Fabula e lotëve të krokodilit tashmë është bërë e njohur nga të gjithë. Ato
janë një mjet që ky grabitqar përdor për të tërhequr prenë e tij. Një mjet të
tillë po përdor opozita e sotme lidhur me problemin e pronave. Madje lotët e
saj janë shndërruar në një lumë të rrëmbyeshëm por që, mjerisht, do ta mbysë
edhe atë vetë. Këta lotë u derdhën pa masë gjatë seancës parlamentare, mbi
aktin normative të qeverisë mbi lirimin e banesave të ish-pronarëve të
ligjshëm, në Kuvendin e Shqipërisë. I derdhën lotët pa kursim, të ngratët
deputetë opozitarë. I derdhën kur mendonin se si do t'u vente halli ish krerëve
të regjimit të përmbysur kur të lironin shtëpitë e grabitura prej tyre. Madje
këta "apologje të të drejtave të njeriut", që dikur e shkelnin me të dyja këmbët,
çirreshin dhe ngjireshin se me këtë akt noterial shkeleshin parimet e së
drejtës.
Po kur këta ish byroistë, ish ministra, ish sigurimsa, apo prindërit e
tyre, flaknin në rrugë të madhe, duke i dëbuar forcërisht pronarët e ligjshëm
dhe duke gllabëruar shtëpitë e tyre, mos vallë nuk shkelnin të drejtat e
njeriut? Çfarë bën këta zotërinj gjatë këtyre njëzetedy vjetëve të pushtetit
demokratik? Pse nuk i lëshuan pronat që nuk u përkisnin? A nuk e dinin se do të
vinte një ditë që "malli të kthehej tek i zoti"? Të varfërit opozitarë! Si
mjeshtra të mashtrimit që janë, menduan të vinin në zbatim metodën e bojkotimit
të votimit të aktit, se shpresonin që do të bashkoheshin me ta edhe disa
përfaqësues të shumicës parlamentare, kështu që nuk do të krijohej kuorumi i nevojshëm
për votim. Por u plasi bomba në
dorë dhe akti u miratua. Tani shpresat i kanë tek Gjykata Kushtetuese, së cilës
grabitësit e banesave i kanë kërkuar shfuqizimin e këtij akti normativ. Por
edhe atje do të pësojnë të njëjtin fat. Tani jetojmë në një sistem tjetër,
krejt të kundërt me sistemin tuaj të përmbysur. Doni apo nuk doni edhe ju jeni
përmbysur së bashku me sistemin. Ju nuk mund të komandoni më. Megjithatë ne nuk
jemi si ju. Nuk po ju hedhim në rrugë të madhe, siç na hodhët ju. Nuk po ju mbyllim
nëpër burgje dhe kampe të tmerrshme, siç na mbyllët ju. Sistemi në të cilin
jetojmë u krijon mundësi të gjithëve të jetojnë. Merrni banesa me qira ose
blini nga apartamentet e shumta që kanë ndërtuar pronarët e rinj, shumica e të
cilëve janë nga shtresa e juaj, natyrisht me çmimet e tregut. Ku do i gjeni të
hollat? Jeni me të vërtetë për të qarë hallin! Ku i keni fshehur ato që i
grabitët këtij populli për vite të tëra? Nëqoftëse nuk ju kanë mbetur më,
atëherë merrni kredi pa interes. Këtë ua garanton akti që ju e kundërshtuat.
Lexoj në gazetën "Metropol" një shkrim lidhur me këtë çështje të zotit Gazmend
Oketa me titull "Një sqarim për qëndrimin tim ndaj aktit normativ". Në këtë
shkrim lexoj:
Ritheksoj si dhe kam deklaruar në gjithë pronocimet e mëparshme si deputet i
Kuvendit të Shqipërisë se unë personalisht dhe gjithashtu Fryma e Re
Demokratike jemi në favor të zgjidhjes së problemit të pronësisë në tërësi.
Jemi absolutisht për zgjidhjen e kësaj çështje përfundimisht dhe jo për
trajtimin e pjesshëm të saj. Jemi për trajtime ligjore dhe të pacënueshme dhe
jo për arnime ligjore që sjellin tensione sociale, siç bën dhe akti normativ në
fjalë. Kryeministri Berisha ka pasur në dispozicion gjithë kohën e duhur gjatë
këtyre 22 viteve për të dëshmuar se është i aftë të zgjidhë këtë çështje.
Gjithë situata kaotike që mbizotëron sot në Shqipëri për çdo çështje dhe
njëherësh sa i takon çështjes së pronave, vjen pikërisht për shkak të
paaftësisë së klasës politike shqiptare, kryesisht dy forcave të vjetra
politike, të cilat kanë bashkuar vazhdimisht votat edhe kur ka qenë çështja për
trajtimin e pronës. Mjafton të kujtojmë këtu qoftë dhe vetëm Ligjin 7501.
Nuk e di, "i nderuar deputet" por në këtë çast më kujtohen dy vargje të një
poeti që i përket shtresës tuaj dhe, për këtë, i kërkoj ndjesë bashkëvuajtësve
të mi që po përdor këtë rast, por dua t'i qëlloj me mjetet e tyre:
Sa shpejt, bre burra, kthyet nga Qabeja,
Ne dogjëm duert, ju vrap n'gështenja?
Sa vjet keni deputet zotni? Po detyra të tjera partiake apo shtetërore a keni
pasur? Si nuk ua kemi dëgjuar ndonjëherë zërin në mbrojtje të kthimit të
pronave ish pronarve? Si nuk ju kemi dëgjuar të ngriheni ndonjëherë për
anullimin e Ligjit 7501. Mund t'ju drejtoja edhe shumë pyetje të tjera, si për
shembull ato që kanë të bëjnë me problemin e të përndjekurve politikë, problem
për të cilat keni qenë memec, por nuk po dalë nga tema. Sot dua të shprehem
vetëm për çështjen e kthimit të pronave ish-pronarëve të ligjshëm. Edhe ne jemi
për kthimin e plotë të pronave dhe jo zgjidhjen e pjesëshme të saj. Këtë gjë e
kemi shprehur shumë herë si nëpërmjet kuvendeve apo takimeve të ndyshme, ashtu
edhe nëpërmjet shkrimeve nëpër organet e shtypit të përditshëm, të shkruar apo
viziv. Megjithatë nuk mund të jemi kundra çdo inisiative, sado e pjesëshme që
të jetë ajo, kur bëhet fjalë për zgjidhjen e këtij problem. Ky qëndrim është në
përputhje edhe me kërkesat e vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar. Ndaj
qëndrimi juaj, do ta quaja oportunist, na deziluzionoj së tepërmi. Në shkrimin
tuaj theksoni se Berisha paska pasur kohën e duhur në këto 22 vite për të
zgjidhur problemin e pronave. Pse vetëm Berisha? Po ju? A nuk keni qenë anëtar
i Kryesisë së Partisë Demokratike? A nuk keni qenë deputet dhe
Zëvendëskryeministër i Qeverisë Shqiptare. Po zoti Topi, kryetari juaj, a nuk
ka qenë Nënkryetar i Partisë Demokratike, Kryetar i Grupit Parlamentar të kësaj
partie dhe së fundi President i Republikës? Ku ishte zëri juaj? Ju keni qenë
vetëm skllevër të bindur të një partie që nuk guxonit të ngrinit krye edhe për
një çështje fare të vogël që ndoshta e kujtonit të drejtë. Kishit frikë? Nga
se? Mos vallë se mund t'u përjashtonin dhe humbisnit privilegjet e fituara? Po
të jetë se këto që thoni sot, i paskeni menduar me kohë dhe nuk i paskeni
shprehur, përse nuk jepnit dorëheqjen në shenjë proteste? Kjo tregon se nuk
keni dinjitet për të udhëhequr një forcë politike me të vërtetë demokratike.
Apologjia juaj nuk është gjë tjetër veçse një demagogji e urryer që nuk mund të
gënjej askënd. Rezultatin do ta shihni vitin që vjen.
-
Autori Reshar Kripa është Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të
Tiranës