GJERGJ BUXHUKU - VJEDHJA E BSH SHPJEGON PSE SISTEMI BANKAR SHFAQ SHENJA TË QARTA TË OLIGOPOLIT NË DËM TË INTERESIT PUBLIK
E Djelë, 08.10.2014, 02:17pm (GMT+1)
Konfindustria i kërkon institucioneve shtetërore ligjvënëse dhe atyre të drejtësisë që të vlerësojnë me profesionalizëm dhe seriozitetin më të madh zbardhjen e skandalit të grabitjes së Bankës së Shqipërisë. Konfindustria përmes Administratorit të Përgjithshëm Gjergj Buxhuku apelon për nxjerrjen sa më të shpejtë dhe të plotë të përgjegjësive penale, civile dhe morale të strukturave dhe individëve të cfarëdo niveli.
Konfindustria vlereson se grabitja e turpshme nga brenda dhe e zgjatur në vite e Bankës së Shqipërisë, pavaresisht se nuk prek qëndrueshmërinë e sistemit financiar, është ngjarja më domethënëse e deritashme, që tregon se sa keq janë ndërtuar, menaxhohen dhe funksionojnë në dëm të interesit publik, institucionet rregullatore të tregjeve strategjike në vend, ku sektori bankar është nga më të rëndësishmit.
"Ngjarja e fundit në Bankën e Shqipërisë shpjegon pse sektori bankar në Shqipëri shfaq shenja të qarta të oligopolit në dëm të interesit publik, me norma të rritjes së kreditimit në kufijtë e zeros, daljen e paarsyeshme të parave të shqiptarëve jashtë vendit, me kreditë më të shtrenjta në rajon, që nxisin fenomenin e rrezikshëm të huamarrjes informale/fajde, duke u treguar i paaftë të mbështesë zhvillimin ekonomik të vendit", vijon më tej deklarata e Konfindustria.
Konfindustria vlereson gjithashtu, se ngjarja në Bankën e Shqipërisë në rast se nuk do të shqyrtohet me përgjegjshmëri dhe në mënyrë tërësore, rrezikon të godasë ashpër besimin e investitoreve në institucionet dhe seriozitetin e shtetit shqiptar me pasoja tepër të rënda në afatgjatë për ekonominë dhe mirëqënien e qytetarëve shqiptarë.
www.voal-online.ch
|