Të mërkurën të gjithë ne pamë si plasi tullumbaci i AAK-së. Për ditë e javë të tëra AAK-ja tërhoqi vëmendjen e popullit të Kosovës, duke dalë me tezën e mbrapshtë se qeveria e Kosovës është duke kryer bisedime sekrete me Beogradin. Qeveria e Kosovës, e mbështetur fuqishëm nga SHBA, të cilat nga ana e tyre mbrojnë energjikisht integritetin dhe sovranitetin territorial të Kosovës, nuk e ka asnjë gjasë e shans të hynte në bisedime me Serbinë. Sepse po ta bënte këtë do t'i vinte flakën vetes.
Dalja e pritur e përfaqësuesit të AAK-së të mërkurën ishte qesharake. Pretendimet e tij se kryeministri i Kosovës, këshilltarë të tij e deri tek Behxhet Pacolli kanë kryer të paktën tri herë takime sekrete me palën serbe, duke përmendur Budvën e Malit të Zi mbetën të pa faktuara, dhe pretendimet e AAK-së se nuk po i tregon faktet pasi po i digjet shpirti për popullin e Kosovës nuk tingëllojnë reale, sepse do të kishte miliona mënyra që këto fakte e dëshmi t'i jepeshin popullit të Kosovës dhe aletëve të tij jetikë, siç janë SHBA.
Pra, takimet sekrete mjerisht futen në kuadrin e manipulimeve dhe spekulimeve që përhap Serbia për të dëmtuar stabilitetin e brishtë të Kosovës dhe ekuilibrin politik. E përse do të takohej Hashim Thaçi qoftë edhe me Boris Tadiçin, kur atë e presin presidentët e SHBA !
Është për të ardhur keq kur një parti si AAK-ja, me një background shumë dinjitoz, të ardhur nga lufta kundër pushtuesit, të konsumojë vetveten me profka të tilla, kur prioritet i saj duhet të jenë dy : e para Kosova, pavarësia e saj e plotë, pa mbikqyrje dhe me karrike në OKB dhe e dyta lirimi nga burgu i Ramush Haradinajt. Nëse do të kishte fakte të tilla natyrisht që do të duhej t'i bënte publike, po kur nuk i ka, e përse e vë veten në një pozitë aspak interesante përpara popullit të Kosovës. Sepse në këto pozita ku ndodhet merr cilësorin ose të spekulantit ose të lepurit.
Kësisoj, AAK në vend që të rrisë bashkëpunimin me qeverinë e Kosovës për të çliruar nga prangat e një burgu politik liderin e vet, po i kundërvihet qeverisë duke përdorur mjete spekulative.
AAK të mos harrojë se pas ridërgimit në Hagë të Ramush Haradinajt, qeveria ka dalë me deklaratën e kryeministrit Thaçi në të cilën thuhej se "Qeveria e Kosovës shpreh keqardhje për këtë vendim të gjykatës, por është e bindur se Haradinaj do të dëshmojë pafajësinë e tij në rigjykimin e pjesshëm, ashtu si në rastin e gjykimit të tij në këtë gjykatë, e cila e kishte shpallur të pafajshëm". "Qeveria e Kosovës rithekson se UÇK-ja ka zhvilluar luftë të drejtë për liri dhe demokraci, për mbrojtjen e vlerave të qytetërimit dhe ka respektuar të gjitha konventat ndërkombëtare të luftës", vijon deklarata e Qeverisë.Sipas saj, "institucionet, qytetarët e Republikës së Kosovës dhe vetë zoti Haradinaj kanë dhënë provat e bashkëpunimit dhe të besimit në drejtësinë ndërkombëtare, një gjë e cila po rikonfirmohet edhe në rastin aktual".
Kjo deklaratë e qeverisë së Kosovës në mbështetje të Ramush Haradinajt, liderit të AAK-së mban datën 21 Korrik 2010 dhe përkon gati me kohën kur AAK-ja nisi pretendimet e saj për bisedimet sekrete. Kur pritej dhe do të duhej që zyrtarët e AAK-së të rrisnin shkallën e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës për lirimin e Haradinajt, ata fillojnë një fushatë denigruese ndaj tyre, duke krijuar përshtypjen se as nuk e çajnë kryet për liderin e tyre që është duke vuajtur padrejtësisht.
Pas kësaj maskarade që e pamë të gjithë, edhe një herë në kontekstin ku ndodhet Kosova, klasa politike e saj duhet të jetë më e përgjegjëshme se kurrë, duke vënë në plan të parë interesat jetike të Kosovës, në mbrojtje të stabilitetit të saj. Për çdo shqiptar, kudo që ndodhet, e para vjen Kosova. Në Biblën shqiptare e para fjalë sot është Kosova.
Edhe një herë klasa politike në Kosovë, sidomos opozita, duhet të mbështesë qeverinë e Kosovës, ndërsa rolin e saj të domosdoshëm duhet ta luajë në mënyrë sa më transparente, të qartë, pa ekiuvoke larg spekulimeve dhe larg luftës për pushtet.
Legjitimiteti i pavarësisë së Kosovës në OKB është jetik për shtetin e ri të Kosovës, Kosova vjen e para, pastaj vinë politikanët e saj, të cilët nëse nuk arrijnë të kuptojnë rëndësinë e këtij Momentumi, kot thonë se janë kush janë.