'Dita e të Zhdukurve' dhe mundësia që s’duhet të zhduken shqiptarët SHQIPËRI - SHQIPTARËVE TË ZHDUKUR GJATË LUFTËS CIVILE 1943-1944 ENDE NUK IU DIHEN VARRET Nga SULEJMAN GJANA
E Mërkurë, 09.03.2014, 01:38pm (GMT+1)
 Në
bazë të Rezolutës 65/209 të dt. 21 dhjetor 2010, Asambleja e
Përgjithshme e OKB e ka shpallur datën 30 Gusht si "Dita Ndërkombëtare e
të Zhdukurve/Humburve". Tashmë kjo datë shënon në shume vende të
qytetëruar kujtimin e të gjithë të zhdukurve e të humburve nën regjimet
diktatoriale, mbështetjen për viktimat dhe familjarët e tyre, rëndësinë e
veprimeve që duhen ndërmarrë kundra krimeve të këtij lloji, si dhe për
gjetjen ose kthimin e të zhdukurve dhe zhdëmtimin e tyre. Sigurisht
që kjo datë do të mund të ishte një përkujtimore e mirëfilltë për të
gjithë ato viktima shqiptare që jo vetëm kanë humbur jetën, por edhe për
ato viktima që ende rezultojnë të humbura (të pagjetura). Bëhet fjalë
për viktimat e sistemeve totalitare, nazizëm e komunizëm, sisteme këto
që shpesh kanë vepruar në simbiozë dhe kanë pasur si emërues të
përbashkët dhunën dhe krimin. Për shqiptarët pa dallime
ndërkufitare, humbjet më të mëdha dhe të humburit (të pagjeturit/të
zhdukurit) më të shumtë rezultojnë si pasojë e dhunës dhe represionit
mizor komunist. Komunizmi në Kosovë e Shqipëri nuk njihte vërtet kufij
kur Dushani, Miladini dhe të ngjashmit e tyre, jo vetëm që drejtonin
skalionet goxha të ideologjizuara e antikombëtare të shqipfolësve, por
ishin edhe porositësit e ekzekutimeve për sa e sa nacionalistë shqiptarë
që luftonin për Atdheun mbi të gjitha, për Shqipërinë dhe shqiptarët
etnikë. Këto krime vazhduan përgjatë gjithë kohës së regjimit komunist
në Shqipëri si dhe gjatë pushtimit të Kosovës nga Serbia. Zhdukja e
atdhetarëve shqiptarë shkruhej në projektet antikombëtare dhe ishte po
ashtu edhe një prej mënyrave për të krijuar terror ndër shqiptarët për
ti mbajtur ata të nënshtruar. Në Kosovë, 30 gushti 2014 pati një
jehone për t'u admiruar. U përsërit kërkesa e kthimit nga Serbia të
1700 shqiptarëve të zhdukur. Nderim e vlerësim për të gjithë politikanët
e Kosovës që e çmuan këtë ditë duke dëshmuar se plaga është ende e
hapur për mbarë shoqërinë dhe se vërtet nuk duhen harruar viktimat dhe
familjet e tyre që ende nuk kanë mundur as të mbyllin zinë. Do të vijë
pa dyshim dita kur në rend të ditës të bisedimeve me Serbinë do të
shënohet edhe kërkesa për kthimin e të gjithë shqiptarëve të humbur
(zhdukur) gjatë pushtimit serb. Ndërkohë që ne Shqipëri, fati i
shqiptarëve që u zhdukën gjate luftës civile të viteve 1943-44 dhe gjatë
diktaturës komuniste e që ende nuk u dihen varret, nuk është përmend
ndonjëherë nga ata që ua morën votën shqiptarëve për 23 vjet (dhe
sigurisht, jo më 30 gushtin që sapo kaloi). Duket sikur partitë
parlamentare shqiptare dhe politikanët e "˜'lartë'' janë gjithnjë me
pushime kur bëhet fjalë për çështje që prekin të kaluarën e errët
komuniste dhe traumat që la ai sistem në shoqërinë tonë. Dhe s'kishte si
të ndodhte ndryshe as këtë vit. Komunizmi dhe trashëgimia e tij, jo
vetëm vazhdon që të ketë pushtet, por është edhe model për shumicën e
politikanëve shqiptarë që sot qëndrojnë në ndenjëset e Kuvendit. Për
këtë arsye, nuk mund të gjendet edhe shtysë apo motiv për të ngritur në
këmbë politikanët tanë, kryesisht parlamentarë, që të përkujtojnë me
respekt e mirënjohje kontributin e të rënëve dhe të humburve për
Shqipëri të njësuar dhe në kundërshti të hapur e pa kompromis ndaj
totalitarizmit komunist, të ndryshuar gjatë rrugëtimit djallëzor edhe në
nacional-socializëm. Ndodh kështu se shumica e politikanëve
shqiptarë, kryesisht parlamentarë, nuk janë ndarë ende nga hijet e së
shkuarës moniste. Janë vijuesit e asaj ideologjie vrastare, që sot ka
ndryshuar vetëm mjetin e luftës, por jo mentalitetin. Janë bijtë
ideologjikë të atyre që kryen masakër pas masakre, pa e vrarë shumë
mendjen se i kryenin këtej apo andej Drinit të Zi, në dobi të
shovinistëve serbë; këtej apo andej "gjakut lumë" të Devollit, në dobi
të shovinistëve grekë. Për vrasjet e nacionalistëve shqiptarë,
internacionalistët kuqalashë vepronin në të tërë hapësirën e Shqipërisë
Etnike, edhe pse truallin që përshkonin dhe e spërkasnin me gjak
shqiptari, e urrenin ta shihnin të njësuar. E për këtë ogur të zi
antikombëtar, ishin gati dhe bënë kurban jo vetëm ato viktima që u dihet
nami e nishani, por edhe ato viktima që mbeten ende pa nam e pa nishan.
Heshtja
ndaj krimeve të komunizmit është bashkëfajësia moderne e bashkëjetesës
së politikanëve e parlamentarëve në Shqipëri, pavarësisht sa prej tyre
ulen majtas e sa djathtas (apo sa kalojnë nga majtas në djathtas, apo
edhe anasjelltas) poltronit të kreut të kuvendit. Çka mbetet e
rëndësishme në këtë dukuri, lidhet me krimin që ka mbetur ende pa
ndëshkim real. Hapja e dosjeve do të ishte fillimi i terapisë më të mirë
për të kuruar këto plagë të së shkuarës së largët e të afërt që ende
kullojnë gjak. Ky veprim i përligjur do të mundësonte në mënyre
reale edhe ndërmarrjen e hapave të duhur e ligjore për t'i shkuar kurës
deri në fund; dhe jo duke belbëzuar tek-tuk, sa për të larë gojën,
përpara politikanëve të lartë perëndimorë ose para elektoratit shqiptar
në kohë fushate. Në të kundërt, të pagjeturit do të mbeten
gjithmonë të humbur si për të provuar se kjo është interesi i kësaj
kaste politikanësh; që e djeshmja të humbasë në harresë, të mbetet e
pagjetur. Sepse kështu humbet mundësia për "˜pastrimin' real të politikës
shqiptare, sidomos asaj parlamentare, që ka llogari ende të pambyllura
me krimet e komunizmit dhe gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve.
Koha
nuk pret, madje jemi vonë. Integrimi real i Shqipërisë dhe shqiptarëve
në Europë mund të kryhet veç atëhere kur krimi të njihet, e me pas të
ndëshkohet ligjërisht. Kjo mund të ndodhë kur xhelati dhe
porositësi të mos jenë të vetmit që e dinë se ku e kanë groposur
viktimën. Ndryshe, viktimë dhe peng i së shkuarës mbetet fati i
Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kjo do të ishte e pafalshme për
gjeneratën tonë që mezi pret të integrohet në Europën ku ishim të
integruar deri nga fundi i viteve "˜30-të, por që fatkeqësisht, për 70
vite, mbetemi ende të pa integruar, për arsye se shumica e politikanëve
janë akoma peng të sistemit komunist.
SULEJMAN GJANA
|