Ishin tri lloje delegacionesh të BE-së që vizituan Kosovën ditëve të kaluara. Në vizitë në këtë "territor", të cilin BE-ja nuk e trajton si shtet, ishte presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, me komisionerin e Zgjerimit, Stefan Fule. Ishte më vonë edhe përfaqësuesja e lartë, Catherine Ashton. Në vizitë ishte edhe një delegacion i Parlamentit Evropian. Zakonisht pas vizitave të tilla, kur ata kthehen në Bruksel, sikur pas çdo "haxhillëku", shkëmbehen përshtypjet nga rrugëtimi, nga takimet, nga ajo çfarë panë dhe dëgjuan. Disa "vizitorë" pranuan se as vetë nuk ishin në gjendje t'u jepnin kosovarëve përgjigje në disa pyetje konkrete që kishin. Pranuan se shpesh ishin të detyruar të përsërisin, sidomos në publik, fraza të thata të tipit "edhe Kosova, si i tërë rajoni, ka perspektivë evropiane" pas së cilave hasën në përgjigjen e kosovarëve se "integrimet e Kosovës në BE nuk kanë alternativë". Ajo që ishte pothuajse unanime, sidomos në mesin e deputetëve të Parlamentit Evropian, ishte impresioni i tyre me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe me liderin e lëvizjes "Vetëvendosje", që shumë prej tyre edhe në Bruksel tashmë e shohin si "lider i opozitës", Albin Kurti.
"Albin Kurti ka teori me të cilat është vështirë të pajtohesh. Por kur dëgjon se si i argumenton, atëherë fillon të mendosh mirë. Presidentja na ka lënë përshtypje shumë të mirë, nuk kemi mbajtur mend ndonjë porosi të saj, por ishte shumë e sjellshme dhe atë duhet dërguar më shumë nëpër vizita për ta përmirësuar imazhin e Kosovës". Këto janë ndër përshtypjet më të shpeshta që dëgjohen në Bruksel nga disa zyrtarë evropianë, të cilët ditëve të fundit kishin vizituar Kosovën. Si u bë që tash evropianët të "impresionohen" me liderin e "Vetëvendosjes" për të cilin thoshin se nuk do ta takojnë kurrë, dhe me një presidente të caktuar e të imponuar, jo të zgjedhur. Kjo është një çështje për të cilën duhet të mendojnë edhe liderët e tjerë "shumëvjeçarë" të Kosovës të cilët, siç duket, u janë bërë bajat edhe evropianeve.
Për presidenten Jahjaga mund të jenë tri arsye pse ishin "të impresionuar". E para, është fakti se askush prej tyre kurrë në jetën e tyre nuk e kishin dëgjuar emrin e kësaj zonje, derisa e panë në media se ajo është presidente e re e Kosovës. Pra, ata kishin një kureshtje të madhe për ta takuar dhe takimet e para janë gjithmonë më mbresëlënëse. E dyta, është se atë e ndjek fati i pothuajse të gjithë presidentëve me pushtet shumë të kufizuar. Në Kroaci, Shqipëri, Maqedoni dhe shumë vende të tjera, ku presidenti nuk ka ndonjë pushtet, presidentët janë edhe politikanët më të popullarizuar. Sa më pak që flasin, sa më pak që bëjnë, aq më të popullarizuar janë. Dhe së treti, evropianët shpesh janë mësuar nga mikpritësit në Ballkan të flasin shumë dhe të jenë nganjëherë edhe arrogantë, ndërsa presidentja e Kosovës i kishte impresionuar me mirësjelljen e saj. Por në pyetjet tona se çka konkretisht mund të veçojnë nga takimi me presidenten, çka i shtyri ajo që të mendojnë, askujt nuk iu kujtua diçka. "Ajo ishte shumë e sjellshme, kishte këshilltarë shumë të mirë, takimi ishte shumë i përzemërt. Madje do të ishte mirë që ajo sa më shpesh të shkojë nëpër vizita nëpër botë për ta përmirësuar imazhin e Kosovës", thonë disa prej evropianëve që ishin në Kosovë.
Për ta ka pak rëndësi se çfarë bën dhe çfarë thotë presidentja. Nuk ka më shumë rëndësi as vërejtja e tyre e para disa muajsh se "në Kosovë presidentja është caktuar nga ambasadori amerikan dhe nuk është zgjedhur nga populli". Tash evropianët mendojnë se ndoshta edhe nuk është keq që deri tani e panjohura për ta, Atifete Jahjaga, ishte caktuar nga ambasadori amerikan në Kosovë të jetë presidente e Republikës, dhe kur është caktuar nga Amerika ec e guxo e mos e voto në Kuvend. Privatisht, disa zyrtarë të BE-së, që kishin vizituar Kosovën, thoshin se "vërtet në rastin e Kosovës është e rëndësishme jo vetëm kush është, por edhe kush nuk është në ndonjë post".
Por a i mjafton Kosovës në këto momente të vështira një udhëheqëse, e cila vetëm lë përshtypje të mirë me mirësjelljen e saj. Jo, sepse Kosova ka nevojë për të depërtuar në skenën ndërkombëtare. E vizita e parë e rëndësishme e zonjës Jahjaga, (flasin për vizitë zyrtare nëse besojmë se ajo në Tetovë e Shkup ishte private-edhe pse është për t'u habitur se si në vizitë private i kishte me vete këshilltarët e saj e jo bashkëshortin!), ajo në Varshavë nuk na jep shumë optimizëm se presidentja do të dijë ta shfrytëzojë rastin e të bëjë diçka për Kosovën. Ajo, aq sa është raportuar nga fjalimet e saja, ka folur gjëra të cilat janë shumë periferike dhe nuk kanë lidhje me aktualitetin në Kosovë. Për shembull, në darkë ka folur për Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe Ligjin e Sheriatit. Ka thënë edhe disa gjëra që vështirë se mund të jenë të vërteta. Për shembull, ka thënë se zgjedhjet në Kosovë janë vlerësuar nga vëzhguesit vendës dhe të huaj si zgjedhje sipas standardeve ndërkombëtare. Nuk e dimë se për cilat zgjedhje e ka fjalën, sepse këto të fundit në Kosovë nga vëzhguesit e Parlamentit Evropian janë quajtur si "zgjedhje me parregullsi dhe manipulime të mëdha", ndërsa nga vëzhguesit vendës edhe më zi. Ajo ka thënë se në Kosovë me vite ka pasur "qeverisje të mirë". Ndoshta kanë filluar të tregojnë barsoleta në darkë dhe këtë e ka thënë me ironi. Vetë këshilltari i tashëm i presidentes, Ilir Deda, e ka quajtur Qeverinë e mëparshme të Kosovës si "ndërmarrje e bashkuar kriminale" dhe një ish policë nuk do të duhej ta quante një "ndërmarrje" të tillë si "qeverisje e mirë". Edhe ndalja e saj në zbërthimin e situatës në vendet e Afrikës dhe Azisë, ku qytetarët po rrëzojnë dinasti dhe regjime diktatoriale, janë humbje e minutave të vlefshëm që ka mundur t'i shfrytëzojë për të folur për problemet e vërteta që ka Kosova. Por është vizita e parë dhe në të ardhmen edhe mund të përmirësohet. E siç duket, ajo po i impresionon aq shumë zyrtarët e huaj, saqë do të ftohet gjithnjë e më shumë nëpër vizita jashtë vendit. Në të ardhmen ato do të duhej t'i shfrytëzonte më mirë.
Çfarë të thuhet për Albin Kurtin. Ai, nëse e thonë të vërtetën parlamentarët evropianë, i kishte lënë pa fjalë shumë prej tyre. "Ne kishim paragjykime për të, sepse na thoshin më parë se ai është një antievropian", thoshte një deputet, për të pranuar se asnjëherë deri më tash nga ndonjë bashkëbisedues në Kosovë nuk kanë dëgjuar argumentime më të mira për çështjet të cilat janë në shikim të parë të papranueshme. Asnjërit prej bashkëbiseduesve Kurti nuk ia kishte ndryshuar mendjen as për të drejtën e Kosovës në vetëvendosje e as për bashkim kombëtar. Por kishte dëshmuar se nuk është ksenofob e as antievropian. Imazhi i një "antievropiani" Kurtit i ishte ngjitur pas protestave të "Vetëvendosjes", kur ishin djegur vetura të misionit të BE-së. "Si mund të jetë ai i pranueshëm për ne, kur ata na i kanë djegur veturat e BE-së", thoshte një diplomat. Por kur i thamë se "si mund të bisedojnë me të gjithë politikanët në Beograd, kur ata ua kanë djegur edhe ambasadat, në shkurt të vitit 2008", mbetën pa fjalë. Pa dashur t'i dalim në mbrojtje Albin Kurtit apo të përmirësojmë kredencialet e tij para BE-së, për Kosovën është e papranueshme që në Bruksel të jenë të mirëpritur Ivica Daçiq (ish-bashkëpunëtori kryesor i Milosheviqit) dhe Tomislav Nikoliq, ndërsa Albin Kurti të konsiderohet si "totalisht i papranueshëm".
Por edhe Albin Kurti duhet të nxjerrë mësime nga e kaluara. Në Evropën Perëndimore tash thonë se është mirë se ai ka hyrë në politikë sepse, mendojnë "hyrja në politikë dhe në institucione do ta kultivojë dhe do ta dijë se ku është kufiri i shprehjes së pakënaqësisë".
Albin Kurti dhe Atifete Jahjaga duket të jenë persona me karakter dhe botëkuptime jo shumë të ngjashme. Por ata tash po shihen nga jashtë si freski në Kosovë, si alternativë e inercionit në skenën politike të Kosovës, ku nuk ka pasur ndryshime të mëdha. "Vetëvendosja" është e vetmja parti politike në Kuvendin e Kosovës, e cila kurrë nuk ka qenë në pushtet. Presidentja Jahjaga dhe ekipi i këshilltarëve të saj janë një ekip që, me përjashtim të saj, ka qenë gjithmonë kritik ndaj pushtetit. Por mundësitë e tyre për të ndryshuar diçka në Kosovë, diçka më shumë sesa përmirësimi i kufizuar imazhit, ende duken të vogla. Paramendojeni se çfarë paragjykimesh mund të kenë evropianët për Kosovën nëse një mirësjellje e presidentes u lë aq shumë përshtypje.
(http://www.koha.net)