Liria e medias në Kosovë vazhdon të përkeqësohet çdoherë e më
tepër. Këtë e dëshmon rënia për dy pozita në raportin e organizatës
"Freedom House", të publikuar ditë më parë. Ndërsa, portalet janë ato që
krijohen pa kurrfarë kontrolli dhe publikojnë shkrime joprofesionale.
Pozitën
e keqe të lirisë së mediave e theksuan edhe përfaqësues të OSBE-së, të
Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe kryeredaktorë të mediave në
një diskutim rreth lirisë së shprehjes në Kosovë, sipas të cilëve
gjendja aktuale është alarmante.
Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Zekrija Shabani tha
se gjendja me të cilën përballen sot gazetarët në Kosovë, më nuk përbën
shqetësim por është alarmante.
"Sfidat janë të mëdha, saqë dje neve na kanë qit në rrugë. Kemi parë
që me letra, me ankesa zyrtare, me ngritje të zërit, nuk janë të
mjaftueshme për t'u bërë me dije institucioneve dhe gjithë këtyre që
liria e shtypit në përgjithësi, me u bë me dije që gjendja është
alarmante, nuk është vetëm shqetësuese por e tejkalon këtë. Gazetarët
punojnë në kushte të rënda, gazetarët përballen me kërcënime, gazetarët
përballen me gjendje të rëndë si në vendet e tyre të punës, ashtu edhe
në teren, ku aty te burimet e informacionit", tha Shabani.
Ai kërkoi nga kolegët gazetarë që të mos heshtin për kontratat e
punës, për vonesat në paga dhe për pengesat që u bëhen nga pronarët e
tyre.
Drejtori i Departamentit të Demokratizimit të OSBE-së, Christopher
Tuetsch, tha se mediat në Kosovë ende konsiderohen vetëm pjesërisht të
lira.
"Dua të theksoj se shtypi në Kosovë, mediat në Kosovë, ende
vlerësohen si pjesërisht të lira në raportet ndërkombëtare pavarësisht
nga progresi i raportuar dhe i bërë raporti i fundit "Freedom House", i
publikuar javën e kaluar, më 29 prill, i cili thekson sfidat për lirinë e
mediave në Kosovë në disa gazetarë, reporterë të mediave të sulmuar
gjatë kryerjes së detyrave të tyre", tha Teutsch, raporton KP.
Kryeredaktori i gazetës "Koha Ditore", Agron Bajrami, në këtë
diskutim përmendi katër kërcënime me të cilat përballen gazetarët
kosovarë.
"Kërcënimi i parë i madh mendoj që është sistemi demokratik i cili
këtu nuk është funksional, do të thotë demokracia ekziston në letër por
nuk ekziston në realitet. Kërcënimi i dytë i madh është derivat i të
parit. Në një sistem jo fort demokratik ajo që ne i themi elita
politike, pra sistemi politik, është i tillë që e pamundëson edhe më
shumë lirinë ose e kërcënon. Faktori i tretë apo kërcënimi i tretë që
unë e shoh këtu si shumë serioz është vetë bashkësia ndërkombëtare.
Faktori i pestë janë vetë mediat", tha Bajrami.
I pranishëm në këtë diskutim ishte edhe Budimir Niçiq, redaktor nga
Asociacioni i Gazetarëve serbë në Kosovë, i cili tha se liria e mediave
në Kosovë është e cenuar dhe gradualisht Kosova po merr një pozitë edhe
më të rëndë.
"Ashtu siç janë mediat të shumëllojshme, ashtu janë edhe problemet e
mediave dhe të gazetarëve. Kemi gazetarë, të cilët në fund të muajit,
nuk duan të brengosen se a do të marrin pagën, bile edhe pagën e majme,
pra flas për mediat që financohen nga buxheti. Deri tash në shumicën e
mediave serbe apo të gazetarëve në fakt janë në gjendje shumë të keqe
materiale. Siç dihet ata mbijetojnë dhe jetojnë me ndihmën e
donacioneve, kryesisht donacioneve ndërkombëtare, pastaj me ndihmën e
disa projekteve të vogla të cilat zgjasin 2-3 muaj", tha Niçiq.
Ndërsa nga Kuvendi i Kosovës, i pranishëm ishte deputeti i AAK-së,
Pal Lekaj, i cili tha se gjendja e tanishme duhet të ndryshojë. Por kjo
gjendje nuk mund të ndryshojë me diskutime por duke vënë rregulla që
sanksionojnë fushat e ndryshme.
"Unë takoj mjaft gazetarë që me muaj të tërë nuk paguhen, dhe bosët e
tyre i orientojnë në shërbim të politikës ditore që aty mendoj që
gjithë ajo nëse mendojmë për një profesionalizëm dhe një pavarësi të
mediave e kemi kot dhe këtë duhet ta ndryshojmë urgjentisht. Ajo tjetra
është presioni nga politika nga partitë e ndryshme dhe kjo duhet të
ndryshojë. RTK derisa financohet nga parlamenti i Kosovës, mendoj që
deshe s'deshe janë të varur nga politika dhe kjo qasje duhet të
ndryshojë. Mendoj që nuk mund të ndryshohet me konferenca, me takime por
duke vënë rregulla dhe duke bërë ligje që sanksionojnë fusha të
ndryshme", tha Lekaj.
Ai po ashtu tha se pa siguri financiare të mediave, çdoherë do të
ketë presion dhe shantazhe nga njerëzit e pushtetit që udhëheqin mediat.
Të pranishmit thanë se shumica e punës joprofesionale vjen nga
portalet të cilat me zero staf, dëmtojnë ekonomikisht mediat tjera
serioze, si dhe krijohen për misione të caktuara, siç është linçimi i
figurave të ndryshme publike.