Ndërsa po bëhen përgatitje dhe ndërkohë që po mbushet kalendari i
veprimtarive për të nderuar figura të shquara historike të kombit shqiptar me
rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, të kujtojmë Luigj Gurakuqin,
bashkëpunëtorin më të ngushtë të Ismail Qemalit, njëri prej figurave më të mëdha
të kombit shqiptar, për të cilin Stefanaq Pollo ka shkruar se ''Nuk ka ngjarje
të madhe politike, shoqërore e kulturore në këtë çerek-shekulli ku të mos ketë
qenë prania e tij, ku të mos jetë ndier fjala, urtësia e vullneti i tij, ku të
mos ketë spikatur patriotizmi e demokratizmi i tij.'' Figura e Luigj Gurakuqit,
sipas tij, bëhet edhe më e madhe dhe më madhështore, ''po të kemi parasyshë
armiqtë e shumtë që duheshin përblluar, vështirsitë e mëdha që duheshin
kapërcyer, komplotet dhe intrigat e kobshme që thureshin kundër atdheut,
rreziqet e panumërta që i kanoseshin jetës së tij në çdo hap.''
Megjithëse
është shkruar shumë për kontributet e mëdha të Luigj Gurakuqit, jo vetëm si
njëri prej figurave udhëheqse politike më të shquara të kombit, por edhe si
poet, shkrimtar, linguist e mësues -- Ernest Koliqi, i cili thotë se në vitin
1924 në Tiranë ka shërbyer si sekretar privat i Luigj Gurakuqit, në një
artikull shkruar në vitin 1965 në revisten ''Shëjzat'', pasi e kishte njohur
nga afër atë, nenvijon për lexuesin fuqinë frymëzuese dhe tërheqse të
Gurakuqit: ''S'kam pa ndër Shqiptarë..... nji tjetër që të kishte lidhje
miqsore e politike aqë të shumta e të ndryshme sa Gurakuqi. Gegë e Toskë,
qytetarë, katundarë, malësorë, priftën, popa e hoxhallarë, analfabeta dhe
eksponenta të intelektualizmit, arbëreshë, të huej që interesoheshin për
Shqipëni, qinda e qinda vetësh, i drejtoheshin atij me një frymë të çuditshme
besimi.... besojshin në përpjekjet e tij të çdo lloji....''
Në
artikullin e tij përkujtimor me rastin e dyzet vjetorit të vrasjes së Luigj
Gurakquit, Ernest Koliqi, si bashkpuntor i ngushtë dhe sekretar privat i kësaj
figure të madhe të kombit shqiptar, shkruante se Luigj Gurakuqit i Madhi Zot i
kishte falur aftësi e zotësi si rrallë ndonjë njeriu tjetër, por sipas Koliqit,
vetia që e dalllonte Gurakuqin nga të tjerët e kohës së tij, ''Ishte ajo që me
bashkue e me miqasue ndër vedi gjindën me mendesi, prirje, rritje në
kundërshtim. Përhapej nga zemra e Tij nji fuqi vëllaznuese e tillë sa me tubue
rreth vetes burra me idena mesjetare, doktora te rij plot hov modernizues,
anëtarë kleresh të ndryshme, bashkatdhetarë visesh të ndryshme, të rij rrymash
të ndryshme. Mbretnonte harmonia aty ku Ai qindronte. ''
Luigj
Gurakuqi e konsideronte detyrën e deputetit si të rëndë e me përgjegjësi të
madhe , të një rëndësie kombëtare dhe si detyrë e shënjtë që ia kishte besuar
populli. Mbi rolin e Luigj Gurakuqit në kuvendin shqiptar, Koliqi sjellë
kujtimet e tija duke thënë se ndërsa "në parlamentin shqiptar kumbojshin zane
si ato të Fan Nolit, Ali Klisurës, Stavro Vinjaut e Bahri Omarit, të dënja me
jehue në Dhomën e Komuneve (të Anglisë), Gurakuqi, kryetar i njoftun i opozitës
kundërshtonte me matuni: bashkë me kolegët që përmenda, përpiqej të jepte
shembullin e nji kritike të fortë por jo fyese, ndërtuse jo rrënuese....''
Roli
patriotik, ndërtues dhe bashkpunues i Gurakuqit për të mirën e Shqipërisë
njihej dhe respektohej nga shumë patriotë shqiptarë të asaj kohe. Mihal Grameno
i shkruante atij me 24 Korrik 1919 se "Shqiptarët kanë simpati dhe besim tek
juve'', dhe më 15 Tetor, 1919, Pandeli Cale i shkruan Gurakuqit, duke pasqyruar
në këtë mënyrë, besimin e tij të plotë në veprimtarinë patriotike të tij, duke
I shkruar Gurakuqit me një vendosmëri bindëse se "˜'Kini në dorë fatin e
Shqipërisë... bëni detyrën patriotike si ju thotë ndërgjegja''.
http://imageshack.us/http://imageshack.us/
Tre të
Mëdhej të Kombit Shqiptar Dom Ndre Mjeda, At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi
Megjithëse
fjalët e të tjerëve për Gurakuqin dhe veprimtarinë e tij hedhin dritë mbi këtë
figurë të madhe të kombit shqiptar, janë fjalët e tija, ato që në të vërtetë
pasqyrojnë vlerat dhe idealet e larta njerëzore të këtij patrioti dhe njeriu të
madh, e të cilat sikurë dëgjohen edhe sot si tepër aktuale. Në mbledhjen e parë
të parlamentit shqiptar me 21 Janar 1924, i frymëzuar nga nevoja e madhe për
ndryshime politike, shoqërore dhe ekonomike, Gurakuqi iu drejtua anëtarve të
kuvendit duke thënë se si përfaqsues të popullit, "˜'populli na ka tregue edhe
udhën që do të ndjekim. Populli na thotë: Ky jam, këto nevoja kam, pra mbas dëshirës
sime, mbas nevojave të mia, mbas zakoneve që kam, bani ligjet themelore që të
mund të rroj i lirë dhe i lumtur si shqiptar.''
Për
më tepër, në këtë 100-vjetor të pavarësisë së Shqipërisë, fjalët e tija edhe
sot tingëllojnë si largpamse e bujare dhe si të tilla duhet të shërbejnë sot
dhe në të ardhmen, për të mbajtur gjallë kujtimin e veprës së tij të madhe në
dobi të kombit shqiptar. Po të ishte gjallë në këtë 100-vjetor të pavarësisë,
Luigj Gurakuqi do të këshillonte kështu:
''...Nuk
asht sot dita të përmendim nepër sa të liga ka shkuar Shqipënia në këtë mot të
gjatë e sa ka vuar e po vuan akoma; dua vetëm të shtoj se ne këtë ditë
fatbardhë, që do të mbetet e paharrueshme në kujtimet e shënjta të kombit tonë,
lipset që zemrat e të gjithë shqiptarëvet të lidhen, të bashkohen, të bahen
një.
Duke kujtuar e duke kremtuar ditën e sotshme duhet të përsëritim prapë besën
që i dhamë shoqishoqit vitin që shkoi; e duke sjellun përpara sysh rreziqet e
tmerëshme, që i vareshin Atdheut përmbi krye, e shpëtimin tonë të çuditshëm,
t'a forcojmë dashuninë e vëllezëninë e t'i japim dorën njëni tjatrit për të
mbajtun, për të rritun, për të shtuar mvehtësiën e Shqipënisë sonë të dashun.
"Ta dijmë mirë se çarjet, zihjet, anmiqësitë tona na turpërojnë përpara
Evropës, e cila vitin që shkoi nxitoi duke njohun me një herë mvehtësiën tonë;
u shtojnë rreziqet vëllëzënvet tanë të mjerë, që ditë më tjatrë po presin të
lirohen nga zgjedha greke e të bashkohen me ne; e ma tepër u thyejnë zemrën
atyne fatzesve, që patën rrezikun e math të mbeten jashtë Shqipënisë së lirë.''
(Marrë
tekstualisht nga Luigj Gurakuqi: ''Mvehtësia e Shqipëniës'', 1913)
Në një artikull që Gurakuqi kishte shkruar në Paris në prag të 28 Nëntorit
1919, e në të cilin duket se ai i bën thirrje pikëspari vetvetes por dhe të
tjerëve që të reflektojnë, por këjo është edhe një thirrje e sinqertë
vëllazërore, nga ana e tij, që fatet e Atdheut të jenë mbi të gjitha, një
thirrje që çuditërisht është gjithnjë aktuale. Ai shkruante:
''E
kremtja e 28 Nandorit duhet të jetë për ne të gjithë, jo vetëm një ditë gëzimi
e dëfrimi, por edhe një ditë pendimi në të cilën të mbledhim mendjen e të bajmë
shqyrtimin e vetdijes sonë. Në këtë ditë, duhet të vemë të gjithë dorën në
zemër e të pyesim veten tonë nëse e kemi bamun gjithkund e gjithmonë detyrën që
kishim përpara Atdheut. T'i tregojmë pa turp e t'i njohim fajet tona, të
harrojmë hidhnimet e anmiqësitë që na ndajnë, t'i japim vëllaznisht dorën
njani-tjetërit e të betohemi mbi besën e gjyshave tanë se sot e mbrapa do të
përpiqemi me të vërtetë për të mirën e Atdheut, për lulëzimin e kombit, për
nderin e flamurit tonë.''
Vet
Luigj Gurakuqi, kishte shkruar se, "Një popull që nderon burrat e vet, një
popull që pavdekëson kujtimin e tyne, jo vetëm ndër faqet e historisë, por edhe
mbi rrasa e në monumente, ai popull tregon se ka ndërgjegje, se ka ndiesi të
holla, se njeh miradijen e ka dëshirë me u sjellun e me u drejtuem mbas
shembullit të të Mëdhejvet të vet.''
Luigj
Gurakuqi ishte dhe mbetet njëri ndër të Mëdhejtë e kombit shqiptar. Fjalët e Luigj
Gurakuqit flasin vet, jo vetëm për periudhën që ai jetoi, por mund dhe duhet të
shërbejnë si një fuqi frymëzuese për të gjithë në këtë 100-vjetor të
pavarësisë.