Me një njoftim dërguar miqve dhe përkrahësve të tij javën që kaloi, anëtari i
ri i Asamblesë së shtetit të New Yorkut, shqiptaro-amerikani i porsa zgjedhur
në atë detyrë, Zoti Mark Gjonaj, me origjinë nga Reçi i Ulqinit, ftoi të gjithë
që me datën 12 Shkurt të merrnin pjesë në kryeqytetin Albany të New Yorkut, ku
ai do të paraqiste një rezolutë për aprovim nga Asambleja e new York-ut, me
rastin e 5-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Ashtu edhe ndodhi. Në aktin e
parë zyrtar si asamblist i ri, Zoti Mark Gjonaj i paraqiti Asamblesë së shtetit
të New Yorkut për aprovim, rezolutën e përpiluar dhe sponsorizuar prej tij, në
5-Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Kur e pashë fillimisht njoftimin e asamblistit Mark Gjonaj, ai më solli në
mendë dekadat e fundit të shekullit të kaluar kur në Kongresin Amerikan, miqë
të shqiptarëve, senatorë dhe kongresmenë paraqisnin, në të dy dhomat federale
legjislative të SHBA-së, rezolutë pas rezolute me të cilat shpreheshin
qendrimet e Kongresit në lidhje me gjëndjen shumë të vështirë të shqiptarëve
nën regjimet jugosllave e serbe. Rezolutat të cilat -- për të mënjanuar një
gjakderdhje në Kosovë -- iu drejtoheshin Shteteve të Bashkuara, Kombeve të
Bashkuara dhe të gjithë botës së qytetëruar, që sipas njërës prej atyre
rezolutave të Kongresit Amerikan madje të aprovuar në Janar të vitit 1992, i
bëhej thirrje presidentit të Shteteve të Bashkuara për njohjen e Pavarësisë së
Kosovës dhe për lidhjen e marrëdhënjeve të plota diplomatike me Kosovën.
Por, rezoluta e sponsorizuar nga Zoti Mark Gjonaj, asamblisti i parë
shqiptaro-amerikan, dhe e miratuar nga Asambleja e New York-ut, nuk ishte e
kësaj natyre, dmth., që të vente botën në dijeni për tmerret që pësonin
shqiptarët në Ballkan jo, ai e paraqiti këtë resolute për miratim, duke e
lexuar në sallën e mbushur plot-e për-plot gjatë punimeve të Asamblesë së
shtetit të New Yorkut, për një rast historik dhe shumë të gëzueshëm për të
gjithë shqiptarët kudo pra me rastin e 5-Vjetorit të shpalljes së Pavarësisë
së Kosovës.
Në rezolutën e Asamblesë së New York-ut thuhet se ky trup legjislativ përkujton
këtë përvjetor në frymën e ngjarjeve historike që janë shembëll i parimeve dhe
i luftës për liri të popujve anë e mbanë botës për të siguruar Pavarësinë dhe
për të jetuar në paqë dhe liri. Rezoluta njeh gjithashtu kontributet që
shqiptaro-amerikanët nga Kosova, kanë dhënë në fusha të ndryshme si në tregti,
shkencë e në qeveri, të cilët sipas rezolutës, kanë frymëzuar të rinjët anë e
mbanë New Yorkut për të realizuar ëndërrat e tyre nepërmjet shkollimit dhe
punës së rëndë. Në rezolutë thuhet gjtihashtu se trupi legjislativ i New Yorkut
celebron dhe mburret me shqiptarët nga Kosova të cilët ruajnë me krenari
preardhjen e tyre dhe janë shëmbëll i bashkjetesës kulturore, gjë që forcon komunitetet
e ndryshme që jeojnë në New York. Në rezolutë nënvijohet fakti se Kosova
shpalli Pavarësinë e saj me 17 Shkurt, 2008, një datë historike këjo që do të
festohet nga shqiptaro-amerikanët si dhe nga Shtetet e Bashkuara dhe nga shteti
i New Yorkut, pasi këjo pavarësi u bë e mundur me ndërhyrjen ushtarake të
NATO-s, duke i dhënë fund fushatës brutale policore e ushtarake të regjimit të
Millosheviqit kundër spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës. Rezoluta njeh
edhe kontributin e vazhdueshëm të forcave të armatosura të Shteteve të
Bashkuara që kanë shërbyer dhe shërbejnë trimërisht si pjesë e aleancës së
NATO-s, duke thënë se prania e tyre në Kosovë është e pazëvëndsueshme për
mbrojtjen e popullit të Kosovës dhe për paqën në rajon.
Në rezolutë thuhet se Kosova tani ka një shtet funksional me një kushtetutë
demokratike, përshëndet marrëdhënjet e veçanta që ekzistojnë midis Shteteve të
Bashkuara dhe Kosovës, si dhe nënvijon faktin se Kosova është njohur tanimë si
shtet i pavarur nga shumë shtete dhe organizata ndërkombëtare. Si përfundim,
thuhet në rezolutë, Asambleja e shtetit të New Yorkut vendosi të bëjë një pauzë
në punimet e saj, për të përkujtuar 5-Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së
Kosovës me 17 Shkurt, 2013.
Në fjalimin e rastit, asamblisti Mark Gjonaj iu drejtua kolegëve të tij në
Asamblenë e New Yorkut, si edhe shumë personaliteteve, udhëheqësve dhe
përkrahësve të komunitetit shqiptaro-amerikan, duke thënë se, "17 Shkurti
shënon shpalljen e Pavarësisë së Kosovës dhe bashkimin shqiptar, një bashkim që
u bë edhe më i qartë ndërkohë që më shumë se 12.000 veta vdiqën dhe një milion
Shqiptarë u detyruan të largoheshin si refugjatë, shumë prej të cilëve kërkuan
strehim politik në Shtetet e Bashkuara.'' Asamblisti shqiptaro-amerikan Mark
Gjonaj u tha kolegëve të tij se, "Historia e popullit Shqiptar është e vjetër
dhe unike". "˜'Ne jemi, tha ai, "ndër qytetërimet më të vjetra në Evropë me
tradita kulturore, që dallojnë nga të tjerat por që theksojnë mikpritjen,
bujarinë, punën e rëndë dhe respektin, veti këto që jam i sigurt, tha ai, se
kanë influencuar Shqiptaren më të famshme në botë, Nënë Terezen."
Zoti Mark Gjonaj vazhdoi duke thënë se, "Është ironik fakti se njëra prej
qytetërimeve më të lashta në Evropë, njihet gjithashtu si shteti më i ri i Evropës."
Zoti Gjonaj foli edhe për lidhjet e ngushta që Shqiptarët gëzojnë me Shtetet e
Bashkuara, duke venë në dukje kontributin e presidentëve amerikanë, në
mbështetje të interesave kombëtare të shqiptarëve, duke filluar prej
presidentit Woodrow Wilson, presidentit Bush të vjetër, presidentit Klinton dhe
presidentit Bush të ri. Ai theksoi se, "Shqiptarët nga Shqipëria dhe nga Kosova
janë provë e gjallë se Shtetet e Bashkuara janë një komb i posaçëm që mbështetë
dhe përhapë lirinë dhe demokracinë anë e mbanë botës, në mbrojtje të të
drejtave të njeriut dhe gjithmonë në krye të luftës kundër shtypjeve dhe
tiranisë", përfundoi fjalën e tij asamblisti Mark Gjonaj me rastin e paraqitjes
dhe miratimit të rezolutës në Asamblenë e shtetit të New Yorkut, me rastin e
5-Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Foto nga Gazeta Dielli marrë në ambientet e Asamblesë së New York-ut
Asamblisti Mark Gjonaj me Konsullin e Përgjithëshëm të Kosovës, Zotin Bekim
Sejdiu duke mbajtur rezolutën, me Ambasadorin e Shqipërisë pranë Kombeve të
Bashkuara, Zotin Ferid Hoxha, Udhëheqsit e Vatrës, Dr. Gjon Buçaj dhe Zoti Agim
Rexhaj dhe Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, Martin Shkreli, e
të tjerë.