Përfaqësues
të lartë vendas e ndërkombëtarë thanë të hënën se deri në fillim të
muajit qershor, Kosova synon të përmbushë kriteret e Komisionit Evropian
për liberalizimin e vizave, por ata tërhoqën vërejtjen se koha shumë e
shkurtër kërkon vullnet politik.
Gjatë një debati në Këshillin Kombëtar për integrime evropiane,
presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, shfaqu shpresën që migrimi i
paligjshëm i fundvitit të kaluar dhe fillimit të këtij viti, nuk do të
ndikojë negativisht në proces.
"Por, mungesa e rezultateve në vendosjen e rendit dhe ligjit dhe
krijimin e shtetit të së drejtës do të jetë faktori përcaktues për
shpejtësinë me të cilën Kosova do t'iu hapë rrugë investimeve të huaja
në vend aq të nevojshme për krijimin e vendeve të punës dhe të ecë drejt
Bashkimit Evropian për ta realizuar vizionin tonë që na bashkon", tha presidentja Jahjaga.
Ndërsa, kryeministri Isa Mustafa tha se përparimi i deritashëm është
vlerësuar edhe nga ana e përfaqësuesve më të lartë të Bashkimit
Evropian.
"Megjithatë, jemi po ashtu të vetëdijshëm për kriteret e mbetura
dhe të pa adresuara për të cilat institucionet tona janë zotuar t'i
përmbyllin deri më 15 maj. Jemi zotuar që institucionet tona ta
dorëzojnë raportin final deri në fund të majit, ku do të pasqyrohet
progresi në përmbylljen e kritereve të mbetura", tha kryeministri Mustafa.
Ministri i integrimeve Bekim Collaku tha se gjatë kësaj jave pritet
miratimi i rregulloreve që kanë të bëjnë me programet e ri integrimit si
dhe të vazhdohet me përmbushjen e kritereve tjera për këtë proces.
"Po ashtu duhet të përmbyllet procesi i demarkacionit të kufirit
me Malin e Zi dhe të lansohet sistemi i avancuar i gjendjes civile duke
përfshirë edhe certifikatat e gjendjes civile me elemente të lartë të
sigurisë. Pastaj duhet të miratohet strategjia kundër trafikimit me
qenie njerëzore, funksionalizimi i qendrës së mbajtjes për të huajt,
funksionalizimi i sistemit informativ për evidencë penale dhe çështje
tjera", tha ai.
Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian, Samuel Zbogar, tha se
vonesa e formimit të institucioneve dhe kriza e migrimit kanë ndikuar në
tërë procesin.
"Kosova duhet të përkushtojë burime shtesë dhe të miratojë masa
për të siguruar që njerëzit që kthehen të mos provojnë të ikin sërish në
rastin e parë", tha zoti Zbogar.
"Ne kërkojmë po ashtu një seri masash që synojnë përmirësimin e
sundimit të ligjit dhe përballjen e me krimin e organizuar dhe
korrupsionin", tha zoti Zbogar, duke nënvizuar se Komisioni
Evropian do të dërgojë një mision faktmbledhës para fillimit të verës më
kusht që raporti i institucioneve të Kosovës të dorëzohet deri në
fillim të muajit qershor. Pas vlerësimit të Komisionit, u mbetet
Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian që të informojnë ministrat e
brendshëm të vendeve të zonës Shengen të cilët do të japin fjalën e
fundit për këtë çështje.
Kosova është vendi i vetëm në Evropën Juglindore, qytetarët e së
cilës nuk mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian. Ajo
mori udhërrëfyesin për këtë çështje në qershor të vitit 2012, por ende
askush nuk e di edhe sa kohë duhet pritur për këtë proces, pavarësisht
pohimeve që u përsëritën edhe të hënën se ajo është në hapin e fundit të
saj.