Ish Guvernatori i shtetit Masaçusets, Zoti Mit Romni fitoi me një numër të vogël votash ndaj kundërshtarëve të tij të partisë republikane në zgjedhjet e paraprake në shtetin Aiova, të Martën që kaloi. Kandidatëve të partisë republikane, pas disa muaj debatesh në televizion, më në fund u erdhi rasti që të përballen drejtpërdrejt me votuesit e parë të partisë së tyre në Aiova. Për ata që nuk janë të njohur me sistemin amerikan të emërimit të presidentit, këto zgjedhje paraprake që filluan të martën në shtetin Aiova, dhe do të mbahen në çdo shtet të Amerikës deri në fund të Qershorit, zhvillohen për të zgjedhur kandidatin për president të partisë republikane nga një numër kandidatësh, i cili do të përballet me presidentin Obama të partisë demokrate (i cili nuk ka ndonjë kundërshtar nga radhët e partisë së tij), në zgjedhjet e përgjithshme për president të Shteteve të Bashkuara, në Nëntor të këtij viti. Votuesit republikanë, anembanë vendit, gjatë disa muajve të ardhshëm, do të votojnë për të zgjedhur kandidatin më të mirë, që sipas tyre, do të jetë i zoti të mundë Presidentin Obama në zgjedhjet e përgjithshme në Nëntor. Zoti Obama nuk kishte ndonjë kundërshtar nga radhët e partisë së tij në Aiova, por përballet me një gjendje të vështirë ekonomike dhe fushata e përgjithshme në Vjeshtë kundër kandidatit republikan nuk do të jetë e lehtë për të dhe partinë e tij, pasi zgjedhësit amerikanë tentojnë të kërkojnë përgjegjësi për gjëndjen e krijuar ekonomike nën kujdesin e tij.
Mirëpo, votuesit republikanë në Aiova nuk ishin krejtësisht të përcaktuar se cili mund të ishte ky kandidat për ta vënë kundër Zotit Obama, pasi tre prej kandidatëve kryesorë, ish-governatori Mit Romni, ish-Senatori Rick Santorum dhe kongresisti Ron Paul, morën një numër të përafërt votash. Ndonëse është heret të parashikohet përfundimi i fushatës dhe se cili ndër kandidatët e tanishëm do të jetë kandidati i republikanëve kundër demokratit Obama, Zoti Romni fitoi në Aiova, me pak vota më shumë, ("fitorja është fitore"). Ai, sipas ekspertëve është kandidati që ka përvojën politike dhe aftësitë debatuese si dhe një organizatë të fortë anembanë vendit, gjë që është absolutisht nevojshme për të fituar kundër rivalëve të tij republikanë tani dhe më vonë kundër presidentit Obam.
Aiova ishte vetëm fillimi i betejave të ardhshme politike që do të përfundojnë më në fund në luftën e madhe të zgjedhjeve të Nëntorit për president të Amerikës. Nga rezultatet e përafërta të zgjedhjeve paraprake në Aiova, mund të konstatohet se ka mundësi që ky proces të jetë i gjatë. Kundërshtarët republikanë, tani për tani, janë të fokusuar të përcaktojnë ndryshimet në qëndrimet e tyre politike midis njëri tjetrit, por natyrisht mesazhi i tyre i përbashkët është kundër politikave të administratës së Presidentit Obama. Republikanët besojnë se në qoftë se fushata e tyre, Vjeshtën që vjen, kundër administratës së Zotit Obama përqëndrohet në fusha siç janë punësimi, pasiguria ekonomike, menaxhimi i keq financiar dhe deficiti buxhetor, ata do të fitojnë. Por cili është kandidati i tyre që do të artikulojë këto qëndrime më së miri dhe të bindë zgjedhësit amerikanë se ata janë partia që meriton postin e Shtëpisë së Bardhë për katër vjetët e ardhshme dhe të nxjerrin vendin nga këjo amulli ekonomike tepër e stërgjatur. Megjithëse është ende heret, dhe rezultatet në Aiova ndoshta nuk pasqyrojnë se cili më në fund do të jetë kandidati republikan për president, sipas gazetës amerikane, USA Today, shumë ekspertë në radhët e Partisë Republikane mendojnë se pas 18 debateve dhe fushatës së deri tanishme paraprake prej pothuaj një viti, Aiova, në të vërtetë mund të ketë shënuar mbarimin dhe jo fillimin e fushatës për zgjedhjen e kandidatit të Partisë Republikane për president. Gazeta thotë se sipas këtyre ekspertëve të brendshëm të partisë, ky kandidat është Mit Romni.
Shtetet e Bashkuara përballen me sfida jashtzakonisht të mëdha ekonomike e politike --në radhë të parë mbrenda vendit -- por edhe në arenën ndërkombëtare, si rradhë herë në historinë e këtij vendi, ç'prej krizës ekonomike në fillim të shekullit të kaluar dhe Luftës së Dytë Botërore. Vendi ka një nevojë të madhe që këto sfida të përcaktohen dhe të debatohen me seriozitetin dhe pjesëmarrjen më të madhe të publikut. Fushata e këtij viti përbën forumin më të mirë për të zgjedhur personin më të zotin dhe më të kualifikuarin për tu përballur me këto sfida dhe për të zgjidhur problemet me të cilat përballet Amerika dhe bota.
Le të fillojë beteja për fitimin e luftës në Nëntor.