HUMORI I ZI I LIGJIT TË LUSTRACIONIT Nga AGRON TUFA
E Enjte, 03.13.2014, 07:16am (GMT+1)
I Gjatë gjithë muajit dhjetor 2012, janar e shkurt 2013, madje edhe tash në vijim, pak e fije ka zënë vend në diskutimet publike e mediatike, të shoqatave e instituteve shtetërore e të pavarura, sikundërse dhe nga shoqatat joqeveritare, shoqëria civile - i famshmi e proverbiali "Ligj i Lustracionit", u cili u shtrua në Parlamentin shqiptar në fund të vitit 2009 dhe po ashtu, u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.
"Ligji i Lustracionit", ose i "pastërtisë së figurës" ka një histori, të cilën bëjmë mirë ta sqarojmë sadopak, që lexuesi të ketë një përfytyrim rreth këtij objekti kaq shumë të diskutuar. Ideja për të hartuar dhe aplikuar një "Ligj Lustracioni", të cilin tashmë e kanë të gjitha vendet me ish-diktaturat komuniste të Europës Qëndrore dhe Lindore, e nxiti Rezoluta e Këshillit të Europës, që apleonte për "masat që duhen marrë për zhdukjen e trashëgimisë së sistemeve të ish-regjimeve totalitare komuniste". Sot Shqipëria është i vetmi vend, që nuk e ka një ligj të tillë. Kur u shtrua ky ligj për votim në Parlamentin tonë, më 2009, opozita e atëhershme, socialistët, nuk e votuan dhe i kërkuan Gjykatës Kushtetuese mosmiratimin e tij, me pretekstin, se "koha e aplikimit të këtij ligji, duhej të ishte hartuar dhe mbyllja e veprimtarisë së tij, sipas udhëzimeve të KiE duhej të ishte data 31 dhjetor 1999". Gjykata Kushtetuese, brenda së cilës ka anëtarë, që veprimtarinë e tyre e kanë të lidhur me proceset më të zeza të drejtësisë komuniste, në të cilën janë shomë sosh të përfshirë, e gjeti pretekstin e parapërgatitur nga socialistët dhe e rrëzoi ligjin. Për çudi, këtë akt e mbështetën dhe disa kasnecë të KiE, të cilët, ashtu si socialistët shqiptarë, deklaruar, gjoja me gjuhën e ekspertizës, se kohëzgjatja e veprimit të këtij ligji parashikonte 5 vjet dhe afati i mbarimit të tij duhet të ishte mbyllur më 31 dhjetor 1999. Fort e çuditshme! Sepse, një kusht të tillë kohor, ekspertët e KiE-së nuk e kanë ngritur asnjëherë për Hungarinë, Çekinë, Poloninë, Sllovakinë dhe një sërë vendesh ish-komuniste. Për shembull, Gjermania, si vendi që ka hartuar modelin e këtij Ligji, e ka nisur zbatimin e tij në vitin 2007!
Nëse për socialistët shqiptarë, asokohe në pushtet (1997-1999) kundërshtimi i këtij Ligji flet për një kontradiktë të pastër (pyetja: pse nuk e kanë bërë ata gjatë kësaj kohe me afatin e sipërpërmendur, kur kanë qenë vetë në pushtet? Kush i ka penguar?), atëherë për kasnecët e KiE mbetet e pashpjegueshme rreshtimi në krah të socialistëve po për çështjen e afatit, kur për po të njëjtën gjë, nuk ka folur në lidhje me aplikimin që i kanë bërë vendet e tjera ish-komuniste. Për ta bërë edhe më të besueshme, në deklaratat e tij, Sekretari i Përgjithshëm i KE, Terry Davis, e zgjeron edhe më tej gamën e problematikës që ka ligji, sipas tij, lidhur me standardet, ku ndër të tjera, veçonte 3 probleme që mund të shkaktonin "padrejtësi":
1. rrethin e gjerë të kategorive të zyrtarëve që preken nga ky ligj dhe që në fakt përfshijnë dhe njerëz që mbajnë aktualisht detyra e poste; 2. ndershmëria dhe proporcionaliteti i procedimit të lustrimit; 3. numri i sanksioneve të parapara dhe fakti se nuk ka asnjë limit kohor.
Pra, nëse çështja e dytë është fiktive, sepse nuk mund të paragjykohet kriteri i "ndërshmërisë" dhe "proporcionalitetit", pa patur ndërkohë ende precedent, atëherë dy çështjet "problematike", përkatësisht, e para dhe e treta, janë një ndërhyrje e pastër nga jashtë në thelbin e ligjit dhe specifikën historike shqiptare. Në mënyrë diabolike, ky sekretar, ndjehet që ka një prirje "platonike" në drejtim të xhelatëve e persekutorëve të kohës së komunizmit, çka e shpie në kontradiktë të pastër më vetë thelbin e Rezolutës së KiE. Argumenti i sekretarit të KiE-së është absurd dhe tejet fyes, sepse nënkupton këtë: "meqë afati 1996-1999 nuk u respektua (pavarësisht se këtë afat nuk e respektoi asnjë vend ish-komunist), atëherë i bie, që Ligji i Lustracionit të mos shtrohet më kurrë! Dhe kjo, posaçmërisht vetëm për Shqipërinë!"
Ajo që përbën habi në historikun e këtij Ligji të dështuar, është dhe pozicioni që mbajti vetë PD-ja pas rrëzimit. E para, ligji mund të ishte rihartuar, korrigjuar dhe futur sërisht në agendën parlamentare, sikundër është bërë sa herë me ligjet e rrëzuara, në mënyrë, që kritizerët të mos kishin ku të kapeshin. Për shembull, të vendosej njëmend afati pesëvjeçar i shtrirjes së Ligjit dhe të saktësohej më mirë "katëgoria e zyrtarëve" që prek ky ligj. Në fakt, pas rrëzimit të ligjit më 2009, nuk pamë më asnjë tentativë për ta rikthyer Ligjin në Parlament. E dyta, për të sensibilizuar opinoinin dhe klasat e interesit të ndejeshme ndaj këtij ligji, duhet të kishte zhvilluar një fushatë mbështetjeje tek shoqatat e ish-të përndjekurve dhe shoqëria civile, për këtë betejë të humbur politike. Në shtyp, ka patur shkrime që e kanë kërkuar në kohë rihapjen e kësaj çështjeje dhe jo vetëm prej autorit të këtij shkrimi. Mjerisht, as sot që po diskutohet rreth këtij Ligji, PD-ja nuk merr pjesë dhe për fat të keq, kjo mospjesëmarrje duket sikur bëhet demonstrativisht!
Për sa i përket Gjykatës Kushtetuese, mosnënshkrimi dhe rrëzimi i Ligjit të Lustracionit, psikologjikisht është i shpjegueshëm: si mund ta nënshkruajnë një ligj të tillë ata gjyqtarë, të cilët vetë kanë qenë protagonistë në dhëniet e dënimeve politike me varje, pushkatim apo dënime të rënda? Kujtojmë, së vetëm vitin e kaluar, mazhoranca e parlamentit shqiptar votoi me shumicë dërrmuese votash dy vendet vakante për në Gjykatën Kushtetuese, përkatësisht zotërinjtë Ymeri e Dizdari, produkte tipike të drejtësisë së lartë komuniste. Vetëm dy deputetë të grupit parlamentar të PD-së nuk i votuan, njëri prej të cilëve e shpjegoi gjerësisht në media mosvotimin e tij. Pra, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kurrsesi nuk do të firmosnin "pastrimin e figurës" së tyre gjatë gjyqeve të komunizmit, sepse ky ligj, në radhë të parë, prekte vetë ata.
Përfundimisht, në bisedimet që e shoqëruan asokohe problemin e Ligjit të Lustracionit mes BE dhe qeverisë së Tiranës, një nga çështjet, që u bë objekt diskutimesh ka qenë edhe ajo e cënimit, që ky ligj i bën gjoja "pavarësisë" së sistemit gjyqësor nga politika. "Për BE është shumë i rëndësishëm një gjyqësor i pavarur politikisht", qe shprehur Kristina Nagy, zëdhënëse e Olli Rehn, komisionerit për zgjerimin e BE.
Sa çudi! Por kur dihet, se në kupolën e drejtësisë së sotme, janë po ata ish gjyqtarë, prokurorë e hetues, që jepnin dënimet e rënda kapitale në emër të drejtësisë komuniste?
II Me Ligjin e Lustracionit vazhdon të bëhet një shou i neveritshëm, shpesh i nxitur nga nëntoka apo më mirë, llagëmet e errëta të politikës shqiptare me rrënjë në të kaluarën diktatoriale të Shqipërisë. Sa herë shtrohet diskutimi për të shkuarën kriminale të Shqipërisë dhe elitave të saj drejtuese, aktivizohet çështje e mprehtë dhe e ndjeshme e hapjes së dosjeve, të cilat, dihet, deri më sot janë shfrytëzuar si instrumenta shantazhi dhe pengu të së kaluarës. Drama e vërtetë e dhjetra mijëra qytetarëve shqiptarë që u dënuan, u thyen si jetë e si familje gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës, nuk është veçse habitati i gjallë, peisazhi psikologjik, që kjo çështje të zërë vend të dukshëm herë pas herë. Por tjetër është aktivizimi i kësaj çështjeje, dhe krejt tjetër është çaktivizimi që i bëjnë asaj nëpër shtyp, dikskutime publike, politike etj. Vëmendja gjithëherë shpërngulet nga objekti, në stilin kinse transparent: "Ja, dhe për dosjet dhe Lustracionin folëm...". Nuk them se Lustracioni nuk është një çështje urgjente që duhet shtruar. Përkundrazi, ajo është në mënyrë ulëritëse akute dhe mendoj, se vullneti i sinqertë i secilës forcë politike, do të mund t'i jepte asaj më shumë moral, besim dhe vërtetësi. Shtrimi i çështjes së pastrimit tonë nga e shkuara gjakatare komuniste duhej dhe duhet të përbëjë një agendë politike e shoqërore kombëtare e ndërkombëtare. BE i adreson Shqipërisë detyra dhe standarde për të arritur kushtet e antarësimit, por nuk kemi parë asnjëherë ta bëjë Lustracionin një nga kryekushtet. Gjatë marsit të vitit 2013, pas një vizite dhe trajnimi në Institutet e Kujtesës në Berlin dhe disa qytete të tjera, falë mundësisë që na dha Fondacioni politik gjerman "Konrad Adenauer", patëm edhe një takim me dy eurodeputetë gjermanë në Bundeschtag. Në emër të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, unë u kërkova eurodeputetëve pikërisht këtë gjë: kryedetyrën, që Shqipëria të bënte transparencën e të shkuarës së saj komuniste nëpërmjet Ligjit të Lustracionit. Përgjigja e tyre qe, se "këtë çështje të brendshme duhet ta ngrini vetë ju, nëpërmjet shoqërisë civile". Ku ta dinin ata, se shoqatat tona ojq, kanë një model ndërtimi-kioskë, sipas skemës së themelimit: 1 ish-sigurims, një politikan dhe një biznesmen? Mandej, dihet, sapo përfundon detyra e tam-tameve publike, kthehen "në bazë", d.m.th., në partitë politike që i kanë katapultuar.
Tashmë që problemi i Lustracionit po kumbon për të satën herë, ka rrezik të degjenerojë, të shndërrohet në anekdotë politike pa kokërr kripe!
III Kohët e fundit ka patur një gjallëri në median mërzimadhe shqiptare trajtimi i Lustracionit, sipas shtampave të stërnjohura: a është i domosdoshëm? A është në kohën e duhur? A është i mundshëm? Pse nuk është bërë? Kush do ta bëjë? Si do ta bëjë? Etj, etj. Ndërkohë s'kanë vonuar të duken protagonistët e parë në marrjen e rolit heroik apo flamurtarit të nismës. I ndjek me skepticizëm këto ekzibicione publike. Ojq të ndryshme, shoqata, institucione të pavarura, avokati i popullit, Kreshnik Spahiu me AK-në e tij e deri tek Ministria e Mirëqenies sociale - të gjithë raportojnë në shtyp se "kanë gati Ligjin e rishikuar të Lustracionit", se "kanë punuar gjatë modelin gjerman në bashkëpunim të ngushtë me ekspertë gjermanë e të huaj", ndërkaq, kur kërkoj të shoh se ku janë bërë ndryshimet përmirësuese që zhdukin kontradiktat e mëparshme, se me cilën grup interesi janë konsultuar, më del se këto shenja janë të zbrazëta. Bëhet fjalë për të njëjtin Ligj, pa as dhe një fjalë të ndryshuar. Madje kopjet që kam parë deri më tash, kanë edhe vulën dhe firmën e ish-kryeparlamentares, znj. Jozefina Topalli! Atëherë cili është ndryshimi? Me cilët "ekspertë" paskan punuar? Nga frontet politike rreth kësaj çështjeje nuk piptin absolutisht asgjë! Më krijohet bindja, se edhe kësaj radhe, Ligji i rrëzuar i Lustracionit po rishfaqet, jo për të hyrë në Parlament dhe jo për të gjetur zgjidhje, por për të justifikuar aktivitetet, veprimtaritë, fondet dhe cv-të e shoqatave të së ashtuquajturës "shoqëri civile", po aq sa dhe të institucioneve qeveritare e joqeveritare.
E shkuara tragjike e qytetarëve shqiptarë gjatë komunizmit është një agregat gjigand, e cila duke mos gjetur zgjidhje, jep mundësinë të justifikojë gjithë protagonizmat e shoqërisë civile dhe bimevë të ngjashme kacavjerrëse. Nëse klasa jonë politike nuk dëshiron ta zgjidhë ligjërisht, e kemi të qartë sinjalin: kësoane vazhdon të vijojë e pacënuar trashëgimia e ripërshtatur e zyrtarëve të komunizmit, po e njëjta linjë, që hesapet e ndërgjegjes i ka të mbyllura me një kore të trashë e të thatë gjaku! Kariera e tyre është e garantuar, e pacënuar dhe vazhdon të ripërtërihet në llojin vet me protagonistët e dikurshëm të diktaturës, në përgatitje të ethshme për të lanë prapa trashëgimtarët e tyre. Shqëria shqiptare do të jetë gjithmonë nën presion dhe e tensionuar nga këta protagonistë, sikurse e thyer, e dekurajuar dhe pa pikë shprese për të ardhmen prej kësaj "kontrate me djallin" si në rrafshin kombëtar, aq dhe në rrafshin ndërkombëtar.
Nëse do të kishim një dëshirë të pastër, që vjen nga ndërgjegja dhe dëshira e pastër morale, atëherë kush i ka penguar? Le të dalë një forcë e tillë politike, që ta bëjë falmur të betejës së vet dhe s'është e nevojshme të hamendësohet mirëkuptimi i gjerë dhe mbështetja e dhjetra mijëra qytetarëve. Nëse do të ishin socialistët ajo palë, le të nxitojnë pra, dhe me këtë akt, të shprehin sadopak distancimin e trashëgimisë së tyre të drejtpërdrejtë nga Enver Hoxha dhe partia e punës. E nëse do të ishte PD dhe e djathta, le t'ia nisin sa më parë, për të forcuar identitetin e tyre dhe të ngjallin shpresat për një moralitet të lartë qytetar, sikundërse të gëzojnë mbështetjen pa rezerva të dhjetra mijërave mbështetës.
Por, përderisa elitat tona politike heshtin me një ton nënkuptues, ndërsa diskutohet për Ligjin e rrëzuar të Lustracionit, situata më duket analoge me nonsensin tautologjik romanit "Gracka-22" të shkrimtarit të madh amerikan Joseph Heller, i cili, duke shprehur absurditetin e situatës në një skuadrilie bombardimi të forcave aleate gjatë luftës së dytë Botërore, flet për një dinakëri legjislative. Gracka sqaron, se çdo bombardues i çmendur, ka të drejtë të paraqesë kërkesën për t'u tërhequr nga detyra. Por vetë paraqitja e kësaj kërkese, konsiderohet si kujdes për vetveten para rrezikut të drejtpërdrejtë, pra një fakt i mendjes së shëndoshë. Pra, sapo dikush do ta bënte këtë kërkesë, atë menjëherë do të pushonin së konsideruari të çmendur dhe e ngarkonin serish të fluturojë për të përmbushur detyrën. Këtu qarku mbyllet. Kështu dhe Ligji i Lustracionit, edhe nëse shtrohet dhe miratohet nga Kuvendi dhe presidenti, do të mbërrijë në Gjykatën Kushtetuese, ku vetë anëtarët e kësaj gjykate, duke qenë vetë ish-protagonistë të dënimeve komuniste, do ta rrëzojnë Ligjin. Dhe qarku mbyllet, pasi ka prodhuar vazhdimisht absurditetin e humorit të zi...
AGRON TUFA
|