Zgjedhjet politike janë, ndër të tjera, matematikë. Dhe deri tash nga zgjedhjet e 12 dhjetorit 2010 një gjë ose e vetmja gjë është e qartë: del nga skena e politikës Nexhat Daci, kreu i Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD), dhe futet në skenën e politikës Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje. Ekuacioni i shtruar matematikisht do të ishte - x + y = z. Pra, Kosova do të hynte me të njëjtin ekuacion dhe do të dilte me të njëjtin ekuacion nga zgjedhjet e parakohshme, të jashtëzakonshme, thuaju si të duash. Kufiza e rënë do të ishte Nexhati (LDD), ndërsa kufiza e ardhur në vend të tij do të ishte Albini (VV). Në Kuvendin e Kosovës me përbërje të re do të jenë përsëri Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Aleanca për Kosovën e Re (AKR).
Do të kemi kështu ekuacionin e ri politik të Kosovës së pas 12 dhjetorit 2010: - Nexhati + plus Albini = çka? Në ekuacionet matematike nuk ekzistojnë pikëpyetjet, por në ekuacionet politike ato nuk bëjnë pa to, sidomos në këtë fazë kur ende gjithçka, sado e qartë të jetë në dukje, kërcënohet në thelb nga pikëpyetjet. Dhe këtu unë kam parasysh jo më kot një Nexhat tek ikën dhe një Albin tej vjen. Nexhat Daci është i vetmi nga politikanët kryesorë aktualë të Kosovës me përcaktim të shpallur "antindërkombëtar". "Antindërkombëtarizmin" e tij Nexhat Daci e shprehu edhe gjatë fushatës zgjedhore të ditëve të para të dhjetorit, duke thënë se Kosovës nuk i duhen më qeveri të shantazhuara nga faktori ndërkombëtar si qeveria e tri viteve të shkuara. Qeverive si puna e kësaj, ne e kemi parë, nga një anë iu lejohet në mënyrë të pakifizuar të pakushtëzuar të bëjnë korrupsion, nga një anë tjetër, iu kushtëzohet, iu kufizohet qeverisja e vendit të tyre. Përfshirja, zotimi i Nexhatit në këto tri vite si "antindërkombëtar", kuptohet, ka qenë retorik. Ndërsa në pozitën e tij si kryetar i Kuvendit të Kosovës ka manifestuar se çfarë ishte retorikë jashtë një pozite të rëndësishme, ishte praktikë konkrete kur ai ishte në postin numër dy të protokollit shtetëror.
Albin Kurti nuk ka qenë asnjëherë retorik, ka qenë gjithnjë konkret, së paku prej kur është në krye të lëvizjes qytetare Vetëvendosje. Siç e thotë pa asnjë nënkutpim tjetër emri i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti ka mbrojtur pikëpamjen se Kosova duhet të vendosë vetë për statusin e saj, por formën e saj të regjimit, për të gjithë parametrat e një shteti të pavarur dhe sovran. Albini me lëvizjen e tij iu është kundërvënë institucioneve ndërkombëtare ku është mbartur politikisht sovraniteti i Kosovës si UNMIK-u dhe EULEX-i. Albini, falë një popullariteti tejet të padiskutueshëm, i shpëtoi ngasjes së politikës së Prishtinës për të mos e lejuar të hyjë në garë si qytetar nën hetime. Për ironi mospranimi për të hyrë në garë i kanosej edhe Nexhat Dacit, q^si qytetar i dënuar me kusht nga një gjykatë e Kosovës pse kishte rregulluar dhëmbët me paratë publike kur ishte Kryetar i Kuvendit të Kosovës. I njëjti kërcënim i bëhej për të mos u lejuar ta kryesonte listën e partisë së tij edhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj. Tolerimi i tyre ishte një kompromis i Prishtinës politike ndërkohë njëpartiake, pas largimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës që andej.
Me një grup parlamentar të konsiderueshëm, Albin Kurti tashmë nga brenda institucioneve, nga brenda rregulloreve të institucionit dhe nga brenda etikave të shumëfishta të politikanit profesionist, a do të arrijë ta forcojë prirjen e tij "antindërkombëtariste"? Apo do të zbehet kjo prirje qoftë përballë kanuneve të politikanit profesionist, qoftë përballë privilegjeve a përballë mundësisë së korruptimit tashmë shumë më e madhe e shumë më ngat gjasave? Dhe më mirë Albini kryetar i lëvizjes qytetare Vetëvendosje, i vetmi për t'ia dhënë tonet shoqërisë qytetare në Kosovës, apo Albini kryetar i një grupimi parlamentar?
E vërteta e padiskutueshme është se Albini pjesë e Kuvendit të Kosovës ka një hapësirë shumë herë më të madhe si Albini në sheshet apo shetitoret e kryeqytetit të Kosovës a të qyteteve të tjera më të mëdha të Kosovës. Nëse vazhdon të jetë koherent me pikëpamjet e tij, atëherë Albini ka mundësi ta zgjerojë projektin e përfaqësuar nga ai, duke ngritur struktura të përkohshme a të përhershme nëpërmjet komisioneve të përkohshme tematike apo komisione speciale të përhershme parlamentare të inicuara prej tij dhe të përkrahura nga deputetë në grupimet e tjera me pikëpamje të njëjta a të ngjashme. Pra, Albini mund ta themelojë lobizmin si praktikë në Kuvendin e Kosovës për çështje drejtpërdrejt të lidhura me interesat kombëtare të Kosovës.
"Antindërkombëtarizimi" i Nexhatit kufizohej në vetë nocionin e Republikës së Kosovës, ndërsa Albini shpalli në qendër të platformës së tij zgjedhore bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe refuzimin e dialogut me Beogradin. Kjo platformë ishte vendimtare për përkrahjen e elektoratit më të heshtur, më të zhgënjyer, më të dëshpëruar dhe abstenues të viteve të fundit në Kosovë. Nëse Albini nuk do të jetë koherent me platformën, nëse nuk do të tregohet i vendosur dhe i zgjuar për përmbushjen e saj, atëherë kjo do të shndërrohet në pikën e tij më të dobët, duke e dëmtuar rolin e tij dhe figurën e tij, çka mund të pasohej me zvogëlim të grupimit të tij në Kuvendin e Kosovës.
Përmasa e re më e pazëvendësueshme e lëvizjes së Albinit ishte pjesëmarrja aq domethënëse e Uilliam Uokërit, mikut të madh amerikan të shqiptarëve, në të gjitha tribunat. Një përmasë të tillë Albin Kurti e ka të domosdoshme jo vetëm ta mbajë, por edhe ta forcojë. Për këtë kërkohet shumë zgjuarsi. Dhe kështu unë kam filluar t'i përgjigjem pikëpyetjes në anën e djathtë të ekuacionit të vënë në titullin e këtij shkrimi. Veçanësia është se kjo përgjigje do të vijë duke u plotësuar, zeta e këtij ekuacioni do të ketë shtrirje interesante në periudhën e ardhshme. Dhe, nga këndi im, edhe kjo risi e sjellë nga këto zgjedhje të mbajtura kaq ngutshëm e kaq araz do të ishte e mjaftueshme për t'ia vlejtur mbajtja e tyre.
(Botuar në Bota Sot më 14 dhjetor 2010)
POLITIKËN MUND TA NDRYSHOSH VETËM DUKE MARRË PJESË NË POLITIKË
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
SHKODËR SHQYPNIA!