në gazetën angleze "The Telegraph" i bënte thirrje Moskës për të marrë masa të skajshme, deri edhe agresion të hapur. Sipas këndvështrimit të tij, Gjeorgjia dhe Ukraina janë ato që i shkaktojnë Rusisë dhembje koke dhe prandaj është e domosdoshme që Rusia ato t'i heqë qafe. Ai deklaronte:
    "Kjo është tragjedia personale e Rusisë. Pse u dashka që ne të vuajmë gjithmonë, përderisa mund ta asgjësojmë thjesht fare atë që na pengon? Ne jemi të fuqishëm, ne kemi gjithçka: ushtri, teknologji. Ne duhet të sulmojmë" (Citohet sipas: "Kadirovi i bëri thirrje Rusisë t'i heqë qafe Gjeorgjinë dhe Ukrainën". Marrë nga faqja e internetit "newsland". 24 dhjetor 2009).
    Kurse me rastin e ngjarjeve të fundit, guvernatori i Harkovit Mihail Dobkin, doli me një propozim që lë të dyshosh se ai është për ndarjen e Ukrainës. Ai "propozon zhvendosjen e institucioneve shtetërore nga Kievi në Harkov" (Citohet sipas: Guvernatori i Harkovit del me propozimin për zhvendosjen e kryeqytetit të Ukrainës në Harkov". Marrë ma faqja e internetit "avmalgin". 21 shkurt 2014).

    Në një njoftim tjetër thuhet:
    "Shtet qendror në Ukrainë pothuajse nuk ka, banorët e pjesës perëndimore korrën fitore, kurse juglindja rri me zemrën pezull, duke u përgatitur gati për rezistencë të armatosur ndaj pushtetit të ri, ndërkohë që parlamenti i Krimesë po diskuton me seriozitet largimin nga juridiksioni i Ukrainës dhe bashkimin e paskëtajshëm me Rusinë" (Citohet sipas: Mihail Belajev. Çështja e Krimesë". Marrë nga faqja e internetit "belyaev". 22 shkurt 2014).
   
Në linjën e arsyetimit për shpërbërjen e Ukrainës, vjen edhe deklarata e kryetarit të partisë komuniste të Federatës Ruse Genadi Zjuganov:
    "Genadi Zjuganov deklaroi se Ukraina mund të ketë fatin e Jugosllavisë, duke pasur parasysh shpërbërjen e vendit dhe ndërrimin e dhunshëm të pushtetit" (Citohet sipas: "Zjuganovi në Peterburg: Ukraina mund të ketë fatin e Jugosllavisë". Marrë nga faqja e internetit  "ИА REGNUM". 23 shkurt 2013).

    Ngjarjet e fundit dëshmuan se presidenti Janukoviç (i zgjedhur në mars të vitit 2010) nuk diti ose nuk deshi të ndërtonte një shtet me orientim kombëtar. Ai, që në fillim, politikën e vet e orientoi drejt Moskës, çka bëri që shumica e popullit ukrainas të vinte duke akumuluar pakënaqësinë e vet ndaj ekipit qeverisës që ai krijoi. Vasaliteti i shpëlarë i presidentit Janukoviç ndaj Kremlinit, çoi jo në rritjen e mirëqenies së popullit, por në varfërimin e tij të pandalshëm. Presidenti u interesua për pasurimin e familjes së vet dhe të të gjithë oligarkëve që silleshin rreth tij. I biri i tij, Aleksandër Janukoviç, arriti të pasurohej në një mënyrë marramendëse gjatë këtyre katër vjetëve. Sipas të dhënave të internetit, pasuria e tij, në prill të vitit 2013, kapte shifrën prej 187 milionë dollarësh, ndërkohë që vetëm brenda gjashtë muajve kapitali  tij u trefishua dhe në nëntor po të vitit 2013, arriti në shifrën prej 510 milionë dollarësh (Citohet sipas: "Kapitali i Janukoviçit, i riu, për gjashtë muaj u trefishua". Marrë nga faqja e internetit "ZN, UA". 01 nëntor 2013).

    Kuptohet vetvetiu se kur oligarkia ukrainase pasurohej në një mënyrë kaq marramendëse, dikush tjetër do të varfërohej në një mënyrë po kaq marramendëse. Dhe ata që varfëroheshin ishin njerëzit e thjeshtë.

    Presidenti Janukoviç, i dhënë pas pasurimit personal, e kishte zhveshur veten tërësisht nga vetëdija kombëtare deri në atë shkallë, saqë në Ukrainë të viheshin re edhe dukuri të përmasave skandaloze. Një informacion që vjen nga faqet e internetit, dëshmon për një dukuri sa të turpshme, aq edhe poshtëruese për dinjitetin kombëtar të popullit ukrainas:

    "Në rajonin e Goshanit të krahinës së Rovenskut, vetëm brendas një dite, sipërmarrësit patën nxjerrë 50 kamionë, të ngarkuar me humus. Për një aktivitet të tillë janë në dijeni të gjithë banorët vendas, por nuk janë në dijeni ruajtësit e rendit dhe pushteti lokal. Qeveria e Janukoviçit e transporton humusin jashtë vendit me vullnetin e vet, çka të kujton Hitlerin, i cili humusin e Ukrainës e transportonte me vagona për në Gjermani"
(Citohet sipas: "Nga Ukraina transportohet humus për jashtë vendit". Marrë nga faqja e intenetit "m_kalashnikov". 28 nëntor 2013).

    Por humusi ukrainas transportohet për jashtë vendit edhe nga rajone të tjera. Sipas një specialisti ukrainas të bujqësisë, për rigjenerimin e një shtrese humusi me trashësi 3 cm, duhen 100 vjet. Kurse humusin nga toka e Ukrainës e zhvatin në një thellësi deri në 30 cm.

    Një mendësi e tillë antikombëtare e presidentit Janukoviç, domosdo që atë do ta çonte, siç edhe e çoi, drejt një fundi të turpshëm të karrierës së tij politike dhe të formacionit politik që ai përfaqësonte.

     Santa Barbara, Kaliforni
    24 shkurt 2014

-------------------------
*Fjala moskal është nofkë përbuzëse që u qe ngjitur rusëve shekuj më parë në Ukrainë dhe në Bjellorusi.

Prof. Dr. ESHREF YMERI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
FLAMURI I EKONOMISË DHE OFERTA E KINEZËVENga ALFRED ÇAKO (02.24.2014)
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË (02.24.2014)
PROTESTAT - OPOZITË APO GARDË PËR BERISHËN?Nga MENTOR KIKIA (02.22.2014)
QYTETARIA KËRKON LIDERINNga RAMIZ LUSHAJ (02.22.2014)
POLITIKA GREKE NË BALLKANNga FRANK SHKRELI (02.21.2014)
NUK VENDOSET QERRJA PARA KALITNë përgjigje të replikë së zotit Alban DaciNga ESHREF YMERI (02.19.2014)
SAMI FRASHËRI: SHQIPËRIA Ç’KA QENË, Ç’ËSHTË E Ç’DUHET TË BËHETNga FRANK SHKRELI (02.18.2014)
RIINTEGRIMI DHE RISHKËPUTJA E KOSOVËS, MALËSISË DHE E TREVAVE LINDORE, 1941-1945(Kumtesë në Konferencën e Akademisë Shqiptare të Arteve e Shkencës kushtuar 6 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës)Nga Prof. Dr. ROMEO GURAKUQI (02.18.2014)
DY SIMBOLIKA TË PANGJASHME TË 20 SHKURTITNga ALFRED ÇAKO (02.18.2014)
GRAMOZ PASHKO NUK MUND TË JETË SIMBOL I EKONOMISËNga MENTOR KIKIA (02.18.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Dhjetor 2024  
D H M M E P S
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]