Duke shpallur 1 Shkurtin si Ditën e Përkujtimit të Viktimave të Regjimit Komunist, në shenjë falenderimi dhe respekti për ato viktima, Presidenti Plevneliev tha se "˜'ballafaqimi me historinë e dekadave të fundit, është një kusht i nevojshëm për respektimin e vlerave të shoqërisë tonë. Vrasja e këtyre bullgarëve nga regjimi komunist, është një prej provave më të qarta të shtypjes kundër popullit bullgar'', tha presidenti Plevneliev.
Ndërsa ish-presidentët bullgarë Zhelju Zhelev dhe Petar Stojanov në një letër drejtuar kryeministrit Bojko Borisov thanë me këtë rast se, "˜'Kjo ditë jo vetëm që do të nderojë viktimat e regjimit komunist, por gjithashtu na jep një mundësi dhe fillim të ri për të kuptuar më mirë historinë tonë moderne, mirëkuptim ky pa të cilin është e pamundur të shkojmë përpara si shtet demokratik e i dinjitetshëm evropian.''
Për më tepër, sikur dëshironte që mesazhi i tij të dëgjohej përtej vendit të tij, Presidenti bullgar tha se, "˜'Në historinë e jo vetëm Bullgarisë por edhe të shumë vendeve të tjera evropiane, shekulli i 20-të u shënua nga një dhunë e motivuar nga ideologjia. Ne duhet të bëjmë më shumë për viktimat e komunizmit'', shtoi Zoti Plevneliev.
Edhe Shqipëria është një prej këtyre vendeve evropiane që përmendi presidenti bullgar, edhe ajo me aspirata për antarësim të plotë në familjen evropiane në prak të 100-vjetorit të pavarësisë së saj. Me të drejtë dhe me krenari vendi po organizon veprimtari që do të zhvillohen në kuadër të kësaj feste të madhe mbarëkombëtare. Kryeministri shqiptar Sali Berisha gjatë një mbledhjeje të kabinetit para disa ditësh u shpreh, në lidhje me përgatitjet për 100-vjetorin e pavarësisë, se "˜'duhet të ketë një përqendrim më të madh tek ngjarjet, aktet e zhvillimet për arsye politike, ideologjike, e tjera, të cilat janë skajuar apo janë vendosur në harresë për një kohë të gjatë.''
Megjithëse nga prononcimet e deritanishme zyrtare nuk ka shenja se në këtë përvjetor të pavarësisë do të ketë ndonjë aktivitet të dedikuar mijëra viktimave të regjimit komunist shqiptar, këto viktima të gjallë e të vdekur në këtë përvjetor, kërkojnë drejtësi dhe të vërtetën, por mbi të gjitha kërkojnë që ato të mos harrohen. Fatkeqësisht deri tani Shqipëria nuk ka ndërmarrë ndonjë përpjekje serioze për të kuptuar dhe për të mësuar nga përvoja komuniste ndërkohë që mijëra viktima të komunizmit pothuaj janë harruar. Mohimi ose mos ballafaqimi me këtë histori mund të jetë një tragjedi me përmasa historike, pasi mbi të gjitha, ve në dukje mungesën morale dhe shpirtërore të shoqërisë shqiptare për t'u ballafaquar me krimet e regjimit komunist. Mohimi ose anashkalimi i krimeve shtetërore të shekullit të kaluar ndaj viktimave të pafajshme, "˜'vret rishtas dinjitetin e të gjallëve dhe përpiqet të zhdukë kujtimin e krimeve. Në një shekull të prekur nga fatkeqsitë e gjenocidit, ne ritheksojmë nevojën morale për të kujtuar viktimat'', sipas një deklarate të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Akademikëve të Shqetsuar për fatin e viktimave të gjenocidit. Në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, edhe viktimat e martirizuara të komunizmit në Shqipëri bërtasin drejtësi, kërkojnë të vërtetën dhe mbi të gjitha që sakrificat e tyre të mos harrohen, por të përkujtohen për krimet ndaj tyre, pasi sipas Deklaratës së Varshavës në lidhje me Viktimat e Regjimeve Totalitare të vitit që kaloi, "˜'të gjitha krimet e regjimeve totalitare në Evropë, cilado qoftë natyra ose ideologjia e tyre duhet të njihen si të tilla dhe të dënohen'', sepse sipas të njëjtës deklaratë, këte ua kemi borxh brezave të ardhshëm, ashtuqë ata të kuptojnë atë që mund të duket si a pakuptueshme, dhe në të njëtën kohë të mësojnë nga trashëgimia e hidhët e shekullit të 20-të.
Zyrtarizimi i një dite kombëtare kushtuar viktimave të komunizmit në Shqipëri ose ngritja e një monumenti për nder të tyre do të ishte një dëshmi e kujtimit të sakrificës së tyre.