Kënga "Le meteque" e bëri Moustakin në vitin 1969 të njohur. Kënga
përshkruan ndjenjën e jetës të gjithë atyre të huajve që në vend të huaj
i shohin shtrembër dhe i refuzojnë. Georges Moustaki e prezanton veten
në këtë këngë si produkt të një kulture të përzier prej mijëvjeçarësh në
vendet përreth Detit Mesdhe.
Giuseppe Mustacchi u lind më 3 maj 1934 në qytetin e lashtë kozmopolit
egjiptian të Aleksandrisë. Prindërit e tij ishin hebreo-grekë dhe ai
kishte një emër italian. Në dyqanin e prindërve të tij takoheshin
intelektualë të kulturave të ndryshme që dëgjonin muzikë dhe flisnin në
gjuhë të ndryshme. Giuseppe vogël ndoqi një shkollë franceze. Vitin
1951, pasi përfundoi shkollën ai shkoi në Paris, ku mund të plotësonte
të gjitha ëndrrat e tij romantike prej 17-vjeçari, sepse Parisi ishte
djepi i këngëve të gjinisë chansons - pasionit të tij të ri. Një këngë
është magji e pastër dhe poezi, ka thënë ai një herë, pra frëngjisht me
muzikë.
Për të jetuar Moustaki shkroi për një gazetë egjiptiane, punoi si
barist, shitës librash dhe luajti kitarë në kafenetë e Montparnasses.
Atje ai u njoh edhe me këngëtarin asokohe mjaft të njohur Georges
Brassens, i cili u bë miku dhe mentori i i tij. Për nder të tij Giuseppe
nga kjo kohë filloi ta quante veten gjithashtu Georges.
Edith Piaf
Fillimisht ai kompozoi këngë për kolegët e tij Yves Montand apo
Edith Piaf. Edhe pse Edith Piaf ishte 20 vjet më e madhe se ai, Georges
Moustaki dhe ajo filluan një lidhje të zjartë dashurie. Për Edithin ai
shkroi edhe këngën "Milord" e cila në vitin 1952 u bë hit botëror.
Kur ngjitej vetë në skenë Moustaki këndonte këngë të qeta. Shpejt ai u
bë po aq i njohur sa edhe Juliette Gréco apo Jacques Brel. Por gjithmonë
muzika e Moustakit qe paksa ndryshe dhe tingëllonte më mesdhetare se
ajo e kolegëve të tij.
Ai shkroi më tepër se 300 këngë, në të cilat u këndohet kryesisht
lidhjeve të pafat të dashurisë, marrëdhënieve të errëta, melakonisë dhe
vetmisë.
Me flokët e shpupurisur, mjekrrën dhe veshje prej liri që i rrinin
lirshëm në trup ai qe mishërimi i medhetarit, i macho-s, pas të cilit
gratë linin kokën. Në Francë ai shpesh ai konsiderohej si shembull i
emigrantit të integruar.
Georges Moustaki
Në këngët e tij ai përziente tingujt e buzukut grek me fyej dhe flaut
dhe elemete të tangos dhe Bossa Nova-s. Ai qe i apasionuar pas Brazilit,
ku shkonte shpesh dhe ka adaptuar edhe këngë nga Gilberto Gil apo Chico
Buarque.
"Unë do të këndoj deri sa të vdes," tha Moustaki në vitin 2007, kur
ishte në moshën 73 vjeç dhe vazhdoi me turne të shumta. Por një sëmundje
e rëndë e rrugëve të frymëmarrjes i prishi planet e tij. Në vitin 2009
ai i dha fund karrierës së skenës. Në vitin 2013 poeti këngëtar vdiq në
Nicë. Më 3 maj të këtij viti ai do të ishte bërë 80 vjeç.