I nderuar Profesor Buxhovi, të nderuar pjesëmarrës. Fillimisht dëshiroj të
përshëndes Vatrën për organizimin e promovimit të këtyre veprave të historisë
së Shqiptarëve, mu në këtë 100-vjetor të shpalljes së Pavarësisë kombëtare. Unë
jam i kënaqur të marr pjesë në këtë promovim, jo vetëm për rëndësinë që ka
vepra e historianit Jusuf Buxhovi për historiografinë shqiptare, por edhe për
faktin se me autorin jam njohur shumë vite më parë, kur Zoti Buxhovi vinte në
Uashington si pjesë e delegacioneve të Kosovës, të kryesuara nga Dr. Ibrahim
Rugova. Ishte ajo periudhë, kur Zoti Buxhovi dhe intelektualët e tjerë
shqiptarë të Kosovës, erdhën në Washington t'u flisnin drejtë për drejtë
zyrtarëve amerikanë mbi gjenocidin që po ndodhte në Kosovë kundër shqiptarëve
të Dardanisë.
Ishte këjo një përsëritje e historisë sonë kombëtare, e asaj historie 100-vjetë
më parë, dhe për të cilën shkruan Z. Buxhovi, kur një grup tjetër atdhetarësh
dhe patriotësh nga të gjitha trevat shqiptare, delegacione të kryesuara nga
Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Isa Boletini e të tjerë, endeshin anë e mbanë
Evropës nga Vjena, në Romë, e në Londër, për të siguruar përkrahjen e botës së
atëhershme për çlirimin e shqiptarëve nga zgjedha otomane, si dhe për të
siguruar mbështetje për çështjen e pa-zgjidhur të kombit shqiptar, përpjekje
këto që kishin për objektiv korigjimin e vendimeve të pa drejta dhe tragjike të
konferencave të ndryshme ndërkombëtare në kurriz të kombit shqiptar.
Pas përpjekjeve dhe lufërave të shumëta, Kosova u çlirua dhe u bë shtet i
pavarur. Si i tillë, shteti i Kosovës kishte nevojë për një histori të shkruar,
pasi historia e saj, si pjesë përbërse e historisë së kombit shqiptar, duhet
patjetër të rivlerësohet, jo sepse një gjë të tillë e kërkon turku, sllavi ose
greku, por për arsye se ajo është deformuar dhe keq trajtuar, jo vetëm, nga
këta armiq të kombit, për qëllimet e tyre ekspansioniste, por edhe nga
komunizmi shqiptar në bashkpunim me komunizmin ndërkombëtar, për arsyet e tyre
ideologjike.
Është domethënës dhe me rëndësi kombëtare fakti që historiani Jusuf Buxhovi, ka
botuar këto tre vëllime ekzaktërisht këtë vit, me rastin e 100-vjetorit të
Shqipërisë, pasi bota fatkeqsisht di shumë pak për historinë e shqiptarëve dhe
ato që i di, janë të influencuara nga propaganda turke, serbe, greke dhe ruse
të cilët gjatë shekujve, falsifikuan historinë e vërtetë të Arbërit, pa asnjë
përgjegjësi morale, historike ose politike.
Në këtë 100-vjetor të festës së madhe shqiptare, vepra e Zotit Buxhovi i
paraqet lexuesit një përmbledhje faktesh dhe dokumentacioni të nevojshme për
çdo njërin që kërkon të mësojë dhe të kuptojë historinë e shqiptarëve, jo vetëm
në kontekstin kombëtar por edhe në atë ndërkombëtar.
Mua më ra shorti t'i them dy fjalë në lidhje me vëllimin e dytë të Z. Buxhovi,
dmth., mbi Perandorinë Osmane, si një prej perandorive që ka zgjatur më shumë
se çdo tjetër, ç'prej kohës së antikitetit. Zoti Buxhovi në këtë vëllim
nënvijon proceset dhe qasjet historiketë perandorisë osmane në relacion me
shqiptarët, si pjesë e historisë së Evropës dhe të botës. Ai përshkruan jetën
dhe lëvizjet politike, ushtarake, diplomatikedhe intelektuale të shoqërisë
otomane në relacion me shqiptarët dhe anasjelltas, duke u bazuar në
dokumentacion arkivash vendesh të ndryshme, e sidomos siç thotë edhe vet
autori, në arkivat e pasura gjermane.
Është këjo një histori e trashëgimisë së një perandorie, që la gjurmë dhe një
trashëgimi të rëndë ku i shkeli këmba, sidomos ndër ne shqiptarët.
Profesor Buxhovi shkruan për çmimin e lartë që kombi shqiptar ka paguar nën
sundimin ottoman, si dhe për luftën e tij të për të dalur nga terri i natës së
gjatë të pushtuesve otomanë. Turqit otomanë shkaktuan shkatërrime të
papërshkrueshme në jetë njerzish dhe dëme të mëdha materiale, përfshirë edhe
përpjekjet për të eliminuar kulturën, gjuhën dhe traditat shekullore të
shqiptarëve.
Në të vërtetë, Prof. Buxhovi i paraqet osmanlijtë si pushtues të Arbrit e jo si
administratorë, në kundërshtim me disa të tjerë që pretendojnë se osmanët ishin
vetëm administratorë të trojeve shqiptare. Në përputhje me historiografinë
botërore, Profesor Buxhovi dokumenton se Perandoria osmane në Ballkan kishte
ardhur dhe sillej si një fuqi pushtuese. Po të kishin qenë osmanlijtë vetëm
administrues në trevat shqiptare, pse atëherë pavarësia e Shqipërisë ishte ndër
të fundit dhe më e vështira në Evropë?
Tema kryesore e këtij libri është se lufta e Arbërit kundër pushtuesve osmanë
pasqyron mbijetesën dhe vazhdueshmërinë e "ndjenjave dhe të vetdijes
perëndimore'', në rezistencën shekullore të Shqiptarëve ndaj barbarëve turq e
sllavë.
Zoti Buxhovi thekson se qëndresa dhe lufta e shqiptarëve gjatë pesë shekuj
okupimi osman, tregon se shqiptarët ishin të gatëshëm që me çdo kusht e mjet,
mbi të gjitha, të ruanin identitetin e tyre kombëtar, gjuhën, kulturën dhe
mënyrën e tyre të jetesës. Lufta dhe rezistenca epike e Gjergj Kastriotit -
Skënderbe, prej një çerek shekulli kundër otomanëve, thotë autori, do të
shërbente si një frymëzim për brezat e ardhëshëm të shqiptarëve, breza, të
cilët edhe pas vdekjes së heroit kombëtar, rezistuan duke iu kundërvenë
okupimit osman me aq sa kishin mundësi e fuqi.
Zoti Buxhovi në librin, "˜'Kosova në Periudhën e Osmanlijve'', shkruan se
megjithse "˜'Perandoria Osmane kërkonte një emancipim shoqëror dhe politik të
Shqiptarëve, i cili të ishte në përputhje me islamin dhe frymën e tij'',
rilindasit shqiptarë si dhe në përgjithësi, Lëvizja Kombëtare Shqiptare....jo
vetëm që nuk do të kërkojnë Orientin, por duke iu këthyer antikitetit, ku ata
si pasardhës të Pellazgve... do të mbështeten te qytetërimi perëndimor.''
Ai vazhdon duke thënë se "˜'Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe kërkesat e saj si
edhe formimi i Qeverisë së Përkohëshme, paraqet këthimin e Shtetit të Arbërit
për herë të parë pas 500-vjetësh -- ndonëse në përmasat e vilajetit të Kosovës
-- nuk ishte gjë tjetër pos shprehje e vullnetit politik dhe shpirtëror (të
shqiptarëve) për t'u këthyer në Perëndim, pikërisht aty ku kishte mbetur Gjergj
Kastrioti - Skendërbeu para pesë shekujsh, i vetmi që kishte kundërshtuar dhe
luftuar pushtimet osmane.
Për më tepër, si rrjedhim ose si pasojë e shtypjeve osmane, Zoti Buxhovi thotë
se gjatë periudhës së Osmanizmit, rezistenca ndaj pushtimit turk, jo vetëm
"nxjerrë në pah të vërtetën për sjelljen e Arbërve, në përputhje me vetëdijen përendimore''
të tyre, por në të njëjtën kohë, ajo rezistencë kundër pushtuesve osmanë,
shkakton lindjen e një shqiptarizmi ose nacionalizmi të fuqishëm shqiptar, i
cili u kultivua gjatë dekadave duke nxitur dhe duke u dhënë shqiptarëve guximin
dhe besimin në vetveten, një ndjenjë këjo, që më në fund, çoi deri në lëvizjet
e shekullit të kaluar drejtë -- jo vetëm pavarësisë së Shqipërisë, por edhe në
pavarësinë dhe shtet formimin e sotëm të Kosovës'', thotë autori.
Nacionalizmi dhe ndjenjat e shqiptarizmit kanë lindur dhe janë formuar -- duke
përdorur mjetet dhe duke shfrytëzuar rrethanat dhe metodat që shqiptarët kishin
në dispozicion. Nacionalizmi shqiptar, në të vërtetë, sipas Zotit Buxhovi ka
ndikuar pozitivisht edhe në zhvillimet brenda perandorisë osmane, sidomos pas
sundimit të Sulltan Hamitit, duke thënë se nacionalizmi shqiptar nxiti madje
edhe forcat e shëndosha nacionaliste turke, të cilat do të kishin më vonë
ndikime historike në krijimin e një Turqie evropiane ose përendimore.
Zoti Buxhovi nënvijon edhe faktin se revolucioni xhonturk është krijuar,
influencuar dhe organizuar nga shqiptarët me 1908 në Ferizaj. Këto zhvillime
dhe influenca e shqiptarëve në këtë revolucion të xhonturqve, sipas prof.
Buxhovit, e kishin bërë Kosovën qëndër me rëndësi të lëvizjeve kombëtare
shqiptare, e të cilat më në fund ndihmuan, që 100-vjetë më parë më 1912, të
shpallej pavarësia së Shqipërisë.
Nacionalizmi shqiptar i asaj kohe, sipas Z. Buxhovi, ishte dhe mbetet një
trashëgimi lënë brezave të shqiptarëve të Kosovës dhe të përpjekjeve politike
të tyre shekullore për shtet-formim -- për të siguruar përfundimisht, të
drejtat natyrale të kombit shqiptar. Zoti Buxhovi thotë gjithashtu se Kosova
ishte qendra, e atij që ai e cilëson si "˜'graviteti kombëtar'', politik e kulturor
i shqiptarëve, dhe përmendë, natyrisht, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit,
revolucionin e xhonturqve, si edhe 14 pikat e Hasan Prishtinës -- si ide këto
dhe një program që i paraprinë shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28
Nëntor 1912 në Vlorë.
Titulli i tre vëllimeve është ''Kosova'', por këtu në të vërtetë flitet dhe
përshkruhet historia e të gjithë shqiptarëve. Është historia e kombit shqiptar,
sepse Kosova nuk mund të shikohet si një koncept gjeografik, ndryshe nga
Shqipëria e të gjithë shqiptarëve, por Shqipëria natyrale dhe Kosova si pjesë e
kësaj Shqipërie natyrale paraqitet nga Z. Buxhovi në këtë vëllim si qendra e
vlerave kombëtare, kulturore dhe shpirtërore, por në të njëjtën kohë e paraqet
Kosovën madje edhe nën pushtuesin ottoman, si pikënisja e lëvizjeve për
pavarësi dhe shtetformim e të gjithë shqiptarëve.
Unë nuk jam historian dhe si i tillë nuk jam në gjendje të vlerësoj sa duhet e
si duhet rëndësinë e kësaj vepre, por besoj se duhet të bindemi për vlerën
historike të veprës së prof Buxhovit, po të marrim parasyshë reagimet e
Akademisë së Shkencave të Serbisë, e cila i konsideron këto tre vëllime prej më
shumë se dy mijë faqesh, ''si një ''pamflet''. Siç duket, ata as nuk i kanë
parë këto tre vëllime, e lere më t'i kenë lexuar.
Në të vërtetë, kritikat e ashpëra të akademisë serbe ndaj veprës së Buxhovit
duhet të konsiderohen si një vlerësim, pasi është pikërisht këjo akademi, ajo
që ç'prej mesit të 1880-ave ka përgatitur terrenin ideologjik nacionalist serb
si edhe atmosferën politike dhe ushtarake për të pastruar Kosovën etnikisht
njëherë e mirë, duke rekomanduar vrasjen, shpërnguljen dhe dëbimin me dhunë të
qindra mijërave shqiptarëve gjatë gjithë historisë dardane.
Ishin tezat dhe rekomandimet e kësaj të ashtuquajtur akademi, të cilat janë
zbatuar gjithmonë me përpikëmëri nga politika shoviniste serbomadhe duke
përfunduar në disa gjenocide dhe shpërngulje në masë të shqiptarëve.
Profesor Buxhovi kundërshton pretendimet shpifëse serbe se shqiptarët janë të
ardhur në Ballkan dhe si "˜'vasalë të perandorisë osmane'', nuk kanë histori të
veten dhe, si të tillë, duhet të zhduken nga harta e Ballkanit. Për t'ia
arritur këtij qëllimi -- bashkrendonin veprimtaritë kundër Shqiptarëve
--osmanët, rusët, serbët, dhe grekët të cilët gjatë gjithë historisë, kërkesat
e shqiptarëve i cilësuan dhe ia paraqitën botës si "˜'kërkesa të ekstremistëve
shqiptarë''.
Por siç ka pas thënë dikur senatori amerikan Barry Goldwater, ekstremizmi në
mbrojtje të lirisë nuk është mëkat. Shqiptari kurrë nuk ka dashur atë që nuk
është e tija, shqiptari kurrë nuk e ka ngritur flamurin e tij në luftëra për të
pushtuar tokat e të tjerëve, por vetëm e vetëm në mbrojtje të lirisë së vet.
Të përshendes i nderuar Profesor Buxhovi për këtë vepër historiografike mbi
Kosovën, me të cilën i ke dalë zot historisë dhe ruajtjes së identitetit unik,
pro-perëndimor të Kombit Shqiptar. Vet autori ka thenë se këto tre vëllime nuk
janë fillimi as mbarimi, mbi këtë subjekt. Por, Jusuf Buxhovi me botimin e
"˜'Historisë së Kosovës'' -- në këtë 100-vjetor të Pavarësisë kombëtare ka dhënë
kontributin e tij të çmueshëm, "ndaj plotësimit të pasqyrimit të kuadrit
historik të Shqipërisë së natyrshme, si një realitet shoqëror, kulturor dhe
politik i tërësisë së qytetërimit perëndimor, ku i ka rrënjtë'' kombi shqiptar
dhe ku historia dhe i Madhi Zot e kishte vendosur.
Këtë e ritheksoi edhe Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, në një fjalim me
rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, duke u shprehur se ne "Kemi qenë, jemi dhe do jemi, vigjëlues të rreptë të qytetërimit perëndimor, të
cilit, pavarësisht trilleve historike që hera-herës na kanë ndarë, -- vetvetiu
i përkasim''.
Vepra e Profesor Jusuf Buxhovit është për tu vlerësuar në këtë moment të
historisë shqiptare, një vepër këjo që nderon historinë kombëtare, por ndaj
historisë të gjithë kanë obligime, sidomos ata që kanë privilegjin të udhëheqin
sot kombin shqiptar. Një mesazh serioz i kësaj vepre është, siç tha edhe autori
në një intervistë: kujdes që të mos bëhemi "çorbë ballkanike'' e pa shije, duke
ia dorëzuar interpretimin e historisë sonë dikujt tjetër. Unë do të shtoj të
mos biem pre e kërkesave të shëmtuara për ndryshimin e historisë të kombit
shqiptar nga pasardhësit e ish-perandorive okupuese. Sepse një popull i cili
nuk mbron historinë e vet, një popull që nuk ruan identitetin e vet kombëtar në
trojet e tija antike, si dhe vlerat dhe traditat e veta kulturore shumë
shekullore, të trashëguara nga të parët, ai popull është i destinuar të
asimilohet ose të zhduket si komb nga faqja e dheut.

