Të Premten që kaloi, parlamenti i Kosovës vendosi të lente në fuqi kodin penal të Kosovës i cili përmban disa nene mbi median, të cilat sipas njoftimeve ato mbajnë gazetarët ''penalisht përgjegjës'' për raste kur ata refuzojnë të njoftojnë burimet e tyre. Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga i kishte kërkuar parlamentit të Kosovës heqjen e neneve shqetësuese dhe problematike për shumë veta, mbrenda dhe jashtë vendit, e të cilat kanë të bëjnë me përgjegjësitë penale të gazetarëve.
Mos-miratimi i këtyre neneve nga kuvendi i Kosovës, që i ishin paraqitur parlamentit për aprovim nga presidentja e Kosovës, me të drejtë shkaktoi reagime të ashpëra nga organizata gazetarësh mbrenda Kosovës si edhe nga përfaqsuesit ndërkombëtarë, përfshirë edhe masën drastike të dorëheqjes së zëvëndës-kryeministrit Harjedin Kuçi. Pa dashur të futem në akuza e kundër akuza se kush e ka fajin për mos-miratimin e këtyre neneve dhe për zhvillimet e fundit në lidhje me situatën e krijuar e që është shumë vështirë të mbrohet, deshta të shpreh mendimin tim se sa i doesmosdoshëm është miratimi i këtyre neneve për të mbrojtur lirinë dhe integritetin e gazetarëve si edhe për të siguruar që burimet e informacionit të jenë në dispozicion të gazetarëve, pa frikë dhe pa ndërhyrhje nga qeveritarët.
Është vështirë të merret me mend se si një popull i cili në të kaluarën ka vuajtur aq shumë mungesën dhe mohimin e të gjitha lirive nga regjime pushtuese, tani që është i aftë e ka mundësi të vendosë vetë fatin e vet, përfaqsuesit e tij votojnë për të kufizuar lirinë, në këtë rast lirinë e shtypit. Por siç ka thënë edhe Tomas Xheffersoni, autori i shpalljes së pavarësisë së Amerikës dhe presidenti i tretë i Shteteve të Bashkuara, liria e shtypit nuk mund të kufizohet pa humbur plotësisht edhe liritë e tjera.
Kosova ka ambicje të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe e organizmave të tjera euro-atlantike, por vendimi i parlamentit të Kosovës hedhë në erë këto ambicje pasi është në kundërshtim të plotë me konventat e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e lirisë së shtypit dhe të medias në përgjithësi. Përfaqsuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar në një deklaratë për median tha se, "Nenet për përgjegjësinë penale dhe burimin e informacionit do të kenë një ndikim negativ në lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias në Kosovë. Bashkimi Evropian mbetet thellësisht i përkushtuar në nxitjen dhe ruajtjen e lirisë së shprehjes dhe medias, si vlera të një rëndësie të veçantë për forcimin e demokracisë së Kosovës''. Për më tepër, përfaqsuesi evropian në Prishtinë, duke krahasuar Kosovën me vendet e tjera të Ballkanit, tha se ''ky hap e lë Kosovën mbrapa në kontekstin rajonal, duke qenë se pothuajse të gjitha vendet fqinje kanë hequr tashmë nenet që penalizojnë mediat për kryerjen e detyrave të tyre''.
Edhe gazetarët e Kosovës nepërmjet organizatave përfaqsuese shprehën shqetësimin e tyre ndaj masës së deputetëve të Kosovës të cilët votuan kundër heqjes së neneve 37 dhe 38 nga Kodi Penal. Asociacioni i Gazetarëve profesionistë të Kosovës u shpreh i ''tmerruar'' me votimin e deputetëve dhe Unioni i Gazetarëve të Kosovës, tha se rezultati i votimit në parlament, ''ishte i papranueshëm dhe në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës''.
Nenet 37 dhe 38 të Kodit Penal, sipas organizatës ndërkombëtare "Korrespondentët pa Kufij'', u japin gjykatave kompetencën për të detyruar gazetarët që të zbulojnë burimet e tyre, dhe për një "shpifje'' të tillë, gazetarët mund të dënohet deri me tre vjetë burg. Organizata për mbrojtjen e gazetarëve, "Korrespondentët pa Kufij'', thotë se "këto nene janë të papranueshme...dhe se është e qartë se kanë për qëllim t'i mbyllin gojën llojit të gazetarisë dhe raportimit hetimor që siç duket shqetëson shumë qeverinë''.
Këtë muaj, këtu në Shtetet e Bashkuara u shënua 40-vjetori i skandalit Uatergejt dhe po kujtohet natyrisht si një fitore e demokracisë, por edhe si një shembull i rëndësisë dhe i rolit që luan shtypi i lirië. Gazetari Uodourd tha me rastin e këtij përvjetori se "˜'ne emëruam indidvidë të posaçëm të cilët kishin marrë pjesë në konspiracione kriminale për të shkatërruar sistemin elektoral që kemi në këtë vend''. Ishte gazetaria hetimore e gazetarëve të Uashington Postit, Karl Bersntin dhe Bob Uodourd, që më në fund dokumentoi pjesëmarrjen e vet Presidentit Nikson në skandal, dhe që çoi në dorëheqjen e presidentit Riçard Nikson.
Liria e shtypit luan një rol të pa-zëvëndsueshëm në promovimin dhe në ruajtjen e demokracisë. Liria e pa kufizuar e shtypit është jetësore për një shoqëri të shëndoshë demokratike. Censura, frikësimi, dënimi ose miratimi i ligjeve që promulgojnë masa kundër gazetarëve vetëm e vetëm se përpiqen të kryejnë punën e tyre, jo vetëm që janë në kundërshtim me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, por shkelin edhe lirinë personale të gazetarit, dhe në të njëjtën kohë i mohon edhe shoqërisë të drejtën për të qenë e informuar. Një shoqëri e pa informuar nuk mund të zhvillojë dhe të avancojë demokracinë dhe as të respektojë të drejtat bazë të njeriut, madje një shoqëri e painformuar mirë mund të jetë e rrezikshme për vetveten dhe për të tjerët.
Këjo është një perudhë e vështirë për median në Kosovë dhe nëqoftse nuk tërhiqen nenet 37 dhe 38 gazetaria kosovare do të përballet me probleme edhe më të mëdha. Kosova dhe e gjithë bota shqiptare ka nevojë për një media të fortë e të pavarur, si dhe për një shkëmbim të lirë, të pa paragjykim dhe të pa frenuar të ideve dhe pikpamjeve të ndryshme. E drejta për të mbledhur informacionin dhe për të mbrojtur burimet e informacionit është pjesë jetike e zhvillimit të medias dhe një shoqërie të lirë e demokratike. Qytetarët kanë nevojë për informcione të lira, të sakta e të pavarura nga burime që ata mund tu besojnë.
Parlamenti i Kosovës duhet të marrë hapa të menjëhershëm që të krijojë një hapësirë ku gazetarët e pavarur të kryejnë detyrën e tyre pa pasur frikë nga dhuna ose dënimet dhe persekutimet. Gjithashtu gazetarët kanë përgjegjësitë e tyre që ata të shërbejnë si promovues të ndryshimeve pozitive në shoqëri duke ndihmuar në forcimin e platformës së lirisë, demokracisë dhe të shërbejnë si agjentë të tolerancës politike dhe shoqërore në përgjithësi.