Në komunikimet e saj më të reja gjithnjë e më shumë policia e Kosovës po e largëson veten nga përgjegjësitë e çfarëdoshme ndaj incidenteve të mundshme dhe e ua lë paraprakisht përgjegjësinë organizatorëve të protestës. Policia për këtë përmend se qeveria e Kosovës, presidentja Atifete Jahjaga, autoritetet ndërkombëtare në Kosovë si dhe autoritetet e Shqipërisë i kanë dënuar aksionet e paralajmëruara të Vetëvendosjes që të bllokojë dy pikëkalime kufitare me Serbinë, për të parandaluar futjen e mallrave të Serbisë në Kosovë.
Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, në cilësinë e miqve dhe aleatëve më të ngushtë dhe jetikë të Kosovës i kanë kërkuar Vetëvendosjes të heqë dorë nga plani për bllokimin e dy vendkalimeve kufitare me Serbinë dhe i kanë bërë thirrje që të përmbahet nga çfarëdo akti dhune ose provokimi ndaj policisë së Kosovës.
Kreu i Vetëvendosjes, nga ana e tij, ka deklaruar se kjo "protestë paqësore nuk është kundër serbëve, as kundër serbëve në përgjithësi, e as kundër serbëve të Kosovës në veçanti, përkundrazi ne serbët e Kosovës i konsiderojmë qytetarë të barabartë të Republikës së Kosovës dhe protesta jonë paqësore është e drejtuar kundër Serbisë e cila prej Kushtetutës së saj ku shkruan që Kosova është pjesë e Serbisë e deri te deklaratat e qëndrimet dhe sjellja e nëpunësit apo zyrtarit më të ultë shtetërorë ka qëndrime kundër pavarësisë së Kosovës dhe plane anti-shqiptare".
Fakti është se në protestën e pritshme Vetëvendosja nuk do të jetë përballë Serbisë, do të jetë vetëm e thjesht përballë policisë së Kosovës. Kjo e fundit është e vendosur të mos lejojë kurrsesi bllokimin e vendkalimeve të Merdarës dhe të Dheut të Bardhë dhe pengimin e kalimit të mallrave të Serbisë në Kosovë. Ambasadat e vendeve mike dhe aleate e vënë theksin tek mundësia e provokimeve nga ana e Vetëvendosjes ndaj policisë së Kosovës.
Nga radhët e Vetëvendosjes mund të ketë elementë të pakontrollueshëm dhe çfarëdo veprimi i këtyre do t'i jepte dorë policisë së Kosovës për kundërveprime, ndoshta edhe të shpërpjesëtuara. Edhe nga radhët e policisë së Kosovës nuk përjashtohet që të ketë elementë të politizuar dhe të bëjnë ata provokime ndaj protestuesve, duke e ditur se çmimin do ta paguajë Lëvizja Vetëvendosje. Tek konstatimi i ambasadave se provokime mund të ketë e ndjej edhe shqetësimin se provokimet mund të vijnë ndoshta edhe nga të politizuarit në radhët e policisë së Kosovës.
Në rrafsh më të gjerë ndihet dëshira e pushtetarëve për ta kapitalizuar politikisht protestën në dobi të vet dhe në dëm të kundërshtarëve politikë, pa u mërzitur shumë sa dëmtohet Kosova nga mosadministrimi i duhur i protestës apo sa dëmtohet Kosova nga vazhdimi i moszbatimit të reciprocitetit. Krerët e Vetëvendosjes kanë shpallur se protesta bëhet për shkak se qeveria nuk e ka realizuar vendimin e parlamentit për masa të reciprocitetit ndaj Serbisë. Qeveria, pra, nuk dëshiron kurrsesi që të shpaloset e vërteta për shkallën e mahnitshme të shkeljes së reciprocitetit nga ana e Serbisë. Pra, nuk dëshiron që të ketë dëshmitarë se sa kamionë me mallra, të të cilëve tonazhe dhe të të cilave vlera kalojnë brenda një dite nga Kosova në Serbi, si dhe në çfarë përpjesëtimi qëndron zbatimi i reciprocitetit në favor të Serbisë dhe në mosfavor të Kosovës.
Qëllimi më i madh i protestës do të ishte që t'iu hapen sytë edhe atyre që nuk iu janë hapur për të ditur se mbi çfarë padrejtësie gjigante janë vendosur marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës. Sidomos për t'ua hapur sytë më shumë faktorëve drejtpërdrejt më të interesuar për vendosjen e marrëdhënieve ndërfqinjësore shtetërore Kosovë-Serbi mbi bazat e një drejtësie sa më të madhe, pra mbi baza sa më pak diskriminuese ndaj Kosovës. Kështu funksioni i protestës është krejtësisht sensibilizues dhe nuk ka pse të dalë aspak jashtë kufizave të këtij funksioni.
Nëse protesta do të dilte jashtë këtyre kufizave, atëherë përfitimet morale do të shkonin për fqinjen veriore të Kosovës, ndërsa përfitimet politike do të shkonin për pushtetarët e Kosovës. Rrjedhimisht, humbjet morale do të shkonin për Kosovën, ndërsa humbjet politike do të shkonin për forcën opozitare.
Për rrjedhim, politika në fuqi, përkatësisht kreu i politikës në fuqi do ta përdornin protestën për t'i mbyllur hesapet me forcën opozitare dhe me kreun e saj. Ky përfundim është tejet i parashikueshëm në kontekstin e politikës shqiptare gjithandej, ku mbizotëron kultura e etiketimit ekstremist ndaj çdokujt që nuk i përket alternativës tënde dhe ekstremizëm ndaj çdo mendimi apo veprimi të tij. Dhe, në këtë rrafsh, etiketa i mbetet pikërisht atij që ka më pak pushtet, më pak mjete masive të informimit, më pak hapësirë partneriteti me faktorët më ndikues ndërkombëtarë.
Etiketa e ekstremistit apo ekstremizmit në shoqëritë e tjera, përfshirë ato të fqinjëve tanë, tingëllon pothuaj stoli apo mburrje, ndërsa në shoqërinë tonë, përkundrazi, tingëllon si damkë. Kush i mban këto epitete është i detyruar të mbajë edhe këmishën e forcës veshur.
Protestat paqësore në shoqëritë demokratike zhvillohen në transparencë të plotë me forcat e rendit dhe të ligjit. Kjo do të thotë që skenarët më të mundshëm dhe skenarët rezervë janë në duart si të organizatorëve edhe të kujdestarëve ligjorë të zhvillimit të protestës. Në këtë transparencë përfshihet edhe dhënia e të dhënave për parandalimin e veprimit të elementëve jo qëllimmirë të infiltruar në protestë. E gjitha bëhet për të mirën e shtetit ligjor, të qetësisë publike, të qytetarisë së shoqërisë. Dhe realizohet kur midis palëve ka mirëkuptim dhe mirëbesim të ndërsjellët. Kështu do të merrnin notën shkëlqyeshëm të dyja palët që përballen në protestë: edhe Vetëvendosja, edhe policia e Kosovës.
©
NJË VIT HARRAKAT
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
HAVELI QË E PATËM, HAVELI QË NUK E PATËM
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
SINOPSIS STINORIT TË SIVJETËM TË ZJARREVE
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
PRESIDENTI BILL KLINTON ËSHTË NJERIU QË MORI VENDIMIN EPOKAL PËR ÇLIRIMIN E KOSOVËS
Ribotohet me rastin e 65 vjetorit të lindjes së presidentit të 42-të të SHBA
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
ZËVENDËSKRYEMINISTËR PËR GJUHËN SHQIPE
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ