I pari që e ka përmendur tjetrin, në fakt, është zvicerani. Dick Marty e përmend Hashim Thaçin në raportin e tij të dhjetorit për Këshillin e Evropës. I dyti që e ka përmendur tjetrin, pra, në fakt është shqiptari. Hashim Thaçi e përmend Dick Martyn në disa deklarime, qëndrime, intervista të dhëna pas publikimit të raportit, më herët në The Guardian, pastaj në veprimtarinë përkatëse zyrtare në Paris.
Precedentin, pra, e përbën Marty. Sabsekuentin e përbën Thaçi. Paraprirësin, pra, e përbën Marty, pasuesin e përbën Thaçi. Në thyesën precedent/sabsekuent, shqip: paraprirës/pasues, shkaktar konsiderohet i pari. I dyti shikohet sa i përpjesëtuar apo i shpërpjesëtuar ka qenë ndaj të parit.
Gazeta zvicerane "Le Matin" e titullon "Thaçi i fyen zviceranët" (Thaçi fâche les suisses) shkrimin e saj të 30 dhjetorit në vijim të intervistës së dhënë gazetës tjetër zvicerane "Tages-Anzeiger", kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi. Pa shkuar më tej, shqiptarëve iu lind atypëratyshëm, vetvetiu, e drejta të jenë fyer edhe ata nga raporti i Dick Martyt. Intervista e Thaçit përmend vetëm një emër të përveçëm, emrin e senatorit liberalradikal zviceran. Raporti i Martyt e përmend emrin e kryeministrit të Kosovës në cilësinë e kreut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke kërkuar hetime për veprimtari kriminale të udhëhequr prej tij në Kosovë dhe në Shqipëri. Pra, shpërpjesëtimi anon dukshëm nga ana e Martyt. Edhe e drejta e shqiptarëve për t'u fyer do të ishte shumëfish më e madhe se e zviceranëve.
"Krahasimi është i dhunshëm dhe fyes për politikanët zviceranë: nëpërmjet një interviste në Tages-Anzeiger, kryeministri kosovar Hashim Thaçi pohon se raporti i senatori të PLR Dick Marty për heqjen e organeve të të burgosurve serbë është shkruar në stilin e Jozef Gebelsit, ministrit të Propagandës të Rajhut III." Kështu e fillon shkrimin e saj "Le Matin". Dhe pastaj rendit opinionet, disa më të zemëruara, disa më të përmbajtura të politikanëve zviceranë, kryefjalë e të cilave është se "kjo vërejtje është e papranueshme". Në një qëndrim të kundërt me politikanët, avokati Leonard Bender, shprehet ndërkaq se "Problemi është se opinionet janë bazuar në një raport parlamentar, dhe jo një vendim gjyqësor. Kur Dick Marty akuzoi Hashim Thaçin të jetë i përfshirë në trafikimin e organeve të organizuar nga lufta në Kosovë, ai shkon përtej mandatit që i është besuar nga Këshilli i Evropës?"
Vërejtja e Thaçit ndaj Martyt duket se është përjetuar si hard nga ana e të pyeturve prej "Le Matin". Krahasimin e punës së Martyt me atë të Gebelsit, e ka quajtur nervozuese Yvan Perrin i Partisë Popullore Zvicerane (SVP): "Këto komente janë tregues të një karakteri të egër të neveritshëm. " Por as cilësimi "bos mafioz" i trafikimit të organeve nuk është për t'u përjetuar ndopak soft nga ana e shqiptarëve. Dihet se shqiptarët dhe zviceranët janë dy kombe që e njohin mirë njëri tjetrin. Kështu shqiptarët e dinë se ku iu djeg më shumë zviceranëve. Dhe kjo shihet edhe në intervistën e Thaçit. Zviceranët e dinë se ku iu djeg më shumë shqiptarëve. Dhe kjo shihet qartë në raportin precedent të Martyt.
 
Që raporti i Martyt nuk do të kalonte pa i prekur, përkatësisht lënduar marrëdhëniet Kosovë-Zvicër dhe marrëdhëniet shqiptaro-zvicerane në përgjithësi, kjo u pa qysh në ditët e para pas publikimit të tij. Çmimi i mirënjohjes, akorduar nga shqiptarët e Zvicrës, shefes së diplomacisë zvicerane Micheline Calmy-Rei, data, ora dhe vendi i dorëzimit të të cilit ishte shpallur publikisht në mediat, u la për një moment më të përshtatshëm të mëvonshëm. Parlamentarë zviceranë, sigurisht dashamirës edhe të zonjës Rei, e këshilluan atë të mos e dobësonte më tej pozitën e saj si ministre e Jashtme dhe si presidente e Konfederatës, e zgjedhur me një nga rezultatet më të ngushta në historinë moderne të vendit, po ashtu me tregues të sondazheve jo të kënaqshme.
Është hera e tretë që marrëdhëniet shqiptaro-zvicerane njohin situata jo të dëshirueshme. Në të tria herët situatat lindin në kuadrin e veprimtarisë ndërkombëtare zvicerane. Herën e parë ishte Flavio Cotti ai që përplasej me Tiranën zyrtare më 1996, kur Zvicra ishte kryesuese e radhës e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian dhe OSBE do të kishte rolin që dihet në ngjarjet që pasuan në Shqipëri. Ministri i Jashtëm dhe dy herë presidenti i Konfederatës ishte nga Zvicra italiane. Herën e dytë ishte Clara del Ponte, ish kryeprokurore zvicerane dhe ish kryeprokurore e Hagës, edhe ajo nga Zvicra italiane, me librin e saj "Gjuetia - unë dhe kriminelët e luftës", prej nga zë fill edhe hera e tretë, kjo e Dick Martyt, edhe ky nga Zvicra italiane, ish prokuror publik i kantonit Tiçino.
Duke e kthyer në gjuhën amtare të të treve, mund të themi se përgjigja e Thaçit ndaj Martyt ishte një "risposta pagata", një përgjigje e kryeministrit të Kosovës e parapaguar nga senatori i Zvicrës. Një përgjigje ndaj një akuze "non una cosa da poco", ndaj një akuze jo hiçmosgjë.
Në qoftë se herën e parë opinioni shqiptar ishte i pështjelluar, herën e dytë ishte i mëdyshur, herën e tretë është pothuajse i njëzëshëm në qëndrimet e tij ndaj Dick Martyt. Ka të ngjarë kështu që të mos mbetet penë shqiptare pa u ngjyer në këtë temë. Përfshirë edhe autorin e këtyre radhëve, pa ndonjë lidhje shpirtërore apo simpatie kushedi ndaj politikës aktuale në Tiranë ose në Prishtinë. Në lojë kësaj radhe janë ndjenja të përjetuara në rang kombëtar. Dhe ka të ngjarë se edhe shumë pena zvicerane do të ngjyhen pikërisht në këtë temë. Megjithatë emërues i përbashkët është se asnjëherë precedentin nuk e krijon dikush nga shqiptarët, qoftë në Prishtinë, Tiranë apo diku tjetër.
Tek "Le Matin" ka nga të pyeturit që përgjigjen me zemërim, ka nga ata që druajnë se intervista e Thaçit do të ndikojë në marrëdhëniet mes Zvicrës dhe Kosovës, ka zëra racionalë që kujtojnë se Zvicra ka dhënë ndihmesën e saj dhe e ka mbajtur qëndrimin e saj objektiv ndaj çështjes së Kosovës, ka nga ata që iu japin rëndësi marrëdhënieve mes dy vendeve. Ndërsa qëndrimi konstant i Departamentit Federal të Punëve të Jashtme është se marrëdhëniet midis Kosovës dhe Zvicrës mbeten shumë të mira. Nuk mund të jetë ndryshe, kur dihet se Zvicra, në një masë të konsiderueshme është Kosovë, ndërsa Kosova, në një masë të konsiderueshme, është Zvicër.