VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - KUMTET HAMLETIANE NË KOHËT MODERNE...Nga DR. PËRPARIM KABO

                                                                                      

E Mërkurë, 10.09.2024, 11:46am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
KUMTET HAMLETIANE NË KOHËT MODERNE...
Nga DR. PËRPARIM KABO

E Shtunë, 06.07.2014, 05:53am (GMT+1)


"Danimarka është një burg. Burg i vërtetë, në të cilin ka shumë qeli, vrima e bodrume, dhe Danimarka është një nga më të ligat." Kështu klithi princi Hamlet i Danimarkës. Ç'është ky shpërthim për atdheun? Si ka mundësi që një njeri të flasë kështu për vendin e tij? Çfarë ka ndodhur me princin Hamlet? Burgu është një vend i izoluar ku shpien kriminelët, shkelësit e ligjit, vjedhësit, grabitësit dhe ata vuajnë dënimin e merituar, riedukohen. Mos vallë ai kishte humbur drejtpeshimin mendor dhe në shpërthim e sipër nxori nga goja fjalë të padrejta, bëri akuza të paqena dhe mendja e lodhur e shpuri në pragje gjykimesh të ndëshkueshme? Përtej hamendësimeve, duhet të zbulojmë me qetësi dhe arsye, përse princi i Danimarkës, Hamleti, në një nga kryeveprat e Shekspirit me të njëjtin titull, guxon në historinë njerëzore të thotë për shtetin e tij: "Danimarka është një burg"? Madje kjo thirrje ka jehonat e saj universale, sepse edhe sot e në të ardhmen, jo thjesht princat, por qytetarët e zakonshëm kanë të drejtën të pyesin me zë të lartë: Ç'është shteti im për mua? Është ai vendi ku me institucionalizëm marr një shërbim human, civil, dinjitoz, ligjor? Apo është një makinë e verbër, gënjeshtare, strukturë e dehumanizuar, ku ndoshta nuk vidhet pushteti si dikur, ku vëllai vritej në kopsht në gjumë dhe i merrej kurora e gruaja, por që gjithsesi pushteti mbetet një plaçkë e lakmuar? Apo mos vallë pushteti i deleguar qytetar vidhet poshtërsisht bash për të njëjtat qëllime? Etja e verbër për pushtet e bënte dikur mbretin, dhe sot pushtetarin, ligjvënësin, qeveritarin, një vjedhës të pushtetit, një vrasës të lirisë, por dhe në rastet më ekstreme "një mbret që e vret kundërshtarin politik apo dhe vëllanë partiak" pa iu ndalur dora e helmit dhe e plumbit, vetëm për pushtetin, për kurorën e parasë dhe të pasurisë. Ky kriminel me mantel pushteti mendon se kufoma nuk flet, nuk mund të flasë. Hijet nuk kanë gjuhë, fantazmat nuk ekzistojnë, Shekspiri ka bërë thjesht art, për të shkaktuar emocionin, ndaj ata që hoqëm qafe, nuk kthehen më të dëshmojnë për veprat tona. Ky është monologu i përnatshëm i atyre që kanë lyer duart me gjak. Nga nëndheu..., viktimat këlthasin: Ej, njerëz, ai është vrasësi, ata janë bashkëpunëtorët, ai pushtet është i kalbur, ai vend është një burg. Dhe jehonat vijnë. Vetëdija zgjohet. Kujtesa vaditet. Përgjegjësia ngre krye. Njeriu bëhet më i përgjegjshëm ndaj sjelljes së pushtetarit me të, me fatin dhe me lirinë e tij. E gjithë bota ka arsye dhe e kryen ritualin e bisedës me fantazmën e mbretit të vrarë nga i vëllai. Gjuhët mund të jenë të ndryshme, rrethanat gjithë po aq, biseda me dinamikë unikale, dhe përgjegjësitë në nivele të ndryshme kuptimi e moskuptimi... por se një gjë është e sigurt. Fantazmat e viktimave janë prezente si një pasqyrë e madhe universale ku njerëzimi sheh dhe duhet të shohë veten. Mbi krimin nuk ka prosperitet, nuk ka qetësi, nuk ka harmoni, nuk ka paqe, ndaj dhe Princi Hamlet i Danimarkës është prezent në kohët moderne.

Trupa e Teatrit të Londrës Globus, ka vendosur të lëvizë nëpër botë me tragjedinë "Hamleti". Është edhe në Tiranë. "Hamletët tanë (aktorët-Naim S. Frashëri, Kadri Roshi, Kujtim Spahivogli) do të duartrokasin kolegët britanikë nga eteri. Skena e Teatrit Kombëtar, ashtu e drunjtë, me grimasa dhe rënkime, e ka mbajtur prej vitesh Shekspirin dhe Hamleti është shpërfaqur në magjinë e tij. Bota e errët shqiptare diktatoriale pati asokohe një meteor shprese. Pushteti i vjedhur kishte rreshtuar kufomat brenda familjes dhe miqve, shokëve e kolegëve. Shqipëria diktatoriale ishte burg, një burg i madh ku dhe ëndrra nuk kishte të drejtë të takonte lirinë.

"Globus Theater" do të shkojë me këtë turne edhe atje ku bota është në luftë e nuk është ende e sigurt. Atje ku njeriu vritet se kërkon liri, përpiqet për dinjitet njerëzor e civil. Shoqëria e sotme moderne ka nevojë të dëgjojë sërish shpirtin e Hamletit, vuajtjen dhe poshtërimin e tij, sepse drama që i ndodhi me atë fund tragjik, nuk është thjesht një ngjarje personale, nuk është e kohës së kapërcyer, nuk mund të quhet e vjetruar dhe e padenjë, e panevojshme për ditët e sotme dhe për të ardhmen. Dinjiteti njerëzor shumë herë nuk respektohet e nëpërkëmbet. Pushteti, edhe në ato vende ku ka liri, të drejta të njeriut dhe demokraci institucionale, e ka braktisur njeriun dhe ai ndihet i tradhtuar në një shoqëri që e ka burgosur jo duke e izoluar në burgun klasik, atje ku gardiani të mban në izolim dhe ku qielli, ajri, ushqimi dhe lëvizja është e matur në një shtrëngim, ku muret të kanë rrethuar fatalisht. Edhe jashtë këtij ambienti mbytës mund të ndihesh si në burg, atëherë kur në vendin tënd ka shumë qeli, brima dhe podrume..., ka llagëme të fëlliqësisë; që nga ato të intrigës, thikës pas shpine, poshtërimit, pabesisë, besëprerjes, vjedhjes, zhvatjes, shndërrimit në dinjitet, përdhunimit, mbytjes në fetus, vjedhjes së lirisë, përdhosjes së sovraniteteve, shpërdorimit të ligjit, korrupsionit galopant, lënies në injorancë etj., etj., ato që përbëjnë dekorin, klimën dhe mentalitetin e shoqërisë ku njeriu (s')merr frymë. Shpirti hamletian edhe në shoqërinë moderne këlthet: "Shoqëria e sotme herë-herë është një burg" dhe ne qytetarët fatkeqësisht të burgosurit e saj. Pse ndihemi të tillë? Ky është problemi. Ç'na shtrëngon që po na merr frymën, që na ka deformuar deri në angështi? Sa burg ka brenda nesh? Sa të burgosur dhe sa gardianë të burgut të sotëm në shoqëri jemi si shoqëri dhe secili nga ne si individë? Kjo është më shumë se pyetje. Ky kumt hamletian në universalitet gjithëkohor do të vijojë t'i thotë njeriut: "Mos e lër atdheun tënd të kthehet në burg, sepse kjo ndodh kur pushteti vidhet dhe pushtetari e grabit atë. Pas këtij akti ka tragjedi, ka poshtërim, zhbërje të dinjitetit njerëzor, gjen farsë dhe çnderim. Në një shoqëri ku pushteti është i vjedhur, të gjithë janë të rrezikuar.

Ndaj njerëz, mos kini frikë të pyesni se ç'është vendi dhe shteti juaj për ju. Burg, apo është hapësirë e lirisë, një shtet ku njeriu dhe pushteti nuk luftojnë, por merren vesh, dialogojnë, kontribuojnë në mënyrë të dyanshme, dhe ku shtetari, që nga kreu i shtetit e teposhtë, deri tek zyrtari i thjeshtë, kërkojnë atë që u takon vetëm ligjërisht dhe marrin atë që u takon sipas Kushtetutës e së drejtës? Njerëz, pushteti i vjedhur vret! Vrasja pjell krim dhe vrasje të tjera të hapura e të fshehura... Kështu e lexoj unë sot dhe në të ardhmen atë që klithi Hamleti kur bisedoi pas mesnate me fantazmën e të atit ish-mbret, vrarë e poshtëruar thjesht për t'i rrëmbyer fronin dhe gruan! E britma e tij është një shpërthim i hapur me dinjitet dhe me zë të lartë, tek derdhte pa u vetëpenguar akuzat dhe cilësimet, por dhe përgjegjësitë. Kurajoja e tij është e tillë që edhe sot të frymëzon sipas parimit: njeri, ke lindur të ndreqësh botën, mos e harro këtë, sepse dielli mbi krye nuk mjafton, shoqëria ka dhe ngordhësira. Fjalët e Hamletit i citoj: O qiell! O dhé! E ç'të shoh tjetër vallë?/O ferr? Oh turp! Qëndro, qëndro moj zemër/ ...Në tërë Danimarkën s'ka përveç/ Zuzarë dhe kalorës vagabond../ Ju lutem, mbani gishtin përmbi gojë./ Kjo bot, u shthur; o prapësi, o dreq!/ Që unë paskam lindur të të ndreq!/...Se dielli rrit krimba në një qen të ngordhur.../ Po ç'kam në zemër kapërcen çdo pamje/ E s'ka stoli ta shfaqë këtë vramje.../ Zot o Zot/ Sa i mërzitur, sa bajat, pa shije/ Më duket çdo zakon i kësaj bote. Kur në shoqëri ka ngordhësira jo thjesht si qeni i tragjedisë, por edhe qytetarë të mpirë, vegla qorre të pushtetit, padinjitarë të shpifur që lëpijnë këpucët e pushtetit, kodoshë të fëlliqur të vesit të zhvatjes, ...edhe mbi ta dielli (i pushtetit) rrit krimba të një lloji të veçantë, të tillë që hanë kalbësirën e sistemit dhe e bëjnë pjesën tjetër të shoqërisë që të humbë dashurinë për jetën, për të bukurën, për humanen, për lirinë dhe dinjitetin njerëzor. Bota e sotme moderne është e sëmurë me zakone të këqija, ajo është një univers bajat. E gjitha kjo ndodh thjesht sepse ende bota, shoqëria dhe marrëzia njerëzore nuk janë shëruar nga ajo çka princi Hamlet tha: Kusar i mbretërisë dhe i fronit,/ Që vodhi nga dollapi një kurorë/ Dhe tradhtisht në xhep e kalli./ Një mbret me rrecka dhe me armë./

Nëpunësi i shtetit, gjyqtari, prokurori, ligjbërësi, ligjvënësi, ai që (duhet t'i) i shërben(jë) njeriut; do duhet ta shkruajë në murin e ndërgjegjes këtë thënie... që vodhi nga dollapi një kurorë. Dhe ta lexojë (në Shqipëri) - që vodhi në Gjykatën e Apelit pushtetin bashkë me ata gjyqtarë dhe gjyqtare që mbrojnë poshtërsisht ... "mbretin me rrecka dhe me armë", ose me Versace dhe me shitje armësh. Hamlet, të dëgjoj tek jehon me këto fjalë që rrëqethin, kur e lajmërove botën se "pushteti i vjedhur futet në xhep", ashtu si rrasen atje shuk paratë e grabitura. Të falem Hamlet, më ndje, jam pranë teje duke ngritur zërin tim të protestës me ty. Ende pushteti kalon nga gjaku, vjedhja, paraja dhe gjirizi që kundërmon duke helmuar gjithçka humane, e njeriu nuk ka fuqi ta ndalë. Do dëshiroja që grabitësit e pushtetit, ata që me pushtetin e votuar vjedhin pasuritë kombëtare, pronat e qytetarit, ata që sovranitetin e pushtetit të votuar e përlajnë me një vendim të ulët e të poshtër gjykate, dhe këta gjyqtarë vetëm e vetëm se shërbejnë duke lëpirë tasin e pushtetit, marrin padrejtësisht nga thërrimet e tija, ose më keq, e lidhin poshtërsinë e abuzimit me kryepushtetarin duke fshehur në emër të ligjit fëlliqësirat e njëri-tjetrit, janë llumi ose si thoshte Hamleti, "zuzarë dhe kalorës vagabondë". Ata që i shërbejnë "mbretit që vjedh kurorën e pushtetit". Për ta kam yshtjen se do duhet t'u varim në qafë këto fjalë të Shekspirit në gojën e Hamletit: "Dhe këta farë zyrtarë i bëjnë mbretit shërbimin më të mirë më në fund; se ai i mban, si majmuni arrat, në çip të nofullës së tij; i vë në gojë më parë dhe i gëlltit në fund; kur ka nevojë për ato që kemi mbledhur, ju shtrydh vetëm dhe, o sfungjer, mbetesh prap'i thatë. Në kohën tonë, më së pari fëmijët e tyre do duhej t'ua lexonin në gjokset e mburrjes dhe t'u thoshin prindërve të tillë: "˜Turp! Unë nuk e dua këtë mund dhe këtë mirëqenie e luks! Nuk e dua këtë makinë dhe këtë vilë! Nuk e dua këtë orgji dhe derdhje lum të asaj që nuk është djersa dhe dinjiteti, porse është grabitja dhe pushteti i njollosur, sa kohë që ti je për atë lart mbi ty, thjesht një sfungjer që shtrydhesh e thahesh për t'u rishtrydhur sërish si një gjë pa vlerë'. Fëmijët e sotëm do t'i neveritnin "prindërit-sfungjer" dhe do ngrinin zërin lart duke lebetitur: "˜Pse linda këtu? Pse më sollët ju në jetë? Ju prindër gënjeshtarë. Ju ziliqarë e grabitës. Ju që nuk doni asgjë veç parasë dhe llumit. Ju që gjithçka mund të jeni, porse jo njerëz të virtytit'. Unë i dëgjoj këta fëmijë Hamlet, i ndjej me ndjeshmëritë e ndërgjegjes që rrugëve të qyteteve dhe udhëve të dinjitetit janë duke përsëritur fjalët e tua o princ i Danimarkës: "Që me të lindur - që s'u bie faj/ Posa njeriu prindërit si zgjedh./ Virtytet-më të bardha se dëbora,/ Të pakufishme sa arrin njeriu-/ U zhdukën në gjykim të botës krejt/ Nga njolla e veçantë;se një pik'/ E zes' e prish dhe e diskrediton/ Megjithësej substancën më bujare.

Dhe tek prindi humb fëmijën nuk ka tragjedi më të madhe, le ta kesh kurorën dhe pasurinë, majmjen dhe epshin, kolltukun dhe putanën. Pa dashurinë e fëmijës dhe me përbuzjen e tij, je bosh, je një hiç, thjesht një pocaqi që bie erë të keqe, je si i thoshte Hamleti së ëmës: "Ma ndje virtytin; se në kohën tonë/ Të ngjallme e shpirtrash' u dashka vetë/ Virtyti t'i kërkojë ndjesë vesit,/ T'ulet, t'i lutet që t'i bëjë mirë./ Oh, hidhe tutje pjesën më të keqe/ Dhe rro me gjysmën tjetër më të pastër../ Bëj të virtytmen dhe në mos qofsh/ Zakonkuçedra që përpin çdo ndjenjë.../ Unë s'jam me të vërtet' i marrë,/ Po për dinakëri. Po tregoja/ Se cila mbretëresh' e ndershme,/ E mençur dhe e bukur mund të fshehë/ Një të çmuar nga një arn' e rreckë,/ Bretkos' e lakuriq i natës? Cila?" Duke marrë shtysë nga idetë e Antikitetit, ku çështja "˜jemi të vdekshëm dhe ajo nuk fal kërkënd, pasi pavdekësia nuk mund të blihet apo vidhet, qofsh ti njeri kushdo, mbreti apo varrmihësi', Hamleti shpall botërisht se "perandori më i fuqishëm në të gjitha kohërat është krimbi". Kjo tallje i bën qesharakë dhe të pafuqishëm të gjithë mbretërit, jo vetëm të ungjin e tij vrasës dhe grabitës. Ne shkojmë në "Hadhe" të gjithë. Varka e Karonit na pret një ditë, ndaj me arsyetimin e vet për mbifuqinë e krimbit, Hamleti e bën mbretin një lolo në sy të njerëzisë. "Kufoma është pranë mbretit, po mbreti nuk është pranë kufomës. Mbreti është një gjë-kafshë". Këto fjalë të Hamletit si në darë e kapin çdo diktator të madh apo të vogël. Duhet lexuar, se atë që ti vret e lë larg, e varros me ceremoni, e shpall ndoshta dhe hero, pas vrasjes i jep dhe dekoratë, mallkon ditën që e mori padrejtësisht duke fshirë gjakun nga pëllëmbët e tua, shtie me top për të, dhe lot derdh me hipokrizi nga sytë e skuqur nga e përbindshmja brenda teje, dhe kështu mendon se je larg kufomës. Por gabohesh. Ajo është pranë teje, vrasës, sepse tashmë tani je kthyer vetë në një kufomë të gjallë. Të ka mbërthyer paranoja. Jeton i vdekur dhe e mendon se si do jesh atje poshtë tek ajo gropë ku të gjithë shkojnë një ditë. Ke makthe se mos kufoma e krimit tënd atje nën dheun e ftohtë të zë për fyti dhe të kërkon llogari, duke ta vrarë dhe namin që ke paguar të jetë me lavde mbi tokë duke përdorur propagandën e pushtetit. Dhe ti mbret, diktator, drejtues partie, apo kryeshtetar, më në fund e beson atë që Hamleti e paratha, se një ditë dhe ti do të jesh: "Jo atje ku ha, po atje ku e hanë". Këtu ka një gjetje brilante të Shekspirit, kur ai të gjithë i sheh një ditë si krimba nën tokë, edhe politikanët, sepse edhe ata vdesin dhe hahen nga krimbat. Ditën që mbreti apo udhëheqësi do të shkojnë atje, ata që do ta hanë do të jenë jo krimbat dokudo, por krimba politikë. Ja si shprehet tragjediani me gojën e princit Hamlet: "Një kuvend prej krimbash politikë i janë vërvitur. Krimbi është i vetmi perandor që ka për të na ngrënë. Ushqejmë të gjitha bagëtitë e tjera që t'i hamë dhe të majmemi dhe bëhemi të majmë për krimbat e kufomave. Mbreti i majmë dhe liparaku i thatë s'janë veç dy gjellë të ndryshme, dy pjata, po për gjithë atë tryezë. Ky është fundi. Një njeri mund të zërë peshk me krimbin që ka ngrënë një mbret, dhe të hajë peshkun që u ushqye me atë krimb. Jo gjë tjetër, veç t'ju tregoj qysh një mbret mund të udhëtojë në zorrët e një liparaku. Vetëm këto fjalë, bash veç ky arsyetim do të mjaftonte që bota të vetëkorrigjohej, duke e parë veten gjithkush se sa i pafuqishëm është ndaj vdekjes, sepse tek e fundit ajo është pushteti që na rrëmben dhe nuk mund të rrëmbehet. Ndaj, përse rron o njeri? Pse e turpëron faqen tënde? Ky rrethqarkullim, ku ne hamë bagëtitë dhe ne na hanë krimbat e kufomave, e thjeshton shumë botën dhe hierarkinë, pushtetin dhe papushtetin, kamjen me hedonizëm dhe vobektinë e nënshtruar... Dhe mbreti i majmur, dhe liparaku thatanik, janë thjesht veç dy pjata gjellë të ndryshme për krimbat! Oh Hamlet, të falem, sa bukur e sa thjesht, sa cinike janë këto fjalë, por se unë ta puth cinizmin tënd që i ka lënë botës këtë gjetje brilante! Ej, mbret, mos u mbaj se kush je, thjesht një pjatë gjelle, një ushqim për krimbat me të cilat kapet peshku. Pra një ditë peshku do të të hajë dhe ty! Dhe me këtë peshk mund të ushqehet një barktharë dhe sa keq për ty që do shëtisësh në zorrët e tij! Ky arsyetim çarmatos këdo, edhe më të fuqishmin. E nëse kjo do shkruhej në çdo mur të zyrave të kohës moderne, paradoksi logjik do të shërbente që njeriu të gjente veten dhe sistemi të takonte zgjidhjet, madje deri atje, saqë edhe autoriteti inpersonal i parasë, të shikonte më mirë veten, duke u ndalur në ç'ka krijuar, ushqyer nga grykësia e vet. Një botë ku shumë pak njerëz kanë gjithçka, madje më shumë se kaq, dhe shumica e antropologjisë nuk kanë asgjë, ose kanë fare pak, aq sa fryma të mos ndalet, është një botë e humbur fatalisht.

O njerëz, reflektoni thellë! Mos mendoni se kush jeni si pjesë e pushtetit, por se cili do jetë një ditë itinerari juaj i zorrëve të vobekta që mbushin në kohët moderne si ikona pafuqie botën e sotme të kibernetikës. Dikur më i fuqishmi në botë ishte Aleksandri. Po ku është ai sot? Ku janë sundimtarët e të gjitha kohërave? Ku janë Hitleri, Stalini, Çausheksi, Hoxha etj? Ku do të jenë ata që sundojnë sot në kohët moderne, qofshin prijës, sulltanë, diktatorë dhe trimoshë që bëjnë referendume të sajuara me qëllim që të grabisin territore? Hamleti e ka parathënë një ditë: do të jenë në suva muri. Pluhur do të jenë të gjithë një ditë, me të cilin do të bëhet llaçi që të suvatohen brimat e mureve. Njeriu që s'ka frikë nga vdekja, nuk mund të pranojë fyerjen. Ai e sheh më me qetësi, si jetën, edhe vdekjen, si pushtetin, edhe arkivolin, si shpatën e helmuar, edhe varrin ku varrmihësi ia merr këngës pa kuptuar se fyen gjënë më të shenjtë. Hamleti takoi fantazmën, mbretin kriminel, kufomën dhe pabesinë, ndaj duke ditur fundin ai arsyeton se gjithçka ka emër, por se mund të përmblidhen edhe në një të vetëm. Universi është rrethqarkullimi i pluhurit. "Në sa përdorje të poshtra mund të na kthehen kufomat, Horat? Përse imagjinata të mos mundë ta gjurmojë pluhurin e Aleksandrit gjersa ta gjejë tek po mbyll një vrimë muri?... Aleksandri vdiq; Aleksandri u varros; Aleksandri u kthye në pluhur; pluhuri është baltë; prej baltës bëjmë tëkaçe, dhe përse me këtë tëkaç të mbrujtur prej baltës s'Aleksandrit, të mos mbyllim lëfytin e një vareli prej birre? Dhe kulmon tirada e arsyetimit me një përgjithësim universal hamletian për mbarë të gjithëpushtetshmit dhe për të gjitha kohërat: "Cezari i madh na vdiq, na u bë llomë./ Dhe na shërben për vrimat si ballomë/ Ajme! U drodh prej tij e tërë bota,/ Dhe sot e fryn, e rreh mbi suferin shqota./ Mendohini sundimtarët mballoma për vrimat në mure. Shpoti më të goditur zor se gjen, dhe Hamleti na e la si peng. Në tragjedinë me të njëjtin emër ka vrasje të pabesa, ka kurth dhe goditje pas shpine, por se biseda hamletiane zhvillohet me të gjallët dhe të vdekurit. Me ata që janë në jetë për t'u treguar se ç'është jeta me dhe pa virtyt, me dhe pa besë, me dhe pa dinjitet, me dhe pa pushtet të grabitur, me dhe pa respekt për vlerat dhe njeriun. Biseda me të vdekurit ka një dekor të frikshëm, gati të llahtarshëm. Princi Hamlet bisedoi me kafkat që "lopata e ndragur me baltë" e varrmihësit që hapte gropën për Ofelinë i godet e poshtëron pa iu dridhur qerpiku. "Ky njeri s'ka ndjenjën e punës së tij që këndon duke mihur një varr?" Po ç'ka në varre? Kafka dhe kocka. Biseda e Hamletit me kafkat, ose si me thënë me kokat e zbrazura, ku nuk kam më tru dhe mendim, ku nuk ka më dredhi dhe mashtrime, ku nuk ka më intriga dhe pabesi, ku nuk ka më plane, poshtërim dhe helme thiknguljeje, por ka tryeza ku pa u ftohur pjata e ceremonisë së vdekjes shërbehen pjatat e ngrohta të dasmës, e kanë zbrazur botën nga mirësia. Tek Shekspiri gjejmë artin më të përkryer të skenës dhe themeluesin e letërsisë moderne. Ka tek ai realitet të gjallë dhe virtualitet njerëzor, por mbi të gjitha ka "over world", - kapërcim të botës. Rishikim të saj nga mosqenia. E gjitha kjo, në respekt të jetës dhe rregullimit të shoqërisë që po rrënohej nga prishja e njeriut. Citoj Hamletin: "Kjo kafkë ka pasur gjuhë dhe ka kënduar njëherë; dhe tani ky zuzar po e vërvit përdhe sikur të ishte nofulla e Kainit, që bëri vrasjen e parë! Ndofta është koka e ndonjë politikani, intrigat e të cilit tani s'bëjnë pesë para përpara këtij gomari; dhe ndofta ka qenë një nga ata që futin në thes dhe perëndinë vetë, apo jo? Ndryshe mund të lexohet. Politikan, do të ikësh një ditë, sepse intrigat të sjellin në pushtet, por nuk të mbajnë gjallë përjetësisht. Sa je gjallë dhe në fron, mundesh që dhe perëndinë të mashtrosh, por për varrmihësin injorant je një kafkë mbi të cilën ai ia merr këngës. Nënvizimi është i qartë: Njeriu është i vdekshëm, politikani është njeri, ndaj edhe ai vdes një ditë. Pushteti mbetet jashtë varrit të tij, ai nuk e merr dot me vete. Në kafkën e tij nuk ka shenjë dalluese, nuk ka tregues të veçantë dhe stoli e trajtim ndryshe. Skeleti i tij është i barabartë me të tjerët. Ja si shprehet Hamleti: "Vallë sa shtrenjtë kanë kushtuar këto kocka që të rriten një herë, dhe tani s'vlejnë veçse për të lojtur cinglazi me to! Më dhembin kockat kur e mendoj." Në varr shkon njeriu i pushtetit politik, por dhe ai i pushtetit juridik, që me marifetet e tija i shërben të parit dhe e rropat dhe zhvat njeriun e gjorë, jo vetëm në kohën e Shekspirit (tek Henri VI ai hapur thotë: në fillim të varim të gjithë avokatët), por edhe në kohët tona të shoqërisë moderne". Ja, një tjetër; kjo mund të ketë qenë kafka e ndonjë avokati; pse jo? Ku m'i ke tani sofizmat, fjalëdredhjet, dinakëritë dhe davatë? Përse ma le këtë zuzar të ta godasë kokën andej-këtej me një lopatë të ndyrë dhe s'mi thua që do ta kallëzosh për rrahje në gjykatore?" Sa aktuale janë këto fjalë... sofizmat, fjalëderdhjet, dinakëritë, davatë,... e njeriut që duhet të japë drejtësi në emër të ligjit, por që në fakt zhvat duke (keq)përdorur ligjin. Dhe harron ai se një ditë do të jetë një grumbull kockash me të cilat mund të sillet keq një vorraxhi... dhe skeleti i juristit nuk e shpie dot më në gjykatë. Oh çfarë sarkazme! Të lë pa frymë.... Këtë duhet ta shkruajmë në muret e gjykatave në Shqipëri dhe vendet e tjera, ku sistemi i drejtësisë qelbet nga korrupsioni... Gjyqtarë dhe avokatë, një ditë në gropën e dheut dikush mund të tallet me kafkën tuaj! E dhimbshme, gati antihumane, porse paralajmëruese. Je i vdekshëm. Drejtësia e mohuar apo e vjedhur nuk të bën të pavdekshëm. Hamleti merret dhe me një pushtet tjetër, atë ekonomik, duke analizuar treshen politik-drejtësi-ekonomi. E citoj: "Mund të ketë qenë ndofta ndonjë blerës i madh prej çifligjesh... Dhe nga të gjithë çifligjet e tij s'ka marrë pas veçse një copë tokë të gjerë dhe të gjatë sa një evrak? Dhe kjo kuti e ngushtë, ku ia kallën kufomën, nuk i nxe dot as tapit'e çifligjeve të tij, dhe trashëgimtari i tij, pas vdekjes, s'ka për të marrë pas më tepër, apo jo? Fundi dihet, pak tokë për banesën e fundit dhe një kuti druri ku nuk ka vend për letra e dokumente pronësie. Kështu ka qenë, kështu do të jetë, edhe për të zotin, edhe për trashëgimtarët. Fundi i njeriut është vdekja. Ajo nuk mund të shmanget as dhe me pronësi tokash dhe pasuria nuk merret dot me vete. Ja përse të gjithë njerëzit janë të barabartë. Lindin një herë dhe vdesin po një herë. Hamleti vë në lojë edhe kokëtrashësinë e pronarit të tokave, që si i fandaksur jepet pas letrave dhe dokumenteve, tapive dhe shkresurinave zyrtare të kadastrave dhe hipotekave. Ja si tallet Hamleti me ta: "Diploma nuk bëhet më lëkurë dhensh? Janë dhen e viça ata që kërkojnë diploma sigurie nga çifligjet. Varri është për të vdekurit, jo për të gjallët." Në bisedën me kafkat e politikanit-avokatit-pronarit të tokave, kumtimi hamletian zgjerohet e merr raporte civile. Kështu shpërfaqet një tragjedi më e madhe se ajo personale dhe familjare. Ky dimensionim e bën tragjedinë "Hamleti" një nga dramat njerëzore më universale. Ai vërteton kështu atë që thotë qysh në krye: "Danimarka është një burg". Shoqëria kishte nisur të kalbej nga mashtrimi, yshtjes pas parasë, pushtetit dhe degjenerimit; aq sa dhe jeta e njeriut nuk ka më vlerë. Është fakt që, qysh nga koha e Hamletit, vdekjet, vrasjet dhe krimet janë shtuar, ndaj gjykimi i tij ka rrjedhur e vjen deri në kohët moderne, jo thjesht si një mallkim hamletian, por si një anticipim i tij, që prishjen e shoqërisë e shikonte dhe nga lart - pushtet i vjedhur me intrigë dhe me krime, por dhe nga poshtë, ku vlerat humane dhe civile po shkatërroheshin nga paedukata që po dyndej qyteteve pa skrupuj dhe pa filozofi sjelljeje. Ndaj Hamleti nuk harron të kumtojë duke nënvizuar: "Për zotin, Horat, këto tre vjet e kam vënë re; njerëzit e kohës sonë janë hollësuar, aq sa këmb' e katundarit ka arrirë në thembrën e oborrtarit dhe ia shkel kallon".

* * *
Princi Hamlet vijon udhëtimin në eter dhe në botën e të gjallëve. Shekujt nuk e kanë nxjerrë jashtë skene. Hamleti i Shekspirit me kumtet e tija, është vetë skena, vetë tragjedia që jetohet edhe në kohët moderne. Ai edhe sot, po si atë ditë tek ndeshej me Laertin dhe e kuptoi se deri ku shkonte poshtërsia e mbretit, ngre zërin në kupën e qiellit: "O poshtërsi! Mbyllni dyert!/ O tradhti! Kërkojeni dhe gjejeni." Dhe ne njerëzit e shoqërisë moderne përsërisim këto fjalë si refren hamletian, për një botë më të mirë e një njeri qytetar më të devotshëm. Kumtet e princit Hamlet të Danimarkës vijojnë rrugëtimin sa të ketë jetë mbi tokë. Teatri njerëzor nuk është ende i çliruar nga poshtërsitë që ai zbuloi e demaskoi. Bota nuk ka dalë ende nga burgu i së keqes.

Dr. PËRPARIM KABO


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
PDK BËRI ZULLUME NË QEVERISJE, BËFTË HAJËR NË OPOZITËNga SKËNDER BUÇPAPAJ (06.06.2014)
8 QERSHORI - VOTA PËR ÇLIRIM!LDK-ja, mundësia e vetme - Votojeni LDK-nëNga XHAVIT BEQIRI (06.06.2014)
Zgjedhjet e 8 Qershorit - QYTETARË TË KOSOVËS DILNI NË VOTIME – ABSTENIMI I KRIJON SHANS KEQQEVERISJES, PROFITERËVE DHE MAFIES!Nga ELIDA BUÇPAPAJ (06.05.2014)
MISIONI I PAKRYER I ISH TË BURGOSURVE POLITIKË!Nga SULEJMAN GJANA, Kryetar i PLL (06.04.2014)
ALEANCAT QË MUND TË PRODHOJË 8 QERSHORI: MË MIRË LDK-AAK SESA AAK-VV APO PDK-VVNga ELIDA BUÇPAPAJ (06.04.2014)
KANADAJA NDERON VIKTIMAT E KOMUNIZMITNga FRANK SHKRELI (06.03.2014)
MOS NA FYENI, ZOTËRINJ!Nga RESHAT KRIPA* (06.03.2014)
MINISTRAT E KULTURËS E SHKRETUAN KULTURËNNga GANI MEHMETAJ (06.03.2014)
A E MERITOJMË STATUSIN?Nga ANDON DEDE, Nju Jork (06.02.2014)
VETURREJTËSITNga UK LUSHI (06.02.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2024  
D H M M E P S
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]