Një fenomen i ri në marrëdhëniet ndërkombëtare në Ballkan pas mbarimit të
luftës së ftohtë dhe shembjes së komunizmit është zhvillimi i mbledhjeve të
përbashkëta të qeverive të dy shteteve ballkanike. Kjo praktikë diplomatike, e
re për Ballkanin, po merr një ritëm më të intensifikuar në dekadën e dytë të
këtij shekulli. Harta rajonale e këtyre mbledhjeve të përbashkëta të qeverive,
me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të kabineteve qeveritare nga të dy
shtetet, është tepër e larmishme, dhe siç ndodh në Ballkan, herë shpjegohet me
një logjikë politike e historike, e herë është jo e lehtë të shpjegohet brenda
asaj logjike.
Është një fenomen, i cili po përfshin në valët e tij pothuaj të gjithë shtetet
ballkanike. Në datën 17 dhjetor u zhvillua në Athinë mbledhja e përbashkët e dy
qeverive të Bullgarisë dhe të Greqisë, e cila ishte e dyta, pas asaj të
zhvilluar në korrik të vitit 2010 në Sofie nga qeveritë e të dy vendeve. Në
datën 18 dhjetor 2012 ministri i Jashtëm bullgar, Nikolla Mlladenov, pas një
vizite në Beograd dhe bisedimeve me kryeministrin e ministrin e Jashtëm serb,
njoftoi se Bullgaria dhe Serbia kanë rënë dakord që të firmosin sa më shpejt
"Traktatin e Bashkëpunimit dhe të Fqinjësisë së Mirë" dhe që të
përgatisin mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, sipas modelit ekzistues
bullgar me Greqinë, me Turqinë dhe me Rumaninë.
Në datën 18 tetor 2012 kryeministri i Rumanisë, Viktor Ponta, ishte për vizitë
në Beograd dhe pas bisedimeve me homologun serb, njoftoi se në fillim të vitit
të ardhshëm do të kemi mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive, për të cilën
është rënë dakord të zhvillohet një herë në vit. Në 20 mars të këtij viti u
zhvillua mbledhja e përbashkët e qeverive të Turqisë dhe të Bullgarisë. Në 12
tetor 2012, në bisedimet e kryeministrit serb në Budapest me kryeministrin
hungarez, u ra dakord që të fillojnë përgatitjet që vitin e ardhshëm të mbahet
mbledhja e përbashkët e qeverive të Serbisë dhe të Hungarisë. Në 12 tetor 2011
u zhvillua mbledhja e parë e përbashkët e dy qeverive, të Rumanisë dhe të
Bullgarisë. Në kronologjinë ballkanike të mbledhjeve të përbashkëta të qeverive
të dy shteteve shënohen mbledhjet e qeverive të Sllovenisë me të Hungarisë, të
Kroacisë me të Sllovenisë, të Rumanisë me të Hungarisë, të Serbisë me të
Italisë, të Bullgarisë me të Izraelit, etj. Në 28 nëntor 2012 ministri i
Jashtëm i Bullgarisë, nëpërmjet një letre zyrtare dërguar ministrit të Jashtëm
të Maqedonisë, i paraqet propozimin e qeverisë bullgare që të organizohet
mbledhja e përbashkët e qeverive të të dy vendeve çdo vit.
Për Ballkanin, mbajtja e mbledhjeve të përbashkëta të qeverive të dy shteteve
është një praktikë e re diplomatike, natyrisht e huazuar nga praktika
perëndimore dhe konkretisht nga modeli franko-gjerman, ku është
institucionalizuar një mbledhje e rregullt e përbashkët e qeverive të Francës
dhe të Gjermanisë çdo vit, një herë në pranverë dhe njëherë në vjeshtë. Në
planin diplomatik, politik dhe të sigurisë, zhvillimi i mbledhjeve të
përbashkëta të qeverive të dy vendeve ballkanike, duhet marrë si një zhvillim
normal dhe pozitiv, si një mundësi dhe hapësirë më e gjerë e diskutimit të
marrëdhënieve dhe të problemeve dypalëshe, ashtu dhe të efektit të
vendimmarrjes qeveritare dhe të marrëveshjeve, që nënshkruhen mes dy shteteve.
Zhvillimi i mbledhjeve të përbashkëta të qeverive të dy vendeve dëshmon një
shkallë më të lartë besimi dhe niveli marrëdhëniesh mes dy shteteve, për të mos
thënë se shënon një lloj karakteri specifik të marrëdhënieve mes dy shteteve.
Duke ndjekur dinamikën e fenomenit të mbledhjeve të përbashkëta dypalëshe të
qeverive të shteteve të ndryshme ballkanike, të lë një shije të hidhur
konstatimi që Shqipëria dhe qeveria e saj nuk figurojnë në asnjërin prej
takimeve të kësaj natyre. Shqipëria aktualisht ndodhet jashtë kësaj praktike të
re diplomatike në Ballkan, gjë që nuk mund të mos të të verë në mëdyshje lidhur
me rolin dhe peshën reale që ka dhe që duhet të ketë ajo në punët e Ballkanit.
Cilat janë elementet që e bëjnë më të pakuptueshme këtë situatë, ku Shqipëria
është jashtë praktikës dhe planifikimeve të njërit apo tjetrit shtet ballkanik
për zhvillimin e mbledhjeve të përbashkëta dypalëshe të qeverive.
Elementi i parë i konsideratës së analizës del fakti që Shqipëria është shtet
anëtar i NATO-s dhe asnjë shtet ballkanik anëtar i NATO-s nuk i ka ofruar asaj
mbajtjen e mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive. Kjo do të thotë se asnjë
shtet ballkanik anëtar i NATO-s nuk gjykon se Shqipëria mund të gëzojë në
marrëdhëniet dypalëshe një status aq të lartë besueshmërie, sa të lejojë
mbajtjen e një mbledhjeje të përbashkët të dy qeverive. Na pëlqen apo jo, kjo
do të thotë se edhe interesi i tyre për Shqipërinë nuk është ende në shkallën
që meriton një aleat anëtar i Aleancës Atlantike.
Elementi i dytë i rëndësishëm është fakti se Shqipëria ka nënshkruar
"Traktate Miqësie dhe Bashkëpunimi" me shumicën e shteteve
ballkanike, me Greqinë, me Turqinë, me Bullgarinë, me Rumaninë dhe me Kroacinë.
Si rregull, nënshkrimi i traktateve të kësaj natyre konsiderohet si shkalla më
e lartë e marrëveshjes kontraktuale juridike mes dy shteteve. Por të gjitha
shtetet ballkanike, me të cilat Shqipëria ka nënshkruar Traktatet e Miqësisë,
po zhvillojnë mbledhje të përbashkëta dypalëshe të qeverive me njëra-tjetrën
ose me shtete, që nuk janë anëtare të NATO-s dhe me të cilat as nuk kanë
nënshkruar Traktate Miqësie, dhe nuk po zhvillojnë me Shqipërinë. Kjo do të
thotë se nënshkrimi i Traktateve të Miqësisë nuk ka prodhuar dhe as ka vazhduar
me shkallëzimin gjeometrik të rezonancës së pozicioneve dhe as me krijimin e
atyre niveleve të besimit dhe të interesit, që do të çonin te mbajtja e një
mbledhjeje të përbashkët të qeverive të një shteti partner me atë të
Shqipërisë.
Elementi i tretë, jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe po në atë masë absurd,
është mungesa e zhvillimit të një mbledhjeje të përbashkët të qeverive të
Shqipërisë dhe të Kosovës. Janë dy shtete ballkanike, pjesë e të njëjtës
çështje jetike dhe strategjike kombëtare, të cilat kanë në qendër të politikës
së jashtme integrimin euroatlantik dhe në mënyrën më të pashpjegueshme nuk kanë
zhvilluar ende një mbledhje të përbashkët të të dyja qeverive. A vjen kjo nga
fakti se drejtuesve të qeverive në Tiranë dhe në Prishtinë u pëlqejnë më shumë
fishekzjarret folklorike të patriotizmit, që lëshojnë drejt dritareve të
njeri-tjetrit dhe që shuhen bashkë me festat, se sa veprimet institucionale të
integrimit kombëtar, kjo mbetet për t'u parë. Faji për këtë mungesë është i të
dyja qeverive, por logjika diplomatike dhe kombëtare e mëshon peshoren e fajit
më shumë tek Shqipëria, e cila si anëtare e NATO-s dhe që ka 100 vjet përvojë
shtetërore dhe diplomatike, duhet të kishte qenë nismëtarja e një mbledhjeje të
përbashkët të të dyja qeverive. Aq më tepër që kjo është një praktikë
diplomatike ballkanike, që po aplikohet nga shtetet e tjera. Tirana mund të
kishte marrë pak shembull edhe nga guximi shtetëror i Serbisë, e cila në 2
tetor 2012 zhvilloi në Banja Luka mbledhjen e tretë të përbashkët të qeverive
të Serbisë dhe të "Serpska republikës". Beogradi zhvillon mbledhje të
përbashkët qeverish me një entitet serb, që është pjesë e një shteti të pavarur
dhe sovran si Bosnjë-Hercegovina, duke cënuar sovranitetin e këtij shteti.
Kjo situatë e pakëndshme, kur Shqipëria e sheh veten jashtë një praktike të re
diplomatike dhe të marrëdhënieve të Ballkanit, duhet të verë në mendim dhe në
lëvizje diplomacinë dhe qeverinë shqiptare. Këtu duhet ndalur dhe reflektuar
thellë se përse Shqipëria ka një status të tillë, që mund të quhet inferior,
dhe ku shtetet e të njëjtit gadishull, që disa madje i përkasin të njëjtit
bllok ushtarak, nuk e marrin në konsideratë faktorin "Shqipëri" në
politikën e tyre ballkanike apo jashtëballkanike. Është një situatë, e cila
duhet përkufizuar si e papranueshme nga diplomacia dhe nga qeveria shqiptare në
planin gjeostrategjik dhe të sigurisë kombëtare. Është një situatë për të
ndërmarrë menjëherë një rivlerësim real dhe të përgjithshëm të marrëdhënieve të
Shqipërisë me shtetet ballkanike dhe ku nuk duhet të flemë me autosugjestionin
se, meqë jemi tashmë të gjithë së bashku në anijen euroatlantike, nuk ka
rëndësi nëse edhe bashkëgadishullorët na trajtojnë si banorë të klasit të tretë
të kësaj anieje.
Nuk duhet harruar për asnjë moment se në marrëdhëniet ndërkombëtare në Ballkan,
përveç interesave të përgjithshme euroatlantike, lëvrijnë brenda edhe interesa
individuale të shteteve ballkanike, të cilat nuk koincidojnë gjithmonë me
interesat kombëtare të Shqipërisë dhe të shqiptarëve si komb. A e kanë vënë re
dhe a e kanë ndjekur diplomacia dhe qeveria shqiptare këtë fenomen të ri në
praktikën diplomatike ballkanike, i cili në ndonjë segment mund të ketë në të
ardhmen edhe ndonjë pasojë serioze negative për interesin tonë kombëtar?
Vështirë të japësh një përgjigje pohuese, sepse faji nuk duhet kërkuar vetëm
tek shtetet e tjera, partnere të Shqipërisë në Ballkan, por edhe tek vetë
Shqipëria. Sepse, po ta kishte ndjekur dinamikën e marrëdhënieve ndërkombëtare
ballkanike, mund të kishte qenë apo të jetë vetë Shqipëria nismëtare e zbatimit
të një praktike të tillë në marrëdhëniet e saj me shtetet e tjera të rajonit.
Sepse fare mirë Shqipëria mund t'ia kishte propozuar organizimin e mbledhjeve
të tilla të përbashkëta të qeverive edhe Turqisë, edhe Kroacisë, edhe
Bullgarisë, për të vazhduar më vonë me të tjerat. Por ajo, që duhet të bëhet
një orë e më parë dhe për të cilën u drejtohem me propozim edhe qeverisë së
Shqipërisë, edhe qeverisë së Kosovës, është që të organizohet një mbledhje e
përbashkët e qeverive të të dyja shteteve në Tiranë ose në Prishtinë.