Këtë javë përkujtojmë pesëvjetorin e ndarjes nga kjo jetë të ikonës së pavarësisë dhe udhëheqësin e Dardanisë antike, Presidentin Ibrahim Rugova, prijësin e madh të kombit shqiptar dhe udhëheqësin e parë antikomunist në Evropën juglindore.
Deri në vdekje, Dr. Rugova mbeti mik i Amerikës dhe i udhëheqësve të saj. Prandaj nuk është e çuditshme që në letrën dërguar familjes Rugova dhe popullit të Kosovës, me rastin e vdekjes së të ndjerit, Presidenti i atëhershëm, George Bush tha se "Shtetet e Bashkuara, me vdekjen e Presidentit Rugova, humbën një mik me të vërtetë të madh, i cili siguroi gjithashtu edhe respektin e të gjithë botës për qëndrimet e tij parimore kundër dhunës".
Ai admirohej nga Shtetet e Bashkuara dhe nga e gjithë bota. Për cilin udhëheqës tjetër mund të themi ne shqiptarët një gjë të tillë? Duke patur një krenari atdhedashurie si asnjë udhëheqës tjetër shqiptar i kohërave moderne, Presidenti Rugova me bashkëbiseduesit e tij, qofshin ata shqiptarë apo ndërkombëtarë, ofroi gjithmonë urtësinë, miqësinë e qëndresën, që gjatë shekujve kanë përbërë qenien shqiptare së bashku me besën, nderin e burrninë. Presidenti Rugova besonte se bota do të kishte respekt më të madh për ne shqiptarët në qoftë se u përmbahemi këtyre vlerave bazë të qenies arbnore. I frymezuar nga këto virtyte, ai me durim, guxim e besim filloi të rikthejë dinjitetin tonë kombëtar të nëpërkëmbur gjatë 50 vjetëve të fundit nga një ideologji krejt e huaj për qenien tonë. Me një ndërgjegje të thellë kombëtare, ai na vuri përsëri aty ku e kemi vendin, në radhë me popujt dhe aleancat perendimore. Fjala e jonë popullore thotë: "Burri i mirë me shokë shumë". Pesë vjetë më parë në e humbëm Presidentin Rugova, por për hir të tij, Kosova dhe kombi shqiptar fituan shumë miq e dashamirës në të gjithë botën. Presidenti Rugova fliste pak, por jehona e mesazhit të tij u dëgjua anë e mbanë botës. Mesazhi i tij bëri që e gjithë bota të mësonte për hallet tona, dhe jo vetëm kaq. Presidenti Rugova bëri që e gjithë bota të jetë me ne. Siç ka thënë edhe Presidenti amerikan Bill Clinton, nuk kishte avokat që të shpjegonte më mirë hallet e kombit shqiptar dhe të drejtat e tij.
Presidenti Rugova i përket pra një grupi të vogël njerëzish, që duke punuar për popullin e vet dhe për vlerat njerëzore, në të mirë të atdheut e të njerëzimit lartësohen në atmosferat e universit -- e që nuk mund të maten as nga koha e as nga hapësira. Në këtë pesëvjetor të ndarjes nga kjo jetë, Presidenti Rugova qëndron si një dëshmitar i punës dhe veprave të mëdha, pasi sot megjithëse e lirë dhe e pavarur, Kosova, ndoshta si asnjëherë tjetër, ka nevojë për urtësi e fuqi mendore rugoviane dhe për frymëzim të vazhdueshëm, për ditë më të mira për Kosovën dhe kombin shqiptar. I lutemi Zotit që në këtë përvjetor të kësaj humbjeje kaq të madhe, Kosova dhe udhëheqësit e saj, në bashkëpunim me njëri tjetrin dhe duke pasur parasysh interesat e larta kombëtare, të shënojnë fitore të mëtejshme historike në avancimin e lirisë dhe demokracisë brenda vendit, por edhe njohje të mëtejshme në fushën ndërkombëtare.
Presidentin Rugova e njoha fillimisht gjatë vizitës se tij të parë në Washington, d.m.th. vjeshtën e vitit 1989, kur ai edhe filloi veprimtarinë e tij politike e diplomatike për të siguruar përkrahjen e Shteteve të Bashkuara për popullin e tij shumë të vuajtur. Megjithëse më pas kishim patur takime, vizita e konsultime të shumta, vizita e tij në shtëpinë time atë vit nuk do të harrohet kurrë nga unë e as nga familja ime.
Mbasi vitet po kalojnë, është një rast i mirë për mua -- që me dy tre fjalë të kujtoj takimin e parë me -- në atë kohë -- Prof. Dr. Ibrahim Rugova . Ishte tetori i vitit 1989. Dr. Ibrahim Rugova ishte ftuar së bashku me Prof. Dr. Engjell Sedaj nga Kisha Katolike "Zoja e Këshillit të Mirë", në Bronx, New York, për të marrë pjesë në seminarin kushtuar 300-vjetorit të vdekjes së Imzot Pjeter Bogdanit, që u mbajt në Universitetin katolik Fordham. (Zoti Tonin Mirakaj, ish-kryetari i Këshillit të Kishës ka botuar kohët e fundit të gjitha punimet studimore të seminarit në një libër shumë të pëlqyeshëm, për ata që mund të jenë të interesuar të mesojnë më shumë në lidhje me atë senminar historik).
Disa ditë pas përfundimit të seminarit në universitetin Fordham, Dr. Ibrahim Rugova dhe Dr. Engjell Sedaj vijnë me një mik timin, Zotin Simon Simolacaj në Washington. Në atë kohë unë punoja si këshilltar i programeve radiofonike drejtuar botës komuniste, në Dikasterin Evropian të Zërit të Amerikës. Atëherë unë nuk dija shumë as për njerin as për tjetrin, përveç faktit se ishin dy intelektualë të dalluar nga Kosova, të ftuar nga Kisha Katolike Shqiptare në New York për të folur me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së Imzot Pjeter Bogdanit. Por e prita mirë vizitën e tyre pasi ishte një privilegj për të patur në shtëpinë time dy mysafirë të tillë, e për më tepër, vizita e tyre solli mundësinë për të biseduar mbi gjendjen e atëherëshme në Kosovë, pasi megjithëse punoja në qendër të informatave e lajmeve, lajmet nga Kosova ishin të pakta dhe ato që na vinin në redaksi ishin pothuaj pa përjashtim, të ngjyrosura nga propaganda serbe, e cila ia paraqiste botës çështjen shqiptare në Kosovë si donte vetë. Zëri i shqiptarëve në Kosovë nuk ndëgjohej dhe bota e jashtme nuk ishte aspak në dijeni të vuajtjeve e torturave që diktatura serbe bënte ndaj popullatws shqiptare. Ishte jetike që të krijohej një kundër-balancë ndaj shpifjeve të Beogradit dhe të njoftohej bota e sidomos Washingtoni rreth instalimit të një regjimi diktatorial policor e ushtarak serb në Kosovë, që kishte në plan shfarosjen e shqiptarëve nga Dardania antike. Siç e tregoi edhe koha, zëdhënës më të mirë të shqiptarëve nuk do të kishte se Dr. Ibrahim Rugova.
Nuk do ta harroj kurr atë vizitë si dhe bisedat me Dr. Rugovën, që më binden se sa rëndësi kishte për të sensibilizimi i çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare, sidomos në Washington. Si studiues i historisë dhe si atdhetar i vërtetë-- që i dallonte mirë miqtë nga armiqtë e kombit shqiptar --Dr. Ibrahim Rugova, ishte i bindur se në Shtetet e Bashkuara do të gjente miken dhe përkrahësen e të drejtave të shqiptarëve, ashtu siç ka ndodhur çprej përkrahjes së pavarësisë së Shqipërisë nga Presidenti Udrou Wilson e këtej. Prandaj unë e konsideroj vizitën e parë të Dr. Ibrahim Rugovës në New York dhe në Washington si fillimin e diplomacisë moderne të Kosovës, si fillimin e ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës. Koha e dëshmoi se Dr. Rugova u kthye në Kosovë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës i frymëzuar dhe me një sens misioni personal. Jo vetëm Kosova, por mbarë kombi shqiptar tashti kishte një zëdhënës ndryshe. Kosova tashti, megjithëse në rrethana gjithnjë shumë të vështira, kishte një zë të urtë që dëgjohej e respektohej nga të gjithë bashkëbiseduesit. Ishte një zë që fliste për të drejta të shqiptarëve në trojet e tyre, për liri e demokraci për popullin e vet, dhe si asnjë person tjetër, siç thotë edhe ish-presidenti Klinton, e shpjegonte çështjen shqiptare nga pikëpamja historike dhe njerëzore. Si askush tjetër, Dr. Ibrahim Rugova i paraqiti botës përdhunimin historik të kombit shqiptar dhe bota më në fund e ndëgjoi dhe filloi të interesohej për tragjedinë në Kosovë. Me urtësinë e tij të madhe, Dr. Ibrahim Rugova luftoi kundër pohimeve anti-shqiptare të të gjithë atyre që i paraqisnin shqiptarët si të egër, dhe si njerëz jo të zotët për vetqeverisje.
Në këtë pesëvjetor të vdekjes, unë deshta vetëm tw shënoj shkurtimisht disa mbresa, për mua të paharrueshme, nga vizita dy-tri ditëshe e Dr. Rugovës në shtëpinë time në Washington me 1989 dhe arsyet se pse e kam përkrahur gjatë viteve. Ajo vizitë nuk më harrohet mua as familjes time. Njohja ime me të gjatë asaj vizite, çoji në një miqësi shumëvjeçare, deri sa ai ndërroi jetë, dritë i baftë shpirti. Respekti im për Dr. Rugovën e ka zanafillën në atë vizitë, pasi përshtypjet e mia të para dhe respekti për këtë udhëheqës të madh të kombit shqiptar sa ka ardhur e rritur gjatë viteve.
Arsyeja për këtë është se si asnjë udhëheqës tjetër shqiptar, ai kishte një vizion të qartë për Kosovën dhe për kombin shqiptar. Si asnjë tjetër, ai ishte i bindur në rrugën që duhej të ndiqte kombi shqiptar për t'u radhitë ndershmërisht në radhën e kombeve të përparuara të perëndimit. Ai ishte i bindur në përkrahjen e perëndimit, e sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për në rrugën e bashkimit dhe integrimit të kombit shqiptar me vendet perëndimore. E respektoja për bindjen e tij se komunizmi qe rreziku më i madh që i kishte ndodhur kombit shqiptar nw shekullin e 20-të, si dhe për faktin se besonte që kombi shqiptar duhej të ndërtonte bazat e ekzistencës së tij mbi vlerat dhe trashëgiminë shpirtërore dhe patriotike të rilindasve. Ai nuk mburrej me retorikë të zbrazët, por me ide e vizione për një të ardhme më të mirë të kombit të vet duke i dhënë një emër të nderuar gjakut shqiptar. E respektova Dr. Rugovën se ai nuk ishte i frymëzuar nga ideologjia komuniste si shumë nga ata të brezit të tij që ishin rritur e shkolluar në atë sistem. Përkundrazi, Ibrahim Rugova kishte parime gjykuese dhe një kulturë e qytetërim njerëzor plot urtësi, të gërshetuara nga traditat e vlerat më të mira të kombit shqiptar. Ai ishte i vetdijshëm se trimëria dhe pushka e kanë vendin dhe kohën e vet për t'u përdour në mbrojtje tw interesave twkombit, por me shembullin e tij, ai gjithashtu tregoi se dashuria pwr popullin e vet, dhe mbrojtja e interesave kombwtare dwshmohet gjithashtu edhe duke i ruajtur nderin wmwrit shqiptar, njw mesazh ky shumë i përshtatshëm për kohën dhe sidomos për politikanët e sotshëm në të gjitha trojet shqiptare në Ballkan.