Nga transmetimi i parë i VOAs në gjermanisht, 70-vjetë më parë
Transmetimi i parë i Zërit të Amerikës, 70-vjet më parë, drejtuar Gjermanisë naziste, vetëm disa javë pas sulmit japonez kundër Amerikës në Havai, përcaktoi tonin dhe karakterin e kësaj radioje me famë botërore për vitet dhe dekadat e ardhshme.Transmetimi i parë i Zërit të Amerikës, me 1 Shkurt, 1942 filloi me këto fjalë:
"˜'Këtu ju flet një zë nga Amerika.'' Transmetimi i parë me valë të shkurta vazhdoi duke u premtuar dëgjuesve se: "Lajmet mund të jenë të mira, ose lajmet mund të jenë të këqija. Ne do t'u themi të vërtetën.''
Sipas një njoftimi të Zërit të Amerikës për median me rastin e 70-vjetorit, Drejtori i 28-të i Zërit të Amerikës, Zoti Dejvid Ensor tha se enti që ai kryeson vazhdon të veprojë dhe të punojë në bazë të atij premtimi, 70-vjetë më parë, duke transmetuar të vërtetën, në mënyrë objektive dhe gjithëpërfshirëse si atëherë dhe sot.
Puna e gazetarëve të Zërit të Amerikës në gjuhë të ndryshme, përfshirë edhe programin në gjuhën shqipe, drejtohet -- mesa di unë si asnjë ent tjetër lajmesh në botë nga një ligj i quajtur Karta e Zërit të Amerikës, një ligj ky që është nënshkruar nga ish-Presdienti Xherald Ford më 1976. Sipas këtij ligji -- "Zëri i Amerikës do të shërbejë pa përjashtim, si një burim i besueshëm dhe autoritativ lajmesh. Lajmet do të jenë të sakta, objektive dhe të gjithanshme. Zëri i Amerikës do të paraqesë Shtetet e Bashkuara në mënyrë të qartë dhe objektive dhe do të paraqesë gjithashtu debate e diskutime të përgjegjëshme të politikës amerikane."
Gazetarët e Zërit të Amerikës varen gjithashtu edhe nga Kodi i Gazetarisë, i cili përcakton standardet dhe praktikat për transmetimin e lajmeve të sakta, objektive si dhe përdorimin e burimeve të ndryshme, për të siguruar se përmbajtja e lajmeve është e saktë, e balancuar nga pikëpamja e mendimeve të ndryshme, si dhe duke paraqitur lajmin në kontekstin e duhur dhe në mënyrë të paanshme. Megjithëse kishte filluar transmetimet më 1942, Zëri i Amerikës hodhi hapa të rëndësishëm për t'u bërë transmetuesi kryesor i lajmeve vetëm gjatë 60-ave dhe 70-ave, ndërkohë që u zgjeruan programet në gjuhë të ndryshme dhe u vendosën qendrat teknike transmetuese për ritransmetim, anembanë botës. U shtuan burimet njerëzore dhe financiare për mbledhjen dhe verifikimin e lajmeve dhe u rrit numri i korrespondentëve që raportonin nga vendi i ngjarjes e nga të gjitha kontinentet e botës. Kur më 1969, astronauti amerikan Neil Armstrong zbriti në Hënë, pothuaj 800 milionë veta, anembanë botës, ndëgjuan këtë lajm historik nga Zëri i Amerikës. Nga pikëpamja teknike, Zëri i Amerikës ishte i pari transmetues ndërkombëtar që më 1977 përdori satelitët për të transmetuar programet nga studiot në Uashington, fillimisht në ishullin Rodos të Greqisë, për programet e Zërit të Amerikës drejtuar Evropës dhe Lindjes së Mesme e më vonë nga vende të tjera strategjike.
Nga pikëpamja programore, megjithëse nuk ka asnjë ent të një madhësie të tillë që nuk bën gabime, Zëri i Amerikës rriti kredibilitetin e tij në sytë e dëgjuesve me transmetimet objektive dhe të paanshëme gjatë dy ngjarjeve që kishin tronditur Shtetet e Bashkuara lufta në Vietnam dhe kriza kushtetutore, e njohur si skandali Uotergejt. Lajmet dhe analizat në lidhje me këto ngjarje jo vetëm që u lavdëruan nga shtypi amerikan i kohës, por edhe nga dhjetëra mijëra dëgjuesë anembanë botës të cilët shkruan letra për të shprehur admirimin e tyre për mbulimin objektiv dhe të gjithanshëm të këtyre ngjarjeve nga Zëri i Amerikës.
Gjatë gjithë periudhës së luftës së ftohtë, programeve të Zërit të Amerikës u bëhej zhurmë nga sovjetikët dhe nga vendet e tjera satelite për të penguar penetrimin e tyre përtej perdes së hekurt. Shqipëria, me sa jam i informuar, nuk është përpjekur t'u bëjë zhurmë programeve të Zërit të Amerikës, pasi si asnjë vend tjetër, regjimi hoxhist kishte në fuqi ligje që dënonin rëndë po të hetohej dikush se dëgjonte Zërin e Amerikës.
Në një përpjekje për të modernizuar programet dhe mjetet teknike transmetuese, në vitin 1983, ish-Presidenti Ronald Reagan rekomandoi një buxhet plan prej më shumë se një miliard dollarësh për modernizimin e Zërit të Amerikës, që ishte pjesë e strategjisë së tij për t'i bërë presion botës komuniste për ndryshime, e që çoi më në fund në rrëzimin e Murit të Berlinit dhe në rënien e komunizimit anembanë Evropës Lindore dhe ish-Bashkimit Sovjetik. Rolin e Zërit të Amerikës në informimin e masave anembanë Evropës gjatë 70 vjetëve të ekzistencës së tij e kanë vlerësuar udhëheqësit amerikanë, si dhe udhëheqës dhe shumë ish-disidentë të njohur evropiano-lindorë, përfshirë Vaclav Havel e Lek Valesa. Por ajo që ka më rëndësi është se programet e këtij enti i kanë vlerësuar dhe i vlerësojnë dëgjuesit dhe shikuesit e rregullt anembanë botës, për objektivitetin dhe paanshmërinë. Lek Valesa ka thënë se nga këto transmetime "ne mësuam se si të mendojmë të pavarur dhe të lirë nga ato që na servireshin nga shtypi zyrtar komunist i kohës."
Edhe seksioni shqip i Zërit të Amerikës është pjesë e pandarë e kësaj tradite dhe historie krenare prej 70-vjetësh. Transmetimet shqip kanë filluar më 1943 për t'u ndërprerë më 1945 dhe kanë rifilluar në vitin 1951 e vazhdojnë sot e kësaj dite. Megjithëse një prej regjimeve komuniste më tronditës dhe më të errët të Evropës dhe botës, as Shqipëria nuk mund të mos prekej nga ndryshimet që kishin përfshirë Evropën nga fundi i 80-ave e fillimi i 90-ave. Nuk besoj se ka ndonjë njeri, brenda dhe jashtë Shqipërisë, që dyshon rolin e Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe gjatë asaj periudhe të zhvillimeve në Shqipëri, dhe rolin e tij më vonë, para, gjatë dhe pas çlirimit të Kosovës, si edhe për informimin e të gjithë shqiptarëve në trojet e tyre dhe anembanë botës. Nga ajo dritare kanë folur udhëheqësit e kombit shqiptarë dhe intelektualët më të dalluar nga të gjitha trojet, pa dallim. Ky grup heroik gazetarësh i seksionit shqip të Zërit të Amerikës, me të drejtë, u vlerësua para disa vitesh nga ish-Presidenti Moisiu për kontributin e dhënë në vendosjen e lirisë dhe të demokracisë në Shqipëri me një pllakë në shenjë mirënjohjeje. Shërbimi shqip i Zërit të Amerikës ka qenë dhe vazhdon të jetë një prej seksioneve "yje" të këtij enti botëror, duke tërhequr gjithnjë përqindje marramendëse shikuesish e dëgjuesish anembanë trojeve shqiptare, bile edhe sot pas 20 vjet demokracie.
Më në fund, në këtë 70-vjetor të themelimit të Zërit të Amerikës dëshiroj të kujtoj miqtë dhe ish-kolegët e mi, të cilët kanë punuar në seksionin shqip të Zërit të Amerikës gjatë 60-ave dhe 70-ave dhe me të cilët unë kam pasur nderin dhe privilegjin të punoj dhe nga të cilët -- si shumë më i ri se ata -- kam mësuar aq shumë, por që fatkeqësisht nuk janë më në këtë botë me ne. Ata përfshijnë Xhevat Kallajxhiun e Talat Karagjozin nga Gjirokastra, Jozef Paskalin e Louis Priftin nga Kolonja, Gaspër Kiçin e Ruzhdi Dacën nga Shkodra, Kleanth Mimën nga Durrësi, Lulë Vrionin nga Vlora dhe disa të tjerë që punonin me afate të shkurta. Emrat e këtyre ndoshta nuk njihen as nuk dëgjohen nga brezi i sotëm i shqiptarëve, por të cilët kanë merita të mëdha pasi ata mbajtën gjallë atë shërbim me dekada dhe nepërmjet valëve të Zërit të Amerikës, u përpoqën të hidhnin pak dritë në terrin e burgut të komunizmit anë e mbanë trojeve shqiptare.
*Autori ka punuar për 30-vjet për Zërin e Amerikës në detyra të ndryshme përfshirë shef i shërbimit shqip, nën-drejtor për ish-Bashkimin Sovjetik dhe drejtor i Zërit të Amerikës për Evropën.