Në Kosovë, është
paralajmëruar mundësia që javën e ardhshme të debatohet në parlament
ngritja e Gjykatës së Posaçme, që do të trajtojë pretendimet për
përfshirjen e pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime
lufte.
Kryetari i parlamentit, Kadri Veseli, tha të hënën se çështja është
aktualisht duke u shqyrtuar në komisionin parlamentar për ligje dhe
pastaj do të hidhet për diskutim në parlament ku siç tha ai, është me
rëndësi të ruhet konsensusi i brendshëm politik dhe të ruhet
partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare.
Në prill të vitit të kaluar parlamenti i Kosovës me 89 vota për,
miratoi themelimin e gjykatës së posaçme, ndërsa tani po përgatitet
infrastruktura kushtetuese e ligjore për funksionimin e saj. Sivjet,
opozita ka paralajmëruar votimin kundër ngritjes së kësaj gjykate të
cilën e vlerëson edhe si cenuese të sistemit të drejtësisë në Kosovë por
edhe sovranitetit të saj.
Diplomatë perëndimorë kanë tërhequr vërejtjen se dështimi i mundshëm i
Kosovës që të votojë ngritjen e Gjykatës së posaçme, do të kishte
pasoja për proceset politike dhe aspiratat e saj për integrim. Po ashtu
është thënë se dështimi do të mund ta çonte çështjen në Këshillin e
Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që, siç theksohet, do të ishte një
skenar i pafavorshëm për Kosovën.
Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të
dërguarit të Këshillit të Evropës Dikc Marty për trafikim organesh në
Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.za
Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se
në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë
luftës së viteve 1998 1999.