Ish kancelari gjerman Gerhard Schröder (SPD) vazhdon të jetë në qendër
të kritikave për shkak të festës me rastin e ditëlindjes së tij,
organizuar në Shën Petërburg nga kompania Nord Stream dhe për shkak të
përqafimit të përzemërt me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Në foto: Christian Lindner
Kryetari i liberalëve gjermanë Christian Lindner (FDP) u shpreh se "ai
nuk ka asnjë lloj mirëkuptimi" për këtë qendrim të ish kancelarit. "Si
kancelar, edhe pas largimit nga posti vazhdon të kesh detyrime politike
dhe morale, për të mbështetur politikën e jashtme të Gjermanisë dhe jo
ta pengosh nga jashtë", tha Lindner për kanalin n-tv.
Takim i përzemërt me Putin në mes të krizës
Në mes të konfliktit të Ukrainës Schröder festoi së bashku me kreun e
Kremlinit të hënën në mbrëmje në ish kryeqytetin e carëve, 70 vjetorin e
tij. Banketi shtruar për nder të ish kancelarit nga kompania Nord
Stream, ku Schröder ka kryesinë e këshillit mbikqyrës, nuk i pëlqeu
aspak partisë konservatore gjermane CDU dhe zyrës së kancelares, të
cilët u distancuan qartë nga ky qëndrim. Megjithatë në banket mori pjesë
edhe zëdhënësi për politikë të jashtme i grupit parlamentar të
konservatorëve (CDU/CSU) Philipp Mißfleder (CDU). Edhe ai u kritikua për
pjesëmarrjen.
Në foto: Philipp Mißfelder
Kryeministri kristiandemokrat i Hessenit Volker Bouffier e akuzoi
Schröderin se përqafimi i tij me Putinin ishte "mungesë takti". Putini
ndjek një "politikë agresioni", tha politikani i CDU-së për gazetën
"Frankfurter Neue Presse". "Unë pres që një ish kancelar të jetë i
vetëdijshëm për përshtypjet që krijon diçka e tillë tek njerëzit. Në
Ukrainë por edhe në Poloni dhe shtetet baltike, njerëzit jetojnë në
frikë", u shpreh politikani kristiandemokrat.
Zëra në mbrojtje të ish kancelarit
Në foto: Ralf Stegner
Politikani socialdemokrat Ralf Stegner, tha për kanalin n-tv:
"Shpresoj që Schröder ta ketë shfrytëzuar takimit për t'i thënë Putinit:
kujdesu pak më shumë për lirimin e vëzhguesve të OSBE, të marrë peng".
Ndërsa politikani tjetër socialdemokrat Erwin Sellering, kryeministër i
landit Mecklenburg-Vorpommern, e mori në mbrojtje Schröderin: "Gerhard
Schröder si kancelar ka dhënë një kontribut vendimtar për raportin e
partneritetit mes Gjermanisë dhe Rusisë. Edhe aktivitete si banketi i
fundit kontribuojnë që linja e bashkëbisedimit mes dy vendeve të ruhet
edhe më tej."
Ndërkohë sipas njoftimeve të agjencive të lajmeve ekziston një shpresë e
re për lirimin e shpejtë të vëzhguesve të OSBE-së. Presidenti rus Putin
tha të martën në mbrëmje për agjencinë Interfax se pret që të huajt të
mund të largohen pa pengesë nga rajoni. Ndërkohë Moska ka theksuar në
mënyrë të përsëritur se nuk ka asnjë ndikim ndaj separatistëve prorusë.
Shefi i Kremlinit kritikoi qeverinë ukrainase që ka sjellë në vend
ushtarakë perëndimorë. Për këtë Putin tha se ka biseduar edhe në takimin
me ish kancelarin Gerhard Schröder të hënën në Shën Petërburg.rel