Kuvendi
i Kosovës pritet që nga java e ardhshme të procedojë tutje me
amandamentet kushtetuese në lidhje me themelimin e Gjykatës Speciale për
Krime Lufte.
Me vetë faktin që kërkohen ndryshime kushtetuese, Kuvendit do t'i
duhen dy të tretat e votave të 120 deputetëve dhe dy të tretat e votave
të deputetëve nga radhët e komuniteteve pakicë për miratimin e këtyre
amandamenteve.
Gjykata Speciale u lansua si ide pas raportit të senatorit zviceran Dick Marty
të prezantuar në Këshillin e Evropës mbi supozimet e tij për trafikim
të organeve të disa civilëve serbë nga disa ish-pjesëtar të Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës.
Mbi bazën e këtyre pretendimeve, prokurori amerikan Clint Williamson kishte zhvilluar edhe një hetim të gjerë.
Në përmbyllje të hetimit të tij, një vëmendje të posaçme Williamson
ia kishte kushtuar, asaj që ai e kishte quajtur klimë të frikësimit të
dëshmitarëve, duke thënë se "ka pasur përpjekje për ta penguar gjithë
procesin hetimor" që prej fillimit të punës së grupit hetues, përmes
ndërhyrjes te dëshmitarët.
Arianit Koci, avokat nga Prishtina thotë se krijimi i
task forcës hetuese speciale ka zgjatur tre vjet dhe sipas vet
prokurorit të saj, Williamson, të gjeturat janë 'top sekret' (të
fshehtësisë së lartë).
Kështu që në këtë fazë, ai nuk sheh shumë mundësi që ketë ndikimi mbi dëshmitarët.
"Nëse nuk dihet saktësisht se kush është i pandehur dhe kush janë
dëshmitarët, atëherë si mund të ndikohet në ta? - Frikësimi apo ndikimi
në dëshmitarët është një problem serioz dhe shqetësues për të gjithë.
Dëshmitarëve të mbrojtur duhet patjetër t'ju krijohet klima e sigurisë
në mënyrë që të sqarohen njëherë e përgjithmonë të gjitha pretendimet,
të cilat dorën në zemër janë monstruoze", ka deklaruar Koci.
Bazuar në përvojat e shteteve të dala nga shpërbërja e
ish-Jugosllavisë, avokati Arianit Koci thotë se fenomeni i mbrojtjes së
dëshmitarëve është paraqitur në rastet e trajtuara në Serbia, Kroacia e
madje edhe në Hagë.
Ndërkaq një element tjetër që ai potencon gjatë themelimit të kësaj
Gjykate, është përbërja e saj. Koci beson se në përbërjen e kësaj
Gjykatë do të duhej të kishte edhe gjyqtarë nga Kosova, në mënyrë që ajo
të fitojë legjitimitetin e vet.
"Gjyqtarët kosovarë e njohin kontekstin shoqëror dhe i njohin
rrethanat. Shumë kosovarë kanë krijuar bindjen se një pjesë e
konsiderueshme e pretendimeve në raportin e Këshillit të Evropës janë
sajuar prej shërbimeve sekrete në Serbi, prandaj pala kosovare duhet të
jetë palë aktive në këtë gjykatë. Kjo çështje mund të zgjidhet në mënyrë
shumë elegante - në këtë gjykatë gjyqtarët nga Kosova mund të jenë
pakicë në çdo trup gjykues", ka theksuar Koci.
Gjykata Kushtetuese tashmë u ka dhënë dritën jeshile miratimit të
amandamenteve kushtetuese të propozuara nga qeveria me të cilat do të
mundësohej themelimi i Gjykatës Speciale për krime lufte.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli beson
se këto amandamente do të trajtohen nga Kuvendi javën tjetër. Sipas tij,
në këtë proces është me rëndësi të ketë konsensus vendor e
ndërkombëtar.
"Ajo çka është më kryesore është që të ruhet konsensusi nacional
rreth kësaj çështje dhe në të njëjtën kohë të ruhet partneriteti me
bashkësinë ndërkombëtare. Amandamentet janë në Komisionin për
Legjislacion dhe në momentin që do të marrim dritën jeshile nga ata
(Komisioni) ne do të veprojmë", ka deklaruar Veseli.
Arritja e konsensusit të brendshëm politik për themelimin e Gjykatës Speciale nga analistët politik shihet si domosdoshmëri.
Në të kundërtën, ata tërheqin vërejtjen se këtë Gjykatë do ta
themelonte Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, me çka, besojnë
se do të sfidoheshin rëndë shteti dhe shtetësia e Kosovës, pasi që
Këshilli i Sigurimit do të vepronte vetëm mbi bazën e Rezolutës 1244.
Analisti Artan Muhaxhiri mendon se alternativa e vetme para institucioneve të Kosovës, në këtë rast, është themelimi i kësaj Gjykate.
"Institucionet e Kosovës nuk kanë shumë alternativa dhe dihet se
do të jenë të obliguara ta pranojnë edhe Gjykatën Speciale, mirëpo edhe
projektet tjera që imponohen nga Bashkimi Evropian dhe faktori
ndërkombëtar", thotë Muhaxhiri.
Themelimi i Gjykatës Speciale po bëhet në vazhdën e thirrjeve të
faktorit ndërkombëtar i cili kërkon që Kosova të zbatojë këtë obligim që
ka marrë përsipër.
Marrëveshja ishte arritur përmes një letërkëmbimi ndërmjet presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe ish-shefes së diplomacisë evropiane Catherine Ashton
në prill të vitit 2014, ku përveç vazhdimit të mandatit të misionit të
Bashkimit Evropian për sundim të ligjit - EULEX, ishte aprovuar edhe
themelimi i Gjykatës Speciale.
Ky letërkëmbim ishte ratifikuar si marrëveshje ndërkombëtare më pas edhe nga përbërja e kaluar e Kuvendit të Kosovës. za