Me 8 qershor
2014 populli i Kosovës votoi paqësisht dhe me qytetari për përfaqësuesit e vet
në Kuvendin e Kosovës. Megjithatë, kanë kaluar tre muaj dhe institucionet
themelore të Republikës së Kosovës të mandatuara nga këto zgjedhje, gjegjësisht
kuvendi dhe qeveria e re ende nuk po ngrihen dhe nuk po funksionojnë. Gjykata
Kushtetuese e Kosovës ende nuk ka shpallur arësyetimin e dy vendimeve të saj
për këto çështje të rëndësishme.
Sikurse dihet,
të parët në zgjedhje dolën koalicioni i kryesuar nga PDK, mirëpo kjo fitore i
ngjan asaj të Pirros, pasi nuk u arrit shumica absolute prej 61 deputetësh për formimin
e qeverisë. Normalisht, partisë apo koalicionit që ka shumicën relative i takon
tagri për të marrë mandatin nga Kryetarja e Republikës dhe për të hulumtuar
mundësitë e formimit të një koalicioni qeverisës. Nëse kjo është e pamundur,
atëhere mandati i kthehet Kryetares, e cila ia kalon partisë së dytë në listë. Nëse
as kjo nuk ndërton dot qeveri, atëhere
mund të bëhet edhe një përpjekje e tretë tek partia tjetër e rradhës. Parlamentarizmi
mbështetet në parimin demokratik të shumicës. Vetëm kur nuk ka shpresë për
krijimin e shumicës, mund të kryen sërish zgjedhjet. Mirëpo normalisht nëse
partia e dytë arrin të sigurojë mbështetjen e shumicës së deputetëve nëpërmjet
lidhjes së aleancave me partitë e tjera çka duket se po ndodh - atëhere kriza
quhet e zgjidhur dhe jeta politike rifillon normalisht në legjislaturën e re.
Për të
qartësuar këtë moment, fill pas përfundimit të zgjedhjeve Presidentja Jahjaga i
është drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Sipas njoftimeve të shtypit, me 30 qershor
2014 Gjykata e shqyrtoi dhe vendosi për çështjen KO103/14 dhe vendimin e
arësyetuar do ta publikonte "në ditët në vijim". Ende ky vendim nuk është
botuar, por sërish sipas shtypit, Gjykata është prirur të rekomandojë zgjidhje
të mirëprovuara nga praktika demokratike parlamentare nëpër botë, të përmendur
më lart.
Natyrisht,
hapi tjetër thelbësor është konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Sikurse dihet,
regjistrimi i të gjithë deputetëve të rinj u krye më datë 16 korrik 2014, dhe të
nesërmen u mbajt mbledhja konstitutive dhe u zgjodh Kryetari i ri. Megjithatë,
për shkak të ankimimit në Gjykatën Kushtetuese, ai pezulloi me 23 korrik 2014
të gjitha veprimtaritë e Kuvendit deri sa ajo të shqyrtonte dhe vendoste për
mospajtimin.
Sikurse
matematika ka ligjet e veta, ashtu edhe drejtësia paçka se nuk është shkencë
e saktë - mbështetet në disa ligje dhe parime themelore. Një prej tyre është se
"gjykatësi e shpall apo e zbaton ligjën, por nuk e bën atë" [Judicis est jus dicere, non dare]. Prej
kësaj rrjedh se Gjykata e nderuar Kushtetuese e Kosovës nuk ka tagër të bëjë as
Kushtetutë apo ligje, dhe as të zgjedhë Kuvendin apo Kryesinë e tij, dhe as
Kryeministrin. Nuk e vemë në dyshim se Gjykata i njeh mirë detyrat dhe kufinjtë
e fushës së veprimtarisë vet, mirëpo në një vend të vogël si Kosova krijohet
përshtypja e ndikimit të politikës në punën e saj. Kujtojmë se, për të shmangur
çdo përshtypje ndikimi, Gjykata përkatëse e Gjermanisë e ka selinë në
Karlsruhe, mjaft larg pra nga selia e qeverisë dhe e Bundestagut.
Me 21 gusht
2014, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës më në fund shqyrtoi
kushtetuetshmërinë e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Edhe sot e
gjithë ditën vendimi i plotë e i arsyetuar nuk është shpallur.
Kuvendi i
Kosovës, i përbërë prej 120 deputetësh, e ka kuorumin të barabarë me 61
deputetë [120 : 2 + 1]. Duke qenë se 83 > 61, rrjedhimisht del se kuorumi për
zgjedhjen e Kryetarit do të ketë qenë formuar dhe se votimi ka qenë i rregullt,
fakt që duket se pranohet edhe nga ajo Gjykatë e nderuar. Me të vërtetë, "Vendimi për zgjedhjen e Kryetarit të
Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nr. 05-V-001," është "votuar nga 83 deputetë
të Kuvendit, më 17 korrik 2014" pranohet në njoftimin e saj për shtyp.
Mirëpo mandej
përmbajtja e njoftimit zyrtar nuk përcillet aq kthjellët sikurse pritet, madje
përcjell kundërshti me premisën e vetëpranuar më lart. Së pari, Gjykata, me
shumicë votash, dhe jo njëzëri,"konstaton...mungesë
kuorumi" në "mbledhjen dhe procedurën
e ndjekur...nga Kryesia...pas pezullimit të seancës konstituive me 17 korrik 2014".
Pra, në qoftë se këtë "konstatim" e kuptojmë qartë, duket se Gjykata nuk e ve në
dyshim kushtetuetshmërinë e seancës konstituive, ku edhe u zgjodh Kryetari, por
shqetësohet për veprimet e kryera nga Kryesia "pas pezullimit të seancës konstitutive", pra, pas zgjedhjes së Kryetarit.
Pra, duket se Gjykata mendon se kuorumi ka munguar në mbledhjen e parë të Kryesisë
së Periudhës së Pestë Legjislative, mirëpo kjo nuk ka rëndësi themelore për
ndërtimin dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.
Leximi i
vëmendshëm i dispozitave përkatëse të Kushtetutës dhe të Rregullores së
Kuvendit nxjerr në pah këto elemente dhe momente thelbësore në lidhje me procedurën
për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit: së pari, Kryesia përbëhet nga Kryetari
dhe pesë nënkryetarë, pra gjithsejt nga 6 persona. [Neni 67.1. i Kushtetutës]. Pra,
nënkuptohet se kuorumi do të jetë formuar vetëm nëse kanë qenë të pranishëm
katër anëtarë të Kryesisë. Së dyti, aty përcaktohet tagri i propozimit, i
zgjedhjes dhe i shkarkimit."Kryetari i
Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjedhet me shumicën
e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit", qartëson Neni 67.2 i
Kushtetutës.
Kuptohet se,
që të arrihet tek momenti i zgjedhjes duhet normalisht të ketë propozim. Pyetja
është e qartë: cili është grupi më i madh parlamentar në Kuvendin e Kosovës, që
propozon Kryetarin? Kjo varet nga përbërja e grupeve përkatëse pas seancës
konstituive. Nëse grupi më i madh parlamentar është i njëjti që ka propozuar
dhe zgjedhur Kryetarin, atëhere, në thelb, nuk ka kurrfarë konflikti.
Mirëpo Gjykata
Kushtetuese e Kosovës "konstaton" më tej se "nuk ishte grupi më i madh
parlamentar ai që propozoi Kryetarin e Kuvendit, dhe rrjedhimisht" Vendimi i
marrë në seancën konstituive "është i pavlefshëm" [Pika II.b e Njoftimit]. Në
fund Njoftimi shpall se seanca konstitutive "nuk është realizuar plotësisht"
dhe Kuvendi duhet të ribëjë veprimet, në bazë të Kushtetutës, "Kreut III të
Rregullores" së Kuvendit dhe "në pajtim me këtë aktgjykim".
Do të jemi
shumë kuriozë të njihemi me arësyetimin e asaj Gjykate të nderuar se çfarë
kuptohet me "grup më të madh parlamentar". Arsyeja e thjeshtë, e bazuar edhe
në logjikën juridike dhe matematike të çon në interpretimin e vetëm se "partia"
apo "koalicioni parazgjedhor" nuk barazohen me "grupin parlamentar" dhe se dy
të parat nuk ka kurrfarë tagër propozimi, por këtë e ka vetëm "grupi
parlamentar". Po ashtu, përbërja sasiore numerike e grupit parlamentar është
lehtësisht e qëmtueshme. Ndaj, vonesa në shpalljen e Aktgjykimit apo vendimit
të arësyetuar nuk mund të mos shkaktojë habi.
Një ndër
ligjëvënësit më të mëdhenj të të gjitha kohërave, Justiniani, i lindur jo larg
Kosovës, shpallte 15 shekuj më pare se "është
detyrë e gjykatësit ta mbyllë punën e ditës brenda po asaj dite" [Judicis
officium est opus diei in die suo perficere]. [Justiniani, Institucionet, 2,
256]. Një shembull është çështja Bush ndaj Gore, shqyrtuar nga Gjykata e Lartë
e SHBA në vitin 2000, prej nga varej fati i zgjedhjeve presidenciale. Për
rëndësinë e veçantë të çështjes, Gjykata amerikane e shpalli vendimin benda 24
orëve nga mbajta e seances dëgjimore.
Vonesa në
zbardhjen e dy vendimeve ndofta përcjell njëfarë ngurrimi apo vështirësie në
arësyetim nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Nuk do të habiteshim sikur
të mësonim se vendimi i arësyetuar të mos ketë gjetur mbështetjen e shumicës,
çka mund të sillte rikonfigurim të votave të gjykatësve. Gjithsesi, është
detyrim i Gjykatës të shqyrtojë, vendosë dhe shpallë pa vonesë vendimet e veta
për çështje kësodore. Përsërisim, se po mbushen më tepër se nëntë javë që
vendimi për emërimin e Kryeministrit ende nuk po shpallet, dhe ka gati dy muaj
qysh kur Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Kryetarin, dhe prapë Gjykata Kushtetuese
nuk e ka shpallur vendimin e vet. Koha nuk pret. Populli i Kosovës e tha fjalën
e vet me zgjedhjet e 8 qershorit. Nuk ka pse Gjykata Kushtetuese e Kosovës ta
hedhë poshtë këtë verdikt, dhe as ta vonojë fjalën e vet në përputhje me
Kushtetutën dhe parimet e përgjithshme të së drejtës.