Ka njerëz që hyjnë në një garë për të fituar. Ka njerëz që hyjnë në një garë edhe për të humbur, në mënyrë që me shembull personal ta dëshmojnë fuqinë e personalitetit të tyre. Edi Rama nuk synon asnjërën prej të dyjave.
Me fitoren e tij për Bashkinë e Tiranës ai synon ta fusë vendin në zgjedhje të parakohshme. Humbja e tij është gjithashtu një pretekst i mjaftueshëm që kjo të ndodhë. Meqë zgjedhjet u quajtën një sukses dhe sistemi funksionoi, Edi Rama tani kërkon të rrëzojë sistemin. Me çdo mjet. Me çdo rrugë. Përmes së vetmes rrugë...
E Vetmja Rrugë apo i Vetmi Burrë?
Nuk kam dashur të prononcohem gjatë fushatës në favor të asnjërit kandidat për Tiranën, edhe pse si njohës i marrëdhënieve publike, fushata e socialistëve më grishte për të folur. Edi Rama është shfaqur tej e mbanë në posterat e tij, i "zgërdhirë" ëmbël (elementi i joshjes si element peri-erotik) dhe i përndjekur nga një rresht grash, të të gjitha moshave.
Mesazhi i posterit ishte "E Vetmja Rrugë", por mesazhi i imazhit ishte "I vetmi Burrë". Në rreshtin e grave pas Ramës mund të shihje simbolikisht aleatët e tij, të rinj e të vjetër, mund të shihje arradhën e drejtuesve të Partisë Socialiste... mund të gjeje Braçen e Taulant Ballën tek ato gratë pas tij, mund të lexoje Gjinushin apo Ndokën, Ngjelën pa diskutim...
Sepse slogani i Edi Ramës për publikun (e paragjykuar si maskilist) shqiptar ishte "Unë jam i Vetmi Burrë". Si personazh i një filmi limonadë, ai u shfaq në atë poster (mesazhi subliminal) në figurën e një burri fatlum, që gratë duhet ta dëshirojnë, dhe burrat ta kenë zili. Partia e tij Socialiste, më shumë se si formacion politik, shpërfaqej në atë promocion si Haremi i tij politik.
Problemet e perceptimit maskilist të Edi Ramës janë shpërfaqur edhe në dy fushata lokale më përpara, kur ai eksperimentoi për herë të parë shkatërrimin e kushteve normale të jetës në Tiranë, si mënyrë për të dëshmuar "se po punon shumë për popullin". Në fakt, ai përdori aksiomën e ish-diktatorit Hoxha që thoshte "këtire, po nuk ua bëre nënën, nuk të njohin për baba"...
Me prishjen masive të rrugëve, hapjen e kanaleve vend e pa vend, pluhurin e tmerrshëm të korrikut etj., Edi Rama testoi një model komunikimi simbolik. Sot prishja e sheshit, shkatërrimi i trafikut, ndotja e tmerrshme e ajrit etj., janë pjesë e të njëjtit skenar të testuar të komunikimit të tij politik.
"I Vetmi Burrë" na kërkoi përsëri ta njohim për Baba. Duke qenë se kjo nuk funksionoi plotësisht, tani "babait në tentativë" i mbeti veç të marrë drunë... Këtë e shpjegon më së miri slogani i linjës së parë, të përdorur në fushatë.
"E Vetmja Rrugë" i referohet qartazi metodologjisë politike, dhe jo përpjekjes për unifikim të elektoratit të majtë. Rruga revolucionare - që shpërfaqi me deklaratat antikushtetuese Ruçi e Braçe, që dëshmuan me trupa dhe militantë këtë javë garda revolucionare e deputetëve maoistë, të cilët tentuan të hyjnë në KQZ, është rruga e vetme e një grupimi para-politik, që ndan interesa tregu dhe që bashkohet vetëm formalisht në sjellje, me liderin e saj Çe Ge Rama.
Fitorja si Humbje
Të dyja palët besojnë se kanë fituar në këto zgjedhje. Në fakt kështu është. Në Shqipëri u dëshmua se mund të mbahen zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe përtej taktikave fëminore të partive për të vonuar tek-tuk procesin e numërimit të votave, rezultati ishte i pranueshëm dhe i besueshëm për të gjitha palët.
Deklaratat e Edi Ramës për mosnjohje rezultati në rast se ai nuk shpallej fitues ishin minat e para kundër besueshmërisë së zgjedhjeve. Deklaratat e socialistëve për fitore pa nisur procesi i numërimit ishin vijim i bombardimit ideologjik të një procesi administrativ banal. Të dyja këto qasje u tejkaluan kur Rama lexoi fitoren në rrethe dhe kur Berisha lexoi fitoren e votës popullore. Palët kishin shans të ruanin pozitat e mëparshme, duke qenë të dyja në pushtet dhe të dyja në një opozitë konstruktive. Vetëm një konstante u prish në këtë formulë: fati i karriges së Edi Ramës.
Me mendje të kthjellët, Edi Rama mund të pranojë edhe arsyetimin se Berisha ka nevojë të marrë pozitat aktuale të Partisë Socialiste dhe të bëhet gati për të dalë në opozitë në vitin 2013. Basha në krye të bashkisë dhe një PD në opozitë do të prodhonin një panoramë të njohur për shqiptarët, një rotacion dinjitoz, nëse kjo shkruhet me vota.
Humbja e Edi Ramës në Bashki, në këtë rast, nuk do të ishte një humbje. Ajo do të shënonte fillimin e një fitoreje për socialistët. Po ashtu kjo ngjarje do të niste numërimin e kohës së domosdoshme që i duhet Ramës për të përgatitur socialistët për të ardhur në pushtet. Por a i interesojnë socialistët Edi Ramës? Unë këtë e dyshoj. Atij nuk i hyjnë në xhep as socialistët dhe as loja e pushtetit. Çe Ge Ramës i intereson vetëm destabiliteti.
Atij i intereson neutralizimi i prokurorisë në terma afat-gjatë (një negociatë e vjetër e mbetur hapur), i intereson kontrolli mbi sistemin gjyqësor (një negociatë pak më e re, që ka cenuar jo pak institucione deri më tani), atij i intereson mbajtja edhe pak kohë e Berishës në pushtet, për të justifikuar arsyet pse ai duhet të jetë në krye të PS-së.
Por PS-ja për Çe Ge Ramën është mjeti, jo qëllimi.
Personalisht as mua nuk më intereson kush e ka fituar karrigen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Ka dy mandate që Bashkia nuk ka Kryetar dhe prej kohësh Bashkia e ka marrë "të vetmen rrugë"... Mua më intereson stabiliteti institucional dhe kushtetues i këtij vendi, si mjedisi që garanton jetën, pronën dhe të ardhmen time, atë të familjes sime, të punës dhe aspiratave të mia shoqërore. Edi Rama, fitues apo humbës, është dhe mbetet një fenomen i përkohshëm. Institucionet duhet të jetojnë edhe pasi ai, Çe Ge Rama, të mos jetë më mes nesh.
Unë nuk e pranoj legjitimitetin që prodhon dhuna. Unë nuk e pranoj heshtjen institucionale që prodhon legjitimim të dhunës dhe përsëritje të saj. Presidenti i Republikës duhej ta kishte thirrur qysh dje mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për të vlerësuar situatën dhe për të dalë me vendimet e duhura. Prokuroria duhej të kishte thirrur prej ditësh disa njerëz, që përpara dhe gjatë zgjedhjeve prodhuan tensione dhe provokuan ngjarje antikushtetuese.
Kur kjo nuk ndodhi për 21 Janarin, e vështirë të ndodhë tani. Unë gjithsesi mbetem besëplotë se z. Topi do ta rimarrë veten kur të ketë dalë nga Presidenca dhe të vendosë se me cilën parti do të bashkohet. Deri atëherë në Shqipëri do të ketë ndodhur një rikonfigurim politik, ndoshta i thellë.
E rëndësishme është se Rama dhe shpura e tij para-politike po përpiqen që fitoren e të gjithëve nga këto zgjedhje ta shndërrojnë në një humbje të të gjithëve. Kjo është shoqërisht kriminale, politikisht jo-legjitime (jo morale), kombëtarisht e papranueshme dhe individualisht e dënueshme. Ligjërisht gjithsecili përgjigjet për atë që bën.
Vizita e paralajmëruar e z. Barroso dhe komisionerit për zgjerim, Fule, është edhe arsyeja e kalimit, menjëherë dhe pa dilema - të Çe Ge Ramës dhe strukturave të tij drejt dhunës fizike. Përballë të gjithë presionit ndërkombëtar euro-atlantik për të respektuar integritetin e institucioneve dhe për t'i kërkuar zgjidhjet brenda tyre, unë nuk besoj se Çe Ge Rama ka arsye të ndalet. I mbetet atij të tregojë se kush janë Frymëzuesit e tij, që sipas meje janë të padukshëm dhe falë rrethanave, edhe të parefuzueshëm për të. Ai është thjesht instrumenti i tyre, i vetmi burrë që ata gjetën, i kapur mirë atje ku duhet dhe që tani ata po e përdorin po aq mirë...
Edi Rama realisht rrezikon që të jetë humbësi i vetëm i këtyre zgjedhjeve, nëse ai nuk ndryshon strategji, nuk heq dorë nga "e vetmja rrugë" dhe nuk çliron të vetmin burrë që ka nën kontroll nga kthetrat e padukshme që e mbajnë peng të dhunës dhe të interesave të papërgjegjshme, larg tij dhe fatit të socialistëve shqiptarë.