Katastrofat natyrore, një ndër to edhe kjo e dy javëve të fundit, janë ndër dukuritë më të trajtuara teologjikisht, filozofikisht dhe shkencërisht. Njëkohësisht, janë ndër më të trajtuarat edhe dëmet krahasimisht të pakëta me dobitë krahasimisht të shumta që sjellin ato.
Dobia kryesore praktike në përditshmërinë e çastit dhe sidomos në përditshmërinë e ardhshmërisë është se katastrofat natyrore vënë, në mënyrën më të saktë dhe vendimtare, në provë veçanërisht infrastrukturën e gjithanshme të një vendi e të një kombi. Në këtë shumë hyn edhe moti i lig i këtyre ditëve i përjetuar edhe në hapësirën shqiptare. Kjo hapësirë është pjesë e gadishullit Ballkan, më parë i keqpërdorur nga komunizmi, pastaj i stërkeqpërdorur nga mafia. I krahasueshëm me gadishullin Apenin, i keqpërdorur nga mafia. Ndërkohë që i gjithë kontinenti është i goditur nga i njëjti mot i lig, më vrazhdë dhe më keq është paraqitur ai pikërisht në Ballkan dhe ne Apenin.
Edhe ato pak infrastruktura të trashëguara nga komunizmi, kuadër i një zhvillimi tejet modest ekonomik, objekt shfrimesh të regjimeve që luftonin për valuta të huaja duke iu vërsulur natyrës, në periudhën e tranzicionit u prishën, u zhdukën, u shpërfytyruan më tej. Prandaj natyra jonë, pranë deteve, e përshkuar nga lumenjtë, me relieve malore, është objekt sa i thatësirave të zgjatura, sa i reshjeve të dendura, sa i zjarreve edhe i përmbytjeve masive, i orteqeve, i erozionit, i rrëshqitjeve masive të fshatrave, të zonave të tëra, anembanë Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës dhe në trevat tona të tjera. Prandaj natyra jonë shndërrohet përherë e më shumë në mallkim për vendin dhe për kombin.
Ka sot vende të zhvilluara ose relativisht të zhvilluara në Evropë apo jashtë saj që karakterizohen nga thatësira të zgjatura, por ku nuk vihet në pikëpyetje asnjë aspekt i jetës së tyre. Ka sot vende alpine, shumëfish më malore se hapësira jonë, por nuk janë nën kërcënim. Ka sot vende që kanë pjesë të konsiderueshme nën nivelin e detit, por nuk rrezikohen as nga detet, as nga oqeanet që janë pranë tyre. Sepse ato vende e kanë ngritur infrastrukturën e tillë që i merr në mbrojtje, që bëhet pjesë e funksionimit ekonomik, që bëhet objekt turistik, pra duke u shndërruar në kapital dobiprurës për vendin.
Bashkëjetesa me kushtet e veçanta natyrore shndërrohet në traditë të kulturës së veçantë të jetesës për këto vende. Tepërimet e natyrës janë shndërruar në thesare të ardhurash dhe përfitimesh, janë shndërruar në perla në aspektin turistik. Dhe, natyrisht, kjo është arritur ditë pas dite, muaj pas muaji, vit pas viti, dekadë pas dekade, shekull pas shekulli. As tek shqiptarët nuk kanë munguar traditat në mbrojtje të çdo plisi, të çdo pëllembe tokë, të çdo druri, të çdo guri, të çdo zalli për t'u përshtatur me natyrën dhe për ta mbajtur natyrën partnere dhe aleate, sa më pak kundërshtare dhe sa më pak kërcënuese.
Tranzicioni ynë i më se dhjetë viteve të fundit të shekullit të kaluar dhe i më se dhjetë viteve të fundit ka çuar sa në braktisje të vendit nga pjesa më e madhe e banorëve të saj, ashtu edhe nga braktisjet e brendshme, duke lënë sa më pak njerëz në fshat, sidomos në male, duke e larguar vëmendjen nga fusha, nga mali, nga breglumenjtë, nga shpatmalet apo rrëzë malet, nga rrugët dytësore apo nga rrugët këmbësore, nga urat, nga elementë të tjerë të pafundëm të jetesës, nga pasuri mijëravjeçare të trashëguara. Si të huaj nga kozmose të tjera tashmë banorët e mbetur iu vërsulen shtretërve të lumenjve, guroreve, pyjeve, kullotave për t'i gllabëruar, për t'i bërë mall tregu në kuadër të pasurimeve sa më të majme dhe sa më të tërbuara.
Katastrofat natyrore tashmë janë bërë të përvitshme, janë bërë të përstinshme, janë bërë gati të përmujashme. Në qoftë se një dimër orteqet bëhen kërcënim për jetën, atëherë merren masa të ngutshme që dimri tjetër të mos sjellë të njëjtën fatkeqësi, nëse përmbytjet ndodhin vjeshtën e sivjetme, merren masa që pasojat të mos jenë të tilla vjeshtën e ardhshme, nëse zjarret ndodhin veren e sivjetme, merren masa që dukuria të mos ketë të njëtat dëme verën e ardhshme. Këto hyjnë ndër masat urgjente, por investimet është e domosdoshme të jenë afatgjata.
Kështu detet nuk do të jenë vërshues dhe gllabërues territoresh, por do të jenë infrastrukturë kryesore e klimës së pastër, e transportit, e turizmit veror. Kështu malet nuk do të jenë burim orteqesh, burim izolimesh, por do të jenë burim i pasurive pyjore, ujore, kullosore, burim i sporteve dimërore, burim i turizmit veror dhe dimëror. Kështu lumenjtë dhe liqenet do të jenë pjesë e domosdoshme e pjesazhit të jetës së përditshme të gjithanshme shqipare, e transportit të brendshëm, e sistemit të ujitjes, sistemit të kullimit, sistemit të hidrocentraleve, e tjerë e tjerë.
Vetëm kështu dukuritë e natyrës, sado të shfrenuara, do të bëheshin pjesë e zbutur, pjesë e kultivuar, pjesë e pazëvendësueshme e përditshmërisë, burim të ardhurash të pafundme, shpalosje e kulturës së jetesës, themel i ekologjisë sonë mjedisore e shpirtërore, thesari më i madh që do t'ua linim brezave të ardhshëm, bekim për vendin dhe kombin.
©
DY FJALË PARA PROTESTËS SË PRITSHME TË VETËVENDOSJES
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
NJË VIT HARRAKAT
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
HAVELI QË E PATËM, HAVELI QË NUK E PATËM
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
SINOPSIS STINORIT TË SIVJETËM TË ZJARREVE
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
PRESIDENTI BILL KLINTON ËSHTË NJERIU QË MORI VENDIMIN EPOKAL PËR ÇLIRIMIN E KOSOVËS
Ribotohet me rastin e 65 vjetorit të lindjes së presidentit të 42-të të SHBA
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
ZËVENDËSKRYEMINISTËR PËR GJUHËN SHQIPE
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ