Në hyrje mund të themi se procesi zgjedhor aktual ishte një proces me shtërzime të mëdha. Fauna, në këtë rast, politika që shtërzen shumë rrjedhimisht i nxjerr këlyshët çyryk.
Tash dihen deputetët e Kuvendit të ri të Kosovës. Çka të bie në sy menjëherë është se shumica shqiptare, anpise përbën 95 për qind (%) të popullsisë së vendit, përfaqësohet në këtë institucion me vetëm 95 deputetë, pra në rreth 79 për qind (%) të përbërjes, ndërsa pakicat, anipse përbëjnë vetëm 5 për qind (%) të popullsisë së vendit, përfaqësohen me 21 për qind (%) të përbërjes.
Kjo praktikë është trashëgimi e periudhës së protektoratit zyrtar ndërkombëtar. Kjo traditë, nëse vazhdon, do të jetë tejet gjymtuese për institucionet dhe për shtetin e Kosovës. Në protektoratin e ri të pas zyrtarizimit të pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës, do të ishte e domosdoshme që Kosova të gjejë një model tjetër përfaqësimi të pakicave, një model që të jetë sa më i përparuar, por larg përmasave të tilla. Mund të gjendet, ta zemë, një zgjidhje ku, nëse një deputet i shumicës prodhohet nga 10 000 (dhjetë mijë) vota, një deputet i pakicave të prodhohet nga 5 000 (pesë mijë) vota, pra dyfishin, por jo katërfishin si deri tash.
S'e di sa do të jenë këmbëngulëse në këtë drejtim vet institucionet e vendit, nisur edhe nga koniunkturat aktuale e ato të pritshme jo aq të hapësirshme për to. Por mendoj se këtu do të ketë vend shumë shoqëria civile, përkatësisht lëvizjet qytetare.
Në përbërjen e Kuvendit të ri të Kosovës janë katër ish kryeministra: dy nga radhët e PDK-së (nga do të jetë edhe kryeministri i rimandatuar), një nga radhët e AAK-së (Ramush Haradinaj) dhe një nga radhët e AKR-së (Agim Çeku). Nuk arrin të kualifikohet ndërkohë ish kryeministri Bajram Kosumi. Do të jenë të paktën 12 ish ministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë të këtij rangu nga radhët e PDK-së, do të jenë nja gjashtë të tillë nga radhët e LDK-së. Në AAK janë nja tre të tillë. Nuk arrin të kualifikohet ish nënkryetari i Kuvendit Naim Maloku. Në AKR janë tre të tillë. Nga partitë që nuk hyjnë në parlament, mbetet jashtë Kuvendit ish kryetari Nexhat Daci. Rreth dy të tretat e Kuvendit, nga ana tjetër, vijnë për të disatën herë në përbërjen e re. Do të jetë e natyrshme që këta ish kryeministra, ish ministra, ish zyrtarë të lartë dhe deputetë të jenë ndër më të parapëlqyerit në kreun e institucioneve të reja dhe në përbërjen e Qeverisë.
Për herë të parë janë në përbërje të Kuvendit të ri të gjithë deputetët e Lëvizjes së Vetëvendosjes, pra 14 të tillë. Pjesën tjetër të deputetëve të tillë, pra të rinj në përbërjen e Kuvendit, e përbëjnë ata nga partitë e tjera. Tridhjetë për qind (30%) të Kuvendit e përbëjnë femrat. Nga ato nja dy a tri prej PDK-së, nja dy prej LDK-së, një prej AKR-së kanë qenë ministre. Freskimi i Kuvendit me elementin femëror dhe me elementin e ri, pra, pritet të mos jetë aq përmbajtësor, por më shumë sipërfaqësor, pjesë e fizionomisë së jashtme të institucionit. Por ato mund të thirren në poste të larta institucionale në politikë, shtet, qeveri, diplomaci e tjerë. Dhe të krijojnë bazë për një hop të ri të përfaqësimit të femrës në shifra më të larta në përbërjet e tjera të Kuvendit të Kosovës.
Do të ketë në Kuvend edhe disa nga figurat nën hetim, ndër to rasti i kryetarit të AAK-së dhe ish kryeministër i Kosovës. Do të jenë edhe disa nga ish figurat e SHIK-ut, pra Shërbimit Informativ të Kosovës.
Nga votimet, vetëm katër a pesë figura rezultojnë të jenë të përmasave kombëtare, pra të votuara në mbarë Kosovën. Të tjerët mbetën të vonuar vetëm në vendlindjet e tyre ose rreth e rrotull tyre.
Spikatën ndërkohë sërish edhe bastionet e partive, si Dukagjini për AAK-në, Drenica e ndonjë zonë tjetër për PDK-në, Llapi e ndonjë zonë tjetër për LDK-në.
Risi e shëndetëshme për Kuvendin e Kosovës do të jetë roli i Lëvizjes së Vetëvendosjes. Nëse ajo do të arrijë ta përshtatë fizionominë e vet qytetare brenda institucioneve, atëherë do të jetë e suksesshme. Dhe do të jetë frymëzuese edhe për lëvizjet e tjera qytetare, ato aktuale e ato të reja.
Ndërsa risia më e shëndetëshme do të ishte rreshtimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës në opozitë. Një ndërthurje e vetëdijshme mes saj dhe Lëvizjes së Vetëvendosjes do të krijonte një opozitë të fuqishme, tejet imponuese në reformimin e krejt sistemit politik në Kosovë. Dhe, bashkë me faktorë të rinj të sapoardhur në vitet e ardhshme të afërta, do të mund të korrnin sukses shembullor në zgjedhjet e ardhshme e të merrnin në dorë me vetësiguri të plotë pushtetin.
Pjesëmarrja e qytetarëve në votime ishte më e mirë se dy herët e mëparshme, por nuk ishte e pritshmja. Duket se qytetarët janë të vetëdijshëm se, sa më shumë votues, aq më shumë do të kishte objekt për sqepat dhe nofullat e shpendve dhe gjësë tjetër grabiqare të politikës e sidomos të parapolitikës.
(Botuar në Bota Sot më 1 shkurt 2011)
PËRSHPIRTNI NAZMI LUKAJT, MIKUT DHE KOLEGUT
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
21 JANARI NË RADARIN E JASHTËM MEDIATIK
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
NJË VERSION I NËNTËDHJETESHTATËS
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
BAJRAKU NË ÇARSHI OSE POLITIKA NË ANKAND
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ