Pesëdhjetë e një vjet më parë Xhon F. Kenedi tha në këtë sallë: "Kushtetuta nuk
na bën rivalë për pushtet por partnerë për përparimin." "Është detyra ime", -
tha ai, "të raportoj për gjendjen e Shteteve të Bashkuara përmirësimi i tyre
është detyra e të gjithëve ne."
Sonte, falë kurajës dhe vendosmërisë së popullit amerikan, ka mjaft përparim
për të raportuar. Pas një dhjetëvjeçari lufte të mundimshme, burrat dhe gratë
tona trima nën uniformë po kthehen në shtëpi. Pas disa vitesh rënie ekonomike
rraskapitëse, bizneset tona kanë hapur mbi gjashtë milionë vende të reja pune.
Blejmë më shumë makina amerikane nga sa kemi blerë në pesë vitet e fundit dhe
më pak naftë të huaj nga sa kemi blerë në 20 vitet e fundit. Tregu ynë i
banesave po rimëkëmbet, tregu i aksioneve po rikthehet në gjendjen e tij dhe
konsumatorët, pacientët e pronarët e shtëpive kanë tani mbrojtje më të fortë se
asnjëherë.
Pra, së bashku kemi larguar rrënojat e krizës, dhe mund të themi me besim të
rikthyer se gjendja e Shteteve të Bashkuara është më e fuqishme.
Por mblidhemi këtu duke e ditur se ka miliona amerikanë puna dhe përkushtimi i
të cilëve nuk janë shpërblyer akoma. Ekonomia jonë po shton vende pune por
shumë njerëz nuk munden akoma të gjejnë punë me orar të plotë. Fitimet e korporatave
kanë kapur lartësitë më të mëdha të të gjitha kohërave por për më shumë se
një dhjetëvjeçar rrogat dhe të ardhurat nuk kanë pësuar ndryshim.
Është detyra e brezit tonë, atëherë, të rindezë motorrin e vërtetë të rritjes
ekonomike të Amerikës klasën e mesme të re e në lulëzim.
Çdo dollar që investojmë në arsim të cilësisë së lartë për fëmijë mund të na
kursejë më shumë se shtatë dollarë më vonë duke ngritur shkallën e
diplomimit, ulur rastet e shtatzanisë në adoleshencë, madje edhe duke ulur krimet
e dhunshme. Në shtetet që vendosin përparësi në arsimin e fëmijëve tanë më të
vegjël, si Xhorxhia dhe Oklahoma, studimet tregojnë se nxënësit rriten më të
prirur për lexuar e bërë llogari matematikore sipas nivelit të klasës, marrin
deftesat e lirimit, gjejnë punë, krijojnë familje më të qëndrueshme më vete. E
dimë që kjo funksionon. Atëherë le të bëjmë atë gjë që funskionon dhe të
sigurojmë se asnjë prej fëmijëve tanë të mos ë nisë garën e jetës mbas. Le t'ua
japim këtë mundësi fëmijëve tanë.
E dimë që kemi ekonomi më të fortë kur shpërblejmë punën e ndershme të një dite
të gjatë me pagë të ndershme. Por,
sot një punonjës me orar të plotë me pagë minimale fiton 14 500 dollarë në vit.
Edhe me lehtësimin nga taksat që kemi vendosur, një familje me dy fëmijë që ka
të ardhura sa një pagë minimale akoma jeton nën kufirin e varfërisë. Kjo nuk
është e drejtë. Prandaj, që prej herës së fundit që ky kongres ka rritur pagën
minimale, 19 shtete kanë zgjedhur ta çojnë më lartë të tyren.
Le te deklarojmë sonte se në kombin më të pasur në tokë, të mos ketë asnjë që
punon me orar të plotë që jeton në varfëri, dhe ta ngremë pagën minimale në
nivel federal në 9, 00 dollarë në orë. Duhet të arrijmë ta bëjmë këtë.
Sonte qëndrojmë të bashkuar në përshëndetjen e trupave dhe civilëve që
sakrifikojnë çdo ditë për të na mbrojtur. Prej tyre ne mund të themi me besim
se Amerika do të përmbushë misionin e saj në Afganistan dhe do të arrijmë
objektivën tonë për të mposhtur bërthamën e al Kaedës.
Deri tani kemi rikthyer 33 000 nga gratë dhe burrat tanë trima në shërbim. Këtë
pranverë forcat tona do të kalojnë në rol mbështetës, ndërsa drejtimin do ta
marrin forcat afgane të sigurisë. Sonte mund të deklaroj se përgjatë vitit të
ardhshëm edhe 34 000 trupa te tjera amerikane do të kthehen nga Afganistani.
Kjo tërheqje do të vazhdojë dhe deri në fund të vitit do të ketë përfunduar
lufta jonë në Afganistan.
Përkushtimi i Amerikës për një Afganistan të bashkuar dhe të pavarur do të
vazhdojë përtej vitit 2014, por natyra e përkushtimit tonë do të ndryshojë. Po
negociojmë një marrëveshje me qeverinë afgane që përqendrohet në dy misione
trajnim dhe pajisje të forcave afgane në mënyrë që vendi të mos bjerë sërish në
kaos, dhe përpjekje kundër terrorrizmit që do të na mundësojnë të ndjekim
mbetjet e al Kaedës dhe filialeve të tyre.
Sot organizata që na sulmoi në 11 shtator është veçse një hije e vetes së saj.
Është e vërtetë që kanë dalë filiale të al Kaedës dhe grupe ektremistësh që
nga Gadishulli Arabik deri në Afrikë. Kërcënimi që përbëjnë këto grupe po
zhvillohet. Por, për t'u përballur me këto kërcënime nuk është nevoja të
dërgojmë dhjetëra mijëra djem dhe vajza tonat jashtë shtetit apo të pushtojnë
vende të tjera. Përkundrazi, do të na duhet të ndihmojmë vende si Jemeni, Libia
dhe Somalia që të mundësojnë sigurinë e tyre dhe të ndihmojmë aleatët që
përkrahin luftën kundër terrorizmit, siç kemi bërë në Mali. Dhe atje ku është e
domosdoshme, nëpërmjet një game mundësish, do të vazhdojmë të marrim masa të
drejtpërdrejta kundër terroristëve që përbëjnë kërcënimin më të rëndë për
amerikanët.
Tani, ndërsa bëjmë këtë, duhet të listojmë vlerat tona në betejë. Për këtë
arsye administrata ime ka punuar pa u lodhur për të ndërtuar një kuadër të
qëndrueshëm ligjor dhe politikash për të drejtuar përpjekjet tona kundër
terrorizmit. Gjatë gjithë kësaj e kemi informuar kongresin plotësisht për
pëpjekjet tona. E përligj faktin se në demokracinë tonë askush nuk duhet të
besojë vetëm fjalën time se po i bëjmë gjërat në mënyrën e duhur. Prandaj, në
muajt në vijim, do të vazhdoj të përfshij kongresin për të siguruar se
përcaktimi, ndalimi dhe ndjekja penale e terrorizmit do të jenë jo vetëm në
përputhje me ligjet tona dhe sistemin e kontrollit dhe barazpeshimit, por edhe
se përpjekjet tona do të jenë akoma më transparente ndaj popullit amerikan dhe
botës.
Sfidat tona sigurisht nuk mbarojnë me al Kaedën. Amerika do të vazhdojë të jetë
në krye të përpjekjeve për të ndaluar përhapjen e armëve më të rrezikshme të
botës. Regjimi në Korenë e Veriut duhet të dijë se do të mund të arrijnë
sigurinë dhe begatinë e tyre vetëm duke përmbushur detyrimet e tyre
ndërkombëtare. Provokime të tipit të atyre që pamë një natë më parë vetëm sa do
t'i izolojnë më tepër, ndërsa ne qëndrojmë pranë aleatëve tanë, fuqizojmë mbrojtjen
tonë me predha dhe udhëheqim botën në marrjen e masave të prera në reagim të
këtyre kërcënimeve.
Po kështu, drejtuesit e Iranit duhet të kuptojnë se ka ardhur koha tashmë për
zgjidhje diplomatike, sepse koalicioni është i bashkuar në kërkesën që i bëjnë
për të përmbushur detyrimet e tyre dhe do të bëjnë gjithçka që nevojitet për të
mos lejuar ata të marrin armë bërthamore.
Ne të njëjtën kohë, do të përfshijmë Rusinë për të kërkuar pakësime të
mëtejshme në arsenalin tonë bërthamor, dhe do të vazhdojmë të udhëheqim
përpjekjet globale për të siguruar materialet bërthamore që mund të bien në
duar të gabuara sepse aftësia jonë për të ndikuar të tjerët varet nga
gatishmëria jonë për të udhëhequr e përmbushur detyrimet tona.
Amerika duhet të përballet gjithashtu me kërcënimin me rritje të shpejtë nga
sulmet kibernetike. E dimë që hakerat vjedhin identitetet e
njerëzve dhe ndërhyjnë në postën personale elektronike. E dimë se kompanitë dhe
vendet e huaja godasin sekretet tona të përbashkëta. Tani armiqtë tanë po
kërkojnë edhe mundësi për të sabotuar rrjetin e pushtetit tonë, institucionet
tona financiare, sistemet tona të kontrollit ajror. Nuk mundemi të kthejmë sytë
mbrapa pasi të kalojnë vite e të pyesim veten përse nuk bëmë asgjë përballë
kërcënimeve të vërteta ndaj sigurisë dhe ekonomisë sonë.
Për këtë arsye, sot firmosa një urdhër të ri ekzekutiv i cili do të fuqizojë
mbrojtjen ndaj sulmeve kibernetike duke rritur ndarjen e informacionit e
zhvilluar standarde për të mbrojtur sigurinë tonë kombëtare, vendet tona të
punës dhe privacinë tonë.
Por edhe kongresi duhet të veprojë gjithashtu duke miratuar ligje që i japin
më shumë mundësi qeverisë sonë të sigurojë rrjetet tona dhe të frenojë sulmet.
Këtë gjë duhet të arrijmë ta bëjmë mbi paza dypartiake.
Tani, edhe ndërsa mbrojmë popullin tonë, duhet të mbajmë mend se bota e sotme
paraqet jo vetëm rreziqe, jo vetëm kërcënime, por edhe mundësi. Synimi ynë
është të përmbushim negociata mbi Partneritet Trans-Paqësor për të nxitur
eksportet amerikane, mbështetur vendet e punës në Amerikë dhe niveluar fushën e
lojës në tregjet në rritje të Azisë. Dhe sonte po ju njoftoj se do të nisim
bisedimet mbi Partneritetin Transatlantik të Tregtisë dhe Investimit me
Bashkimin Europian sepse tregia e drejtë dhe e lirë përmes Atlantikut
mbështet miliona vende pune në Amerikë të paguara mirë.
E dimë gjithashtu se përparimi në pjesët më të rrënuara të botës sonë na
pasuron të gjithëve jo vetëm duke krijuar tregje të reja, rend më të
qëndrueshëm në rajone të caktuara të botës, por edhe sepse është gjëja e duhur
për t'u bërë. Në shumë vende njerëzit jetojnë me pak më shumë se një dollar në
ditë. Prandaj Shtetet e Bashkuara do të bashkohen me aleatët tanë për të
shkatërruar këtë varfëri të skajshme në dy dhjetëvjeçarët e ardhshëm duke
lidhur më shumë njerëz në ekonominë globale; duke fuqizuar gratë; duke u dhënë
mendjeve tona të reja e të mprehta mundësi të reja për të shërbyer, dhe duke
ndihmuar bashkësitë të ushqejnë, fuqizojnë dhe edukojnë veten; duke ruajtur
fëmijët e botës nga vdekjet e shmangshme dhe duke realizuar premtimin e një
brezi pa SIDA, gjë që është e arritshme për ne.
E shikoni që Amerika duhet të mbetet fener për të gjithë ata që kërkojnë lirinë
gjatë kësaj periudhe ndryshimesh historike. E pashë fuqinë e shpresës vitin e
kaluar në Rangun, në Burma, kur Aung San Suu Kyi mirëpriti një president
amerikan në shtëpinë ku kishte qenë e burgosur për vite; kur mijëra burmezë u
rreshtuan në rrugë duke valëvitur flamuj amerikanë, përfshirë edhe një burrë i
cili tha: "Ka drejtësi dhe rend në Shtetet e Bashkuara. Dua që vendi im të jetë
i tillë."
Në mbrojtje të lirisë sonë do të mbetemi spiranca e aleancave të fuqishme nga
Amerikat deri në Afrikë; nga Europa deri në Azi. Në Lindjen e Mesme do të
qëndrojmë në mbështetje të vendasve ndërsa ata kërkojnë të drejtat e tyre
universale dhe do të mbështesim kalimet e qëndrueshme drejt demokracisë.
E dimë që procesi do të jetë i rrëmujshëm, nuk mund t'i lejojmë vetes të
diktojmë rrjedhën e ndryshimit në vende si Egjipti, por mundemi të këmbëngulim
dhe do ta bëjmë këtë për respektimin e të drejtave themelore të gjithë
njerëzve. Do të vazhdojmë të ushtrojmë trysni mbi regjimin sirian i cili ka
vrarë popullin e vet, dhe do të mbështesim drejtuesit e opozitës që respektojnë
të drejtat e çdo shtetasi sirian. Dhe do të qëndrojmë të patundur me Izraelin
në kërkim të sigurisë dhe paqes së qëndrueshme.
Këto janë mesazhet që do të çoj kur të shkoj në Lindjen e Mesme muajin e
ardhshëm. Dhe e gjithë kjo punë varet nga kuraja dhe sakrifica e atyre që
shërbejnë në vendet e rrezikshme duke marrë përsipër rrezik të madh vetjak
diplomatët tanë, oficerët tanë të sigurisë dhe burrat e gratë në Forcat e
Armatosura të Shteteve të Bashkuara. Për sa kohë do të jem Komandant i
Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, do të bëjmë gjithçka nevojitet për të
mbrojtur ata që i shërbejnë vendit të tyre jashtë kufijve, dhe do të vazhdojmë
të kemi ushtrinë më të mirë që ka njohur ndonjëherë bota.
Do të investojmë në aftësi të reja, ndërsa pakësojmë ndërkohë mbetjet dhe
shpenzimet e luftës. Do të sigurojmë trajtim të barabartë për të gjithë ata në
shërbim, dhe përfitime të barabarta për familjet e tyre qofshin ata
heteroseksualë apo homoseksualë. Do të marrim zemër nga kuraja dhe aftësitë e
motrave, vajzave dhe nënave tona sepse gratë kanë provuar kur kanë qenë nën
sulm se janë gati të luftojnë.
Do t'i jemi besnikë veteranëve tanë duke investuar në kujdes shëndetësor
elitar, përfshirë këtu edhe shëndetin mendor, për luftëtarët tanë të dëmtuar
duke mbështetur familjet e ushtarakëve tanë; duke u dhënë veteranëve tanë
përfitimet dhe arsimin e mundësitë për punë që i kanë fituar vetë. Dua të
falënderoj gruan time, Mishelën, dhe Dr. Xhill Baiden për përkushtimin e tyre
të vazhduar në shërbim të familjeve tona ushtarake po aq mirë sa na kanë
shërbyer ato ne. Falemnderit, zemër. Falemnderit Xhill.
Megjithatë, mbrojtja e lirisë sonë nuk është detyrë vetëm e ushtrisë sonë. Të
gjithë duhet të bëjmë punën tonë për të siguruar se të drejtat tona të dhëna
nga Perëndia janë të mbrojtura në vend. Kjo përfshin një prej të drejtave më
themelore të një demokracie: të drejtën e votës. Kur një amerikani, pavarësisht
se ku jeton apo çfarë partie i përket, i mohohet kjo e drejtë sepse nuk mund të
presë për pesë apo gjashtë apo shtatë orë për të hedhur votën, ne po tradhtojmë
idealet tona.
Prandaj, sonte po ju bëj me dije një komision jopartiak për përmirësimin e
përvojës së votimit në Amerikë. Dhe kjo kategorikisht ka nevojë për përmirësim.
Po u kërkoj dy ekpsertëve me përvojë të gjatë në këtë fushë të cilët, meqë ra
fjala kanë shërbyer së fundmi si përfaqësuesit kryesorë ligjorë në fushatën
time dhe në fushatën e guvernatorit Romni të udhëheqin këtë punë. Këtë
mundemi ta rregullojmë, dhe do ta bëjmë. Këtë e kërkon populli amerikan dhe demokracia
jonë.
Sigurisht që ajo që thashë sonte nuk ka shumë rëndësi nëse nuk bashkohemi për
të mbrojtur burimin tonë më të çmuar: fëmijët tanë. Kanë kaluar dy muaj që nga
tragjedia e Njutaunit. E di që nuk është hera e parë që ky vend ka diskuatuar
si të ulë dhunën me armë. Por, kjo herë është ndryshe. Një pjesë dërrmuese e
amerikanëve amerikanët që besojnë në amendamentin e dytë të kushtetutës
janë bashkuar rreth reformës së arsyeshme, si për shembull kontrolle të
historikut të personit, të cilat e vështirësojnë mundësinë që kriminelët të
mund të sigurojnë armë. Senatorë nga të dyja partitë po punojnë së bashku për
ligje të reja më të rrepta për parandalimin e kujtdo që blen armë për t'ua
rishitur kriminelëve. Drejtuesit e policisë po kërkojnë ndihmën tonë për të
larguar nga rrugët armë lufte dhe karikatorë municioni masiv sepse këta shefa
policie, sepse ata janë lodhur duke parë se si djemtë dhe vajzat e tyre janë më
pak të armatosur.
Secili prej këtyre propozimeve meriton një votë në kongres. Nëse dëshironi të
votoni kundër, kjo është zgjedhja juaj. Por, këto propozime meritojnë një votë.
Sepse në dy muajt që kanë kaluar që nga tragjedia e Njutaunit, mbi një mijë
ditëlindje, diplomime, përvjetorë na janë vjedhur nga jeta jonë prej një arme
mbi një mijë.
Një prej atyre që humbëm ishte një vajzë e re me emrin Hadia Pendëlton. Ishte
15 vjeçe. Pëlqente shumë biskotat me fiq dhe shkëlqyesit e buzëve. Ishte
kërcimtare. Ishte aq e mirë me shokët dhe shoqet sa të gjithë mendonin se e
kishin shoqe të ngushtë. Vetëm tre javë më parë ajo ishte këtu në Uashington me
shokët e saj të klasës, ku luajtën për vendin e tyre në ceremoninë e marrjes së
detyrës nga unë. Dhe një javë më pas, ajo u vra me armë në një park në Çikago
pas shkollës, vetëm një milje (1,6 kilometra) larg shtëpisë sime.
Prindërit e Hadias, Neiti dhe Kleo, janë sonte në këtë sallë, bashkë me
dhjetëra amerikanë jetët e të cilevë janë copëtuar nga dhuna e armëve ata
meritojnë një votë të thjeshtë. Ata meritojnë një votë. Gebi Gifords meriton një
votë. Familjet e Njutaunit meritojnë një votë. Familjet e Aurorës meritojnë një
votë. Familjet e Oak Krik dhe Tukson dhe Bleksbërg, dhe bashkësi të tjera të
panumërta të copëtuara nga dhuna e armëve ato meritojnë një votë të thjeshtë.
Ato meritojnë një votë të thjeshtë.
Veprimet tona nuk do të parandalojnë çdo veprim të pallogjikshëm dhune në këtë
vend. Në fakt, asnjë ligj e asnjë nismë, asnjë veprim administrativ nuk do të
zgjidhë në mënyrë të përkryer të gjitha sfidat që kam paraqitur këtu sonte. Por,
asnjëherë nuk jemi dërguar këtu sepse jemi të përkryer. Jemi dërguar këtu të
sjellim ndryshimin që mundemi të sjellim, të sigurojmë këtë komb, të zgjerojmë
mundësitë, të mbajmë lart idealet tona nëpërmjet punës së madhe, shpesh të
lodhshme e zhgënjyese, por absolutisht të domosdoshme për vetëqeverisje.
Jemi dërguar këtu të kujdesemi për bashkështetasit tanë amerikanë në të njëjtën
mënyrë si ata kujdesen për njëri-tjetrin, çdo ditë, shpesh pa bujë në gjithë
vendin. Duhet të ndjekim shembullin e tyre.
Duhet të ndjekim shembullin e infermieres nga Nju Jork Siti me emrin Mençu
Sançez. Kur uragani Sendi e pllakosi në errësirë spitalin e saj, ajo nuk po
mendonte se ç'po bëhej në shtëpinë e saj. Mendja e saj ishte te 20 të
porsalindurit e çmuar në pavionin e saj dhe plani i shpëtimit që sajoi ajo i
shpëtoi të gjithë.
Duhet të ndjekim shembullin e një gruaje nga Majemi verior me emrin Desilin
Viktor. Kur Desilin mbërriti në vendin ku duhej të votonte, i thanë se pritja
për të votuar mund të ishte deri në gjashtë orë. Dhe ndërsa koha kalonte minutë
për minutë, shqetësimi i saj nuk ishte për trupin e saj të lodhur e këmbët që i
dhembnin, por nëse njerëz si ajo do të kishin mundësi të thoshin fjalën e tyre.
Dhe orë pas ore, një grup njerëzish mbajtën radhën në mbështetje të saj sepse
Desilin është 102 vjeçe. Dhe të gjithë shpërthyen në brohoritje kur ajo më në
fund vendosi etiketën që thoshte: "Unë votova."
Duhet të ndjekim shembullin e oficerit të policisë me emrin Brajan Mërfi. Kur
një i armatosur hapi zjarr mbi një tempull Sikh në Uiskonsin dhe Brajani
mbërriti atje i pari, ai nuk u shqetësua për veten e tij. Ai luftoi derisa i
erdhi ndihma dhe urdhëroi kolegët e tij policë të mbronin sigurinë e
amerikanëve që po adhuronin brenda edhe në momentet kur ishte i shtrirë e i
gjakosur nga 12 plagët e plumbave. Dhe kur e pyetën si e bëri këtë, Brajan tha:
"Kështu jemi bërë ne."
Kështu jemi bërë ne. Mund të bëjmë punë të ndryshme dhe të veshim uniforma të
ndryshme, si edhe të kemi pikëpamje të ndryshme nga personi në krahun tonë.
Por, si amerikanë të gjithë kemi një titull të përbashkët krenarie jemi
bashkështetas. Është fjalë që nuk përshkruan vetëm kombësinë tonë apo gjendjen
tonë ligjore. Ajo përshkruan mënyrën si jemi bërë. Përshkruan atë që ne
besojmë. Ajo përfshin idenë e qëndrueshme se ky vend funskionon vetëm kur
pranojmë detyrime të caktuara ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj brezave të ardhshëm,
se të drejtat tona janë të mbështjella në të drejtat e të tjerëve; se edhe në
shekullin tonë të tretë si komb mbetet detyrë e të gjithëve ne, si qytetarë të
Shteteve të Bashkuara të jemi autorët e kapitullit të madh të radhës në
historinë tonë amerikane.
Faleminderit. Perëndia ju bekoftë e bekoftë gjithashtu Shtetet e Bashkuara të
Amerikës.
-
* Fjalimi i Përvitshëm i Presidentit mbi Gjendjen e Shteteve të Bashkuara të
Amerikës mbajtur dje në Kongresin e SHBA