Në mesin e WikiLeaks, një tjetër histori shpërtheu në faqet e para të gazetave në të gjithë botën, që pretendon se kryeministri aktual i Kosovës, Hashim Thaçi, ka qenë mendja djallëzore pas implikimit kriminal në vrasjen e njerëzve për t'u marrë veshkat për t'ua shitur.
Që nga Pol Poti nuk janë bërë deklarata kaq sensacionale në lidhje me një lider në detyrë. Thaçi u rizgjodh në dhjetor me rreth 34 përqind të votave të kosovarëve, pak më pak se David Cameron dhe sigurisht shumë më shumë se George Bush në vitin 2000. Nuk ka zgjedhje në Ballkan pa akuza për probleme në votime. Partitë politike në Kosovë janë klanore, të lidhura me interesa të dyshimta ekonomike, dhe financohen në një pjesë nga diaspora kosovare. Drejtuesit kosovarë, ashtu si ata kroatë, malazezas, shqiptarë dhe maqedonas janë akuzuar rregullisht (shpesh me të drejtë) për devijim parash për ta, ose për partitë e tyre. Dhe që kur "biznesi" në Ballkanin Perëndimor është i bazuar në trafikun e cigareve dhe qenieve njerëzore, po aq sa në aktivitetin ligjor ekonomik, një politikan që nuk është akuzuar se ka shoqëri të keqe, është një specie e rrallë. Thaçi nuk është ndryshe. Por Thaçi ka qenë një politikan brenda e jashtë pushtetit për një dekadë dhe ka vepruar i monitoruar ngushtësisht nga trupa të BE dhe OKB, ashtu dhe nga vëzhgues të jashtëm dhe vizitorë.
Raporti që ka shkaktuar kaq furtunë, nuk është miratuar nga Këshilli i Europës, por vetëm nga një nga nën-komitetet e panumërta të tij. Ai është shkruar nga prokurori zviceran, Dik Marti. Ai është mik me avokaten politike italiane, Karla Del Ponte, libri i së cilës në italisht ka bërë akuza identike me ato të Martit. Zoti Marti është anëtar i Partisë Liberale Zvicerane. Nuk është liberale në sensin modern anglez, por në sensin kontinental të shekullit 19-të, që mbështet ideologjinë e një tregu ultra të lirë, mbrojtjen e të drejtave të pronës private dhe synon një shtet të vogël. Partia e zotit Marti është një nga mbështetëset më të mëdha ideologjike të ligjeve zvicerane për sekretet bankare, të cilat në fakt janë përdorur shumë nga diaspora kosovare, që është shumë e pranishme në Zvicër.
Raporti i zotit Marti nuk është një dokument preciz gjyqësor. Ai përmban artikulime të gjata e pa lidhje të politikave perëndimore për krizën e Kosovës në fund të viteve '90. Me këtë zoti Marti reflekton politizimin e Këshillit të Europës, i cili që pas pranimit të Rusisë si anëtare në vitin 1995, është përdorur me mjeshtëri nga Kremlini për të avancuar interesat diplomatike ruse. Rusia ka kultivuar atje aleatë në blloqe të ndryshme politike. Në Britani, deputeti liberal- demokrat dhe anëtari i Këshillit të Europës, Mike Hancock, është akuzuar nga kryetari i grupit të gjitha partive parlamentare britanike se është në mënyrë flagrante pro Kremlinit në debatet që organizohen në Këshillin e Europës.
Deputetët konservatorë britanikë në Këshillin e Europës ulen në të njëjtin grup me delegacionin e përzgjedhur nga vetë Putini. Rusët, me mbështetjen e deputetëve konservatorë britanikë, synuan që të vendosin një ish- zyrtar të KGB-së si president të Këshillit të Europës në vitin 2008.
Me pak fjalë, Këshilli i Europës nuk është pa interes për disa mbledhje parlamentarësh të Amnesty International ose Human Rights Watch, por është një trupë politike thellësisht e politizuar, ku shtetet mobilizohen për të mbështetur synimet e tyre gjeopolitike.
Një nga prioritetet kryesore të Kremlinit ka qenë maksimizimi u mbështetjes për pozicionet kundër SHBA-së dhe NATO-s në Këshillin e Europës. Rusia ka kërkuar të kultivojë aleatë për të mbrojtur Serbinë dhe të tjera shtete sllave ose ortodokse nga kritikat. Përpjekjet e socialdemokratëve të qendrës nga Suedia për të promovuar pajtimin mes serbëve dhe kosovarëve janë hedhur poshtë.
Gjëra të tmerrshme janë bërë nga para-ushtarakët dhe ushtarët serbë në Kosovë që kur diplomacia e fuqishme e Richard Holbrooke ia preu rrugën pasionit nacionalist të Millosheviçit drejt veriut. Vizitoni fshatrat kosovare dhe varrezat myslimane dhe do të shihni me dhjetëra gurë varresh për njerëz të lindur në data të ndryshme, por të vdekur në të njëjtën ditë kur skuadrat serbe të ekzekutimit u tërbuan. Gjëra po kaq të tmerrshme u bënë kur disa kosovarë nisën rezistencën e armatosur pas dy dekadash rezistence paqësore dhe pasive nën Ibrahim Rugovën, përfshi këtu vrasje dhe trajtim brutal të bashkëpunëtorëve sipas stilit të rezistencës franceze në vitin 1944. Në vend që të kërkohet paqe dhe pajtim, ka një përpjekje konstante nga aksi ruso- serb në Këshillin e Europës për të pretenduar se Kosova është një provincë rebele nën kontrollin e gangsterëve, që një ditë do të kthehet nën qeverisjen serbe.
Diskretitimi i drejtuesve të ndryshëm kosovarë- thuajse të gjithë morën pjesë në një mënyrë ose në një tjetër në betejën për rezistencë ndaj Millosheviçit, që përfundoi me ndërhyrjen Klinton- Bler në verën e vitit 1999- ka qenë prioriteti kryesor politik për serbët e rusët.
Zoti Marti, së bashku me të tjerë armiq të Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Europës, nuk e ka mbajtur asnjëherë sekret kundërshtimin e tij ndaj pavarësisë së Kosovës. Ai ka kundërshtuar thirrjet që Kosovës t'i jepet statusi i anëtarit ose ai i vëzhguesit në Këshillin e Europës.
Tani zoti Marti ka prodhuar këtë raport tejet të personalizuar, që është një grusht- shteti propagande për revanshistët serbë që pas rënies së Millosheviçit.
Raportuesit e Këshillit të Europës janë politikanë të zakonshëm. Ka me dhjetëra raporte të tilla çdo vit. Britaniku Frank Judd ka qenë një i tillë kur ishte delegat. Ai dha dorëheqjen me neveri kur raportet e tij për brutalitetin e forcave ruse nën Putinin mbi Çeçeninë, u kufizuan nga aleancat pro- Moskës në Këshill.
Senatori Marti është njeri me kokën e tij dhe sinqeriteti i tij nuk është vënë në pikëpyetje. Ai beson në atë që beson. Por po të lexosh raportin me 19 mijë fjalë, të del një problem. Nuk ka asnjë emër të vetëm apo ndonjë dëshmitar për këto akuza, që Thaçi ka qenë i përfshirë në trafikimin e organeve nga viktimat. Këto praktika të pështira ndodhin e kanë ndodhur kudo në botë e nuk ka ndonjë dyshim. Por Marti nuk arrin të lidhë direkt Thaçin me trafikun e organeve pavarësisht titullit të tij sensacional mbi raportin: "Trafiku ilegal i organeve njerëzore në Kosovë"- titull i projektuar për të dalë në faqet e para të gazetave.
Senatori Marti bën gjithçka për të nxirë emrin e Thaçit, duke e akuzuar atë se është pak më shumë se një kriminel, që ka përdorur krizën e Kosovës për të bërë operacione mafioze. Kur lexon këtë, sigurisht bëhesh mosbesues. Qindra mijëra kosovarë u larguan nga vendi për shkak të tërbimit serb, të cilët, pasi dështuan në përpjekjet e tyre për shkatërruar identitetin kroat e boshnjak, iu kthyen Kosovës. Mbi të gjitha, pikërisht në Kosovë Millosheviç ka bërë edhe kërcënimin e famshëm: "Ne do ju godasim", ndërsa lëshonte monstrën e nacionalizmit serb në fund të viteve '80. Ashtu si IRA, ETA dhe të tjera lëvizje të armatosura politike, kosovarët ishin brutalë, të pamëshirshëm dhe përdorën çdo mjet ilegal për të avancuar kauzën e tyre.
Marti e përdor shumë si fakt që shumë nga drejtuesit që formuan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, operonin më shumë në Shqipëri sesa në Kosovë.
Epo mirë, ata kanë bërë si IRA që qarkullonte në Irlandën e Veriut ose si ETA që kërkonte strehë në Francë nga policia e Spanjës. Edhe luftëtarët norvegjezë të rezistencës në Luftën e Dytë Botërore përdornin Suedi si strehë.
Por Marti po rishkruan historinë duke e parë botën si serbët, që e pikturojnë të gjithë rezistencën kosovare si esencialisht dhe ekskluzivisht kriminale. Për më tepër, argumenton Marti, ishte mbështetja e qartë nga fuqitë Perëndimore e sidomos nga Shtetet e Bashkuara që çoi në perceptimin e UÇK-së- e krijuar së më shumti nga amerikanët- si një epërsi. Këtu Marti vesh kostumin e tij anti- amerikan, me stampën e Këshillit të Europës.
Parlamentarët e Këshillit të Europës, që ishin aktivë në parlamentet e tyre në atë kohë, do rikujtojnë se ishte SHBA që refuzonte të ushtronte presion real mbi serbët dhe mbështetësit e tyre në Rusi, që në mënyrë konstante bllokonin e vinin veton për çdo aksion të OKB kundër vrasjeve masive të myslimanëve europianë në Kosovë. Presidenti Klinton refuzonte në mënyrë të vazhdueshme të ndërmerrte aksione ushtarake për të ndaluar gjakderdhjen.
Ndaj, para se të përshkruhet UÇK si një krijesë e SHBA, do të ishte më e ndershme që të paraqitej UÇK si një pritje e pashpresë derisa bota të kuptonte se pas Srebrenicës, Millosheviçi ishte gati që të niste një sulm të dytë gjenocidal mbi myslimanët sekularë europianë të Kosovës, që kishin guxuar t'i kundërviheshin abuzimit të tij.
Ajo që ndodhi në muajt pas sulmeve ajrore dhe pas pushtimit ushtarak, që më në fund bindi Millosheviçin të tërhiqej nga shumica e Kosovës, është padyshim e tmerrshme. Por Marti është i paaftë për të na dhënë një dëshmitar okular që e lidh Thaçin me krimin e heqjes së organeve. Marti thotë se kosovarët kanë besnikëri ndaj klanit, çka i ndalon ata të dëshmojnë kundër liderëve. Por Thaçi është një nga shumë ish- drejtues të UÇK që konkurronin me njëri- tjetrin. Ka pasur me mijëra hetues, policë dhe avokatë që kanë vepruar në Kosovë që prej vitit 2000. Serbët kanë qenë të paaftë për të prodhuar ndonjë viktimë ose familje njerëzish që janë vrarë e më pas u janë marrë veshkat.
Sipas BBC, ekspertët ligjorë të BE që operojnë në Kosovë, nuk mund t'i provojnë akuzat e Martit.
Senatori Marti thotë se ai i ka lexuar denoncimet e shumta për Thaçin me një ndjenjë tmerri dhe zemërimi. Ai pretendon se M16, i mbështet pretendimet e tij, por sërish nuk jep asnjë provë që ka lexuar raportet e M16, që kanë emrin e Thaçit dhe grupit të tij.
Zemërimi dhe tmerri janë reagime të rëndësishme, po a duhet të mbështetet nga Këshilli i Europës një raport faktesh që nuk sjell asnjë deklaratë direkte dëshmitarësh, asnjë fakt të pastër, asnjë provë, asnjë person që mund të lidhë Thaçin me heqjen e organeve?
Ndoshta një ditë provat do të dalin. Që grupet kriminale kosovare dhe shqiptare kanë lulëzuar në periudhën e krizës 10- vjeçare të luftërave në ish- Jugosllavi që shkatërruan të gjitha rregullat morale, kjo nuk mund të mohohet. Këto gjëra të tmerrshme janë bërë nga njerëz me armë e me uniforma rudimentare, dhe që ishin gjysma një shprehje e refuzimit të pushtetit serb dhe gjysma një grup banditësh me një sy tek shansi për të bërë para shpejt.
Që Kosova ka nevojë për ligj, rend dhe drejtësi, kjo nuk ka dyshim. Por për sa kohë Serbia pretendon se Kosova do mbetet e tyre, ashtu siç revanshistët gjermanë pas luftës ëndërronin për rikthimin në Silezi, nuk do të ketë stabilitet dhe paqe e as shans për zhvillim normal ekonomik e për demokraci.
Raporti i Martit është një fitore me tituj mediesh për Serbinë. Senatori zviceran mund të ketë të drejtë që Thaçi është i papërgatitur për të qenë drejtues evropian i një qeverie. Ai sigurisht ka të drejtë kur thotë se kërkohet më shumë hetim. Por përpara se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës të debatojë për raportin e tij në janar, ai mund të prodhojë vetëm një grimcë prove të pakundërshtueshme për të justifikuar titujt bombastikë, të cilëve ai iu është gëzuar që i ka prodhuar.
-
Denis MacShane është deputet britanik dhe ish- ministër për Europën. Ai ka qenë delegat i Britanisë së Madhe në Këshillin e Europës në vitet 2004-2010