KUSARI NUK E FUT DOT NË BURG KUSARIN Nga ARTUR VREKAJ
E Enjte, 07.31.2014, 06:55am (GMT+1)
Populli Shqiptar i Shqipërisë londineze e ka humbur besimin edhe lidhur me administrimin e mjeteve monetare të Bankës Kombëtare, që ende bie ende era pisllik me supervjedhjen në vlerën e shtatë milionë dollarëve nga vetë punonjësit e besuar të BSH, që po shpallet si një sukses, sepse është vetzbulim i personelit të kontrollit bankar?!
Si të mos shqetësohet populli, kur fëmijët Shqiptarë lindin me borxhe dhe ca kokrra mbushin dyshekët me valutë? Apo flenë mbi to? Apo i kthejnë në flori?
Është një dramë e vërtetë zhvatja e shtetit tonë këta 24 vjet! Dhe janë aktorë me eksperiencë nga ty dyja palët e klasës politike.
Organikat e Bankës Kombëtare, si edhe e institucioneve të shtetit përfshi edhe OJQ-të janë një rrjetë merimange e të gjithë klasës politike. Tirana ua ka mbyllur shtigjet njerëzve të aftë, që nuk kanë lidhje me klasën politike, sepse nuk duan të hapet rrethi i të pasurve më shumë.
Ndaj dhe ka heshtje varri që nga kreu i shtetit, qeveria, drejtësia, media etj. Herë-herë Shqipëria funksionon si një Lazoshtet. Janë favorizuar sa e sa familje të klasës politike që kanë marrë kredi me interes të ulët dhe kanë blerë prona brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Klasa politike e Shqipërisë është pa dyshim më e pasura në Ballkan, mendo vetëm për 24 vjet! Ajo i ka bërë detyrat për tu pasuruar me çdo mënyrë. Kështu edhe mban pushtetin me brezat e familjeve të tyre. Kjo është shenjë e rrezikshme edhe për kombin Shqiptar, sepse demokracia nuk funksionon për të gjithë, se ha bukë vetëm kusaria në Tiranë. Ndaj edhe klasa politike nuk e ka çarë kokën për hallin e përbashkimit kombëtar, sepse herë-herë ka bërë sekserllëk me fqinjët grabitqarë të tokave tona që tani duan jo vetëm vënd për varre të ushtarëve të tyre të rënë në Shqipëri, por edhe ndonjë llomkë sipërfaqeje në hartën detare të Shqipërisë londineze.
Në Shqipëri po vrave dhe po vodhe bindshëm bëhesh kryeministër, vetëzgjidhesh president, merr para për burg që ke bërë se ke vjedhur, i shpëton edhe ekspertizës Amerikane, ja hedh popullit sy më sy, sepse e ke zënë në lak Shqipërinë me këtë sistem të kalbur drejtësie, bën manovra se si do të mbrohesh nga ligji se zbaton antiligjin e shumë marifete Shqiptare.
Me Fullanin ha bukë edhe pozita, edhe opozita që nuk as bojë, as zë. Të mbytin këta të majtët kur bëhen bashkë, sepse Shqipëria është puro e majtë! Kudo.
Nuk mundet Shqipëria pa një monitorim të fortë ndërkombëtar të ndalë dorën e kusarëve të klasës së sotme politike. Nuk mundet se kusari nuk mund të futë në burg kusarin! Nuk mundet se u kanë bërë favore familjeve të të dyja krahëve me lekët e popullit. Këto thërrime të luftës kundër korrupsionit janë sa për Facebook më shumë, sepse edhe media është palë me regjimin në Shqipërinë londineze.
Media e Tiranës është shumë e pasur dhe e blerë kokë e këmbë nga klasa politike ndaj nuk e hap gojën shumë. Herë-herë media del edhe si fuqi e parë e pushtetit, por këtë radhë është më komplekse vjedhja se me paratë e popullit kanë ardhur në pushtet të dyja krahët.
Ndaj nuk guxon kush të hapë gojën, as majtas, as djathas, se edhe informacioni qarkullon nga një krevat bashkëshortor në tjetrin brenda kupolës. Dhe shumë pak del në publik. Ne shumë gjëra i shohim nga fytyrat e shtetarëve, që nxijnë jo nga Dielli, po nga paraqitja në publik sa për sy e faqe.
Ndaj nuk ka murlan që të tundë Fullanët pa e shkundur mirë të gjithë Tiranën zyrtare. Po kush ta shkundë? Asnjë nuk guxon. Pse, Erion Braçe e trëmbi Fullanin? Dhe do mendojmë që Fullanët po dridhen! Kush e ha sapunin për djathë?
Hapen shumë situata dhe dalin më shumë pislliqe. Populli di shumë pak. Ata të klasës politike janë në drejtim të shtetit, janë kudo ku ka përfaqësim shteti e populli. Ata janë ku janë paratë, ato të marra borxh, të vjedhurat, si dhe bakshishet. Janë kusarë me shkollë. Nuk janë bufa!
Kush ti dënojë? Gjyqtarët Shqiptarë janë në llum për vete në mos më të majmurit, se drejtësia është skema më e pistë e Shqipërisë! Njerëzit e drejtësisë në Tiranë janë burrat e grave të zonës së parë operative, ose janë gratë e rrjetës së merimangës së kësaj Shqipërie paskomuniste të kapur përfare nga kusaria.
Kështu, që me këtë supervjedhje dhe disa vjedhje në rrethe gjatë këtyre 24 viteve Banka Kombëtare, Banka e Shtetit Shqiptar duket si Banka e Shtetit Kusar.
Është një turp i madh kombëtar. Turp e faqe e zezë për Fullanin, guvernatorin që ka vënë pasuri përrallore edhe si sekser i rizgjedhjes, edhe si favorizues të mposhtë ligjin Shqiptar me anën e gruas e të shoqërisë së klase politike kur ka patur nevojë e majta e shkarë djathtas, apo edhe e djathta e qëndrës që ka bërë devër me paratë e Bankës Kombëtare.
Në Shqipëri Fullanit, guvernatorit nuk i bën tërrt syri të kërkojë falje si burrë, sepse nuk është burrë. Ai duhet ti nënshtrohet gjykimit të Gjykatës e të tregojë se si ka ndihmuar skemën e zezë të favoreve të klasës politike. Të marrë ndëshkim penal, sepse e ka lënë Bankën pa kontroll fizik disa vjet me radhë, ndërkohë që Shqipëria është lypsare në botën perëndimore. E po kjo është kokrra e rrumpallës!
Klasa politike e Tiranës ka shkarë përfundimisht në një spektër politik specialistësh të majtë në të gjithë shumatoren e organizimeve politike. Nuk kemi fatkeqësisht as të djathtë që kur vdiq zoti Pjetër Arbnori. E djathta e qëndrës vetëm se emrin ka dhe është larushe me ish-komunistë e të pjellët e tyre si në të majtën, plus e shtuar së fundi edhe nga lëvizjet nga e majta në qëndrën e të djathtë të ca burrave pa moral dhe integritet që ju shtuan atyre që hëngrën dru më 1996 dhe cave nga halli i mbetjes pa u zgjedhur deputet apo edhe ndonjë që erdhi nga Amerika të mbushte vitet e pensionit si deputet vitin që shkoi.
Kjo klasë politike është e frikshme për popullin, sepse nuk ka në zbatim Ligjin themeltar të shtetit Shqiptar - Kushtetutën e Republikës. Për rrjedhojë, edhe siguria kombëtare herë-herë është tronditur megjithë imazhin e shtetit dhe të kombit.
Nuk ha bukë zbatimi i ligjit Shqiptar, jo se nuk kemi ligje të mira, por se kemi një sistem familjesh shumë të pasura, kemi çifte bashkëshortore shumë të rrezikshme për ardhmërinë e Shqipërisë, sepse kanë në dorë drejtimin e shtetit , të institucioneve dhe të mirëfunksionimit të shtetit ligjor.
Duke parë me gjakftohtësi ndodhinë e supervjedhjes në Bankën Kombëtare Shqipëria është bërë e pabesueshme nga institucionet ndërkombëtare për administrimin, ruajtjen si dhe lëvrimin e parasë së këtyre Shqiptarëve të ndershëm që derdhin mund e djersë të mbushin arkën e shtetit.
Që nga viti 1939 e deri më 1990-ën shamë Zogun në një kor që e udhëhiqnin me zë të parë ja ky brezi i dytë i bllokmenëve të Rinj majtas e të djathtës në qendër. Po tani, o Zot?
Sa milionë dollarë janë vjedhur sheshit nga Banka Kombëtare këto 24 vjet paskomunizëm? Sa miliona dollarë janë shpërdoruar për lobizëm në Amerikë për rehabilitim të shtetit kusar? Sa miliona dollarë janë dhënë të favorizohen deputetë edhe tradhëtarë që kanë ndihmuar me votën e tyre marrëveshje si ajo varrezave Greke në dëm të sovranitetit të Shqipërisë? Apo ligjin 7501 që e ktheu demokracinë edhe 100 vjet prapa?
Po sa pyetje të tjera që e përmbushin biografinë e të qënit Bankë Kombëtare në shërbim të klasës politike. Ja shiheni kush punon në BSH dhe flisni ! Rrejtë merimange janë! Se mos vetëm aty.
Unë jam i bindur se me këtë rrjetë merimange që ka kjo klasë politike Fullani vetëm se do bëjë darkën e radhës! Se nuk i hyn gjëmb në këmbë Fullanit ! Janë njerëz kyç këta financierët e Shqipërisë, që nga Cani, Bode, Fullani etj. Këta dinë nga shkon leku dhe pse?
Po këta nuk e dinë se ka zot. Paraja të jep famë, por edhe të flak menjëherë, sepse rritet mallkimi i popullit pensionist, që rron si mos më keq. Le më ushtria e të papunëve apo e atyre që e lërojnë tokën për bukë me një ka e një gomar, paraziq.
Ja kështu, është edhe shteti ynë ecën qorrazi, paraziq. Nuk ka drejtim, sepse i kanë zënë vetë politikanët monopolet e gjithçka dhe ja e hanë ata çirakët që bien viktima në skemën e tyre të shfrytëzimit jo vetëm të shtetit dhe institucioneve.
Zgjidhja është e lehtë. Vetëm me një gjykatë ndërkombëtare, sepse krimi ekonomik në Shqipëri është sheshit në forma të ndryshme këto 24 vjet,plus këta të klasës politike nuk janë budallenj. Aq më shumë që duan të reformojnë dhe Bankën, sepse nuk e paskan mirë të majtët nën kontroll për të bërë hatëret e militantëve.
Ja më thoni veç Nanos kush u dënua? Po dhe Nanua i mori nja 80 milionë lekë burgu! Ah, në ç'dorë ke rënë o shteti AMË! Të ndihtë Zoti, po dhe ai po tmerrohet kur dëgjon këto zullume që përndjellin zullume të tjera. Hiç, asgjë të re nga Tirana. Kjo supervjedhje vetëm se ishte edhe surrati i vërtetë i kusarisë me imunitet. Se nuk është lajm. Jo. Në Tiranë është normale. Po do pyesni ju - A është krim? Është, po kush ta dënojë krimin për Fullanin, gruaja? Apo miqtë që ua ruajti dinjitetin kur duhej? Është në hall Shqipëria ime, jotja o Shqiptar! Po fjete, kjo të gjen!
Ata sundojnë, ti voton ata - kusarët ! Se nuk kanë ngjyrë ata e jo të kenë besë për ty, o popull ! Ndaj dhe banka apo guvernator Fullani e ka bërë detyrën në shërbim të klasës politike. Dhe si hyn gjëmb në këmbë. Mjerë ligji që ka frikë nga krimi!
ARTUR VREKAJ
|