Përfaqësues
të shoqërisë civile nga Kosova dhe vende të tjera të rajonit janë
mbledhur këtë të enjte në Tiranë në një uorkshop me temë: "Krijimi i
Punësimit dhe Prosperitetit".
Kjo
konferencë ndërkombëtare është thirrur nga fondacioni Friedrich Ebert
Stiftung, zyra e Tiranës, dhe qëllimi është të kontribuojë në Samitin e
Ballkanit Perëndimor që zhvillohet në Vjenë midis datave 26 dhe 27
gusht.
Të pranishmit në takim theksuan se pjesëmarrja e shoqërisë
civile ka një rol të rëndësishëm në të gjitha proceset e integrimit
Evropian në vendet më të reja të BE-së.
Diskutimet në këtë seminar
u fokusuan në çështjet më të rëndësishme në lidhje me krijimin e
punësimit dhe zhvillimit ekonomik në vendet e rajonit që aspirojnë të
anëtarësohen në Bashkimin Evropian.
Përfaqësuesja e shoqërisë
civile të Kosovës në këtë aktivitet, Bardha Ahmeti tha për KosovaPress
në Tiranë se gjatë seminarit është punuar për përgatitjen e disa
rekomandimeve mbi çështjet më kyçe të secilit vend, siç është punësimi,
investimet etj, tema këto që do të paraqiten të përmbledhura për
Ballkanin në Samitin e Vjenës.
Lidhur me Kosovën ajo tha se
papunësia e të rinjve mbetet një problem akut, ku sipas statistikave,
ndër 10 të rinj vetëm 3 janë të punësuar.
Lidhur me pyetjen nëse
është pikërisht kjo papunësi e lartë shkak që shumë të rinj jo vetëm nga
Kosova por edhe nga Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit po
zgjedhin të largohen dhe të kërkojnë azil, Ahmeti mendon që po, pra se
papunësia është shkaku primar për azil, pasi të rinjtë nuk po kanë
shpresë dhe të ardhme në vendet e tyre.
Çështjet më të rëndësishme
të Konferencës ishin edukimi i drejtuar drejt tregut të punës,
zhvillimi i degëve më të rëndësishme ekonomike, tërheqja e investimeve
të huaja në vend dhe krijimi i markave vendase të cilat janë konkurruese
në tregun Evropian.
Gjithashtu u propozuan iniciativa për
integrimin e shoqërisë civile në procesin e zhvillimit ekonomik dhe
politik, kjo duke ndjekur modelet e suksesshme të vendeve të reja të BE
siç është Kroacia dhe Sllovenia.
Ky punim i konferencës do ti prezantohet më vonë udhëheqësve politikë të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor në Vjenë.
- See more at:
http://www.kosovapress.com/sq/rajoni/shoqeria-civile-e-ballkanit-mblidhet-ne-tirane-70e-te-rinjve-ne-kosove-jane-te-papune-41868/#sthash.A6vrE6j1.dpuf