20 ose 30 vjetët e fundit kanë ndodhur disa ndryshime. Në periudhën e globalizimit, paratë, mallrat dhe shërbimet qarkullojnë gjithnjë e më të lira. Kjo duhet të sjellë më shumë mirëqenie, thonë ata që besojnë liberalizimin. Por është rritur njëkohësisht presioni i konkurrencës. Por gjithnjë e më shumë njerëz jetojnë në varfëri, shumë prej tyre u mungon uji i pijshëm, kujdesi mjekësor dhe arsimi. Dhe shkatërrimi i ambientit ka arritur masë shqetësuese. Atëherë çfarë duhet bërë? A ekziston rendi ekonomik dinjitoz? Çfarë pamje mund të ketë ai? Në akademinë politike në Tutzing të Bavarisë, disa ekspertë diskutuan për të gjetur përgjigjet.
Pamja është shumë e zymtë, thotë Franz Josef Radermacher. Profesori nga Ulmi, i cili është edhe anëtar i Club of Rome, lufton prej vitesh për një ekonomi tregu, në të cilën të respektohen standardet sociale dhe ekologjike.
Por qeveritë kanë mbetur mbrapa me ligjet e tyre kombëtare të zhvillimit të ekonomisë, thotë Radermacher. Pasoja është demokracia bosh: "Ne kemi tani pakte ndërkombëtare, si për shembull tek OBT, Organizata Botërore e Tregtisë. Kontratat na detyrojnë për shembull të shesim produkte, megjithëse ato janë prodhuar nga fëmijë që punojnë në kushte gati skllavërie. Dhe këtë e bëjnë në vende që kanë nënshkruar te Kombet e Bashkuara që kjo të ndalohet. Por në OBT ne duhet të bëjmë shitje të tillam përndryshe dalim para gjykatës. Dhe sipas kësaj logjike është duke ndodhur në glob vazhdimisht diçka që nuk e do kurrkush."
Në fillim të këtij zhvillimi, në vitet 1980 dhe 1990, politika në vendet perëndimore shkoi me nxitim drejt një zhvillimi, pasojat e të cilit nuk mund t'i kontrollojë sot askush.
"Demokracitë kombëtare nuk ishin të afta të mbroheshin në këtë pikë. Dhe në atë kohë nuk ekzistonte gatishmëria për të arritur marrëveshje globale, çfarë do të kishte qenë vërtet e arsyeshme. Zgjedhja ishte vetëm a duhej qëndruar jashtë këtij procesi, apo duhej bërë pjesë e tij? Po të qëndroje jashtë, mbeteshe i izoluar, kështu që as kjo nuk funksiononte. Apo merrje zgjidhjen e dytë më të mirë? Sepse zgjidhjen më të mirë, atë të një sistemi të mirë ekonomik botëror, nuk kërkonte kurrkush ta vinte në diskutim", thekson Radermacher.
Që nga ajo kohë nuk është më e thjeshtë të duash të vendosësh standarde minimale. Në vitin 1999, ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, u përpoq të bindte firmat për një "Global Compact", një marrëveshje ndërkombëtare. Nëpërmjet integrimit të ekonomisë private Anan donte t'i jepte procesit një dinamikë të re, thotë Julia Rohloff, sociologe në shkollën e lartë ESC, në Rennes të Francës: "Me dy synime. E para të binden firmat për të zbatuar të drejtat e njeriut, të drejtat e punëmarrësve, të mbrojnë ambientin dhe të luftojnë korrupsionin. Synimi i dytë është që të lidhen partneritete me firmat, në mënyrë që të arrihen më mirë objektivat e Kombeve të Bashkuara."
Ndërkohë më shumë se 8000 pjesëmarrës të parimeve të "Global Compact" janë të detyruar që ta bëjnë globalizimin më social dhe më miqësor me ambientin. Por bilanci është i dobët. Pjesëmarrja është vullnetare dhe nuk është asgjë më shumë se një deklarim objektivash. Mundësi kontrolli dhe sanksionesh nuk ka. Edhe vetë Kombet e Bashkuara duket se nuk i besojnë shumë kësaj nisme, një komision hetimor tha në vitin 2010 se koncepti është i paqartë dhe se "Global Compact" nuk ka mandat dhe nuk ushtron kontroll.
Edhe jashtë Kombeve të Bashkuara, qeveritë kërkojnë që sipërmarrjet të marrin përgjegjësi për ambientin dhe shoqërinë, por në mënyrë vullnetare. Eksperti i etikës ekonomike, Michael Aßländer, nga Shkolla e Lartë Ndërkombëtare në Zittau, mendon se kjo fsheh diçka: "Ky është një zhvillim që mund të shihet në të gjithë Europën. Komisioni Europian ka përcaktuar në një manual pikëpamjet e veta për temën e Corporate Social Responsibility, pra përgjegjësisë sociale. Në të kemi të bëjmë me nxitjen e çështjeve ekologjike dhe sociale, por në baza vullnetare. Unë mendoj se kjo ka të bëjë me shkarkimin nga detyrat shtesë dhe shpresoj se sipërmarrjet do i mbushin këto boshllëqe."
Me fjalë të tjera, sa më shumë që të angazhohen firmat në mbrojtjen e ambientit, arsim apo kulturë, aq më shumë mund të kursejë shteti në kohën kur arkat janë boshatisur. Problemi është se firmat mund t'i ndalojnë aktivitetet vullnetare. Po ashtu në sektorin e arsimit ato ndjekin gjithnjë interesat e tyre.
Sigurisht që liberalizimi ekonomik ka pasur edhe anët pozitive. Pa të nuk do të ishte i mundur zhvillimi i vendeve në ekspansion ekonomik si Kina dhe India. Megjithatë, atje ndryshimet midis të varfërve dhe të pasurve janë shumë më të mëdha se në pjesën tjetër të botës.