Lufta për informata ishte më e thjeshtë në Luftën e Ftohtë. Shërbimet për transmetim të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara., Radio Evropa e Lirë dhe Radio Liria, i sollën lajmet te njerëzit prapa Perdes së Hekurt, duke luajtur rol kryesor në minimin e komunizmit. Çdokush në Perëndim e kishte kuptuar vlerën e këtij transmetimi, me gjithë pengesat e shumta nga qeveritë represive.
Ne të gjithë tashmë po fillojmë ta kuptojmë rëndësinë e versionit të ri modern të Radios Evropa e Lirë, Radio Liria, të internetit dhe shërbimet e tjera online.
Është koha që të jemi seriozë në mbrojtjen e lirisë së këtyre teknologjive të reja.
Teknologjia i ndihmon disidentët në gjithë botën që të shkëmbejnë informacione, të komunikojnë dhe të organizojnë shërbime, siç janë Twitter, Facebook dhe YouTube.
Këto kompani kanë bërë më tepër duke menduar për implikimet e teknologjive të tyre, se sa agjencitë e qeverive të ngarkuara me mbrojtjen e Internetit.
Por, prej javës së kaluar, Departamenti i Thesarit e ka bërë të qartë se nuk i ndalon kompanitë që t'i ndihmojnë disidentët.
Ky departament është tërhequr nga rregullat, që i kishin bllokuar kompanitë për t'u mundësuar shërbime individëve në Iran, Sudan dhe në Kubë, për qasje në ueb, në e-mail, mesazhe, rrjete sociale dhe shkëmbime të fotografive dhe të videove, me fjalë të tjera, mjete të cilat i duhen opozitës politike, aktivistëve dhe gazetarëve në këto vende.
Zyra për Kontrollin e Pasurive të Jashtme e Thesarit, tha javën e kaluar se i ka ndryshuar rregullat për të "siguruar se individët në këto vende të mund e ushtrojnë të drejtën e tyre universale për liri të fjalës dhe informata në masën më të madhe të mundshme".
Kjo është një njohje e vonuar, por e rëndësishme e dallimit ndërmjet armatimit të qeverive represive dhe armatimin e shtetasve të guximshëm me vegla të komunikimeve moderne, për të pasur informacion për represionin.
Por, ne ende jemi larg që të kemi një politikë të qartë në mbështetje të liberalizimit të fuqisë së teknologjive digjitale. Potenciali është i pagabueshëm.
Opozita në Iran, verën e kaluar e organizoi vetveten me anën të mediave shoqërore dhe me anë të kamerave në telefona mobilë, agjitoi për vjedhje të zgjedhjeve.
Një grup i vogël në Kolumbi e fitoi mbështetjen e një milionë njerëzve për të protestuar kundër grupit gueril, FARK. Disidentët kinezë, i kapërcyen pengesat për të komentuar çdo gjë, prej qumështit të helmuar e deri te shpronësimi ilegal i pasurisë.
Por, teknologjia moderne, po ashtu, u jep regjimeve autoritare fuqi të re për t'i monitoruar dhe ndëshkuar kritikët. Teherani e ngadalësoi qasjen në ueb para protestave të planifikuara.
Kina e ndali qasjen në internet për rajonin e trazuar Ksinjiang, prej kryengritjes në korrik. Regjimet po e përdorin transparencën e mediave sociale për t'i goditur ata që bëjnë probleme dhe aleatët e tyre.
Madje, nëse kompanitë teknologjike në Shtetet e Bashkuara do të ofronin shërbime të reja në internet, njerëzit e zakonshëm nuk mund t'i përdorin ato, nëse vendet e tyre e ndalin qasjen në internet. (http://www.evropaelire.org)