U bënë 5 vjet që kur një dorë kriminale mori jetën e
Bardhyl Ajetit, gazetarit të Bota Sot. Bardhyl Ajeti ishte vetëm 28 vjeç, dhe
sot rradhitet midis martirëve të fjalës së lirë. Emri i tij është i skalitur në
Memorialin e Gazetarëve të Forumit të Lirisë që ndodhet në pikën më të lartë të
Parkut të Lirisë (Freedom Park ) në Arlington, Va në rrethinat e Washington
D.C., pranë rrjedhës të Lumit Potamok, që njihet nën emrin Lumi Kombëtar i
Amerikanëve, me sytë kthyer nga Monumentet e Washington it, Jefferson-it,
Lincoln-it dhe Katedrales Nacionale, por në Kosovë, edhe pas pesë vitesh, nuk
ka asnjë vend ku të kujtohet ai.
Liria e fjalës ose e të shprehurit njihet si e drejtë themelore sanksionuar në
Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, ku seicili prej nesh është i
lirë të shqiptojë mendimin e tij sipas kredos së Volterit që thotë se "Unë
nuk jam dakord me atë që thua ti, por unë do ta mbroj deri në vdekje të drejtën
që ti ta thuash mendimin tënd."
Ndërsa në Memorialin e Gazetarëve të Lirisë në Washington D.C. emri i Bardhyl
Ajetit është vendosur aty në kujtim dhe vlerësim të veprës së tij, në Kosovë
askush nuk kujtohet për të. Bardhyl Ajeti nuk lyp mëshirë, ata që nuk kujtojnë
Bardhyl Ajetin janë për t'u mëshiruar.
Bardhyl Ajeti u vra ndofta nga një killer i paguar, ndërsa ishte duke u kthyer
në shtëpi tek nëna, rrugë që nuk e përfundoi dot kurrë. Nëse nuk do t'i kishin
dalë në pritë asaj nate, ai sot do të ishte 33 vjeçar. Ndofta do të kishte
krijuar familje, ndofta do të kishte një ose dy fëmijë, ndofta edhe tre, sepse
pesë vjet janë një jetë e tërë, por dora e killerit e ndali jetën e Bardhylit
në mes, dhe Bardhyl Ajeti do të mbesë gjithnjë 28 vjeç.
Dosja e vrasjes së Bardhy Ajetit është mbuluar nga pluhuri, ashtu si edhe
kujtimi i tij. Në asnjë kontekst nuk kujtohet Bardhyl Ajeti, duke u kthyer në
turp për ata që sot e përdorin Fjalën e Lirë, si Shpatën e Demokleut, që presin
majtas e djathtas, ndërsa bëjnë sikur nuk ka ekzistuar Bardhyl Ajeti, i cili ka
ekzistuar, ashtu si egziston edhe liria e fjalës.
Kriteri i Memorialit të Gazetarëve në Parkun e Lirisë është përfshirja në këtë
listë e të gjithë atyre që vriten në krye të detyrës, duke ushtruar
funksionin e gazetarit, siç ishte edhe rasti i Bardhyl Ajetit. Forumi i Lirisë
bashkëpunon me CPJ, Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve (Committee to Protect
Journalist) me qendër në New York që mbulon gjithë botën.
Emri i Bardhyl Ajetit ndodhet mes martirëve të fjalës në Memorialin e
Gazetarëve të Forumit të Lirisë që ndodhet në pikën më të lartë të Parkut të
Lirisë (Freedom Park ) të qytetit Arlington, Va në rrethinat e Washington D.C.,
pranë rrjedhës të Lumit Potamok, por emri i tij ndodhet askund në Kosovë.
Pranë emrit të Bardhyl Ajeti, ndodhen edhe emrat e Enver Malokut, Xhemail
Mustafajt, Ali Ukajt, Shefki Popovës, Bekim Kastratit të cilët kanë sakrifikuar
jetën, për hir të lirisë së shprehjes dhe shtypit të lirë.
"Siguria për gjithçka qendron tek shtypi i lirë", thotë Thomas
Jefferson. "Forca e opinionit publik nuk has në rezistencë kur i jepet
rasti që të shprehet në mënyrë të lirë". Dhe më tutje po Jefferson
vazhdon: " Unë jam për lirinë e shtypit, dhe kundër të gjithë llojeve të
dhunës që i bëhen Kushtetutës, kur heshtet detyruar prej forcës dhe jo prej
arsyes, kur nuk ankohen, kur nuk kritikojnë për të treguar se çfarë është mirë
dhe çfarë është gabim..." Ndërsa George Washington për lirinë e shprehjes
thotë: "Nëse nuk ekziston liria e shprehjes, atëhere ne prej memecërisë
dhe shurdhërisë do të shkojmë si cjapi tek kasapi".
Për Kosovën e pavarur, liria e shprehjes është jetike. Gazetarët nuk janë
puthadorë të shtetarëve por shërbëtorë të shtetit dhe atdheut si dhe zëdhënës
të opinionit publik. Ndërkohë që nuk ekziston asnjë lloj armiqësie midis
shtetit demokratik dhe gazetarit. Raporte armiqësore ekzistojnë vetëm në
regjime totalitare, ndërsa në Kosovën e pavarur, raportet midis shtetit dhe
gazetarit janë ato si midis pushteteve në shoqëritë demokratike.
Prandaj, sot më tepër se kurrë Kosova duhet të kujtohet për birin e saj, sepse
heshtja e vret Bardhyl Ajetin përsëri.
Integriteti i Bardhyl Ajetit është i pastër si drita e diellit, për këtë flet
qartë emri i tij që na përshëndet nga lartësitë e Memorialit të
Gazetarëve në Arlington, nga ku shihen si në pëllëmbën e dorës Monumentet e baballarëve
të Amerikës, buzë Lumit Potomak, të cilit poeti i madh Walt Whitman i ka
kushtuar poezinë "Bregut të gjerë të Lumit Potomak" (Broad Potomac's Shore" ),
atje "ku çdo vit shpërthejnë lulet e kuqe të gjakut" dhe "bari është i
përjetshëm", ashtu si liria e shprehjes dhe fjala e lirë.
(Kjo esse është përfshirë në librin e Elida Buçpapajt - Tirania e Tranzicionit, Onufri, 2013)