Një ditë pasi BE bëri pranimin e Çmimit Nobel për Paqe, me ç'gjë u mbars me
detyra të reja morale, rastësisht ose jo, dha për Maqedoninë një vendim që nuk
është në asnjë pikë dhe germë të tij minues dhe shkurajues - një "jo" pozitive,
sado absurde që tingëllon, që nuk e largon tutje vendin, por e afron drejt
mundësive të reja të anëtarësimit. Vendimi konsensual i ministrave të Jashtëm
të BE-së, për të shoqëruar mosdhënien e datës për negociata aderuese me një
shans dhe një afat konkret për realizimin e tri aksh detyrave, përbën
kualitetin e ri të politikës evropiane që ndez pishtarin e shpresës se jo
plotësisht është terratisur perspektiva integruese e vendit tonë.
Pikërisht për këtë, Maqedonia nuk do të duhej të priste lajmin e së martës
mbrëma me zemëratë dhe shkurajim, ngase ai paraqet ogurin që do të duhej t'i
jepte zemër asaj të bëjë hapa vendimtarë e të guximshëm, për të marrë në dorë
përfundimisht flakadanin e integrimeve. Qeverisë së vendit tonë nuk i duhet gjë
tjetër në tre muajt e ardhshëm veçse të jetë kokulur, të vullnetojë dhe t'i
rreket punës - tre rregulla këto që do t'i shërbenin asaj nga janari deri në
mars për të intensifikuar bisedimet për emrin, të përmirësojë raportet me
fqinjët dhe të zbatojë reformat-detyra të ndërmarra me anë të Dialogut Aderues
në Nivel të Lartë.
Qasja e re e BE-së që i detyrohet një ndryshimi kualitativ politikave të saj,
lëviz nga pika zero procesin integrues të Maqedonisë, krijon klimë për
përmbushjen e dy kushteve parimore (fqinjët dhe reformat) dhe ndërton bazën për
gjetjen e zgjidhjes së emrit, si një nyje Gordiane prej dy dekadash. Këtij
qëndrimi të ri të BE-së, Qeveria dhe politika zyrtare duhet t'i përgjigjet jo
me kokëfortësinë e deritashme dhe as me deklaratat dritëshkurtra, por me
demonstrimin e vullnetit aq të munguar për adresimin në afat sa më të shpejtë
të kushteve të shtruara. Mundësia e ofruar nga ana e Brukselit zyrtar është e
papërsëritshme, ndaj ajo do të duhej ta nxiste Qeverinë për të lënë mënjanë
politikën ditore dhe të ngallmojë energjinë e saj në arritjen e objektivave
strategjikë të shtetit.
Megjithatë, shumë i realët do të ishte skepticizmi që zgjedhjet lokale dhe gara
e brendshme politike të zhvendoste nga plani parësor adresimin e tri çështjeve,
si kushte për datën e negociatave, duke rrezikuar kësisoj lëshimin e shansit të
artë për vendin. Periudha janar-mars që është caktuar si afati kohor brenda të
cilit duhet përgjigjur kërkesave të BE-së, është fatkeqësisht tremujori kur
partitë politike janë në turrin e tyre për të (ri)fituar akëcila elektoratin e
saj.
Në një periudhë elektorale, politika (maqedonase) zor se do të bënte palën
konstruktive në bisedimet për emrin dhe aq më pak të retushonte qëndrimet
kundrejt një pjese të historiografisë së kontestueshme nga Bullgaria. Në këtë
mënyrë, politika e ndikuar dhe e diktuar nga interesat ditore dhe meskine, do
të mundë ta viktimizonte për të satën herë të ardhmen evropiane të shtetit që
paraqet rrugën e vetme të mbijetesës ekonomike dhe politike të tij. Kështu siç
njihen, forcat politike zor se do të mundë të dilnin edhe kësaj radhe nga
vorbulla e veprimit ballkanik, "frytet" e të cilit shpërfaqen sot në trajtën më
të keqe të marrëdhënieve ndërnjerëzore dhe ndëretnike në vendin tonë.
Së këndejmi, përpjekjet për të qenë më afër BE-së duhet të jenë frymëzim për
rivendosjen e dialogut mes liderëve politikë, për të normalizuar fillimisht
marrëdhëniet ndëretnike që lidhen edhe me frustrimet nga vonesat e integrimit,
dhe për të dhënë mesazhin e bashkimit kundrejt sfidës që e pret vendin në
rrugën e tij integruese. Me ftesë të partive në pushtet, opozitës duhet
mundësuar t'i bashkëngjitet përpjekjeve për të ndërtuar perspektiven evropiane,
në formën dhe mënyrën të cilën do ta përcaktonin palët, pasi një angazhim
mbarëpolitik dhe mbarëshoqëror do të lehtësonte afërmendsh përmbushjen e
kushteve të BE-së.
Impenjativë në angazhimin e tyre, duhet të jenë pa mëdyshjen më të vogël edhe
partitë shqiptare, të cilat duhet sforcuar kërkesat e tyre e të thonë qartas se
ylli polar i shqiptarëve të Maqedonisë vijon të jetë pa asnjë ekuivokë -
integrimi në BE dhe NATO. Nisur nga ky postulat i politikës shqiptare të
kudondodhur, forcat tona duhet të insistojnë dhe persistojnë në shfrytëzimin
për së mbari të kësaj mundësie që jep BE-ja, për të ndërgjegjësuar politikën maqedonase
se një dështim tjetër i radhës do të thoshte njëqind mundësi të humbura për
stabilitet, siguri dhe mirëqenie në vendin tonë.
-
Shënim: Autori është zëvendëskryeredaktor i gazetës "Zhurnal Plus" që
del në Shkup. Shkrimet i dërgon enkas për botim në Voal.