VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - POEMË PËR LUMIN LOTONË DHE POEZINË NË SHISHENga ADEM ISTREFI

                                                                                      

E Djelë, 05.05.2024, 07:42am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

POEMË PËR LUMIN LOTONË DHE POEZINË NË SHISHE

Nga ADEM ISTREFI


E Shtunë, 02.27.2010, 04:34pm (GMT+1)

 

 

    ...Më lotoi loti i nxehtë në shuplakë të dorës e shuplaka m'u dogj si prej  

       prushit të bungut, po s'di se kur ky lot do të lotojë prapë në LOTONË...

 

U desh vetëm një terig i lehtë ere

që fërfëriu si me krahë pëllumbi

mbi ujërat e këtij lumi të huaj,

u desh dhe kjo gjethe lundruese

që ma përkujtoi atë fletë fletoreje

dhe të mbushem prapë me frymë lirie,

me frymë hovi e zërash pickues,

bërtitës ngado, ngado të rrëmbejnë,

të çojnë ku s'të çojnë e të kthejnë aty ku je... 

Befas mbi atë gjethe të praruar vjeshte

u lëshua butazi një zog

e sikur shkroi diçka mbi të me sqep,

(asi zogu kurrë s'kisha parë)

dhe befas nisi flatrimin mbi kryet tim,

(them se duhej të ishte shpirti i një vajze

që e desha si askënd tjetër e më kurrë s'u pamë.) 

Po ky zog, pse kaq befas iku e u largua,

pse dhe pse?!

Në sy-ndjekje të tij ndejta gjatë

e si pa sy mbeta.

E ai sikur po më merrte me vete si këtë gjethe

që po vërtitet si grykën e një vorbulle qiellore.

 

                                  ***

Si kjo gjethe dridhet e përpëlitet e pëlcet kujtimi

dhe kujtimet i lkehem në shpinë

e i kërcej kaliqafë e dyh mbas tij...

Se u bënë e shkuan si hije

njëzeteshtatë vjet që lundron ajo shishe

që lundron e përplaset me dallgët e ujërave

e s'kam si ta di se në cilin det

ka humbur,

s'kam si ta di se në cilin bregdet

ta gjej...

 

Ajo shishe ndoshta mund të mos gjehet kurrë

n ndoshta mund të gjehet mbas tremijë vjetëve,

Nuk ndryn brenda asnjë të fshehtë

si në përrallat e Njëmijë e një netëve

as të fshehtën e krijimit të zbuluar prej nesh.

Brenda saj ka vetëm një fletë fletoreje,

shkruar mbi të vetëm pesë vargje,

shkruar a gdhendur nga pesë poetë,

më të krisurit në të gjithë rruzullin,

më të çlirtit dhe më poetët se gjithë poetët

në atë çast,

në atë cast që ndriste e nxiste

mendimin përthekues të të gjitha fjalëve

vetëm në një varg,

si në atë vargun poemë

"Kanë nxanë vend yjet vajin për me ndie."

 

(Dhe vargun e parë e shkrova unë,

dy vargjet e tjera vëllezrit Buçpapaj,

e prapë dy të tjerat sivëllezrit Aliaj.)

 

           ***

Dhe ajo ditë ishte ditë vere.

Në rrezet e asaj dite

Sytë sikur i pinin të gjitha ngjyrat e bukurive,

bukurive e dashurive që ndez

ky lumë mahnitës,

kësi lumi kurrkund tjetër s'gjen në botë,

se ky lumë sikur është vetëm pikla vese,

sikur është krijuar prej lotëve të dashurisë,

të ndonjërës prej zanave motra,

mbasi amën askush s'ia di,

ose ndoshta është krijuar

prej perëndisë BIND

të dashuruarit të çartur me zanat motra

që të shkrihej tërësisht mbas tyre

e t'i kundronte ngeshëm, jo vetëm

pranë krojeve,

po edhe kur të laheshin në ferk të dritës,

pa u lëbardhë mirë drita e në natje herët

e kur të zhyteshin në ujërat kristalore

e mbi shkëmbinj pastaj kur t'i krihnin flokët...

 

    ***

Po motrat zana, si na shituan ashtu asaj dite!

Se vetëm te ne sikur i patën sytë

e të shituar prej tyre mbetëm krejt.

Turravrap katrritheshim rrasës shkëmbore,

rrasës së thiktë që si thikë e therte qiellin.

Turravrap ngjiteshim gjer në cikol të shpatinës

t'ua rrëmbenim prej duarsh shekat me tambël

e tamblin ta pinim me një hurrpamë

siç pat pirë Muji e u bë kreshnik

se s'mund të ishte tambël i dhisë briartë

dhe s'kish sesi tambël gjiri të mos ishte...

 

      ***

Dhe rrasës shkëmbore

rridhte e rridhte një rrëkezë e hollë tambli

dhe me sy e ndiqte perëndia BIND,

i ulur cuc mbi atë shkëmbin mes lumit

që ngjasonte me një anije LIBURNE.

Dukej se po bindej edhe vetë

se ishte më pak i perëndishem sesa ne

e për të sikur po na vinte keq...

 

         ***

Po edhe ngenë fort s'ia kishim atij,

se patëm rendur imshtave gjithkah,

gjithkah ku kuqëlonin e të shkrinin luleshtrydhet

edhe pa i afruar te goja,

gjithkah i mblidhnim e i tejshkonim

në fije bari si rruazat në pe

si rruazat në pe i bënim vargje...

 

Dhe më pastaj mbetëm në gjuajtje të troftave,

dhe më pastaj në pjekje të tyre, mbi tullë,

dhe më pastaj s'di sa shishe vere rrekëllyem

te ajo zallina e gjirit të lumit

që ka një shkëmb krejt si sofër.

aty atëbotë e shkruam edhe atë poezi,

prej aty e lëshuam atëbotë

atë shishe për lundrim.

 

Në atë lundrim kaq vite kam mbetë...

 

            ***

Pa frymë mbetëm kur e lëshuam

atë shishe- anije ujërave të këtij lumi,

pa frymë mbetëm dhe kur brohoritëm pastaj,

pastaj kur brohoritëm kreshnikisht

të gjithë përnjëherë

e gjithsecili kujtoi se si atë varg të tij

askush më e kurrë më

nuk do të mund ta shkruante.

O pasha syrin e këtij e këtij dielli që zdriton!

ky zog që m'u shfaq e më iku pastaj,

s'mund të jetë asnjë zog tjetër,

vetëm ai i lumit LOTONË

që këngëzonte bashkë me lumin

kur zhytej në ujërat e tij

e shpejt dilte e mbi shkëmbinj rrezitej,

mbi shkëmbinj sqepin kruante,

sikur të ishte vetëm ai perëndia e këtij lumi

e vetëm fishkëllima e tij duhej të dëgjohej...

 

    ***

Lumi LOTONË le të zdirgjet tëposhtë,

unë s'mund të mos ngjitem edhe një herë

përpjetë brigjeve të tij,

s'mund të rri pa dalë edhe një herë

atyre bjeshkëve të mallit tim...

      Edhe perënditë e këtij lumi

      ç'mbetkan skllevër të këtij lumi!

                              Fundvjeshtë,

                                   2009

 

Adem Istrefi


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
O VIRGJËRESHA, O DEMONË, O PËRBINDËSHE, O MARTIRE, SHPIRTËRA TË MËDHENJ SHPËRFILLËSPoezi nga CHARLES BAUDELAIRE (1821-1867) (02.20.2010)
NGA DASHURIA IME E VRULLSHME DHE E VALË ASNJË ËNGJËLL NUK TË SHPËTON DOTPoezi nga HERMANN HESSE (02.13.2010)
CIKËL POETIK KUSHUAR PËRVJETORIT TË PAVARËSISË SË KOSOVËSNga NAMIK SELMANI (02.10.2010)
NATË PËRVËLUESE NË LAS VEGASNga AVNI MULAJ (1947-2010) (02.06.2010)
ZOGU BLU SI ZEMRA BLU E DASHURISË SIME ME ZEMËR QIELLORE KËNGËN TËNDE KAQ ËMBËL E PËRSËRITPoezi nga GUILLAUME APOLLINAIRE (Gijom Apoliner, 1880-1918) (01.27.2010)
ARTHUR SCHNITZLER dhe ËNDËRRA E DYFISHTËNga Elida Buçpapaj (01.13.2010)
Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa I (01.13.2010)
Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa II (01.13.2010)
Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa III (01.13.2010)
Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa IV (01.13.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]