Akoma pa ngrohur mirë kolltukët e pushtetit, qeveria e re bullgare e
kryeministrit Plamen Oresharski, që bëri betimin në 29 maj, rihapi dosjen e
çështjes së projektit energjitik rus të ndërtimit të centralit bërthamor të
Belenës. Ky nxitim me sa duket është një lëvizje nën presionin dhe kërkesën e
Rusisë dhe qeveria e re bullgare, e drejtuar nga Partia Socialiste, e cila
njihet për lidhje të ngushta me Moskën, po tregohet e zellshme ta rihapë
dosjen, që ishte mbyllur nga qeveria e mëparshme. Projekti i centralit
bërthamor të Belenës është një nga tri projektet e mëdha energjitike ruse, për
të cilat Moska kishte nënshkruar marrëveshje me udhëheqjen e Bullgarisë, kur në
fuqi ishte Partia Socialiste. Këto tri projekte ishin gazsjellësi "South
Stream", naftësjellësi Burgas-Aleksandropullos dhe centrali bërthamor i
Belenës. Qeveria e djathtë e ish-kryeministrit Bojko Borisov, që erdhi në
pushtet në 2009, refuzoi realizimin e dy prej tri projekteve energjitike ruse,
naftësjellësin Burgas-Aleksandropullos, nga e cila hoqi dorë në vitin 2010 dhe
centralin bërthamor të Belenës, nga i cili hoqi dorë në mars të vitit 2012,
duke goditur interesat strategjike energjitike ruse në Bullgari dhe në Europë.
Projekti i Belenës do të ishte centrali i parë nuklear në të gjithë Bashkimin
Europian, i ndërtuar nga rusët dhe me teknologji ruse.
Odisea e centralit bërthamor të Belenës është e denjë për një skenar filmash
thriller, sepse përtej intrigave, makinacioneve dhe komplikacioneve të lojërave
subversive, ajo ka evidentuar ekzistencën dhe funksionimin e një virusi rus në
kompjuterin e shtetit aktual bullgar. Qëndrimi i qeverisë së mëparshme bullgare
për refuzimin e ndërtimit të centralit bërthamor, u arsyetua me argumente të
shumta, që nga ato financiare të kostos së lartë, ku rusët e dyfishuan koston
në krahasim me projektin primar, me mungesën e investitorëve strategjikë
perëndimorë e deri tek pasojat e rënda ambientaliste dhe pasiguria e madhe e
ndërtimit të centralit në një zonë të njohur në kronikat sizmike. Por pas
debateve ekonomike e teknike u qartësua shpejt se çështja e projektit rus të
Belenës mori një karakter politik e strategjik në përplasjen mes poleve dhe
forcave politike bullgare, ku qëndrimet përcaktoheshin nga këndvështrimi i
lidhjeve dhe i raporteve të Bullgarisë me Rusinë. Përplasja e ashpër politike
çoi në organizimin e një referendumi të propozuar nga Partia Socialiste lidhur
me ndërtimin e centralit të Belenës. Referendumi i 27 janarit 2013 dështoi për
shkak të pjesëmarrjes së ulët, nën normën ligjore, ku as 20 për qind e votuesve
nuk u sigurua. Çështja u kthye në parlament dhe në 27 shkurt 2013, disa ditë
përpara se të shpërndahej për shkak të zgjedhjeve të reja parlamentare të 12
majit 2013, parlamenti vendosi mbylljen e këtij kapitulli me refuzimin përfundimtar
të ndërtimit të centralit bërthamor të Belenës.
Por me ardhjen në fuqi të qeverisë së re socialiste u rikthye edhe kursi i saj
i përkrahjes së projektit rus. Presioni i Kremlinit ka qenë i jashtëzakonshëm
dhe i pandërprerë për imponimin e realizimit të këtij projekti, që mund të
kushtojë 10-12 miliardë euro. Pa humbur kohë, një javë pas formimit të qeverisë
së re, në Sofje shkoi në 7 qershor zëvendësministri rus i Energjisë, Anatoli
Janovsk, i cili zhvilloi bisedime me ministrin bullgar të Ekonomisë dhe të
Energjisë, Dragomir Stojnev, ku një nga temat kryesore ishte projekti i
Belenës. Pas bisedimeve, zëvendësministri rus i Energjisë deklaroi se kompania
shtetërore ruse "Rosatom" mund ta tërheqë padinë e saj në Arbitrazhin
Ndërkombëtar të Parisit kundër shtetit bullgar për zhdëmtimin në masën 1
miliard euro të humbjeve të shkaktuara nga ndalimi i realizimit të projektit,
nëse shteti bullgar bie dakord të ringjallë projektin e braktisur të centralit
bërthamor. Natyrisht, vizita dhe bisedimet e delegacionit energjitik rus në
Sofje për Belenën paraqesin hapin e parë konkret drejt riçeljes qeveritare të
derës për projektin energjitik rus. Qeveria e re bullgare ka demonstruar një
predispozicion të pazakontë për të plotësuar kërkesën ruse. Që në daljen e tij
të parë televizive si kryeministër në 30 maj, Plamen Oresharski deklaroi se do
të jetë më me përfitim, nëse do ta mbarojmë centralin bërthamor. Agjencia
bullgare "Fokus" njoftonte në 5 qershor se kryeministri Oresharski kishte
deklaruar në një intervistë tjetër televizive se do të ishte më mirë ta
përfundonim projektin e Belenës, se sa të humbim gjyqin në Arbitrazh.
Ndryshimi i qëndrimit qeveritar bullgar ndaj projektit rus të centralit
bërthamor, me sa duket është një zhvillim më i thellë, se sa vetëm një riardhje
në pushtet e qeverisë socialiste, që favorizon të tria projektet energjitike
ruse. Duke qenë një çështje me karakter dhe me pasoja strategjike, ajo kap një
kuadër më të gjerë se sa thjesht bullgar. Burime bullgare bëjnë të ditur se
edhe vetë zgjedhjet e parakohshme dhe ndryshimi i qeverisë bullgare kanë pasur
si katalizator një fushatë dhe një veprimtari të mbidheshme dhe të nëndheshme,
të orkestruar nga Moska. Sepse menjëherë pas dështimit të referendumit për
projektin e centralit bërthamor, jo vetëm u organizua një ofensivë e madhe
propagandistike e politike kundër qeverisë dhe në favor të projektit, por pati
disa lëvizje të dyshimta të karakterit operativ e strategjik. Menjëherë, në
mënyrë të befasishme, çmimet e energjisë elektrike për qytetarët u dyfishuan
dhe u trefishuan, një hap ky i llogaritur të shkaktonte, siç edhe shkaktoi,
reagimet e fuqishme popullore dhe protesta masive në të gjithë Bullgarinë.
Efekti domino vazhdoi me dorëheqjen e qeverisë së Bojko Borisovit, e cila
kishte ndaluar projektin e centralit, vazhdoi me organizimin e zgjedhjeve të
parakohshme të 12 majit 2013, të cilat e larguan atë qeveri nga pushteti.
Ajo që ndodhi në Bullgari ka interes për të kuptuar fuqinë e virusit rus dhe të
ndërhyrjes së Moskës për të ndikuar në ndryshime politike në favor të
projekteve të saj të mëdha strategjike energjitike. Analisti politik bullgar,
Ognian Minçev, theksonte në 15 maj se ndryshimi i qeverisë në Bullgari "ishte
qartë një skenar i KGB. Rusia tashmë ekonomikisht ka nënshtruar Serbinë dhe Malin
e Zi dhe nuk është e mundur të lejë Bullgarinë jashtë perimetrit të influencës
së saj". Hija e metodës së vjetër ruse të ndryshimit të qeverive për hir të
arritjes së interesave strategjike qarkullon nëpër shtetet ish- komuniste. E
përdori Rusia këtë metodë në Ukrainë, ku ndërhyrja e Moskës rrëzoi presidentin
demokrat të revolucionit të portokalltë, i cili kërkonte të fuste Ukrainën në
NATO dhe të dëbonte bazën ushtarako-detare ruse nga vendi, dhe krijoi kushtet
për ardhjen në fuqi të një presidenti prorus, i cili ndaloi zyrtarisht
integrimin Atlantik dhe u zgjati rusëve 50 vjet praninë e bazës
ushtarako-detare në Krime. Ngjashmëria duket e madhe edhe me Bullgarinë.
Rasti i Bullgarisë është interesant për të kuptuar më mirë dhe për të analizuar
fenomenet dhe disa zhvillime apo qëndrime të papritura strategjike në shtetet e
Europës Lindore, të cilat kanë qenë dikur sferë e influencës së Moskës, në
kohën e perandorisë komuniste sovjetike. Nuk është mirë të ushqehen iluzione
dhe të besohet se me anëtarësimin në NATO dhe në BE, sigurohet automatikisht
ndërprerja e ndërhyrjes së Rusisë në ish-shtetet komuniste, dikur sferë e
influencës së saj. Ajo që po ndodh në Bullgari, është sinjifikative për llojin
e veprimit dhe të pranisë së fuqishme të lobit rus në Bullgari dhe në
ish-vendet e tjera komuniste pa përjashtim, përfshirë edhe Shqipërinë.
Shqipëria i ndërpreu marrëdhëniet me Moskën në vitin 1961, por edhe pas kësaj
ndarjeje të gjatë 30-vjeçare lobi rus në Tiranë mbeti i fortë dhe është i tillë
edhe sot e kësaj dite.
Çështja e projekteve energjitike ruse nuk është me karakter të pastër ekonomik
dhe financiar, sikundër dëgjohet dendur nga lobet ruse në Ballkan. Ajo është
një çështje gjeopolitike dhe strategjike, e cila lidhet me vartësitë
energjitike dhe me ndikimin dhe me praninë e shtetit financues të projekteve
energjitike: Lufta për sfera influence nuk ka mbaruar dhe nuk mjafton
profilaksia e anëtarësimit në NATO dhe në BE për një imunitet sovraniteti. Nuk
mjafton, sepse një pjesë e elitës politike dhe financiare në vendet
ish-komuniste është e prirur për rivendosjen në forma të ndryshme të
sofistikuara të ndikimit, që Rusia kishte dikur në vendet ish-komuniste në
Ballkan. Një prirje e tillë drejt Lindjes favorizohet edhe nga një farë
neglizhence e Perëndimit ndaj kësaj dukurie, sepse edhe në Perëndim ekziston
ende në disa qarqe një iluzion se vendosja zyrtare e sistemit demokratik
kapitalist në shtetet ish-komuniste i neutralizoi edhe prirjet, edhe lidhjet e
vjetra të shumëfishta me Rusinë.
Virusi rus gjatë periudhës së tranzicionit ka qenë i fjetur dhe i instaluar në
strukturat shtetërore të ish-vendeve komuniste. Është mirë që NATO dhe BE ta
kenë në konsideratë këtë rrethanë strategjike dhe gjeopolitike, me qëllim që të
mos ndodhen para të papriturave të pakëndshme, të cilat mund të marrin forma
nga më të ndryshmet. Virusi rus ndodhet në kompjuterët e të gjitha shteteve
ish-komuniste, përfshirë edhe Shqipërinë.