NJË BRENGË E VJETËR PËR PRINC VILHELM VIDIN Nga PËRPARIM KABO
E Hënë, 03.10.2014, 03:08pm (GMT+1)
Personalisht, vite më parë e takova këtë emër dhe historinë e tij kur në vendin tonë u hap një diskutim në lidhje me "lëvizjen rebele", drejtuar nga Haxhi Qamili, që shpuri në largimin e Vidit nga Shqipëria. U fol për të nga pozitat e luftës fshatare dhe ky ishte qëndrimi zyrtar, madje autoritar sepse verdict-in e dha "udhëheqësi i lartë komunist", i cili doli në mbrojtje të lëvizjes së Haxhi Qamilit. Nuk munguan edhe zbukurime të nxjerra nga "patriotizmi folklorik", si dhe argumente (pseudo) shkencore të leninizmit të keqkuptuar, "ku lufta, edhe në një vend gjysmëkolonial kundër të huajve i shërbente çështjes së revolucionit".
I huaji mbetej të quhej Princi Vidi, që vinte si produkt politik i Konferencës së Ambasadorëve.
Shpëtimtarë paskan qenë "rebelët" që, siç edhe rezultoi nga injoranca e nga inskenimi, nuk bënë gjë tjetër veçse u shërbyen symbyllur interesave antishqiptare të fqinjëve. Sa fjalë e butë e aspak provokuese kjo, fqinjët, të cilët vetëm fqinjësi nuk dhuruan, sepse "goja e hapur" e tyre e copëtonte vendin deri në mosekzistencë! Ndërsa një mbretëri shqiptare me një mbret gjerman, një shans i humbur ky, pra një shtet i tillë që mbështetej nga Austro-Hungaria, u konsiderua, falë një injorance totale në lëmin e shkencës së historisë, por edhe për shkak të ideologjizimit fanatik të lëvizjes fshatare që dogji sarajet, si shpëtimtare për fatet e atdheut. Ky ishte mëtimi i historiografisë së periudhës së komunizmit, ku "këngëtari" kryesor i korit ishte vetë Enver Hoxha. Ai e dha përcaktimin; të tjerët i mbajtën ison në një korale fatkeqe pafuqie. Historiografia në shoqëritë me sistem totalitar është e prirë të manipulojë, sepse e vërteta absolute është, tek e fundit, dëshira, opinioni dhe urdhri i sundimtarit. Mendimi totalitar është dogma që duhet konsumuar. Nuk pati vetëpengim në gjykim, qoftë edhe për trajtesën fetare të lëvizjes, sepse është e njohur që parullat e saj ishin pro sulltanit dhe kthimit nën varësinë e Turqisë dhe, në të njëjtën kohë, kundra një princi gjerman protestant. Me fjalë të tjera, orientimi nga Perëndimi po gjente pengesa reale, sepse "post-inercia osmane" sillej si një ndërtim strukturor konfliktual. Fati dhe mbiekzistenca shihnin nga Perëndimi jo thjesht si orientim, por edhe si kushtëzim ekzistencial. E shkuara, që mbetej në trajtën e një bazamenti antropo-kulturor dhe institucional, tërhiqte si një gravitet historik nga e shkuara, nga Lindja, nga orientalizmi, fatalisht kundra progresit dhe interesave shqiptare. Në prag të shpalljes së pavarësisë, shumë shqiptarë, individë apo familje që nuk kishin bërë prokopi në Perandorinë e Anadollit nxituan të vinin në atdhe dhe bridhnin rrugëve të qyteteve, veshur me rroba të rënda, thjesht për të treguar se ata do të merrnin në dorë fatet e kombit e të atdheut. Në momente kthesash historike ka një çlirim energjie të pashembullt. Të gjitha grupet antropologjike dhe i gjithë rituali njerëzor merr një shtysë dinamizimi prej nga ku çlirohet sa përgjegjësi aq edhe aventurizëm. Gjen në këtë vorbull idealistë dhe batakçinj, vizionarë dhe kusarë, të mefshtë, friganë e të shpenguar deri në marrëzi. Është, si të thuash, një lloj shtjellimi "antropo-universal", ku çdo gjë kërkon të ndryshojë dhe gjithçka shpreson të ribëhet më mirë. Ka një klimë ndjenjash, por edhe re e shtjellime interesash të ngushta.
Nën këtë atmosferë, ajo që ka rëndësi të këqyret me vëmendje është se cilat janë ato linja antropo-sociale dhe antropo-institucionale që nuk e përfundojnë ciklin vegjetativ me mbylljen e periudhës së sistemit politik. Këto rryma njerëzore, që shpesh fryhen prej interesave imediate, janë të favorshme për ato lloj makrointeresash rajonale apo globale, të cilat inskenohen dhe drejtohen nga Fuqitë e Mëdha të kohës ose që ushqehen nga subjekte që e kanë këtë ambicie dhe si të tilla ato dhurojnë një protagonizëm eksponencial që tenton për t'u shndërruar në realitetbërje. Ato nuk pengohen për të kombinuar herë hapur dhe në të shumtën e herëve, fshehur; shprehin veprimin arrogant me intrigën helmuese, përbetimin për solidaritet me kurthin e helmit në gotë, besën për miqësi me shitjen e interesave të veta me një çmim qesharak në pazare të fëlliqura, ku fatet e popujve të vegjël apo të popujve në nevojë trajtohen turpërisht si fate të cilësisë së ulët. Ndaj tyre, pa pikë skrupulli përdoren jo ato parametra të standardit të së drejtës, por thjesht një aritmetikë antihumane prej imperialiteti kolonial. Ky lloj denigrimi të fyen e të revolton, të lë atë shijen e hidhur të të qenit i nëpërkëmbur. Dinjiteti nuk matet me të qenit i vogël apo i madh, por me respektimin koherent të parimeve të këtij virtyti palcor për këdo dhe kurdo. Të jesh i fyer në dinjitet është poshtëruese. Po kur i tillë është një popull dhe një komb, përmasat e ndjeshmërisë shkojnë në kufijtë që shpërthejnë. Revolta është e përligjur, ajo bazohet në motive të thella. Enver Hoxha, megjithëse vetëmburrej si "mjeshtër" që dinte t'i kuptonte interesat e popullit e të shtresave të varfra në veçanti e për këtë motiv nuk ngurroi të shkonte deri në pikëfund, duke u shprehur se "partizanët dhe luftëtarët për çlirimin e vendit nga nazifashizmi" ishin bijtë dhe pasuesit e fshatarëve të Haxhi Qamilit tregoi me këtë qëndrim se arsyetonte mbi paragjykime ideologjike. Për rrjedhojë, edhe historiografinë e nxirrte jo nga parimet e saj shkencore; porse, në të kundërt, strehonte forcërisht faktologjinë shkencore dhe realitetin e ngjarjeve njerëzore te skema e "marksizëm-leninizmit". Bazuar në një kombinacion të tillë, përfundimet e tij vinin të paracaktuara, ndaj edhe të paragjykuara, pasi çdo ngjarje kombëtare, lokale, episodike apo me autoritet për periudhën dhe epokën konkrete do të duhej të dilte, sipas tij, nga trinomi "Lufta e klasave Revolucioni proletar Diktatura e proletariatit". Ky lloj "tuneli" arsyetimi vinte e ngushtohej si një "gijotinë" dhe nuk linte hapësirë e nuk dhuronte shanse për përdorimin e metodologjive të tjera autonome e të vetëmjaftueshme për arsyetim. Ideologjizimi i çdo metode dhe i çdo rregullimi arsyetues i sillte këto të fundit në skematizëm formal, pa përmbajtje dhe vitalitet e, për me keq, i spostonte ato nga vendi natyral, si baza teorike të shkencave të caktuara, duke i sjellë mjerisht si shërbëtore "kokulur" dhe pa autoritet e të drejta vendimmarrëse në lëmenjtë e tyre. Sundimin absolut e kishte metodologjia e ashtuquajtur "marksisteleniniste". Në këtë zgrip të trajtesës "ideologji-histori" nuk është e mundur të gjesh interpretim shkencor bazuar në faktologjinë historike dhe arkivologjinë e besueshme, të krahasuar falë një pluraliteti burimesh. Nxjerrja e "së vërtetës", si një urdhër paraprak ideologjik, shërben keqas në një kontinuitet antiinstitucional dhe jo historik, thjesht dhe vetëm sepse pushtetit ideologjik të kohës diktatoriale i qe mbushur mendja se ishte i përjetshëm. I tillë vetëkonsiderohej sistemi komunist. Ai e keqpërdori shkencën e historisë duke krijuar gjithashtu bindjen se trashëgimtare e vetme e vlerave të krijuara në shekuj ishte Partia e Punës së Shqipërisë. Kjo lloj vijimësie jashtë "shinave historike" që lidh të palidhshmen, abuzonte me dy nocione gjithëpërfshirëse, me kombin dhe me atdheun, dhe e bashkëpërzien një marrëdhënie të tillë me instrumentin "popull-propaganda". Ky lloj "revolucionarizmi" i pretenduar në emër të popullit barti një arrogancë dhe deformim kolektivizues dhe e shpuri "antropo-individin" te një nulitet mjeran. U krijua njeriu që jetonte në një pafuqi të komanduar, sepse ai as mendonte me kokën e tij, as nuk mund të shprehej lirisht në një diversitet që kontrastonte me formulimin shabllon dhe të kanunizuar të propagandës. Njeriu pa liri humbi gjithashtu të drejtën për t'u vetëmbrojtur. Studiuesi Skënder Luarasi, një ish-luftëtar në Luftën Civile në Spanjë, ku ai shkoi vullnetar me një grup shqiptarësh antifashistë, e pati aso kohe kurajën që ta shprehte mendimin e tij hapur ndaj kësaj lëvizje, për më tepër të ndryshme e në shumë aspekte të kundërt me atë të "udhëheqjes zyrtare", duke kryer kësisoj një sfidim të hapur, jo pa kosto mbi të. Teksa lexoja vite më parë se si shprehej Enver Hoxha në një nga "Veprat" e tij, aso kohe nuk isha në gjendje të krijoja një mendim të pavarur. Mundësia e studimit diskret, përmes zotërimit të informacioneve nga burime të tjera alternative, në ato vite ishte pothuajse e pamundur. Aq më tepër, që statusi im prej studenti nuk mund të gëzonte të drejta që mund të të shpinin në burime arkivore. Ja përse për shumë kohë e gjithë kjo situatë dhe kjo periudhë e historisë së Shqipërisë mbeti për mua ashtu e ngrirë, por jo bindëse. E njohur dhe e panjohur, e takuar dhe e fshehur. Nuk kisha argumente që të më shtynin të mbaja një tjetër qëndrim. Thjesht, nuk gjeja arsyetime personale që gjithçka brenda meje të qe sqaruar deri në fund dhe në mënyrë shteruese.
Ende pa u rrëzuar regjimi komunist doli në qarkullim një vëllim me tregime i shkrimtarit Ismail Kadare. Mes tyre, tregimi "Viti i mbrapshtë" i referohej në mënyrë artistike kësaj periudhe. Jepet në të një tablo e zymtë dhe rravguese e situatave dhe personaliteteve, sepse referencat historike nuk ishin mbajtur në konsideratë në mënyrë skrupuloze. Kishte më shumë art sesa histori. Porse ky tharm më bëri të vija në lëvizje sondën brenda vetes. Ajo çka ma ngacmoi ndjeshmërinë ishte përfundimi se "lëvizja fshatare" qamiliste jepej me të tjera ngjyrime, çmitizohej dhe paraqitej si një anarki injorantësh që nuk dinin se ç'kërkonin. Kështu që arsyeja ime, sa herë që fjala shkonte për atë lëvizje e për atë periudhë, kishte dy ndjesi, në trajtën e ngacmimit e të ndjenjës së përgjegjësisë shkencore për ta hulumtuar në thellësi gjithë këtë "materie" historike. Një gjallim i tillë i brendshëm është frymëzues në punën e mendimit dhe kërkimit shkencor. Unë e dua këtë lloj muze. Tek e fundit, dëshiroja të krijoja mendimin tim të pavarur dhe që do të dëftente bindjen time, qëndrimin tim personal, ndryshe nga strukturat e gatshme dhe ftilluese, larg brengave, të cilat kur lidhen me çështje teorike janë të tilla që të gërryejnë, të mbajnë pezull dhe nuk të lënë të shprehesh. Pasiguria të shfaqet përpara syve të mendjes, duke ta rritur shqetësimin se mund të biesh nga momenti në moment, për shkak të padijes tënde fatkeqsjellëse. Historia e Princ Vidit kishte ardhur tek unë nga koha në kohë si një brengë e vjetër që kërkonte qasjen për ta shkoduar. Rrapëllima e "detit tënd të brendshëm" në këto situata sjell një zhurmë të çuditshme. Teksa hulumtonim si djem të rinj, zbuluam nuk e mbaj mend se ku një thënie të Haxhi Qamilit, pak a shumë të tillë. I shkuan atij dhe i thanë se kërkonte ta takonte përfaqësuesi anglez dhe ai francez. Kësaj kërkese fshatari i pagdhendur, që po e shihte veten si hero, iu përgjigj: "A e mora Kavajën dhe Shijakun, nuk më duhet Franca dhe Anglia!". Kjo sjellje, sa sfiduese aq edhe shumëthënëse, m'u ngulit në kujtesë si një hu që më ngacmonte sa herë që fjala apo diskutimi shkonte apo lidhej me ato ngjarje. Provincializmi fatal dhe bota e civilizuar në fije të perit! Me apo pa dëshirën time shfaqej edhe mbreti i shqiptarëve që plekste shumë tipare: me grada ushtarake, princ gjerman, me grua që kishte lidhje me Rumaninë e me besim fetar atë protestant. Ai vjen në këtë mision gjashtëmujor, nga 7 marsi 1914 deri më 4 shtator 1914. Detyra i ishte ngarkuar nga Fuqitë e Mëdha të kohës. Aventura e tij shqiptare vinte pas qeverisë së Ismail Qemalit, kryeministrit të parë shqiptar pas gati 500 vjetësh pushtimi nga turqit osmanë.
Ngarkesat "antiVid" kishin qenë të larta brenda meje. Nuk mund ta mohoj se pse më ishte dukur se ky e kishte patur "fajin" dhe, drejtpërsëdrejti, mbante përgjegjësinë si kundërshtar i Ismail Qemalit. Por koha që ikte nuk mund ta linte gjithë këtë dekor historik, njerëzor dhe shkencor si një kasolle, ku rrangullat janë flakur pas një plaçkitjeje. Për atë që e ushqen arsyen me mendim dhe ndërgjegjen me të vërteta shkencore, është krejt normale të rrëmojë, pa u lodhur për t'u futur në të fshehtat e asaj brenge që kishte mbetur pezull, duke u përpjekur të zbulonte diçka të shkuar e të harruar në pamje të parë, por që në thellësi ajo të thërret me jehonat e saj dhe të shtyn mes dilemës dhe përgjegjësisë për të mësuar një ditë të fshehtat e saj. E tillë është historia e Vilhelm Vidit në Shqipëri, së cilës po i rikthehem duke iu drejtuar vetë personit në një moment që jep shkas për një dialog të tillë. Në vitin 2009, në dy datat 7 dhe 4 që përmenden më lart, të marsit dhe shatorit, u mbushën 95 vite nga ardhja dhe ikja e tij. Pikërisht atë vit nisi udhëtimi im drejt brengës, që mbërrin të përfundojë në vitin 2012, vitin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së vendit. Ato gjashtë muaj të vitit 1914, që shpesh kalojnë si një histori personale për të dhe familjen e tij, janë vite të ngjeshura të historisë së vendit tonë, gjithë po aq. Madje, tek ato ngjarje do të shohim një "fetus historik" mjaft kompleks, ku fundi i ngjarjeve të shekujve të shkuar mbarsi një të ardhme jo fort të sigurt dhe me lakore historike mjaft tragjike, të cilat do të pasonin. Në Shqipëri shpërtheu një luftë si mes shqiptarëve, ashtu dhe mes tyre e të huajve. Një pjesë u rreshtua nga Mbreti; një pjesë kundër tij. Shqipëria po provonte shkulje dhe shqyerje nga të gjitha anët. Energji negative, gjë që në sheshin e betejës solli sjellje dhe qëndrime që mund ta zhbënin atdheun në një fatalitet, me fund tragjik mosekzistencën e tij. Kufijtë e tij, jo vetëm që pas 1912-s u tkurrën, porse, edhe në atë gjendje të gjakosur që ishte, joshte ende kafshime të reja. Në këtë histori, dekori mbetet shqiptar, ndërsa në Shqipëri, si në një teatër kukullash, fijet luheshin jashtë asaj pjese të skenës që dukej. Zërat që përdoreshin nga kukullat ishin të këtyre autorëve, të cilit kishin krijuar skenografinë, gjestikulacionin dhe fatin e personazheve. Po qeshej dhe po qahej me një popull, dhe nga një antropologji me një histori trallisëse, por tejet të lashtë dhe me vijueshmëri në trojet e veta.
Ka edhe një motiv tjetër, përse unë nuk iu shqita kësaj periudhe. Më pëlqen historia! Ajo më josh si një "magjistare". Sa herë që hedh kryet në të, e shoh pas në jetën time, nuk mund të mos e vë re që me të kam patur jo thjesht një marrëdhënie mirëkuptimi. Ka qenë diçka më shumë mes nesh, ka patur dashuri reciproke të pa braktisur e tradhtuar në asnjë rrethanë. Unë e kam dashur atë me zellin tim; dhe ajo ma ka kthyer me respektimin e dëshirës njohëse, duke m'u dhënë gjithnjë pa droje dhe vetëfshehje. Përpos kujtesës sime të ushqyer e të mbajtur freskët, me sa duket e provuar edhe pas kaq vitesh, historia ka respektuar edhe aftësinë time të të treguarit që, kur ka brenda saktësinë, lidhjen logjike të fakteve dhe peshën e arsyetimit larg deformimeve emocionale, apo mbushjes së boshllëqeve me sajesa, historizmi im i shprehur vjen si një edukatë nga një nebulozë, prej së cilës mund dhe rrjedh falë ndërgjegjes së klasifikuar e të disiplinuar një strukturë deduksionesh që lidhen me shkenca të tjera të përafërta, të cilat japin dhe marrin me historinë pa droje, pa mëdyshje dhe me sinqeritet të ndërsjellë. Pa historinë dhe kulturën historike je i mangët! Kur ajo blatohet nga filozofia, pjellorohet edhe nga përfundime të thella e të argumentuara. HISTORIA kur jepet edhe si antropologji, pra si historia pa heronj, gjen një shteg rrëfimi për të shkuar te ngjarjet e shoqërisë në një ritual njerëzor të përditshëm dhe në fillin e vijueshmërisë historike që gëzon një pavarësi nga sistemet politike. Dhe, tek e fundit, kur bisedohet me personalitetet që kanë qenë protagoniste të saj dhe qëmtohet me tektonikën e shpirtit dhe të ndërgjegjes së tyre, ke mundësinë që historinë ta sjellësh në një terren më të afërt me njeriun dhe kujtesën. Rrugës, për të sqaruar veten dhe për ta njohur më mirë historinë e vendit tim, më erdhi pa lejen time siç dhe ndodh me artin edhe një dëshirë që historinë e Mbretit të shqiptarëve Vilhelm Vid ta shikoj edhe si një film artistik.
Disa pyetje, si pengje historike
Përpara ardhjes në Shqipëri, Princ Vidi vizitoi kancelaritë më të rëndësishme të Europës. U prit me ceremonial zyrtar dhe pati audienca speciale në respekt të tij. Përtej "bekimit" zyrtar, ai u kungua edhe në një mënyrë tjetër. Falë bisedave "kokë më kokë" me ata që drejtonin koncertin europian, aso kohe Vidi u mbush me energjinë e nevojshme për aventurën shqiptare. Dëshiroj që, pas 100 vjetësh, t'i drejtoj të parit mbret të shqiptarëve në shekullin XX disa pyetje që kanë mbetur si pengje historike. Çkodimi i tyre ndihmon jo thjesht kuriozitetin, porse jep mundësinë për gjetjen e një shtegu apo disa të tillëve, ku, përmes hamendësimeve dhe ballafaqimeve me faktet, do të mund të gjejmë logjikën postaritmetikore të ngjarjeve që pasuan, të cilat i takojnë historisë së vendit tonë.
Itinerari Vjenë-Paris-Londër. Çfarë ndodhi në këtë udhëtim? Çfarë u thanë hapur dhe me zë të lartë? Çfarë u thanë me zë të ulët e në një shurdhëri të frikshme? Sa sinqeritet pati në këto takime? A e kishte nuhatjen Princ Vidi që të parashikonte se sa i mbështetur ishte, dhe se deri ku do të mund të shkonte misioni i tij? A do të ishte aventura e tij shqiptare një vepër e paracaktuar apo ngjarjet do të merrnin një rrjedhë kapricioze për fatin e tij të keq? Në Vjenë takimi i parë ishte me ministrin e Punëve të Jashtme, kontin Bertchold. Të gjithë të pranishmit janë shprehur me një lloj admirimi për Shqipërinë. Ka mbizotëruar një kërshëri që ushqehej nga kurioziteti dhe frymëzohej nga ekzotizmi. Por në atë mbrëmje ka qenë edhe një admiral që e kishte vizituar Shqipërinë dhe nuk kishte ndonjë opinion pozitiv për situatën atje. Ai, edhe për vendin nuk kishte opinion të mirë. Nuk e di përse, por Princ Vidi dhe shpura që e shoqëronte nuk pati interesim ta konsideronte opinionin e admiralit. Aq më tepër që ata, të cilët flisnin pozitivisht, nuk kishin patur ndonjë eksperiencë të gjallë në Shqipëri. Përse nuk u vijua biseda në kushte më të përshtatshme me këtë admiral? Në një vend si Shqipëria që sapo kishte dalë nga sundimi shekullor osman, me njerëz të armatosur kudo, pa një administratë vendore të identifikuar deri në kapilarë, dhe ku lufta brenda vetes ishte e ndezur me armë dhe me intrigë, tradhti e thikë pas shpine, çdo pakujdesi apo anashkalim për vlerësimet nga terreni tregojnë mendjengushtësi dhe një entuziazëm jorealist pezull.
Në darkën që u shtrua në Schonbrunn, "Princin e çuan menjëherë te dhoma private e Perandorit". Çfarë kanë biseduar në intimitet, ç'u tha mes tyre e që duhej konservuar mes njëri-tjetrit? Cilat mund të kenë qenë porositë e Perandorit për Italinë dhe qëndrimet e saj të hapura e të fshehura, pakënaqësitë dhe skenarët e mundshëm antiVidi? Po për Serbinë dhe Greqinë, çfarë mund t'i këtë thënë? Këto janë pengjet historike që lypin çkodim. A ka patur informim sekret apo porosi për Princ Vidin, se këto tri vende, në pa dëshirën e tyre për një Shqipëri të pavarur, nuk do të ndaleshin për të goditur veç e veç, por edhe në sintoni korale apo intriga pjesore me qëllim zhbërjen e këtij shteti me një popullsi shumica myslimane, dhe me jo pak "gjynahe" në atë perandori? Po vetë Perandori, a e kishte nuhatjen për mundësinë e shpërthimit të një lufte botërore, apo ishte aq "sylesh" sa të mos kuptonte se çfarë po ndodhte "nën rrogoz"?
Mesa duket, faktet e mëvonshme që rrodhën në Shqipëri gjatë kohës që Vidi drejtoi vendin dhe analizat apo deduksionet e tij nuk na shpien në asnjë rast që të takojmë momente kur përtej kujdesit ai të shfrynte, duke përmendur atë që iu tha si porosi në bisedën me Perandorin Franc Jozef. Mund të jetë edhe e kundërta: që ai t'i dinte prirjet dhe skenarët e mundshëm, por ta kishte pranuar shansin që iu dha për t'u bërë mbret. Mundësi të tilla nuk është se të ofrohen shpesh. Ngasja egocentriste në kësi rrethana e shtyjnë njeriun të ëndërrojë. Gurra shpirtërore dhe ajo e instinkteve të lindura të forcës dhe kurajës për të sfiduar e bëjnë njeriun një ëndërrimtar trim dhe një luftëtar imagjinar që e pranon sfidën. Vidi ishte i vendosur t'i shkonte deri në fund kësaj aventure. Apo jo Mbreti ynë? Ju duket pak si çudi që unë po jua drejtoj këto pyetje pas kaq vitesh. Në një drejtim është ashtu siç edhe mendoni Ju Lartmadhëri. Koha ka rrjedhur dhe historia nuk mund të zhbëhet. "Ç'rëndësi do kishte sot,- mund të thoni Ju nga bota e eterit,- pse unë pranova që në vendin më të prapambetur të Europës të emërohesha si kreu i shtetit. Ajo është një histori e vjetër e mbyllur dhe pa ndonjë interes, veç kërkimeve studimore." Eh (ish)Mbreti ynë, unë mendoj t'i risjell në dritë ato ngjarje të ngjeshura në një grusht muajsh, sepse, si në botën e enigmave, ka shumë rëndësi të rikthehesh për të takuar mbetjet e, duke i rivendosur në ravijëzimin e ngjarjeve, mund të rindërtosh një histori të simbol-kuriozitetit. Nuk është çudi që në rrethanat e simbolikës të pikasësh gjurmë të harruara apo ta shohësh më qartë gjithçka që në kohën e vet ishte një dinamikë me provokim shprehës në shumës, por që, për shkak të zhvillimeve në fushëbetejë ishte e vështirë të identifikoheshin në një kornizë që shprehte koherencë. Personazhet reale historike nuk e kishin kohën e mjaftueshme apo qetësinë e nevojshme të gjykonin përtej mirazhit të ditës dhe flakëve të pasionit që relievizonte prej topave zyrtarë të qeverisë që u zbrazën në ditët e mbretërimit, deri te tytat e pabesa të injorantëve që nuk donin të lejonin që historia e shqiptarëve të shihte nga e ardhmja. Në simbolikën e kontureve të zhvillimit kemi një ndeshje periferike në hapësira të mbyllura dhe të errëta, mes një kahu që shikonte nga Perëndimi dhe një zvarritjeje që nuk donte të shkulej nga Orienti. Kjo simbolikë, madhëria Juaj Princ Vidi, është arsyeja që po trokas te paqja juaj e amshuar; dhe, duke biseduar, mund të hedhim më shumë dritë në atë gjashtëmujor që mund të ndryshonte drejtimin, ritmin, qëllimet, misionin dhe fatet historike. Por kohët që do të vinin me dhe pa lejen tonë, të shqiptarëve, nuk patën fatin të shkonin nga Perëndimi.
Ps/ Këto janë faqet hyrëse të një studimi të plotë kushtuar Princ Vidit dhe që shumë shpejt do të shohë dritën e botimit si pjesë e librit antropo-historik "Apistolate"-Antropologjia e Frymës.
PËRPARIM KABO
|